Perandoria e fjalëve

Sikur ta intervistonin sot, Otto von Bismarck do të vërente se Echelon, mjeti më i madh i interceptimit dhe përpunimit të inteligjencës i konceptuar ndonjëherë, është loja e një klubi të ngushtë: SHBA, Britani e Madhe, Kanada, Australi, Zelandë e Re. Të gjitha shtete të gjuhës amëtare angleze.

Kur e pyetën Kancelarin Otto von Bismarck se cila ishte ngjarja më domethënëse e historisë së vonshme, ai u përgjigj enigmatikisht: “Amerika e Veriut flet anglisht”. Mesazhi, nga mendja më fine e diplomacisë evropiane, ishte i qartë: gjuha është pushtet. Fjalët e përbashkëta krijojnë lidhje dhe afinitete midis popujve. Më shumë sesa afërsia gjeografike. Më shumë sesa ushtritë. Gjykimi i Bismarck-ut, i cili i përket vitit 1898, e zbuloi saktësinë e tij vetëm pak vite më vonë, me hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore: përkrah Britanisë së Madhe dhe kundër Gjermanisë e Austro – Hungarisë, perandori të bashkuara nga gjuha e përbashkët gjermanishte. Kancelari i Hekurt e kish parë ndërthurjen, por nuk ia kish kapur të gjitha degëzimet: disa prej nyjeve midis gjuhës e njerëzve dhe historia e tyre janë akoma për t’u zgjidhur.

Raporti i thellë midis një qytetërimi dhe gjuhës së tij ishte i njohur për sumerët e lashtë, shpikësit e karaktereve të para të shkrimit, në vitin 3000 B.C. Karakteret kuneiforme të qytetërimeve mesopotamike, të gdhendura në tabela argjile, shërbyen në fillim për shkëmbime tregtare, një lloj letër këmbimi. U përhapën në të gjithë Lindjen e Mesme, nga hititët në Perëndim tek elamitët në Lindje dhe mbijetuan për më shumë se një mijëvjeçar më shumë se gjuha sumere, si gjuhë e folur. Por gjuha, në fillimet e qytetërimit njerëzor, ishte edhe një tentativë për të rregulluar kaosin e botës: t’i emërtoje gjërat nënkuptonte t’i posedoje ato, të bëje të ekzistonin. Një vepër magjie, ushtrimi i parë i filozofisë realiste. Tek Gjeneza, Zoti e krijoi botën me fjalët dhe njerëzit, po me fjalët, filluan ta qeverisin atë. Për grekët dhe romakët, lidhur me retorikën, arti i të bindurit me diskutim maste aftësitë e politikanit; ishte një armë lufte për kohën e paqes. Për një indian të Perandorisë Maurya, përsosmëria e gjuhës, në rastin konkret e sanskritishtes, ishte ornamenti i vetëm i pakorruptueshëm. Në Indinë mesjetare, të diturit sfidoheshin në gara dialektike përpara sovranëve.

Qenë konkurrime mizore: fituesi vlerësohej me monedha floriri, humbësi i eleminuar me prerjen e kokës. Kështu latinishtja ka udhëtuar mbi shqytet e legjioneve, arabishtja mbi fillin e shpatave të kalorsisë beduine. Sot kinezçja mandarine, anglishtja, hindishtja, rusishtja dhe japonezçja janë respektivisht në vendin e parë, të dytë, të tretë, të pestë dhe të dhjetë në klasifikimin e gjuhëve më të përhapura dhe u korrespondojnë fuqive më të mëdha politike dhe ekonomike të planetit apo vendeve, si në rastin e Indisë, në ngjitje të shpejtë. Spanjishtja, portogezçja, frëngjishtja (vendi i katërt, i shtatë, i tetë) formojnë mbeturinat gjuhësore të perandorive të mëdha koloniale. Në disa raste, stafeta e gjuhës është marrë nga ish-kolonitë, Shtetet e Bashkuara për anglishten, Brazili, në masë më të vogël, për portogezçen. Gjermanishtja, në vendin e tetë së bashku me frëngjishten, është gjuha e ekonomisë më të fortë europiane. Megjithatë, lidhjet midis fatit të një gjuhe dhe atij të një populli, të një kombi, nuk kanë qenë gjithmonë kaq të thjeshta, kaq evidente dhe ndoshta nuk do të jenë në të ardhmen. Aventurat e gjuhëve njerëzore nuk marrin domosdoshmërish rrugë të drejta. Nganjëherë, preferojnë devijimet, për të çarë, papritur, në kryqëzimet e historisë. Mbi gjurmët e fjalëve përgjatë shekujve është lëshuar tani një gjuhëtar anglez, Nicholas Ostler, President dhe motor i Foundation for Endangered Languages, një fondacion që merret me gjuhët në rrezik zhdukjeje, me seli në Bath. Sipas një vlerësimi të UNESCO-s, nga 6500 gjuhët e folura sot në botë, rreth gjysma e tyre mund të zhduken në 50 vitet e ardhshme.

