Akuza: Është plagosur, po merr mjekime. Versioni i policisë
“Nuk është përfshirë në përleshje”
VLORË- Ndërtuesi i fuqishëm Alban Xhillari është lënë i lirë dje nga prokuroria e Vlorës, pasi sipas akuzës ai nuk rezulton i përfshirë në “luftën” që u zhvillua për ndërtimet, para 3 ditësh në qytetin bregdetar. Kështu, prokuroria urdhëroi dje lirimin e biznesmenit dhe ndërtuesit Alban Xhillari, pasi e ka konsideruar si të pa përfshirë në konfliktin e 3 ditëve më parë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës. Lajmi është konfirmuar nga prokuroria e Vlorës, e cila sqaron se së bashku me Xhillarin është liruar dhe Panajot Zoto. Organi i akuzës e ka argumentuar lirimin me faktin se Alban Xhillari dhe Panajot Zoto nuk janë përfshirë në përleshjen fizike dhe me armë, ku mbeten të plagosur 4 persona. Gjithashtu është konstatuar nga mjekët se biznesmeni Xhillari është dëmtuar në kokë dhe po merr mjekimin e nevojshëm. Nga hetimet ka rezultuar se plagosja ka ardhur në kushtet e vetëmbrojtjes në sherrin e datës 2 gusht në një lokal në lagjen “Pavarësia”. Ndërkaq mbeten në qeli 4 personat e tjerë, për të cilët pritet të jepet sot masa e sigurisë nga gjykata e Vlorës.
Përplasja për ndërtimet
Konflikti u shoqërua me të shtëna armësh dhe plagosjen e disa personave. Në njoftimin e policisë thuhej se nga hetimet intensive të kryera në lidhje me këtë ngjarje ka rezultuar se shtetasi Alban Xhillari, 42 vjeç, në bashkëpunim me shtetasit Edmond Berisha, 36 vjeç, Gentian Kola, 32 vjeç, Artan Kola, 38 vjeç, Ardian Rexhepi, 31 vjeç, banues në Tiranë, dhe Panajot Zoto, 46 vjeç, banues në Vlorë, pas një konflikti për motive pronësie me shtetasit Krenar Cena, 47 vjeç, banues në Vlorë, Hiqmet Çobaj, 46 vjeç, banues në Vlorë, Përparim Molla, 40 vjeç, banues në Tiranë dhe Qemal Dedja, 43 vjeç, banues në Tiranë, kanë plagosur këta të fundit me armë zjarri tip pistoletë. Konflikti midis këtyre shtetasve ka ndodhur pas disa mosmarrëveshjeve për shkaqe pronësie midis shtetasit Alban Xhillari dhe shtetasit Krenar Cena, të cilët kanë qenë në marrëdhënie tregtie në fushën e ndërtimit me njëri-tjetrin.
50 policë në ndjekje
Nga strukturat e drejtorisë së policisë së qarkuut të Vlorës brenda një kohe shumë të shkurtër kanë bërë identifikimin e automjeteve me të cilat u larguan autorët dhe falë një pune të mirorganizuar, në km e 6-të të autostradës Levan–Tepelenë është kapur një prej automjeteve tip “Ford”, model amerikan me 4 persona, dhe po në autostradën Levan–Tepelenë, në hyrje të qytetit të Tepelenës, mbas një ndjekjeje të gjatë dhe të pandërprerë nga shërbimet e policisë mbas disa përplasjesh të automjeteve të policisë me ato të autorëve, dhe disa tentativash për tu larguar është kapur edhe automjeti tjetër tip “BMW” X-6, me 2 shtetas të tjerë që ndodheshin brenda saj si dhe një armë zjarri tip pistoletë e cila dyshohet të jetë një prej armëve e krimit. Në këtë operacion policor kanë marrë pjesë 50 forca të policisë së Vlorës. Nga strukturat e drejtorisë së policisë së Vlorës është bërë neutralizimi i këtyre shtetasve dhe shoqërimi i tyre për në ambientet e drejtorisë. Arrestimi i 6 shtetasve të mësipërm u bë për veprat penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe prodhimin dhe mbajtja pa leje armëve luftarake dhe municionit.