Flet drejtori i Agjencisë Publike të Akredimit, Avni Meshi
Meshi: Në universitetet shqiptare, 155 programe të akredituara
Drejtori i Agjencicë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, Prof.Dr.Avni Meshi, shprehet për rolin e kësaj agjencie si promovuese dhe garantuese e cilësisë në arsimin e lartë. Ai bën të ditur se, procesi i akreditimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri ka një ecuri normale.
-Procesi i akreditimit të universiteteve dhe shkollave të larta universitare është një domosdoshmëri. Cila është ecuria e këtij procesi në vendin tonë?
Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në aspektin e masivizimit të arsimit të lartë që do të thotë se 70-80% e maturantëve tashmë kanë mundësi të shkollohen në auditorët e institucioneve të Arsimit të Lartë (Universitete, Akademi, Shkolla të larta, Kolegje). Të rinjve shqiptarë tashma u ofrohen 950 programe mësimore në nivelet bachelor, master profesional, master shkencor dhe doktorata, programe këto që kanë detyrimin ligjor për t’u hapur dhe zbatuar, duke respektuar me rigorizitet kërkesat e kartës së Bolonjës. Kjo arritje, përkundër me kontestimet e disa kritizerëve dhe skeptikëve, përbën zhvillim pozitiv për arsimin e lartë në Shqipëri për t’ju qasur eksperiencave më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian ku ne po përpiqemi që me dinjitet të realizojmë ëndrrën e kahershme të shqiptarëve që jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht dhe ekonomikisht të jemi pjesë e integruar e saj.
Tashmë, sfida që kanë përpara institucionet e arsimit të lartë, është cilësia. Kjo sfidë lidhet me të kaluarën, kërkon angazhim maksimal të përditshëm dhe platformë vizionare për të ardhmen. Për kushtet e masivizimit të përmendur më lart, e rëndësishme është që ne duhet të sigurojmë jo vetëm rritje të cilësisë, por edhe që grafiku i kësaj rritje të ketë pjerrësi sa më të madhe. Janë institucionet e arsimit të lartë ato që prodhojnë cilësi, por janë po ato të cilat duhet të jenë të interesuara të ballafaqojnë vazhdimisht performancën e tyre me standardet cilësore që edhe këto vetë ndjekin trajektore dinamike. Është qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës që me aktet ligjore dhe nënligjore krijojnë hapësira, frymëzojnë dhe nxisin cilësinë në arsimimin e rinisë shqiptare. Është Agjencia e Akreditimit të Arsimit Lartë që nëpërmjet procedurave ligjore mundëson garantimin e cilësisë në arsimin e lartë. Janë “miniagjencitë” e ngritura në institucionet e arsimit të lartë që ndjekin ecurinë e parametrave dhe standardeve cilësore. Ndër të gjitha këto subjekte janë institucionet e arsimit të lartë përgjegjësit kryesor dhe direkt të produktit cilësor, pra të studentëve cilësorë, të gatshëm për të hyrë me dinjitet në tregun e punës. Kështu institucionet e arsimit të lartë kanë jo vetëm detyrim ligjor, por edhe moral e shoqëror që të jenë pjesë e procesit të akreditimit të tyre, proces ky i cili ka synim vlerësimin e cilësisë dhe përshpejtimin e rritjes së saj.
Procesi i akreditimit të arsimit të lartë në Shqipëri ka një ecuri normale. Janë akredituar 155 programe (87 bachellor, 22 master profesional dhe 46 master shkencor). Janë në proces akreditimi 45 programe. Ndërsa me akreditimin institucional janë ballafaquar me këtë proces 25 institucione të arsimit të lartë. 602 programe të arsimit të lartë publik kanë detyrin ligjor të fillojnë procedurat për vlerësim e akreditim në vitin 2013. Duhet të shpreh konsideratën më të lartë për Universitetin Politeknik, i cili ka filluar procedurat për akreditimin institucional dhe të programeve dhe me fillimin e vitit të ri akademik, ekspertët e caktuar nga agjencia jonë do të vizitojnë këtë institucion dhe pastaj do të përpilojnë raportet përkatëse për institucionin dhe për çdo program për të vijuar më tej me procedurat e tjera të akreditimit. Ndërsa, bazuar në procedurat e akreditimit, programet e licencuara 2-3 vitet e fundit i nënshtrohen këtij procesi në fund të implementimit të tyre, pra para se të lëshohen diplomat e para përkatëse.
- Si funksionon dhe cili është roli i Agjencisë së Akreditimit në procesin e akreditimit?
