Berisha i kërkon opozitës që ta votojë
Banka Botërore përfundon platformën për reformën e sistemit të pensioneve në Shqipëri. Kjo reformë është cilësuar si një ndër më delikatet për shkak të efekteve të gjata sociale dhe pikërisht për këtë arsye dje Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive ndër të tjera kërkoi mbështetjen e opozitës për të votuar këtë reformë. Duke i konsideruar objektive përparësitë e identifikuara nga KPS-ja, Kryeministri Berisha kërkoi që përcaktimi i tyre të bëhet në përputhje me programin politik të qeverisë dhe drejtimet e sotme të zhvillimit. Kryeministri theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e zhvillimit të mëtejshëm të sistemit të pensioneve, duket ftuar opozitën të bëhet pjesë e miratimit të projektit të përgatitur me asistencën e Bankës Botërore. “Gjatë viteve që vijnë një zhvillim i mëtejshëm i sistemit të pensioneve do të jetë i nevojshëm. Banka Botërore ka përgatitur me kohë një nga platformat më të mira, mirëpo opozita e pranon atë privatisht dhe e refuzon publikisht. Ky nuk është një ligj që për miratim kërkon 3/5 e votave në parlament, por, duke pasur parasysh se është një sistem që vendoset së paku për 30-40 vjetët që vijnë, është mirë që ai të ketë mirëkuptimin e të dy krahëve të politikës”, – deklaroi kreu i qeverisë. Berisha garantoi se qeveria do të vazhdojë përpjekjet për ta bindur opozitën për këtë platformë, që sipas tij është interesi më i mirë i pensionistëve dhe qytetarëve. “Kjo reformë që po kërkohet të aplikohet nuk synon asgjë tjetër veçse zhdërvjelltësi e potencim të rrugëve dhe mundësive për të mbështetur pensionistët, sikundër synon përmirësimin e një sistemi të vendosur 20 vjet më parë dhe që sot ka pa diskutim nevojë të marrë një formë tjetër”, – përfundoi Kryeministri. Me gjithë hipotezat e mundshme për disa variante për këtë reformë, burimet bëjnë të ditur se Banka Botërore ka mbështetur përfundimisht futjen në Shqipëri të sistemit shumëkolonësh. Ky sistem ka në thelb një ndërthurje mes skemës publike dhe asaj private të pensioneve, e cila do t’u japë qytetarëve përfitime të kënaqshme. Sipas asaj që është diskutuar deri më tani, sistemi i ri do të jetë i përbërë nga tri kolona. Kolona e parë është quajtur “kolona zero” dhe në të parashikohet të përfshihen të gjithë të moshuarit pavarësisht nëse ata kontribuojnë apo jo. Në disa vende kjo shtyllë aplikohet vetëm për të moshuarit e varfër dhe në disa të tjera për të gjithë të moshuarit mbi një moshe të caktuar. Qëllimi i kësaj kolone është të ofrojë një nivel të ardhurash bazë për të gjithë të moshuarit, duke u siguruar atyre minimumin jetik, pavarësisht nëse nuk e kanë vjetërsinë e nevojshme në punë për të përfituar pension. Ndërkohë për sa i përket kolonës së dytë parashikohet që një pjesë e kontributit të detyrueshëm do të administrohet nga skema publike pay as you go (skema aktuale e bazuar në solidaritetin midis brezave), e cila do të garantojë një pension bazë dhe pjesa tjetër do të administrohet nga kompani private, që do të zgjidhen nga shteti, në bazë të legjislacionit që do të miratohet. Këto kompani, në bazë të ligjit, do t’i investojnë këto fonde në tregun financiar për të bërë të mundur rritjen e masës së parave te kontributeve. Këto para të paguara si kontribut i detyrueshëm së bashku me fitimin e realizuar ndër vite nga investimi i tyre do të jepen në formën e pensionit kur mbushet mosha e daljes në pension.
Ndërkohë kolona e tretë është tërësisht private, pra fondet e pensioneve që funksionojnë aktualisht, të cilat nuk janë të detyrueshme, por janë në zgjedhjen personale.
