Vrasjet në Pukë, flet vëllai i viktimave Bardhok Markaj apel ministrit të Brendshëm
PUKE- Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e 29 qershorit në fshatin Mardhnac të komunës Qelëz në Pukë, ku një familje e tërë u masakrua, të afërmit ndjehen sërish të rrezikuar. Bardhok Markaj, vëllai i viktimave, thotë se edhe pse ngjarja ishte denoncuar prej kohësh, policia nuk bëri asgjë për ta parandaluar krimin, ndërsa edhe sot ata ndihen të kërcënuar për të dalë nga shtëpia.
Tragjedia
“Edhe sot pasi ka ndodhur vrasja nuk është marrë asnjë masë, ata të dy janë atje në mal të lirë. Thonë që janë në mal, flasin me telefona. E di edhe policia. A i ndihmon dikush nga ata, nuk e di si është kjo punë, por jemi të rrezikuar edhe sot. Ata janë edhe të armatosur, kurse unë as nuk kam ruajtje prej policisë, as nuk po kërkojnë gjë. Për mendimin tim, ata po flenë gjumë. Do të bëhet ndonjë vrasje tjetër. Dy vëllezërit i kam atje dhe ata janë thuajse të mbyllur brenda, se kanë frikë të dalin. Më i lirë është ai që ka bërë vrasjen sesa unë që jam i vrarë prej tyre”,-thotë Markaj. I gjendur përballë kësaj situate, Markaj kërkon ndihmë nga ministri i Brendshëm që ta ndjekë nga afër rastin, pasi në zonë mund të ndodhë tjetër tragjedi. “Duhet të bëj një apel, qoftë te ministri i Rendit, mirë do ishte të kisha një takim të drejtpërdrejtë. Bëhet fjalë për dy familje ku kanë mbetur jetimë. Unë i kam thënë ato që kam pasur për të thënë, por atje në Pukë nuk ka dëgjuar askush asnjë fjalë për këtë punë. Jam i terrorizuar edhe për familjen që janë atje. Nuk munden të dalin jashtë. Jo vetëm ata, por edhe lagjja edhe ata janë të rrezikuar prej tyre. Po të ishte bërë gjysma e punës, dy vëllezërit e mi nuk do të ishin vrarë. Tani, mesa po shoh mendoj se mund të vriten të tjerë”,-thekson ai.