Agjencia e Akreditimit është promovuese dhe garantuese e cilësisë në arsimin e lartë. Ajo bazohet në parimet e pavarësisë, të paanshmërisë dhe të transparencës. Ajo është anëtare e asociuar e “The European Association for Quality Assurance in Higher Education (ENQA)”, anëtare me të drejta të plota të “The International Network for Quality Assurance Agencies in Higher Education (INQAAHE), anëtare me të drejta të plota e “Central and Eastern European Network of Quality Assurance Agencies in Higher Education (CEENQA)”. Në 2 vitet e fundit, kjo agjenci ka kryer reforma thelbsore për të garantuar misionin e saj. Në mars të 2011, u miratuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës standardet shtetërore të cilësisë, të cilat janë një gërshetim i përvojave të agjencive, pjesë të rrjetit evropian të sigurimit të cilësisë (ENQA) dhe eksperiencave të këtij sistemi në vendin tonë. Ato janë standarde që kanë për bazë arritjet në sistemin tonë të arsimit të lartë, por edhe vizionin dhe objektivat ambicioze për të ardhmen e këtij sistemi.
Një reformë tjetër e rëndësishme është përfshirja e detyrueshme në grupin e vlerësimit institucional të ekspertëve më të mirë të universiteteve evropiane që ka filluar të implementohet këtë vit.
Po kështu, tashmë në Këshillin e Akreditimit janë emruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, me propozim të agjencive pjesë të rrjetit ENQA, dy personalitete të spikatura të sistemit të sigurimit të cilësisë në Evropë, njëri drejtor i Agjencisë së Akreditimit të Austrisë dhe tjetri drejtor i Agjencisë gjermane ASIIN (të dyja këto, janë agjenci anëtare me të dretjta të plota në ENQA. Këta anëtarë të huaj të Këshillit të Akreditimit kanë të drejtën e vetos në çdo vendim të këshillit, si edhe nuk mund të zhvillohet mbledhje pa pjesëmarrjen e të dyve.
Tjetër risi në kuadër të përmbushjes së misionit të Agjencisë së Akreditimit është publikimi në faqen saj të internetit e raporteve të vlerësimit të hartuar nga ekspertët vendas dhe të huaj. Raporti i vlerësimit paraqet pikat e forta të institucionit apo programit të vlerësuar, pikat e dobëta të institucionit apo programit të vlerësuar, dhe rekomandimet për rritjen e cilësisë në të ardhmen. Ekspertiza dhe ekspertët janë institucion kyç në këtë proces dhe duhet të jenë personalitete të pavarur, me integritet, me profil të spikatur akademik dhe shkencor dhe jashtë çdo konflikti interesi. Ekspertët vendas propozohen nga institucionet e arsimit të lartë, nga drejtori i Agjencisë së Akreditimit dhe miratohen nga Këshilli i Akreditimit.
-Problematika e evidentuar kohët e fundit dikton kritere më të rrepta në akreditimin e universiteteve dhe shkollave të larta universitare. Sipas jush, ku duhet të konsistojnë këto kritere?
Nëse pyetja juaj lidhet me SHLUP “Universiteti Kristal”, pra për rastin e diplomës Bosi, dihet që këtij institucioni i është pezulluar licenca për një vit nga organi që ka dhëne këtë licencë. Ne aspektin ligjor lëshimi i një diploma false përbën shkelje të rëndë dhe përgjegjësit duhet të ndëshkohen. Mesa di, drejtësia akoma nuk e ka dhënë verdiktin e vet. SHLUP “Universiteti Kristal” tashmë nga Këshilli i Ministrave e ka marrë penalitetin administrativ (heqje licence për një vit). Po kështu, ai po paguan penalitetin moral që është më i rëndë dhe që do i kushtojë shumë këtij institucioni në perceptimin lidhur me imazhin e tij. Të shpresojmë që ky rast të jetë i izoluar. Nga kontrolli i MASH, bërë në këtë institucion dhe institucione të tjera private, mesa di unë nuk janë konstatuar raste të tilla, ndoshta ka shumë vështirësi në evidentimin e tyre. Precedente të tilla mund të pamundësohen tashmë nga masat që ka marrë MASH për kontrollin rigoroz të gjithë sistemit të regjistrimeve dhe transferimeve të studentëve, masë kjo që do të fillojë zbatimin e saj në vitin akademik 2012-2013.
