Roland Qafoku: Gruaja e Ismail Qemalit Kleoniqi Sumerli, e veja nga fisnikët e Greqisë

Faik Konica ka pasur një takim të fshehtë me Musolinin, misteri i bisedimeve pas pushtimit

Roland Qafoku grumbullon në dokumentar historinë e figurave më të larta shqiptare

Gazetari Rolan Qafoku në një intervistë të dhënë për “Metropol” rrëfen punën e tij dokumentare mbi historinë dhe figurat e shtetit shqiptar. Për të nuk ka rëndësi se cilët flasin mbi historinë, por e rëndësishme është që në fund shqiptarët të kenë informacionin mbi atë që ndodh. Në dokumentarët e tij, të cilët do të jenë pjesë e emisionit “Arena” në Tv “Planet” Qafoku zbardh të dhëna të reja mbi figurën e Ismail Qemalit dhe gruas së tij Kleoniqi Sumerli. Pjesë e dokumentarit janë dhe figura të tjera të debatueshme siç është Faik Konica dhe një takim i fshehtë i tij me Musolinin. Ndërkohë që nuk nguron të theksojë se pavarësisht përplasjeve të forta mes politikës shqiptare, për 100 vite Atdheu ka ecur shumë, madje tashmë është një shtet që renditet në NATO, aspiron për në BE, është aktiv ne stabilitetin e Ballkanit etj.

Z. Qafoku, në Shqipëri ka nisur një garë e fortë mes politikanëve, studiuesëve, madje dhe në shtresa të ndryshme të shoqërisë për të hedhur dritë mbi pavarësinë e vendit. Si e shikoni këtë lumë replikash, faktesh e debatesh? A është normale kjo paqëndrueshmëri në një shtet një shekullor?

Unë mendoj se nuk ka asgjë të keqe në këtë mes. Ka ikur koha që historia ishte pronë vetëm e dikujt apo e një grupi personash. Sot çdo kush që ka diçka të re, me vlerë për historinë, ka lirinë e plotë ta botojë atë. Rëndësia e asaj që boton vlerësohet nga jo që mbetet në kohë apo më mirë akom nëse dikush i referohet ose jo. Ju keni të drejtë që shprehni se ka një garë dhe unë ju them se nga kjo garë vetëm humbës nuk ka. Gjithësesi, kjo ka një arsye përtse në 100-vjetor ka garë: nëse këtë garë do ta kishim bërë në vazhdimësi në këto 100 vjet, kjo e tanishmja nuk do të dukej garë.

Në këtë vrull debati janë promovuar dhe shumë botime, të cilat në thelb kanë pavarësinë. Po ashtu dhe ju keni përgatitur tre dokumentarë. Mund të na thoni diçka rreth tyre?

Unë sapo kam përfunduar përgatitjen e tre dokmentarëve që do jenë pjesë e emisionit tim “Arena” dhe do transmetohen në televizionin “Planet”. Dokumentari i parë bën fjalë për 100 figurat më të rëndësishme në 100 vjet shtet shqiptar. Janë figura më të rëndësishme dhe me ndikim në një shekull. Është një aradhë shumë interesante personazhesh sepse janë këto figura që kanë bërë realisht historinë e Shqipërisë, në disa raste me të mirat dhe të këqijat. Dokumetari i dytë ka të bëjë me delegatët dhe firmëtarët e pavarësisë, pra ata që e shpallën pavarësinë. Në këto 100 vjet historia jonë ose i ka fshirë emrat e tyre, ose i ka zhdukur fare edhe fizikisht dhe vetëm pas 100 vjetësh ata që shpallën pavarësinë vijnë për herë të parë pa asnjë censurë, me emra, mbiemra, jetëshkrimi i tyre, kë krahinë përfaqësonin, kanë firmosur apo jo dhe si kanë firmosur, me çfarë nënshkrimi. Dokumentari i tretë që është edhe më i rëndësishmi është ai që ka të bëjë më figurën e Ismail Qemal bej Vlorës, atë pjesë të tij që nuk e kemi njohur. Janë fakte, fotografi dhe detaje që vijnë për publikun për herë të parë. Është një punë grumbulluese e imja për afro 15 vjet duke e sistemuar në arkivin tim personal dhe që unë tashmë e bëj publik për 100-vjetorin e Pavarësisë.

