Pranga pronares së agjencisë, mashtroi 180 turistë. Kthehen

Mbarojnë pushimet “qiellore” në Egjipt. Paguan vetë biletën e kthimit

Më në fund mbyllet saga e 180 turistëve shqiptarë që mbetën të bllokuar në Egjipt, pasi dje pas mesnate ata u kthyen në Tiranë, ndërsa policia arrestoi pronaren e agjencisë që i kishte mashtruar. Ministria e Jashtme thotë se kanë mbërritur 182 persona nga Egjipti, ndërsa ata që nuk kanë mundur të udhëtojnë ndodhen në ambasadën shqiptare në Egjipt.

Kthimi në Rinas

Kur kishin kaluar disa ditë peripecish, 182 turistët shqiptarë në Sharm el Sheik më në fund arritën të ktheheshin dje në orët e para të mëngjesit në aeroportin e Rinasit. Të gjithë këta pasagjerë e paguan vetë udhëtimin e kthimit pasi agjencia turistike që i kishte çuar në Egjipt, shpalli falimentin. Ndërkaq, 9 turistë mbetën pa hipur në avion për shkak se u plotësua numri që mund të mbajë avioni. Në orët e pasdites së djeshme pritej që të ktheheshin në Shqipëri. Para se kjo çështje të merrte zgjidhje, policia egjiptiane mbajti atje 15 nga turistët shqiptarë, të cilët u braktisën në mëshirën e fatit nga agjencia turistike “Pasha Holiday”. Turistët u bllokuan në një hotel në Sharm El Sheik, për shkak se nuk kishin paguar biletat e hotelit. Dori H., një prej turistëve që u bllokua në hotel tha se në mesin e tyre ndodheshin dhe pesë fëmijë. Sipas gruas, policia egjiptiane i mbajti peng për 5 mijë euro që llogariten shpenzimet e hotelit për katër ditët e qëndrimit jashtë afatit.

Arrestimi i pronares mashtruese

Policia e Tiranës njoftoi zyrtarisht se nga Sektori kundër Krimit Ekonomik Financiar të Policisë së kryeqytetit është bërë ndalimi i shtetases Marselinda Kortoci, 27 vjeçe, banuese në Tiranë, me arsim të lartë, e padënuar. Ndalimi i saj, në cilësinë e pronares së agjencisë turistike “Pasha Holiday”, u bë për arsye se dyshohet që ju ka marrë personave të ndryshëm shuma të konsiderueshme për t’i çuar për pushime verore në Sharm El Shaik Egjipt, ndërkohë që ata nuk janë nisur për pushime, pasi kjo agjenci pretendon se ka falimentuar. Nga veprimet e para hetimore rezutoi se kjo shtetase nëpërmjet agjencisë së saj ka nisur në datë 02 gusht 2012, edhe 188 shtetas shqipëtarë të tjerë për pushime verore në Sharm El Sheik Egjipt kundrejt pagesave të ndryshme që variojnë nga 316 deri 600 euro, për të cilët ka rezultuar se pagesa ishte bërë nga ana e agjencisë vetëm për 3 ditë më parë, për 10 ditë dhe qëndrimi atje. Ndërkaq, kthimi i këtyre personave nuk është bërë i mundur nga ana e kësaj agjencie, por nga vetë personat kundrejt shumës prej 250 euro për person tek kompania ajrore “Bell Air”, e cila ka bërë të mundur kthimin e turistëve. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të saj ju referuan Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “mashtrimit”, “fshehje të të ardhurave”, “fshehja e gjendjes së falimentimit”, parashikuar nga nenet 143/2, 180 dhe 194 të Kodit Penal.

Ministria e Jashtme

Në njoftimin e saj zyrtar kjo ministri thotë se “Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar me turistët shqiptarë të bllokuar në resortet e Sharm El Sheik, Egjipt, si pasojë e mosrespektimit të marrëdhënieve kontraktuale nga ana e agjencisë turistike shqiptare.

Gjatë ditëve të fundit, ministri Panariti dhe strukturat e MPJ, janë angazhuar në mënyrë të vazhdueshme pranë institucioneve dhe agjencive shtetërore dhe jo shtetërore për të vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e mundshme për zgjidhjen e këtij problemi. Aktualisht në Shqipëri kanë mbërritur 182 persona, ndërkohë që personat, të cilët nuk mundën të transportoheshin me avionin e vënë në dispozicion, tashmë ndodhen nën kujdesin e ambasadës shqiptare në Kajro, në pritje të rikthimit në atdhe në një kohë sa më shpejtë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>