Kryeqyteti kryeson numrin e depozitave bankare
Rreth 40% e totalit të depozitave në sistemin bankar janë në bankat e kryeqytetit. Tirana vijon të kryesojë bindshëm listën e rretheve për sa i përket depozitave, duke konfirmuar kështu “epërsinë” ekonomike ndaj qyteteve të tjera. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë rezulton se depozitat e ‘tiranasve’ arritën në rreth 353 miliardë lekë në tremujorin e dytë të këtij viti, duke regjistruar një rritje 2.6% krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti. Sipas përllogaritjeve, Tirana ka një raport depozitash 388 mijë lekë për banor, deri në fund të gjysmës së parë të këtij viti. Në vendin e dytë për sa i takon depozitave është qyteti i Durrësit me një total prej 79 miliardë lekësh depozitave, me një raport më të ulët kundrejt kryeqytetit, 254 mijë lekë depozita/banor. Qyteti i tretë në vend për madhësinë e depozitave është Vlora, me rreth 60 miliardë lekë depozita në fund të qershorit 2012. Ky qytet ka një raport më të lartë se Durrësi kundrejt popullsisë, duke konfirmuar kështu më shumë mirëqenie në rajonin e saj. Vlonjatët regjistrojnë një raport prej 283 mijë depozita/banorë. Korça ka gjithashtu një raport të lartë depozitash, me një total prej 59.2 miliardë lekësh dhe një raport 230 mijë lekësh depozita/banor. Të dhënat konfirmojnë se qytetet me emigracion të lartë, siç janë Durrësi, Vlora dhe Korça kanë arritur të kenë depozita të larta dhe të garantojnë më shumë mirëqenie tek banorët. Fieri, megjithëse renditet i pesti në radhën e qyteteve shqiptare për nivelin e depozitave, me rreth 57 miliardë lekë, ka një raport shumë të ulët të tyre kundrejt banorëve. Kjo konfirmon shkallën e madhe të ndryshimit ekonomik në këtë rajon dhe nivelin më të ulët të jetesës në raport me qytetet e tjera të mëdha të vendit. Raporti në këtë qytet është 157 mijë lekë depozita/banor. Qyteti i Elbasanit është gjithashtu një rajon me një raport të ulët, vetëm 156 mijë lekë depozita për banorë, megjithëse është qyteti i tretë më i madh në vend dhe ka një numër të madh banorësh dhe biznesesh. Shkak për këtë është shkalla e ulët e emigracionit në këtë qytet. Ndërkohë, Shkodra megjithëse ka një nivel më të ulët depozitash se Elbasani, 47.5 miliardë lekë, ka mirëqenie më të lartë, ku raporti është 193 mijë lekë depozita për banor. Këto të dhëna mbeten pothuajse të pandryshuara edhe nga publikimi të shifrave në tremujorin e parë të vitit, ku kryeqyteti ishte në krye të listës për nga numri i depozitave.
Qytetet
Janë plot shtatë qytete të mëdha ato që mbajnë peshën kryesore të parave gjithsej të depozituara në banka. Pjesa tjetër e vendit përfshin zona rurale apo qyteza të vogla, të cilat gjithsej kanë pothuajse 1/4 e gjithë parave që kanë shqiptarët në banka. Rritja e pasurisë së këtyre zonave ka qenë graduale në vitet 2007-2008, më e moderuar me vetëm 3 miliardë lekë. Qytetet, të cilat kanë numrin më të madh të emigrantëve, kanë përfituar një rritje më të madhe të numrit të depozitave dhe shumave të tyre.
Depozitat
Plot 353 miliardë lekë u përkasin depozitave në bankat në kryeqytet, duke e bërë Tiranën qytetin më të pasur në vend. Kjo shumë përbën më shumë se 1/3 e gjithë parave që rezultojnë të mbyllura në banka. Në vendin e dytë vjen qyteti i Durrësit, me 79 miliardë lekë depozita. Sipas të dhënave, 881 miliardë lekë është totali i gjithë depozitave në të gjithë vendin në fund të vitit 2011. Krahasuar me vitin 2007, këto depozita janë rritur në mënyrë të konsiderueshme.
Prurjet
Pas panikut të përhapur gjatë javës për daljen e Greqisë nga monedha euro dhe daljes në qarkullim të monedhës helene dhrahmisë grekët iu drejtuan bankave për të tërhequr kursimet e tyre. Nga ky lajm reaguan edhe emigrantët shqiptarë, të cilët transferuan depozitat e tyre drejt bankave të vendit të tyre në Shqipëri. Bankierët presin që efekti i transferimit të kursimeve nga Greqia drejt Shqipërisë të vazhdojë, sidomos pas lajmit se 1.2 miliardë euro depozita janë tërhequr nga bankat në Greqi.