 Mbi figurën e Ismail Qemalit janë thurur shumë e shumë histori, por pak dihet mbi familjen e tij. Gruaja e tij thuajse nuk njihet. Ju keni një dokumentar pikërisht mbi të, si ka ndikuar ajo te Ismail Qemali, kush ishte ajo?

Kleoniqi Sumerli, një greke shumë e bukur ishte bashkëshortja e Ismail Qemalit, një grua me të cilën ai pati 10 fëmijë. Ismail beu ra në dashuri me Kleoniqin në një ballo në atë vend ku sot është Bullgaria dhe që Ismail beu ishte guvernator i Danubit të Poshtëm. Ismaili dhe Kleoniqi kanë pasur një dashuri shumë të fortë. Por zonja e parë e shtetit shqiptar, ose nuk njihet fare ose është bërë objekt akuzash ndaj Ismail Qemalit duke e akuzuar atë si grekofil. Në fakt dokumentari që unë kam përgatitur hedh dritë pikërisht mbi këtë figurë të panjohur, por shumë, shumë interesante. Ajo ishte vajzë nga një familje aristokrate greke dhe kishte fenë ortodokse. Kjo ka sjellë shumë debate në atë kohë se si një muhamedan u martua me një ortodokse greke. Ismail beu ishte martuar me parë me një grua që ishte kushërirë e largët e fisit Vlora, por që kishte vdekur gjatë lindjes bashkë me vajzën. Edhe Kleoniqi ishte vejushë, këhstu Ismail beu dhe Kleoniqi vunë kurorë si persona që më parë u kishin vdekur partnerët. Ajo rriti dhjetë fëmijë me shumë dashuri dhe u dha atyre gjithçka nga vetja dhe i ati.

Çndodhi me familjen e Ismail Qemalit pas vdekjes së tij, ç’drejtim mori bashkëshortja?

Gjatë 50 viteve të komunizmit, por çuditërisht si në periudhën e Zogut, Ismail Qemali na jepej si i vetëm, si një njeri që nuk pati paraardhës dhe nuk pati as pasardhës. Në fakt, mjafton të të themi se xhaxhai i Ismail Qemal Vlorës, Mustafa Pashë Vlora, ishte nënëkryetari i Lidhjes së Prizrenit. Ndërkohë nga pasardhësit, Et’hem Vlora, djali i tij, ishte një mishërim i denjë i figurës së babait, një njeri me shumë kontribut sidmos në periudhën e princ Wilhelm Wiedit dhe pas vitit 1920. Por historia e tyre u zhduk, u harrua ose në rastin më keq, këta njerëz i internuan apo dhe u arrestuan. Ky mendoj se është skandali më i madh në historinë e shtetit shqiptar duke denigruar një familje, më e madhja më e rëndësishmja në historinë e kombit shqiptar. Bashkëshortja pati vlerën që edhe pse Ismail Beu kishte një aktivitet të ngjeshur ajo rriti 10 fëmijë. Kjo ishte vlera e saj më e madhe e kësaj gruaje të harruar.

Gjithsesi Ismail Qemali nuk është i vetmi patriot në Shqipëri. Sigurisht që ai ka një rol vendimtar, por ka dhe mjaft emra të tjerë po ashtu që i kanë dhënë vlerë këtij vendi. Ashtu si dhe pavarësia dhe për ta ka mjaft debate dhe qëndrime. Në studimin tuaj çfarë keni përzgjedhur për ti paraqitur lexuesit?

Po patjetër që ne duhet të krenohemi me këto figura kaq të rëndësishme që ka nxjerrë një vend relativisht i vogël si i yni. Pikërisht këtu qendron madhështia e Ismail Qemal Vlorës. Një njeri me karriererë mbi 40-vjeçare në Perandorinë Osmane, me detyra e ofiqe të larta, me një reputacion të jashtëzanoshëm në diplomacinë evropiane, ai i la të gjitha në Turqi në momentin kur iu propozua të ishte ministër i Brendshëm dhe ai e refuzoi këtë detyrë për të ardhur në Vlorë dhe të themelonte shtetin shqiptar. Apo Fan Noli një njeri me dimensione të jashtëzakonshme që kiste lindur në Turqi dhe vetëm kur u bë 18 vjeç u largua prej andej duke u bërë, jo thjesht një njeri me orgjinë shqiptare me shumë kontribut, por një shqiptar më shumë se ata që kishin lindur dhe rritur këtu.

