Rama me biznesin fason: Do të investojmë 120 milionë dollarë

Kryesocialisti program për nxitjen e prodhimit vendas

TIRANE – Socialistët parashikojnë të investojnë 120 milionë dollarë për të nxitur prodhimin vendas në ndihmë dhe të zbutjes së papunësisë, nëse vijnë në pushtet më 2013-n. Kjo ka qenë deklarata e liderit të PS-së Edi Rama në një takim që pati dje me bordin e fasonistëve. Sipas Ramës, këto investime, të cilat do të jenë dhe pikat kyçe të zbatimit të programit “Për një Rilindje Shqiptare”, do të prekë drejtpërdrejtë dhe biznesin fason, përfaqësuesit e të cilit dje u shprehën pesimistë për situatën.

Investimet

“Në katër vjet do të investohen rreth 120 milionë USD, ose 12 miliardë lekë, për të nxitur prodhimin vendas dhe për të rritur punësimin dhe për të ulur papunësinë. Nëpërmjet këtij programi do të krijohen 51 mijë vende pune dhe do të mblidhen të ardhura në buxhetin e shtetit rreth 180 milionë USD, ose 18 miliardë lekë”, – ky ka qenë angazhimi që ka marrë përsipër dje kryesocialisti Edi Rama gjatë një takimi me bordin e fasonistëve. Në këtë takim fillimisht fjalën e kanë pasur fasonistët, të cilët i kanë thënë kryetarit të PS-së se sot ata ndihen plotësisht të braktisur nga shteti, pasi nuk kanë as përkrahje, as mbështetje, as financime dhe asnjë lloj lehtësie fiskale, ndërkohë që punësojnë shtresa në nevojë dhe sjellin miliona euro në vend. Si rrjedhim i kësaj situate, këto biznese janë detyruar të bëjnë shkurtime të konsiderueshme të punonjësve, shkurtime që shkojnë deri në 30%.

Fasonët

“Ne kërkojmë që shteti të fillojë e t’i kthejë sytë nga fasoni me kredi të buta. Ne kemi shumë nevojë për rinovimin e parkut të makinerive, flas në përgjithësi për sektorin e fasonit, sepse ne gjatë punës sonë kemi kontaktuar me shumë firma të huaja. Unë kryesisht kam punuar me firma gjermane dhe firmat, sapo vijnë, kërkojnë të shohin në radhë të parë parkun e makinave. Nuk ka nevojë të flasim ne fare. Parku i makinave në Shqipëri është i vjetruar”, – tha një grua që drejton një biznes fason. Ndërsa një tjetër drejtues fasonist u shpreh: “Unë mendoj se duhet të ketë një politikë konkrete për fasonin. Duke qenë biznese të tilla, që ndoshta nuk kanë fuqinë ekonomike për të lobuar, siç mund të lobojnë ndërtuesit apo biznese të tjera të fuqishme, që kanë norma të larta fitimi, zëri ynë, megjithëse është ngritur për problemet, asnjëherë nuk është dëgjuar. Masat që janë marrë kanë qenë gjysmake ose pothuajse asgjë. Unë mendoj se për këtë sektor, që është kaq i rëndësishëm, duhet të ketë politika konkrete: çfarë do të bëhet sot me këtë gjendje që është fasoni, si mund të kalojnë vështirësitë nëpërmjet stimulimeve të ndryshme nëpërmjet zbatimit të ligjeve për rimbursimin e TVSH-së, ose ligje të ndryshme që ekzistojnë dhe nuk zbatohen. Dhe të ketë politika konkrete se çfarë do të bëhet me këtë sektor në të ardhmen.” Nga ana e tij kryesocialisti Edi Rama është shprehur se humbja e 30% të vendeve të punës në 4 muaj është një situatë shokuese, e cila mund të evitohet vetëm duke i mbështetur fasonistët. Kreu i opozitës është angazhuar për politika konkrete që PS-ja parasheh në programin e saj

 

PROGRAMI

Investime jo për kapitalistët, por

për zbutjen e problemeve sociale

 

Edi Rama ka deklaruar dje para bordit të fasonëve se biznesi i këtij lloji është i destinuar të zhduket pa përkrahjen e shtetit. “Është e domosdoshme që të kemi një plan të qartë, ku nga njëra anë ta konsiderojmë sektorin si instrument jo të fitimit tuaj, por të përfitimit të vetë shtetit dhe të shoqërisë. Nga ana tjetër, ta mbështesim me një politikë shumë të qartë nxitëse të punësimit. Në rast se në katër vjet investojmë për nxitjen e prodhimit vendas, ku përfshihet edhe ky sektor, 12 miliardë lekë, ne përfitojmë 51 mijë vende të reja pune dhe 18 miliardë lekë taksa për shtetin. Sigurisht, që kjo përbën një përmbysje radikale të këndvështrimit mbi prodhimin vendas dhe mbi sektorin dhe kërkon një politikë të re shumë aktive, që duhet të fokusohet te punësimi dhe të lërë mënjanë shumë nga gjërat që deri më sot janë bërë dhe që kanë rezultuar si bjerrje e parasë në gropa dhe në drejtime krejtësisht të paditura. Nuk flas për korrupsionin, shpërdorimet, abuzimet, po flas për politikën e mirëfilltë nxitëse, që nuk ekziston.”

 

 

Sekretari për programin në PS Ilir Beqja

 

Saliu tha gënjeshtrën e radhës,

 tregtia është ulur gjatë 2012-s

 

“Saliu tha gënjeshtrën e radhës”, – kështu është shprehur dje sekretari për programin në PS, Ilir Beqja, i cili kundërshtoi deklaratën e Kryeministri Berisha në lidhje me rritjen prej 25.6 për qind të tregtisë në vend. “Kryetari i PS-së, Edi Rama, deputetë të PS-së, njerëz të janë angazhuar në hartimin e programit të ri në PS “Për një Rilindje Shqiptare” po zhvillojnë takime nëpër Shqipëri me biznes të vogël, me biznes të madh, me tregtarë, me prodhues, me importues, me fermerë, me njerëz që kanë investuar në bujqësi. Të gjithë, ditë pas dite kanë një kryefjalë: në Shqipëri ka rënie të fuqisë blerëse, në Shqipëri ka taksa të larta, në Shqipëri ka korrupsion. Po dje Dhoma Shqiptare Amerikane e Tregtisë në një takim që i kishte kërkuar administratës tatimore deklaronte se në korrik dhe gusht ka pasur gjobëvënie masive ndaj bizneseve në Shqipëri. Ndërkohë që të gjithë shqiptarët jetojnë në krizë ekonomike, dje Saliu kaloi në marrëzinë më të madhe të këtyre viteve: deklaroi se tregtia qenka rritur 25.6%. Por në rastin konkret edhe INSTAT-i i Saliut e kundërshton këtë gjë”, – tha Beqja. Dy ditë më parë INSTAT-i bëri publike të dhënat e tregtisë me pakicë në tremujorin e dytë, të dhëna të cilat, sipas Beqjes, tregojnë se tremujori i parë dhe i dytë i vitit 2012 është më i keqi në 5 vjet, çka flet për rënie të konsumit në vend.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>