Ministri i Brendshëm inspekton Kapshticën “Garantojmë siguri e qetësi”
“Shtimi i numrit të sporteleve dhe punonjësve, por dhe teknologjia bashkëkohore, kanë bërë që radhët kilometrike dhe orët e gjata të pritjes t’i përkasin së shkuarës”, – u shpreh dje ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në përfundim të inspektimit në pikën kufitare të Kapshticë. “Vërej se ka përmirësim shumë të ndjeshëm të kohës së përpunimit të udhëtarëve”, – tha Noka. Ministri u shpreh se meritë për këtë kanë edhe autoritetet policore dhe kufitare greke, masat e marra nga të cilët i kanë dhënë frytet e veta. “Lehtësimi, normalizimi i plotë i lëvizjes dhe me shpejtësi, vjen si meritë edhe e punës së autoriteteve policore dhe kufitare greke. Përfitova nga rasti për të përgëzuar z .Hondros, drejtorin rajonal për Maqedoninë Perëndimore, dhe kolegët e tij për masat që kanë marrë. Marrëveshja ndërmjet policive kufitare të dy vendeve për shkëmbimin reciprok të punonjësve të policisë së pikave të kalimit në territoret respektive për të ndihmuar në periudhat e pikut ka dhënë frytet e veta, duke bërë udhëtimin në këtë pikë kufitare të lehtë, të shpejtë dhe të sigurt”, – shtoi ministri. Duke folur për faktin se pika e kalimit kufitar të Kapshticës përbën një nga pikat më të rëndësishme të komunikimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ministri i Brendshëm u shpreh se është kënaqësi të konstatosh që fluksi i turistëve dhe udhëtarëve është rritur ndjeshëm. “Një zhvillim mjaft pozitiv përbën fakti që rritja e fluksit të madh të udhëtarëve në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rreth 8500 shtetas dhe 2430 mjete të huaja më shumë, qëllimi i ardhjes së të cilëve ka qenë turizmi. Tregues i qartë i rritjes së reputacionit të vendit tonë për sigurinë, qetësinë dhe bukuritë natyrore që ofron Shqipëria. Gjithashtu edhe qytetarët shqiptarë kanë respektuar me rigorozitet regjimin e vizave, pa tejkaluar afatet e lejuara të qëndrimit në vendet e hapësirës ‘Shengen’, fakt që e kanë pohuar të gjitha institucionet e Bashkimit Europian, por që ma konfirmuan edhe autoritetet greke që takova sot”, theksoi Noka. Duke i garantuar të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë se Ministria e Brendshme ka marrë të gjitha masat për të siguruar një qëndrim dhe pushime sa më të këndshme, z. Noka përsëriti sërish kërkesën ndaj Policisë së Shtetit që, pavarësisht masave të marra, të vijojnë me konsekuencë zbatimin në vijueshmëri të tyre. “Kërkoj nga efektivat e policisë kufitare të respektojnë maksimalisht kodin e etikës në komunikimin me qytetarët, pasi ata janë imazhi i parë i Shqipërisë, përshtypja e parë që krijon kushdo që viziton vendin tonë. Të forcojnë kontrollet për të kapur çdo element të paligjshëm. Efektivat e policisë së rendit të marrin masa të shtuara për të pasur nën kontroll të plotë çdo pëllëmbë të territorit për të garantuar më shumë siguri dhe qetësi. Kërkoj nga rrugorët që përpos masave të marra të rritin akoma më shumë kontrollin në aksin rrugor Kapshticë–Qafëthanë e kryesisht gjatë natës. Jo vetëm për sigurinë e udhëtarëve, por edhe për të ofruar ndihmë për çdo nevojë që ata mund të kenë gjatë udhëtimit. Këto masa duhet të unifikohen në të gjithë territorin.” Paralelisht ministri Noka u bëri apel qytetarëve që “të mos hezitojnë të denoncojnë çdo shkelje të këtij kodi apo edhe rastit më të vogël të praktikave abuzuese, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim për të gjithë ata që guxojnë të prishin imazhin e Shqipërisë apo Policisë së Shtetit”. Ndërkaq Vaios Hondros, drejtor rajonal për Maqedoninë Perëndimore, i shoqëruar nga kryekomisar Anastasios Amoridhis, zv.drejtor i Follorinës dhe personel nga pika e kalimit kufitar të Kristalopigjisë, e ftuan ministrin Noka të vizitojë edhe pikat e kontrollit në pjesën greke dhe e garantuan se do të marrin të gjitha masat për një qarkullim konform të gjitha standardeve europiane dhe do të vijojnë bashkëpunimin frytdhënës me autoritetet shqiptare. Gjatë kësaj vizite në Kapshticë ministri Noka këqyri nga afër edhe pikën e kontrollit dhe detektimit të substancave narkotike, që është një seksion i ri me aparatura moderne të luftës kundër trafikut të drogës. Në këtë pikë procesohen imtësisht makina dhe bagazhe që dyshohen se mund të mbajnë lëndë narkotike.