Këtë radhë Ostler ka dashur të merret me fituesit: gjuhët që kanë pasur sukses dhe kanë pushtuar territore dhe intelekte. Ato që kanë bërë një garë rezistence me historinë dhe janë akoma në përdorim; ato që kanë mbajtur perandori dhe sot janë zhdukur. Ostler ka provuar të deshifrojë arsyet e suksesit të tyre. E ka bërë me një libër pionieristik, “Empires of the Word” (Perandoritë e Fjalës), i botuar në Amerikë dhe në Angli nga shtëpia botuese “Harper&Collins”. Ndryshe nga librat e tjerë mbi argumentin gjuhësor, libri i Ostler nuk vë përballë njëra-tjetrës struktura dhe rrënjë, por ndjek evolucionin e gjuhëve të mëdha në kthesat e shekujve. Analizon sesi tregtitë, rendet politike, pushtimet kanë influencuar mbi fjalët e njerëzve dhe sesi një idiomë kontribuon në përcaktimin e karakterit të një qytetërimi. “Është një qëndrim i ri, variantet janë shumë, jo të gjithë të parashikueshëm. Shpesh hipotezave u mungon komoditeti i provave dhe atëherë procedohet me deduksion. Dinamika e gjuhëve është një shkencë në pelena”, shpjegon Ostler.

Por vizioni që ai çel është ndër më intriguesit. “Besoj të kem demostruar se gjuhët që kanë përmbytur botën nuk janë ekskluzivisht bija të fuqive globale. Pushtimi ushtarak është një faktor, por ama nuk mjafton. Një shembull është ndriçues: pushtimet barbare që i dhanë fund pax romana nuk arritën që t’i çojnë dialektet gjermanike në provincat e Perandorisë së shkatërruar. Latinishtja u copëzua, u shumëfishua dhe i dha jetë gjuhëve romançe. Kalorësit mongolë të Gengis Khan-it e më pas të Timur Leng-ut krijuan një perandori shumë të madhe, por burokracia dhe deri ushtria flisnin kinezçe ose turqisht. Për të menaxhuar zotërimet e tyre, asirët i besuan aramaikishtes, gjuhës së tribuve nomade që kishin mundur. Vetë romakët arritën ta eksportojnë latinishten në provincat perëndimore, por në ato lindore greqishtja mbeti gjuha më e përhapur. Aq sa në Perandorinë Romake të Lindjes, pas ndarjes, latinishtja mbeti gjuha zyrtare për më pak se një shekull, më pas u caktua greqishtja, edhe në oborrin mbretëror. Nga ana tjetër, duhet pranuar se conquistadores-at spanjollë arritën që ta mbjellin në mënyrë të qëndrueshme kastiljançen në zotërimet e tyre të Amerikës, por nuk patën të njëjtin sukses në Filipine”. Antonio de Nebrija, gjuhëtar i famshëm spanjoll, shkruante në librin e tij “Gramatica de la lengua castellana”, viti i botimit 1492, i njëjti me atë të zbulimit të Amerikës, se gjithmonë “gjuha ka qenë shoqja e Perandorisë”.

