Ngjarja afër Golemit, viktima tentoi të kalonte në krahun tjetër të rrugës
Në fushë-Bulqizë një burrë aksidentohet rëndë, me urgjencë drejt Ushtarakut
DURRES- Përplasen për vdekje një grua 28 vjeç dhe djali i saj vetëm 4 muajsh. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Kavajë- Plepa, në afërsi të Golemit, kur një automjet i tipit Benz me targa angleze ka përplasur nënën dhe foshnjën e saj. Si rezultat i shpejtësisë së mjetit përplasja ka rezultuar fatale për Violeta Metanin me banim në Rrogozhinë dhe djalin e saj 4-muajsh, Sajmir Metani. Gruaja ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është përplasur nga automjeti i drejtuar nga Latif Tola, 41 vjeç nga Hasi me banim në Angli. Sipas policisë, drejtuesi ëhstë shoqëruar në komisariat deri në sqarimin e ngjarjes. Aksi rrugor në të cilin ndodhi aksidenti është një nga akset më të ngarkuara dhe më të pasistemuara për sa i përket lëvizjes së këmbësorëve. Mungesa e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, trafikndarësit, si dhe vështirësitë e krijuara për këmbësorët përgjatë këtij aksi që lidh veriun e vendit, Tiranën dhe Durrësin me Jugun dhe anasjelltas janë kthyer në makth për qytetarët, këmbësorë apo drejtuesit e automjeteve. Mbikalimet në këtë aks janë në distanca të mëdha nga njëri-tjetri, ndërsa e gjithë zona është e banuar. Ndërkohë në një aksident tjetër në Fushë-Bulqizë një person është plagosur rëndë. Makina drejtohej nga 55-vjeçari me inicialet H. Zogu, i cili ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurat e rrugës. Si pasojë e kësaj përplasje, drejtuesi i automjetit me targa angleze ka pësuar dëmtime të mëdha dhe është dërguar me helikopter në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit, për të marrë mjekim të specializuar.