A mund të kemi disa fakte interesante mbi disa prej këtyre figurave kryesore. Shpesh kemi mite mbi ta, po rrallë kemi studime konkrete mbi jetën e tyre, përplasjet politike, familjet …?

Ka një koicidencë që historia e Shopërisë ka kaluar në një fije peri në momente shumë delikate që ka prishur balancat në të shumtën e rasteve për të keq. Po rendis disa fakte: Ismail bej Vlora kishte menduar që pavarësinë ta shpallte në Durrës, por aty jo vetëm nuk u lejua nga dhespoti dhe nga turma njerëzish “të çmendur”, por u quajt nder që dëbua nga qyteti se edhe mund të arrestohej. Benito Musolini i kërkoi takim kokë më kokë Faik Konicës në zyrën e tij në Romë tekse Faiku ishte në një vizitë në Shqipëri dhe ende ne nuk kemi të dhëna se çfarë u bë me këtë takim misterioz. Fan Noli Kryeministër ishte duke luajtur në oboe kur forcat e Ahmet Zogut gati e “zunë të gjallë në zyrën e tij” nëse nuk do ta lajmëronte adjutanti. Ahmet Zogu refuzoi më 6 prill 1939 tre pasaporta amerikane të ofruar nga ambasadori amerikan për t’a strehuar atë, Geraldinën dhe princin Leka në ambasadë dhe më pas në SHBA. Ahmet Zogu është përgjegjës dhe autor i varjes në litar të klerikut katolit Dom Gjon Gazulli në 1927 dhe kjo ngjarje lihet në harresë. Enver Hoxha mori pjesë në mbledhjen e themelimit të PKSH më 8 nëntor 1941 i ftuar në momentet e fundit meqenëse i përkiste fesë myslimane dhe duhej për balancë fetare. Kufomës së Mehmet Shehut nuk i është bërë autopsi, gjë që i shton dushimet që kemi të bëjmë me një vrasje. Martesa e mbesës së Ramiz Alisë me djalin e Enver Hoxhës e shpëtoi atë nga arrestimi me grupin e Todi Lubonjës dhe Fadil Pacramit. Nëse këto ngjarje do kishin përfundim ndryshe, edhe historia jonë do shkruhej ndryshe. E shikoni se si ka kaluar historia në fije të perit: Nganjëherë peri mezi shkohet në vrimën e gjilpërës!!

Kemi biseduar për tema që realisht janë mjaft interesante për publikun. A nuk ju duket se këto botime janë disi të vonuara. I thonë 100 vite dhe dalin fakte pa fund. Pse ka ndodhur kjo përplasje e historisë, a do të ketë një qëndrueshmëri mbi këtë pikë?

Pyetja është krejt e natyrshme dhe përgjigja është shumë e thjeshtë: historia jonë ose nuk është shkruar ose është shkruar keq dhe e shtrembëruar. 50 vitet e komunizmit e kanë bastarduar historinë tonë saqë mjafton të themi se që në start të instalimit të sistemit komunsit u zhduk edhe proklamata orgjinale e shpalljes së pavarësisë. Në procesverbalin e Bankës së Shqipërisë ku ajo ishte ruajtur, teksa arrestohej njeriu që e kishte në “pronësi”, Lef Nosi, shkruhet: ka edhe disa shkresa të tjera. Mes këtyre shkresave ka qenë edhe proklamata. Ajo sot nuk gjendet. Imagjoni se çfarë krimi historik është bërë. Për të mos thënë që në dokumentin fotokopje janë hequr emra, firma dhe janë zvendësuar me fotografi. Dhe skandali i skandaleve është që janë pikërisht ata që i bënë këto ndryshime që sot përpiqen të rishkruajnë historinë. A mund të rishkruhet historia nga ata që e shkruan kaq keq dhe kriminalisht? Jam i bindur se duhet të kalojë kohë që periudha të ndryshme të shkruhen më saktë.

Z. Qafoku cilat janë pikat më interesante të zhvillimeve të Shqipërisë në periudhën e lindjes së shtetit shqiptar. Ato pika që kanë sjellë realisht një kthesë historike për vendin?

