Shtesë rrogash edhe për mësuesit dhe mjekët
Qeveria shqiptare u rrit pagat drejtuesve vendorë, punonjësve mësimorë në sistemin parauniversitar, punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak qendror universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u miratuan tre vendimet që përcaktojnë në mënyrë të detajuar ndryshimet e pagave për të gjitha kategoritë. Në këtë mënyrë, për kryetarin e Bashkisë do të ketë një pagë 140 000 deri në 174 760 lekë nga 134 000 deri në 170 000 që e kishte deri dje. Pagat e nëpunësve, që punojnë në pozicione të shërbimit civil, por që nuk kanë arsimin e lartë, caktohen nga këshillat përkatës, në kufirin maksimal, deri në 33 000 lekë në muaj. Ndërsa pagat e punonjësve mbështetës të njësive të qeverisjes vendore të jenë në kufijtë nga 21 000 deri në 33 000 lekë në muaj. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2012 të përballohen nga të ardhurat e vetë njësive të qeverisjes vendore, për vitin 2012. Sa i takon ndryshimeve të pagave të sistemit shëndetësor, vendimi i ri përcakton se për shërbimin e urgjencës së rrethit, që është organizuar dhe funksionon si i tillë, për kohën që kryejnë shërbimin e urgjencës, u jepet një shtesë, si: a) për sistemin 24 orë: të shtunave 1700 lekë, të dielave 2100 lek, festave 2500 lekë; b) për sistemin 16 orë: të shtunave 1400 lekë, të dielave 1700 lek, festave 2200 lekë; c) për sistemin 12 orë: të shtunave 1100 lekë, të dielave 1400 lekë, festave 1700 lekë. Vendimet i shtrijnë efektet financiare nga data 15 korrik 2012.
*Tabela e plotë me rritjen e pagave gjendet në botimin e sotëm të “Metropol”