“Rezidenca është qeveritare, jo e kryeministrit”

Vila në Vlorë, reagon kryeministria

Një ditë pasi “Top Channel” bëri publike pamjet e rezidencës qeveritare në Vlorë, ka reaguar Kryeministria. Lidhur me këtë kronikë, zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron opinionin publik se ky televizion shpifi kur e paraqiti atë si rezidencë të Kryeministrit Berisha. “Vila në Vlorë, e paraqitur në kronikën e televizionit Top Channel, është rezidencë qeveritare, shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja, miq të shquar të Shqipërisë. Pretendimi i televizionit “Top Channel” se Vila Qeveritare në Vlorë është rezidencë e Kryeministrit është një trillim i ulët, i denjë për çakej dhe gjobëvënës, që përdorin median për prerje gjobash dhe qëllime të tjera të kundërta me misionin e tyre”, – thuhet në këtë njoftim. Më tej, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare kujton të tjera raste shpifjesh që “Top Channel” ka bërë edhe më herët. “I kujtojmë opinionit publik se gazetarët gjobë-prerës të këtij televizioni, që shpallin shtëpinë e pritjes në Vlorë si rezidencë të Kryeministrit Berisha, janë po ata që montuan në zyrat e Edi Ramës videon e 21 janarit dhe që servirën shumë herë si veturë të Kryeministrit, makinën Mercedes të blerë nga kjo drejtori për transportin e kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe kryetarëve të Parlamenteve të vendeve mike, që vizitojnë Shqipërinë dhe që nuk është përdorur asnjëherë nga Kryeministri apo personalitete të tjera të vendit”, – përfudon njoftimi. Në edicionet e datës 13 gusht të këtij viti, “Top Channel” shfaqi pamje të së ashtuquajturës Vila 1 në Vlorë, rezidencë qeveritare, sipas këtij televizioni, e rikonstruktuar së fundmi nga qeveria në një shifër të përafërt me gjysmë miliard lekë. “Një mobilim i parashikuar për një objekt të nivelit të lartë elitar në rrymën neoklasike-moderne, që do të përdoret nga Kryeministri i vendit Sali Berisha”, – thotë “Top Channel”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>