Por në të vërtetë historia e gjuhëve të mëdha është e mbushur me vrima të zeza, e infiltruar nga enigma. Fjalët janë instrumentum regni, por edhe art për të tërhequr. Magjepsje. Mund të bëhen pasqyra gënjeshtare. Përse italishtja, e cila ishte gjuha e kulturuar e oborreve mbretërore evropiane të Rilindjes, së bashku me latinishten, ia la vendin frëngjishtes? Pse e vetmja nga provincat romake ku një gjuhë gjermanike arriti të zinte vend qe Britania? E si nga ky ishull i humbur, anglishtja u përhap nëpër botë? Çfarë ka ndodhur me qechua-në, gjuhën e Perandorisë Inkase? Ku humbi sanskritshtja? Si kanë mundur të mbijetojnë deri më sot hebraishtja dhe gjuha baske, të mbetura identike pas mijëra vjetësh? Midis ndryshimeve të paparashikueshme të alfabeteve të para, të ideogrameve, të fjalorëve modernë, ndjehet jehona e ushtrive, kontraktimet e qëndrave tregtare, zhurma e karavelave, fërshëllima e një lidhjeje me internet. Libri hapet me një takim historik: ai midis hidalgos spanjoll Hernán Cortés dhe zotërisë absolut të Perandorisë Acteke, Motecuhzoma, i njohur më mirë, më pas, si Montezuma. Titulli i tij zyrtar është tlatoani , “ai që flet”. Por për të kuptuar fjalët respektive në nëntor të vitit 1519, liderët asistoheshin nga dy përkthyes: fisnikja meksikane Malin-tzin që vinte nga një qytet rival i actekëve dhe Frat Geronimo de Aguylar. Numri i luftëtarëve ishte në favor të Motecuhzoma-s, por pushkët, kuajt dhe fjalët luanin në favor të Cortés. Diskutimi i tlatoani-ve qe një kryevepër diplomacie të lulëzuar dhe jo të drejtpërdrejtë që i impresionoi pak spanjollët; foljet e Cortés-it tentonin drejt urdhërores. Nga ai moment, nahuatl-i, në atë kohë gjuha më e përhapur në Amerikën Qëndrore, filloi të humbasë terren kundrejt kastiljançes. “Por kastiljançia arriti të hedhë rrënjë pas shekujsh qeverisjeje spanjolle”, sqaron Ostler. “Akoma sot shumë dialekte lokale janë gjuha më e folur në disa zona të Meksiskës. Ajo që krijoi diferencën nuk qe qeveria, por emigracionet masive nga Spanja dhe formimi i familjeve të përziera, të inkurajuara nga politika e Nadridit. E njëjta gjë ndodhi në Brazil, pas zbulimit të vendburimeve të floririt. Deri më atëherë portogezçja ishte ndalur tek brigjet. Veç kësaj, portogezë e spanjollë, kishin një motiv tjetër: të çonin në territoret e reja fenë katolike. Në fillim, misionarët mendonin se ishte e preferueshme të predikohej në gjuhët vendase tashmë ekzistuese, nahuatl-i në Meksikë dhe quechua-ja në Peru, por më pas edhe edukimi në fenë kristiane u transmetua, e gjuhët e kolonizatorëve”. Valët e mëdha migratore qenë faktori faktori vendimtar për përhapjen e anglishtes në Amerikën Veriore.

Në mesin e 1600, 13 kolonitë britanike qenë rrethuar nga territore nën flamurët e Francës e Spanjës, por numri i kolonëve shënonte shumë pikë për atë që do të do të bëheshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Evropianët dhe gjuhët e tyre patën në Amerika një aleat tjetër të tmerrshëm: mikrobet e përtejdetit, për të cilat indigjenët nuk kishin antitrupa, dhe që bënë masakra jetësh dhe traditash gjuhësore dhe ndoshta një murtajë qe aleate padashje e gjuhës aktuale angleze në shekullin e V-të. Britania qe e para provincë romake që u braktis, kur Perandoria filloi të shkërmoqej. Garnizonet u thirrën. Jutët, anglët dhe saksonët zbarkuan në masë. Një hipotezë e kohëve të fundit jep një mundësi të re: popullsia që fliste latinishte dhe keltisht u dhjetuar në shekullin e VI-të nga një epidemi murtaje, e cila goditi britanikët që kishin ruajtur kontakte tregtare me Mesdheun dhe që jetonin të përqëndruar në qytet, më shumë sesa pushtuesit gjermanikë. “Ka mundësi, latinishtja nuk kish lëshuar rrënjë të fuqishme në ishull, provinca e fundit e Perëndimit që është pushtuar dhe e para që braktisej. Pastaj, gjuha keltike e britanëve ishte shumë e ndryshme nga ajo e keltëve të Galisë. Ndoshta, latinishtja ishte për britanët një gjuhë e vështirë. Një rast i ngjashëm është ai i sumerishtes, e zëvendësuar rreth vitit 2400 B.C. në zonën e gjysëmhënës pjellore nga akadishtja, gjuha e parë perandorake e historisë.

