Roli i historianëve të komunizmit në deformimin e historisë

 

 

Nga Mergim Korca

 

Vijon nga numri i kaluar

Cila qe karakteristika kryesore e veprimeve të Enver Hoxhës për të arritur pikësynimeve të tij? Nga njëra anë miklimi si dhe afrimi i elementëve krejtësisht të pavlerë, duke u dhënë grada si dhe poste (të cilët këta mundoheshin t’i mbanin me çdo kusht, të ndërgjegjshëm se vetëm rastësia ua kishte dhënë këtë mundësi) e në vazhdim zhdukja e tyre (me akuza nga më të ndryshmet dhe krejtësisht të hamendshme) e duke i zëvendësuar me elementë të tjerë të përkohshëm, por fillimisht besnikë deri në marrëzi ndaj diktatorit.

Gjatë kësaj brazde doemos erdhi duke u konsoliduar edhe morali i ri, sipas të cilit shkenca e shkencave duhej konsideruar ideologjia marksiste-leniniste, e cila duhej të ishte shtylla kurrizore e secilës prej shkencave jo vetëm shoqërore, por dhe atyre ekzakte. Deri këtu arriti marrëzia e diktatorit, së cilës jo vetëm që me servilizëm të tejskajshëm i përuleshin bashkëpunëtorët politikë, por i përkuleshin dhe bënin garë se cili do të tregohej më besnik në zbatimin e atyre direktivave edhe e gjithë shtresa e intelektualëve të rinj, që në vazhdim u bënë akademikët si dhe historianët tanë “të nderuar”.

Mjafton që secili lexues kureshtar dhe i interesuar të lexojë pjesë nga vëllimi me titullin “Historia e Shqipërisë” me autor prof. Stefanaq Pollon dhe bashkautor prof. Arben Puton, ku ka shkruar rreth udhëheqjes partisë, dashurisë së diktatorit për Kosovën, kolektivizimit bujqësisë si dhe qëndrimit ndaj besimeve fetare edhe prof. Kristo Frashëri, edhe nuk ka aspak nevojë të zgjatem unë me komente, pale me krahasime për ta ravijëzuar personalitetin e këtyre historianëve skajshëm demokratë të sotëm. Sa për të vënë në dukje njërin nga mashtrimet më të themeltë që i bëhej së vërtetës historike nga kjo kategori historianësh, do t’i referohem njërit prej pohimeve nga më skandalozet. por njëkohësisht aq gjerësisht të përmendur, saqë lexuesit jo të vëmendshëm mund t’i shkasë e të mos e vërë re. E kam fjalën te përcaktimi i kulmit të demokracisë shprehur si shteti i diktaturës së proletariati (!). Shtrohet pyetja: si kishte mundësi të vihej shenja e barazimit ndërmjet caqeve gjuhësorë “demokraci” si dhe atij “diktaturë”? Sistemi ynë ose ishte vërtet një sistem diktatorial, e atëbotë nuk mund të ishte shtet demokratik, ose e anasjella! E historianët tanë, edhe akademikë të nderuar, e përcaktonin sistemin tonë të diktaturës së proletariatit si shembullin e vetëm mbi tokë të demokracisë së kulluar (!?). Si ta përcaktojmë këtë pohim të tyrin? Që është paradoksal, nuk e luan asgjë e veç kur pikërisht njëri nga këta historianë dhe akademikë të nderuar, profesori Arben Puto, fill mbas shkërmoqjes së asaj diktature proletare, si pa të keq pranon dhe kryeson për dhjetë vjet radhazi Komitetin Shqiptar të Helsinkit në mbrojtje të të drejtave të njeriut (!?). Sado i paanshëm të duam ta gjykojmë këtë historian e t’ia justifikojmë paradokset e mbrojtura prej tij gjatë diktaturës së egër e gjakatare komuniste të asaj kohe (pa ia quajtur ASPAK FAJ MOSPASJEN E BURRËRISË TË DILTE KUNDËR VIJËS SË PARTISË ASOKOHE), po si t’i dalim zot kur sot, si sot, ai pohon me krenari se vazhdon e është konsekuent i bindjeve të tij politike të rinisë (kur hyri para vitit 1945 në Partinë Komuniste) (!?).

