Presidenti Nishani liron nga detyra 7 gjeneralë

Emërohen në poste drejtuese të forcave të armatosura 3 të tjerë

Kreu i shtetit i çel dritën jeshile dhe kodit të ri zgjedhor

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka firmosur dje lirimin nga detyra të 7 gjeneralëve në radhët e Forcave të Armatosura. Zyra e presidencës bën me dije se presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dekretoi sot lirimin nga detyra të 7 gjeneralëve, ndërkohë që ka dekretuar edhe emërimin e 3 gjeneralëve. Në mbështetje të neneve përkatëse të Kushtetutës “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Presidenti dekretoi lirimin nga detyra të Gjeneral Brigade Agim Lala, Gjeneral Major Viktor Daut Berdo, Gjeneral Major Zyber Fasli Dushku, Gjeneral Brigade Bardhyl Veli Hoxha, Gjeneral Brigade Syrja Selim Gjoka, Gjeneral Brigade Qemal Demçe Shkurti, dhe Gjeneral Brigade Jeronim Rasim Bazo. Ndërkohë po me dekret të presidentit,

Gjeneral Brigade Bardhyl Veli Hoxha u emërua Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Gjeneral Brigade Syrja Selim GJOKA u emërua Komandant i Brigadës Logjistike dhe Gjeneral Brigade Qemal Demçe Shkurti u emërua Komandant i Forcës Detare.

Po dje Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi dhe kodin e ri zgjedhor të miratuar pak kohë më parë, me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Kodi i ri elektoral do të aplikohet menjëherë sapo të fillojë edhe sezoni i ri politik në muajin shtator. Kjo periudhë përkon dhe me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vetë kryetarit të ri, për t’u pasuar edhe me implementimin e pikave të tjera. Zyra e shtypit të Presidencës bën me dije se janë dekretuar ndër të tjera edhe ligji “Për ratifikimin e akteve dhe të dokumenteve të Kongresit të 24-t të Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU), Gjenevë, 2008”; me Dekretin nr. 7739, datë 16.08.2012 shpalli Ligjin nr. 76/2012 “Për ratifikimin e marrëveshjes për statusin ligjor të Qendrës Rajonale të Mjedisit për Evropën Qendrore dhe Lindore”; “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”; dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8873, “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>