Sumerët qenë qytetërimi më i përparuar, por qenë të rrethuar nga popullsi që flisnin gjuhë semitike, me struktura krejtësisht të ndryshme. Perandoria akadike adoptoi zakonet e sumerëve, ruajti strukturën kuneiforme, por e katandisi sumerishten në një përdorim ceremonial”. Kaleidoskopi i gjuhëve në vorbullën e historisë mund të provokojë marramendje. Ostler sugjeron disa linja investigimi. Një gjuhë mund të përhapet në mënyra të ndryshme: nëpërmjet pushtimit ushtarak, migracionit të masave të mëdha, infiltrimit progresiv, teknologjive të reja. I rëndësishëm është edhe prestigji kulturor i një gjuhe, shkalla e kohezionit të një kulture brenda një aspekti gjeografik, besimi fetar që mund të veprojë edhe si motor për ekspansionin gjuhësor, edhe si armaturë që e mbron gjuhën nga influenca të jashtme. Asnjë prej këtyre kushteve- i vetëm, nuk duket i mjaftueshëm se bën të triumfojnë fjalët dhe thekset e një populli kundër atyre të një tjetri. Fenikasit krijuan një rrjet të pabesueshëm tregtish detare, por nuk mbetet një vepër e vetme letërsie dhe, megjithëse janë shpikësit e alfabetit të parë, gjuha e tyre lëshoi rrënjë vetëm në koloninë e madhe të Kartagjenës dhe në zotërimet e saj territoriale. Nën shtytjen e Islamit, arabët në më pak se dy shekuj krijuan një kalifat, kufijtë e të cilit shkonin nga Afganistani i sotëm deri në Spanjë. Por megjithëse gjuha arabe ishte e shenjtë, arriti të mbizotërojë vetëm në territore, gjuhët e të cilëve qenë semitike, domethënë të së njëjtës familje. Në Persi vazhdoi të flitej persisht. Në Afrikën Veriore gjuhët berbere mbijetuan. Sovranët moghulë, me origjinë mongole dhe besim fetar islamik, në Indi sollën persishten (gjuhë evropiane me një strukturë të ngjashme me sanskritishten dhe me dialektet që kanë rrjedhur prej saj) dhe jo arabishten, e cila mbeti e kufizuar tek xhamitë.

Akoma sot, arabishtja, megjithëse në ngjitje, nuk hyn në 20 gjuhët më të përhapura. Është falë fesë që hebraishtja, gjuhë shumë e vjetër, është ruajtur, edhe pse për të folurën aktiale, në Jeruzalem qysh në mijëvjeçarin e parë B.C., ishte zëvendësuar nga aramaikja. Është interesant fati i egjiptiançes së vjetër, e aftë të rezistojë në shtratin kulturor të saj për më shumë se 3000 vjet dhe më pas, pas shekujsh qeverisjeje të huaj, u bë gjuha liturgjike e minorancës kristianëve, e koptëve. Sot egjiptiançja e ceremonive kopte mund të kuptohet, me një çikë vështirësi, nga një faraon i Mbretërisë së Lashtë. Prestigji kulturor duket një faktor tjetër përcaktues. Romakët i asgjësuan gjurmët e gjuhëve punike dhe etruske, por patricët vraponin në Athinë për të mësuar greqishten. Pushtimet e humëve e të mongolëve e kaluan Murin e Madhe, por mezi e prekën gramatikën kineze. Përkundrazi, nomadët fitimtarë arritën të adoptonin deri ideogramet shumë ë vështira. Ka mundësi që nuk përbën rastësi fakti që tributë e gotëve dhe të frankëve që pushtuan provincat e Mesdheut të kishin pasur shkëmbime të shpeshta me Romën, në shekujt e mëparshëm, ndërsa për saksonët që pushtuan Britaninë, Perandoria e Çezarëve ishte pak më shumë se një mit i zbehtë. Sanskritishtja hodhi rrënjë në Juglindjen aziatike dhe në Tibet falë tregtarëve të Perandorisë Kalinga, piratëve të Bengalës, murgjërve budistë dhe epikës së Mahabharata-s.

Sot, në përhapjen e madhe të anglishtes, si gjuhë e dytë, në të gjitha lartësitë e saj, ka kontribuar ndoshta më shumë muzika pop, publiciteti dhe interneti i financës ndërkombëtare. “Biznesmenët, dihet, janë pak romantikë, përdorin mjetin më komod, edhe në nivel gjuhësor”, argumenton Ostler. “Hollandezët, tregtarë të mëdhenj, në perandorinë e tyre koloniale në Azi preferuan të përdorin portogezçen dhe malajën (sot Indonezia Bahasa, shënimi im.) dy gjuhët ndërkombëtare tashmë në përdorim në këto rrugë tregtare, kurse hollandezçja në variantin afrikan, u rrënjos në koloninë e Kepit dhe më pas në Transvaal, në Afrikën e Jugut të sotme, falë vendbanimit të qëndrueshëm të kolonëve”. Por a do të ishte e mundur t’i përshtatesh dinamikës gjuhësore teori të reja, si ajo e rrjeteve të Barabàsi-t, tashmë e zbatuar në rritjen e Internetit, ashtu dhe në zhvillimin e organizmave qelizore? Teoria individualizon në numrin e nyjeve që arrijnë të lidhen e të kryqëzohen rritjen dhe degësimin e një sistemi social. “Besoj se mund të zbatohet në rastin e aramaikes, gjuhës së një popullsie nomade që u bë e rëndësishme në mbretërinë e parë babilonase. Kishin një alfabet të ngjashëm me atë të fenikasve. Asirët i shpartalluan dhe i deportuan në zona të ndryshme të perandorisë së tyre dhe përfunduan duke ju adoptuar gjuhën, e cila më pas u bë gjuha zyrtare e Perandorisë Persiane dhe që për një kohë të gjatë gjuha ndërkombëtare e Antikitetit”, përgjigjet Ostler. Edhe anglishtja duket sot se ndjek një rrugë të ngjashme, por të panjohurat e historisë mund ta bëjnë të rrëshqasë rritjen organike të një gjuhe.