E them sinqerisht se ndihem tamam në vështirësi të madhe në dhënie gjykimi të paanshëm. Nga njëra anë ndaj këtyre shkencëtarëve, ku logjika e tyre e pleksur me si mendonin e si ishin të detyruar të shpreheshin e të vepronin gjatë diktaturës, duke e pasur ata mirë parasysh se si e ku përfunduan që nga sjellësit e ideologjisë komuniste në Shqipëri – Llazar Fundua, Zef Mala, Sejfulla Malëshova e Koço Tashkua me shokë, e në vazhdim dhe dora-dorës gjithë mbështetësit për ta sjellë e konsoliduar në pushtet diktatorin shqiptar, duke filluar që nga Koçi Xoxe me Bedri Spahiun, duke vazhduar me Beqir Ballukun e Petrit Dumen me gjithë Hito Çakon me shokë, armiqtë brenda ushtrisë, duke vazhduar me Abdyl Këllezin me gjithë Koço Theodhosin, sabotatorët e ekonomisë e duke përfunduar te Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu me shokë, që na paskan qenë kryeagjentë të imperializmit si dhe socialimperializmit, e bën të vështire dhënien e një gjykimi të drejtpeshuar. Por, nga ana tjetër, këmbëngulja e këtyre historianëve sot në pozicionimin e tyre pararendës lidhur me kolaboracionin në vetvete si dhe vetë ata që u mbiemëruan prej tyre kolaboracionistë për periudhën 1939–1945 e duke e anashkaluar KOLABORACIONIZMIN E MIRËFILLTË ME JUGOSLLAVINË, BASHKIMIN SOVJETIK E PASTAJ EDHE KINËN, kolaboracione këto krejtësisht në dëmin e vendit dhe nisur nga interesa grupi e në vazhdim thjesht personi, dashur e pa dashur më detyron të pozicionohem shumë kritik ndaj tyre. Vijmë dhe e ngushtojmë rrethin e të gjykuarit. Duke u munduar këta shkencëtarë-historianë me sofizma t’i mbrojnë paradokset që kanë mbështetur gjatë diktaturës, krejt natyrshëm më vijnë në mendje prej drejtimesh nga më të ndryshmet pohime si i Nexhmije Hoxhës, e cila në faqen 271 të librit të saj “Jeta ime me Enverin (botim i vitit 1998) shprehet: “Unë kam besim se do të vijë koha që studiues e historianë të rinj do të interesohen të njihen me dokumente që flasin për lidhjet e Enver Hoxhës me njerëzit dhe për humanizmin e tij.” Flitet për HUMANIZËM TË ENVER HOXHËS? Sinqerisht që mbetem i pa fjalë! Nuk di se nga t’ drejtoj fillin e arsyetimeve të mia. Nga krimet për t’u konsoliduar si drejtues partie edhe shteti nga ana e tij? Apo nga vrasjet e mirëbërësve, shokëve si dhe miqve të tij më të ngushtë, duke filluar që nga i kunati, që e mbajti dhe e trajtoi si dhe bijtë e tij? Apo nga lista e pambarim e krimeve ndaj mbështetësve, si dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë gjatë LNÇL, e vazhduar kjo tek udhëheqësit e drejtuesit e shtetit deri ditën kur diktatori ndërroi jetë? E tek flitet për humanizmin e diktatorit nuk ka sesi të mos më vijë në mendje krejt natyrshëm edhe një citim i Hirësisë Tij Baba Rexhepit, i cili kujtonte një proverb të famshëm arab, që thoshte: “I ndershëm është ai që i ndryshon mendimet e tij për t’i njësuar me të vërtetat, kurse i pandershëm është ai që i ndryshon të vërtetat për t’i njësuar ato me mendimet e tij!” Nga ana tjetër, nuk kam sesi të qëndroj indiferent as përkundrejt pohimit të bërë nga gazetari i dëgjuar italian Indro Montanelli, i cili e kishte intervistuar dikur Mustafa Krujën dhe pohonte në gazetën “Corriere della Sera” të datës 21 maj 1942, duke sjellë bindjet politike të kryeministrit Mustafa Kruja si vijon: “Ne nuk mund të jemi të pavarur pa mbështetjen e Italisë, sepse do të binim pre e fqinjëve tanë më të fuqishëm se ne.” Dhe unë shtoj se me Italinë na ndante një det i tërë si dhe një vijë kufiri tokësor pa asnjë pikë takimi e pikërisht. Mbështetur në këtë premisë veproi edhe qeveria “Kruja”. Kurse PK Shqiptare u mbështet pikërisht në fqinjin verior, pra në sllavin, historikisht e skajshmërisht agresiv dhe kundërshqiptar.

