Pikturat e vjedhura në Galerinë e Arteve Korçë, flet Sotiraq Xega
Ish-përgjegjësi përmend shumë punime që janë restauruar e rikthyer
KORCË- Sotiraq Kuqali nuk ka qenë i vetmi piktor që ka tërhequr veprat e tij për restaurim. Deklarata vjen nga ish-përgjegjësi i galerisë së arteve në Korçë, Sotiraq Xega, sipas të cilit gjithçka është tërhequr pa dokumentacionin përkatës. “Bashkë me Ladi Topin menduam që të restauroheshin disa punë, edhe gjatë rrugës janë dëmtuar disa, por edhe atje nga lagështira e madhe janë dëmtuar goxha punë. Kur i kam thënë Kuqalit që hajde shikoi ato punët, po të kesh mundësi t’i restaurosh merri dhe restauroi ai pranoi. Edhe unë kam restauruar disa. Ka restauruar edhe Hilkë Xhanoja disa punë, që nga Tefta Tashkoja dhe disa portrete të tjera dhe një skulpturë guri. Edhe Pilko Dollaku ka restauruar. Jo, nuk mund të jepja dokumentacion sepse unë nuk e kam marrë me dokumente. Si të jepja unë kur unë nuk kisha gjë në ngarkim. Unë i kam dhënë me mirëbesim dhe ato si miq dhe si shokë m’i kanë kthyer të gjitha. Restauratorët janë në Tiranë dhe janë specialistë, por nuk u bënë atje pasi vlera e restaurimit e kalon nga 1500 euro. E marr përsipër se ja kam dhënë. Nuk ka të tjera. Pikturat e mia sado t’i kërkojë dhe drejtori edhe Bashkia nuk do t’i gjejë. Kryebashkiaku nuk po gjen Korçën do të gjejë punët e mia. Derisa kryetari i Bashkisë është drejtor do të thotë se ka dijeni për pikturat. Ai që i ka marrë është specialist. Unë në këtë rast që i kam marrë me inventar dhe pa gjë unë kyçet e rafteve kisha”,- deklaroi ish-përgjegjësi i Galerisë së Arteve, Sotiraq Xega.
PIKTURAT
Zhduken 60 vepra nga Galeria e Arteve në qytetin e Korçës më 9 korrik, 30 prej veprave të artit të zhdukura dyshohet se janë punët e piktorit Vangjush Mio. Pak ditë më parë në banesën e ish-përgjegjësit të kësaj galerie, Sotiraq Xega, u gjendën 1000 piktura, për disa prej të cilave u dyshuan se ishin të fondit të galerisë. Pas verifikimeve rezultoi se pikturat ishin krijime të vetë Xegës.