Ka qenë rasti i latinishtes. Edhe në Internet, risi teknologjike e shpikur nga amerikanët dhe në të cilin shumica e faqeve internetore flet anglisht, gjuhët që rriten më shumë janë ato lindore. Cila do të jetë e ardhmja e gjuhëve? Do të vazhdojnë të jenë shoqëruese, jo krejtësisht besnike, të prestigjit, të fuqisë ekonomike, të rritjes ekonomike, të besimit fetar? “E vështirë të bësh parashikime. Pjesa më e madhe e gjuhëtarëve nuk e shikon në rrezik primatin e anglishtes në të ardhmen e afërt, por nuk do të isha kaq i sigurtë”, mendon Ostler. “Gjuhë të tjera globale dukeshin të pamposhtura, ama sot janë harruar”. Gjithësesi, gjuha më e folur sot në botë është kinezçja mandarine. “Kinezçja është një rast në dukje i pabesueshëm. Është ndër gjuhët e para të botës prej pothuajse 500 vjetësh. Rezistenca e saj i detyrohet kohezionit kulturor, dendësisë së popullsisë dhe shtrirjes të territorit. Pushtuesit në të kaluarën mund të ishin superiorë ushtarakisht, por jashtëzakonisht inferiorë në numër dhe me krerë që nuk dinin të lexonin e të shkruanin.

Asimilimi ishte i pashmangshëm. Ndryshe nga spanishtja apo anglishtja, kinezçja ka mbetur në një zonë të mirëpërcaktuar, edhe pse shumë të gjerë. Sot komunitetet kineze jashtë vendit janë shumë aktive dhe më shumë të lidhura me atdheun, por edhe sikur Kina të bëhej fuqi dominuese, do të ishte e vështirë për perëndimorët të adoptojnë sistemin e ideogrameve. Nga ana tjetër, qeveria kineze, tejet e centralizuar, mund të vendosë të kalojë në një alfabet me karaktere latine, duke e ruajtur gjuhën mandarine. Tentativa të ndryshme i bënë në fillimet e nëntëqindës”. Por dështuan të gjitha, ishte tepër e vështirë t’i fusje dialektet e ndryshme të kinezçes në shkrimin alfabetik. Sot anglishtja është gjuha më e përhapur për botën. Disa gjuhëtarë i paralajmërojnë porozitetin, aftësinë për të ndryshuar e përtypur gjuhë të tjera dhe për t’u transformuar në neogjuhën e planetit. Një tjetër mundësi tjetër, sipas Ostler, është që të ndjekë fatin e latinishtes, të vdesë dhe të gjenerojë gjuhë të reja ose, akoma, ka që parashikojnë përdorimin e disa ndërgjuhëve në shkallë globale, ndërsa gjuhët kombëtare do të mbijetonin në standardin e dialekteve lokale. Do të bëhemi të gjithë poliglotë? Apo do të lindin gjuhë të reja, të panjohura? Dinamika e fjalëve, siç paralajmëron Ostler, është vetëm në fillim. Nga ana tjetër, në qoftë se gjuha ruan një marzh të madh pavarësie nga pushteti, mund të bëhet lehtësisht instrument fuqie apo të riforcojë solidaritetin midis të fuqishëmve. Sikur ta intervistonin sot, Otto von Bismarck do të vërente se Echelon, mjeti më i madh i interceptimit dhe përpunimit të inteligjencës i konceptuar ndonjëherë, është loja e një klubi të ngushtë: SHBA, Britani e Madhe, Kanada, Australi, Zelandë e Re. Të gjitha shtete të gjuhës amëtare angleze.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>