Ky rast, apo raste të tilla si ky, mund të krijojnë një perceptim për cilësinë, por unë mendoj se nuk kanë lidhje të drejtpërdrejt me të. Mund të jetë një universitet cilësor, por kjo nuk e imunizon atë nga raste të tilla. E rëndësishme është të gjenden mekanizma që pamundësojnë fenomene të tilla, të cilat janë të paprecedent në universitetet serioze. Duhet thënë se ka pasur edhe një tepri dhe mjegullim mediatik për rastin në fjalë dhe dihet që objektet në mjergull duken më të zmadhuara. E kam thënë diku tjetër se diplomat janë formate kartone shpesh të konfiguruara bukur që mbeten të vdekura nëse nuk jetëzohen dhe jetëzimi i tyre është përdorimi i dijeve të marra në universitete për jetë normale dhe dinjitoze, në radhë të parë, të atij që zotëron këtë diplomë. Shoqëria duhet të ndërgjegjësohet për këtë që sapo përmenda dhe nuk duhet të kërkojë as diploma false, as gjasme diploma.
Theksoj edhe një herë, se qëllimi dhe misioni i akreditimit është evidentimi i përmbushjes së standardeve cilësore në institucionet e arsimit të lartë. Por jo vetëm të arsimit lartë. Studentët që do të ulen në auditore këtë vit, e kanë filluar shkollën 12 vjet më parë, pra në vitin 2000. Ata që fillojnë shkollën sivjet, do të ulen në auditoret universitare në vitin 2024. Ata që ulen sivjet në auditoret universitarë, përformanca e tyre, minimalisht do të përballet me tregun e punës, në vitin 2020. Pra, cilësia në arsimin e lartë, është e lidhur me paraarsimin e lartë dhe me pasarsimin e lartë.
-Si e konsideroni ju rritjen e numrit të universiteteve dhe shkollave të larta universitare dhe a i përgjigjen ato stadit aktual të zhvillimit të vendit?
Universitetet e krijojnë profilin e tyre përmes produktit cilësor që prodhojnë, pra studentët cilësorë. Në Shqipëri akoma nuk kemi një shtresëzim të qartë të institucioneve të arsimit të lartë. Ka 3 universitete publike me një historik modest 60-vjeçar krahasuar me universitete të huaja me histori mbi 600-vjeçare. Ka disa ish-institute të larta që u konvertuan në universitete publike, ka universitete publike të reja, ka dhe universitete dhe institucione të reja private me histori rreth maksimumi 10-vjeçare.
Thashë që, masivizimi i universiteteve krijoi, përveç të tjerash, një mundësi për shtim të institucioneve të arsimit të lartë. Sistemi preference – meritë, për të hyrë në universitet publike, krijoi një hapësirë për hapjen e universiteteve private. Maturantë që nuk e gjenin veten në listat e shpallura për regjistrim në universitete publike, apo që e gjenin emrin e tyre në programe që nuk i preferonin, krijoi një mundësi për hapje institucionesh private të arsimit të lartë. Kjo tashmë krijoi një treg të ri kunkurrues që besoj se shërben dhe do të shërbejë në shëndoshjen e këtij sistemi. Ato shërbejnë edhe si valvë shkarkuese në fillesat e masivizimit në arsimin e lartë dhe solli një impakt pozitiv, pasi shumë asete financiare të sipërmarrësve privatë u kanalizuan në ngritjen e infrastrukturës së universiteteve private. Duhet thënë se, disa institucione private të arsimit të lartë kanë kapacitete infrastrukturore shumë të mira. Sigurisht, që ka pasur tepri në stadet fillestare, për shembull, në 2009 u hapën mbi 10 institucione të tilla, por që ky fluks ka rënie dhe aktualisht konkurrenca ka filluar të fshijë nga kjo hartë disa nga këto institucione. Politika e qeverisë që solli shtimin e numrit të studentëve të pranuar në universitetet publike, i ka frenuar tashma kërkesat për hapje institucionesh të reja dhe po i vë në vështirësi ato që janë licencuar. Forcimi i kërkesave për përmbushjen e standardeve cilësorë në institucionet e arsimit të lartë si edhe, politikat qeveritare lidhur me: përmirësimin e raportit pedagog-student; fuqizimin e kapaciteteve infrastrukturore-laboratorike, si edhe rritjen e eficensës së kërkimit shkencor, do të jenë në të ardhmen shinat mbi të cilat do të lëvizin institucionet e arsimit të lartë privat apo publik, në një garë të shëndetshme që do të prodhojnë vetëm progres në treguesit cilësorë të arsimit të lartë në Shqipëri.
Intervistoi:
Pranvera Kola