Mbledhja
Strategjitë, miratohen prioritetet
Komiteti i Planifikimit të Strategjive shqyrtoi sot ecurinë e hartimit të strategjive sektoriale të zhvillimit dhe përcaktimin e prioriteteve në këto strategji. Kryeministri Berisha, i cili drejtoi mbledhjen e KPS-së, tha se përcaktimi i përparësive për çdo fushë të zhvillimit duhet të mbështetet me planifikimin real të tyre në buxhetet respektive deri në vitin 2020. Duke i konsideruar objektive përparësitë e identifikuara nga KPS-ja, Kryeministri Berisha kërkoi që përcaktimi i tyre të bëhet në përputhje me programin politik të qeverisë dhe drejtimet e sotme të zhvillimit. Shqipëria dixhitale, arsimi dhe shëndetësia, infrastruktura me përqendrim të veçantë në zhvillimin e sistemeve vaditëse, energjia, turizmi dhe mjedisi janë fushat kryesore të zhvillimit, për të cilat Kryeministri theksoi se strategjitë sektoriale duhet të specifikojnë përparësitë për secilën prej tyre. Kryeministri Berisha tha se mbrojtja sociale, e cila në Shqipëri ka një ndër nivelet më të larta, me 30 për qind të buxhetit, do të vazhdojë të mbetet një politikë konstante në mbështetje e përkrahje të personave në nevojë.
Për ata që do të përfshihen në sistemin e ri do përcaktohet një vit lindje
Përfituesit aktualë nuk do të preken nga ndryshimet
Asnjë prej pensionistëve që përfiton aktualisht pension nuk do të cenohet nga skema e re që pritet të aplikohet në vendin tonë. Duke qenë se është parashikuar se do të jenë moshat e reja ato që do të futen në sistemin e ri prej pensionistëve aktualë, nuk duhet të shqetësohet se mund t’u cenohen përfitimet e tyre. Parashikohet që në reformë të përcaktohet një vit lindjeje dhe të gjithë personat pas atij viti do të përfshihen në skemën e re të sigurimeve shoqërore. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë se Financave, aplikimi i sistemeve të reja synon përmirësimin e marrëdhënieve financiare të të rinjve që do të përfshihen në këto skema. Qëllimi kryesor i reformës është krijimi i një skeme, e cila do të mund të mbajë veten me financime duke ulur në maksimum barrën mbi buxhetin e shtetit, i cili e financon më shuma të konsiderueshme atë. Synimi tjetër është nxitja e të punësuarve që të kontribuojnë sa më shumë në skemë si dhe rritja e përfitimeve të tyre në momentin që do të marrin pensionin në raport me të ardhurat që derdhin gjatë viteve që janë në punë. Një ndër problemet e skemës aktuale sipas specialistëve është dekurajimi i të punësuarve për të kontribuuar. Të punësuarit kanë paga me diferenca të larta midis njëri-tjetrit, duke derdhur në skemë shuma të ndryshme kontributesh. Kur vjen koha e daljes në pension, shuma që përfiton secili është përafërsisht e njëjtë, pavarësisht kontributit të derdhur.
Qytetarët mund të paguajnë kontribute në shoqëritë private të pensioneve
Pensionet alternative, si funksion skema aktuale
Krahas pensionit të plotë pleqërisë, i cili sigurohet pasi mbushet mosha e daljes në pension dhe me minimumi 35 vjet të siguruar, ligji njeh të paktën edhe dy lloje pensionesh të tjera. I pari është pensioni i pjesshëm i pleqërisë dhe i dyti pensioni i reduktuar i pleqërisë, që mund të përfitohen duke përmbushur disa kushte specifike të parashikuara në ligj dhe udhëzime. Sipas ligjit, pension të pjesshëm pleqërie përfitojnë të gjithë ata që kanë mbushur moshën e daljes në pension duke përfituar pension të plotë, por që nuk mund ta marrin atë për shkak të viteve të pamjaftueshme të punës. Ky lloj pensioni vlen për të gjithë ata që kanë minimalisht 15 dhe maksimumi 35 vjet punë. Aktualisht mosha limit e përfitimit për gratë është 60 vjeç dhe për burrat është 65 vjeç. Në këto kushte, qytetari aplikon për pension të pjesshëm pleqërie, duke përfituar vërtet pension të plotë, por merr për aq vjet sa ka derdhur kontribute. Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë me kohën e periudhës së sigurimit. Pensioni i reduktuar i pleqërisë, nga ana tjetër, funksionon sipas një logjike tjetër. Kushti themelor është që qytetari të ketë mbushur minimumi 35 vjet punë. Mosha kur lind e drejta për të përfituar është 62 vjeç për burrat dhe 57 vjeç për gratë. Sipas ligjit, pensioni i plotë i pleqërisë reduktohet me 0.6 për qind për çdo muaj të dalë në pension para afatit të moshës të përcaktuar në ligj.