Ne sot duhet t’u përulemi në gjujnë atyre afro 80 burrave që u zgjodhën delegatë, lanë shtëpitë e tyre nga treva të ndryshme dhe në udhëtime vërtetë të rrezikshme për ato ditë kur Shqipëria rrethohej si asnjëherë me disa ushtri ballkanike shpallën në Vlorë pavarësinë. Nuk e teproj të them se shteti shqiptar duhet ta kishte bërë me kohë një obelisk ku duhet të ishin gdhendur emrat e atyre që themeluan shtetin shqiptar. Imagjoni një Shqipëri me pak më shumë se 600 mijë banorë, me pak territor, pa ushtri, pa organizim, me një popullsi 97 për qind analfabete, me varfëri të tejskashjme, të lidhur për 4 shekuj e gjysmë me Perandorinë Osmane, ata burra patën ndërgjegjen dhe përgjegjshëmrinë të themelonin shtetin që e gëzojmë edhe sot. Pa atë akt, ne nuk do të ishim.

 A nuk ju duket që politika shqiptare i është kthyer pikërisht atyre viteve të një politike të sapolindur, ku dy palë armike që shpikin apo thurin çdo gjë kundër “armikut” politik. A ka ngjashmëri mes dy periudhave të lindjes së shtetit shqiptar dhe një realiteti 1 shekullor?

Nëse bëjmë një “shëtitje” në këto 100 vjet shumatorja dhe rezultantja e asaj që kemi arritur është e jashtëzakonshme. Shqipëria ka arritur në një shekull ato që kurrë nuk i kishte për mijëravjeçarë. Edhe optimsti më i madh nuk do t’i kishte parashikuar këto. Ka plot disfatistë dhe nga ata që mohojnë këto që kemi arritur. Madje me humor fabulsiti Ferit Lamaj i cilëson “100 vjet tranzicion”. Por kjo është pjesë e humorit. Në 100 vjet jemi një vend demokratik, jemi anëtar i NATO-s, lëvizim në Evropë pa viza, jetojmë më mirë se më parë dhe e ardhmja është padyshim në progres. A duhet të kishim bërë më shumë? Përgjigjen e kësaj pyetje po e perifrazoj nga Fan Noli në vitet ‘60-të në një fjalim të tij unikal në SHBA: Na thonë që s’kemi bërë gjë, por unë po i them: Nuk kishim shtet shqiptar, ja tani e kemi. Nuk kishim kishë autoqefale, ja këtë e kemi. Nuk kishim qeveri të qendrueshme shqiptare, ja këtë e kemi. Po ç’doni më?

Është më e pjekur media, historianët apo politika?

Media shqiptare ka qenë dhe është bashkëudhëtare e historisë së 100 viteve. Ajo ka qenë e lidhur sa gati nuk ka histori shteti të ketë një binom të tillë. Kjo për faktin se në shumë dekada nuk mund ta veçosh dot gazetarin nga politikani. Imagjinoni Ismail Qemal Vlora, ishte edhe gazetar, ai botoi vetë disa gazeta, madje një farë kohe drejtoi edhe gazetën “Albania” të Konicës. Faik Konica ka botuar monumentin historik të medies shqiptare, gazetën “Albania”, Fan Noli me “Diellin” e tij ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme duke bërë histori. “Dituria” e Lumo Skëndos, përçoi dituri në një vend pa dituri. Për të kaluar në plejadën e gazetarëve dhe mendimtarëve të viteve ’30-të. Pse jo edhe pas vitit 1990 ku shumë gazetarë dhe analistë u bënë politikanë. Ne mund të themi sot për pakënaqësitë dhe sëmundjet e medies, ato janë të shumta, por më kryesorja është ulja e vlerës së gazetarit. Politikanët, e kanë gjetur zgjidhjen, ata tani aleancën e bëjnë me pronarët e medies. Për ta gazetarët shkojnë e vijnë, madje nuk u duhen fare. Për politikanët pronarët e televizioneve dhe gazetave janë ata që përcaktojnë gjthçka duke e shndërruar gazetarin në një shërbëtor “si urdhëron” të pronarit. Ky është problemi numër një i medies shqiptare.

Bisedoi: Brahim Shima


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>