Qëndroi 3 muaj në burg. Vrasja më 2 shkurt në Shkozë s’ka autor
“S’ka prova se organizoi vrasjen e gruas”
Kur kaluan gjashtë muaj që kur policia dhe prokuroria akuzuan Ilia Bashon si personin që organizoi vrasjen e së shoqes Eleni Basho, prokuroria e Tiranës vendosi ta pushojë këtë çështje. Argumenti që jep organi i akuzës, pasi edhe vetë Ilia Basho është i lirë, është ai i mungesës së provave. Ngjarja ndodhi më 2 shkurt të vitit 2012, ndërsa pak më vonë Ilia Basho u vu në pranga dhe u mbajt në paraburgim. Ndërkaq më 14 maj të vitit 2012 Ilia Basho u lirua nga paraburgimi pas tre muajsh qëndrim atje. Gjykata e Tiranës vendosi masën “detyrim paraqitje” për Ilia Bashon për mungesë provash.
Eleni Basho, 33 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, u ekzekutua me dy plumba në kraharor disa metra larg shtëpisë së saj në Shkozë të Tiranës. Bashkëshorti i saj, Ilia Basho, u arrestua 25 ditë pas krimit të rëndë si i dyshuar për organizimin e vrasjes së 36-vjeçares. Prokuroria ka kërkuar që Basho të mbetet në burg, me pretendimin se kishte prova të mjaftueshme që vërtetonin se ai ishte organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij Eleni.
Basho u përfol se kishte një lidhje jashtëmartesore me shtetasen Yllka Shehaj, me të cilën i janë zbardhur edhe në medie plot mesazhe dashurie, mes të cilëve edhe nga ato ku shprehej se do të hiqte qafe të shoqen.
Ndërkohë vetë Ilia Basho këmbëngulte se nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e së shoqes, duke hedhur poshtë çdo dyshim të prokurorisë. Ai ka pranuar se i vetmi faj i tij është faji moral, tradhtia që i ka bërë të shoqes, Elenit.