Asambleja do të përgatisë programin mbi strategjinë në fushatën zgjedhore
Debatohet mbi kandidaturat për zonat e mbetura pezull
Partia Socialiste mbledh sot kryesinë e saj për të vendosur mbi kandidaturat për kryetar partie në rrethet, ku këto zgjedhje nuk janë zhvilluar. Kjo mbledhje do të vendosë dhe mbi datën kur do të thirret Asambleja Kombëtare e PS-së. Por një pikë e rëndësishme e këtij takimi është pikërisht miratimi i projektplanit afatgjatë dhe afatshkurtër për funksionimin dhe organizimin e Partisë Socialiste nga tetori deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. Do të jetë vendimi i kësaj strukture, e më pas firma e Asamblesë Kombëtare mbi një draft të tillë, ai i cili do t’i hapë rrugë procesit parapërgatitor dhe përgatitor të Partisë Socialiste në të gjithë nivelet në funksion të fushatës elektorale.
Krerët e PS
Prej kohësh, degët e PS-së në disa qytete kanë mbetur pa krerët e saj, për arsye që më së shumti lidhen me mënyrën sesi funksionojnë strukturat e partisë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme në parti, pas shtyrjes së dytë, duhet të mbyllej në shkurt të këtij viti. Por për shkak të mosmarrëveshjeve në bazë, i cili bëri që procesi të dështojë në 2011 dhe të delegohet deri në fundin e 2012, kryesia e PS-së do ta finalizojë atë me zgjedhjen e kandidaturave që do t’i delegohen asambleve socialiste në bashkitë përkatëse, siç është Vlora, Delvina, Peqini, etj, për të zgjedhur kryetarin e ri. Kësaj radhe, plotësimi i vendeve vakante në krye të PS-së në këto qytete është një proces i detyrueshëm për t’u mbylluar nga strukturat e kësaj partie dhe përfaqësuesit e PS-së të deleguar në zonat përkatëse, me qëllim fuqizimin e partisë përpara garës së ethshme për parlamentaret e vitit 2013.
Strategjia elektorale
Mbledhja e sotme parlamentare do të miratojë dhe draftprojektin për planin e veprimit afatshkurtër dhe afatgjatë për mënyrën se si do të organizohet dhe do të funksionojë Partia Socialiste për periudhën tetor deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky draft pas miratimit në kryesi do t’i kalojë asamblesë kombëtare për diskutim e më pas do të shpërndahet në të gjitha strukturat e PS-së për ta vënë në eficencë atë. Krahas me këtë strategji, përfaqësuesit e PS-së do të kenë në dorë dhe programin e ri politik të partisë, mbi të cilin do të pëqendrohet dhe fushata elektorale e partisë më të madhe opozitare. I përmbledhur në broshurë substanciale të të gjithë tematikave që trajton, i bazuar në shtyllat kryesore në të cilat Partia Socialiste do të synojë që të bindë votuesit shqiptarë për ta mbështetur, ky program pritet të ngjallë jo pak interes. E akuzuar në vijimësi për mospasjen e një programi politik, PS dhe lidershipi i saj për të përligjur këto zëra kësaj radhe ka vendosur që të bëjë publike një pjesë përmbledhëse të tij. Që me nisjen e sesionit të ri parlamentar, kreu socialist startoi dhe turin e dialogimeve me qytetarët në rrethe të ndryshme të vendit, duke pasur si fokus kryesor çeljen e një fushate elektorale, ende jo zyrtare, për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Në funksion të kësaj fushate elektorale, lidershipi socialist ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtuese socialistë në rrethe. Në këto takime janë dhënë prioritetet që duhet të ketë çdo strukturë e PS-së nga qendra në bazë në procesin parapërgatitor për zgjedhjet e ardhshme. Konkretisht, porosia e lidershipit socialist për ta ishte evidentimi i pasaktësive në listat e zgjedhësve. Nga ana e tyre, krerët e njësive vendore të majta dhe krerët e PS-së nëpër rrethe kanë nisur evidentimin e të gjitha pasaktësive, si dublikimet, personat që nuk janë në Shqipëri, ata që kanë ndërruar zonën e banimit. Gjithashtu për të rritur bashkëpunimin midis strukturave, krerët e rretheve do të punojnë paralelisht me drejtuesit vendorë të bashkive të majta.
Programi mbi shtyllat e paralajmëruara
Komisionet e posaçme do të propozojnë draftin përfundimtar
Partia Socialiste ende nuk ka një draft final për programin e saj poltik, me të cilin do të zbresë në fushatën elektorale. Kështu, pas prezantimeve të shtyllave kryesore të këtij programi, socialistët patën paralajmëruar se do të jenë konsultimet me qytetarë, gurpe interesi, përfaqësues të shoqërisë civile, ato që do të përmbyllin hartimin e tij. Ndërkohë që, grupet e punës në PS të ngritura sipas zërave përkatës mbi të cilët është ndërtuar ky program, vijojnë punën për të arritur në një draft përfundimtar. Por do të jenë pikërisht forumet drejtuese të kësja partie ato të cilat do të thonë fjalën e fundit mbi këtë draft. Për këtë arsye, do të duhet që të thirren me radhë kryesia dhe asambleja, e më pas kongresi i PS-së, ai i cili vë dhe vulën e fundit dhe më kryesoren në këtë proces. Konkretisht, mbledhja e pritshme e Asamblesë Kombëtare, do t’i japë të drejtën përfaqësuesve socialistë që të njihen me programin e ri.
Zgjedhjet
Procesi i zgjedhjeve në parti për Partinë Socialiste ka rezultuar mëse i gjatë. Konkretisht, nuk bëhet fjalë për një proces të ri zgjedhor të strukturave partiake, por vazhdim të procesit të vjetër që nisi vjet në shtator, por që për shkak të problemeve që u hasën rrugës nuk mundën të përfundonin. Zgjedhjet e vonuara duhet të përfundonin dhe të finalizoheshin në Kongresin e 5 nëntorit të vitit 2011, por edhe pse u mbyll një pjesë, procesi rezulton i papërfunduar dhe do të jetë fundi i këtij viti që do e finalizojë atë.
Statuti
Edhe pse sot mblidhet kryesia, e cila do të vendosë për datën në të cilën do të thirret Asambleja Kombëtare, lidershipi socialist ka shkelur statutin, pasi këto dy forume nuk thirren prej kohësh. Kjo pasi në Kushtetutën e saj PS e ka të përcaktuar qartazi afatin kohor kur këto dy forume duhet të thirren. Asambleja Kombëtare nuk është thirrur që nga fillimprilli. Ndërsa kryesia është thirrur në fillim të sesionit parlamentar nga lidershipi socialist për t’i bërë me dije mbi vendimet politike të PS-së.