Plazh në Sarandë, “luftë” për një gotë ujë…

Pushuesit mbeten të zhgënjyer, përplasen vendorët për administrimin e ujësjellësit

- TELNIS SKUQI -

SARANDË – “Më garantuan ujë të pijshëm 24 orë, por sot nuk jam në gjendje të mbush një gotë ujë për të pirë”. Eltoni G., nga Fieri, babai i dy fëmijëve flet shumë qartë. Ka ardhur në Sarandë për t’u “relaksuar” në brigjet e Jonit, por Ndërmarrja e Ujësjellësit ia ka sjellë në majë të hundës.

Ankesa e tij dhe të banorëve të përhershëm kanë nisur që qysh një javë më parë, por askush nuk i ka dëgjuar.

Në plazh…

“Çfarë të bëj. Nuk ka rrugë tjetër veç të largohem njëherë e përgjithmonë nga Saranda. Këtu nuk bëhet plazh”, thotë i revoltuar Eltoni dhe sakaq niset në qytet për të siguruar ujë.

Në largim e sipër, Eltoni tregon me dëshpërim se situata nuk po përmirësohet, përkundrazi Ndërmarrja e Ujësjellësit po shkatërron me vetëdije turizmin bregdetar. Tre muaj më parë, Ndërmarrja e Ujësjellësit në qytetin e Sarandës i garantojë pushueseve ujë të pijshëm të pandërprerë, sot situata paraqitet e dëshpëruar. Pushuesit e banorët e përhershëm marrin gjysmë ore ujë në ditë ose çdo dy ditë. Mungesa është bërë edhe më e ndjeshme, në kushtet kur popullsia e qytetit është trefishuar nga pushuesit. Ankesat e banorëve kanë nisur qysh në fillimverë dhe kjo ka qenë tema e debateve dhe shkaku i përballjeve të përsëritura mes konsumatorëve dhe ndërmarrjes aksionere të ujësjellësit. Ka ndodhur shpesh që, të mbetur pa përgjigje nga ujësjellësi për mbetjen pa ujë, banorët e lagjes mbi spital apo ata të zonës së Lëkurësit, fshatit Gjashtë, Cukë etj., e kanë kërkuar këtë nga bashkia dhe kryebashkiaku i saj Stefan Çipa.

Përplasjet për ujësjellësin

Madje, situata ka shkuar deri në kërkesën për referendum se kush duhet ta ketë ujësjellësin në Sarandë: ai që ka pushtetin vendor apo pushtetin e ujit. Fatkeqësisht deri tani zgjidhja nuk ka ardhur, pasi, sipas Qesko Çakallit, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, ky institucion ka nevojë për investime të mëdha në rrjetin prurës dhe atë të shpërndarjes në disa zona të qytetit.

Cakalli nuk ka fshehur edhe shpërdorimet e shumta që e lënë pa ujë Sarandën, së cilës nuk i mungojnë burimet ujore. Krejt kundër mendon Bashkia e Sarandës, sipas së cilës “katrahura” është shkaktuar nga përplasjet mes Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë për “pronësinë” dhe drejtimin e ujësjellësit. “Pavarësisht se Bashkia e Sarandës është aksionerja më e madhe në këtë shoqëri aksionere, me 63.2%, komandën e bënë Ndërmarrja e Ujësjellësit. Kjo është skandaloze”, shprehet Stefan Çipa, kryebashkiaku i Sarandës. Sipas tij, në këtë sfond moskuptimi dhe mbajtje peng të ndërmarrjes së shërbimit më jetik për banorët dhe përcaktues për turizmin, frika ka qenë e madhe se mos prodhohej kriza e ujit në nisje apo gjatë sezonit veror. “Sinjalet e furnizimit të pamjaftueshëm nuk munguan gjatë korrikut, si dhe në këto ditë të muajit gusht. Pothuajse çdo ditë vijnë ankesat për parregullsi në furnizimin me ujë, por urdhërat e mia pothuajse shkojnë në veshë të shurdhët nga drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit”, shprehet Çipa, ndërsa mendon se në qoftë se menaxhimin e ndërmarrjes do ta kishte bashkia, do të ishte garantuar furnizim shumë herë më i mirë i banorëve dhe pushuesve me ujë. “Aktualisht, pushteti vendor po kompeson mangësitë e ujësjellësit, duke dërguar çdo ditë nga dy autobote emergjencash në zonat problematike, për të furnizuar familjet me ujë falas, si shërbim bashkiak”, përfundon Çipa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>