E ndonëse udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, u shpreh më 15 dhjetor të vitit 1947 në mbledhjen e Byrosë Politike të KQPKSH se “duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË…”, historianët tonë të nderuar, që e quajnë veten të përzgjedhur të japin mendime kategorike, siç i jepnin në kohën e diktaturës, kurrë, as edhe sot në vitin 2012, nuk e kanë marrë guximin të pohojnë se ky qëndrim i E. Hoxhës ishte qëndrim tipik prej KOLABORACIONISTI TRADHTAR, që i shiste interesat kombëtare veç i nisur nga interesi personal egoistik i dhunimit të pushtetit shtetëror. Ky pozicionim, i sintetizuar me pohimin e Enver Hoxhës, nuk e di se si mund të quhet ndryshe veçse TRADHTI NDAJ ATDHEUT SI DHE KOMBIT. E ngushtojmë tani rrethin e fakteve si dhe të arsyetimeve. Me keqardhje më duhet të pohoj se mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë kurrën e kurrës historianët tanë nuk e kanë publikuar pohimin e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 15 dhjetor të vitit 1947, por ama në tekstin THE HISTORY OF ALBANIAfrom its origins to the present day (“Historia e Shqipërisë që nga origjina e saj deri në ditët tona”, me autorë S.Pollon dhe Arben Puton e me bashkëpunimin e Kristo Frashërit dhe Skënder Anamalit), botimi i vitit 1981 nga Routledge & Kegan Paul Ltd (versioni anglisht), në faqen 245 vendoset pohimi i Velimir Stojniçit në Plenumin e 2-të të Beratit: “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë, sepse imperializmi do ta gëlltiste… E vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë…” Pa as më të voglin mllef dhe krejt sinqerisht (duke u munduar të jem skajshëm i paanshëm), por nuk mundem ta pranoj që trysnia e V.Stojniçit në Berat të publikohet, kurse pohimi i Enver Hoxhës tre vjet më vonë të anashkalohet. Ky ballafaqim faktesh çfarë shpreh? Asgjë më shumë e asgjë më pak, por qëndrimin e historianëve në mbrojtje të tradhtisë së Enver Hoxhës me çdo mënyrë. Gjatë kësaj hullie shtoj se, sipas autorëve historianë të tekstit në fjalë, para se V.Stojniçi ta bënte pohimin trysnor, ai paska qenë shprehur duke sulmuar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë, Enver Hoxhën, si edhe duke imponuar linjën jugosllave të mendimit.

Pa as më të voglën mëdyshje ky qëndrim nuk ka sesi të mos i revoltojë të gjithë lexuesit e ndershëm dhe të paanshëm tek vazhdohet nga ana e këtyre historianëve të indoktrinuar t’i shfytyrojnë ose t’i anashkalojnë edhe në ditët tona, pa asnjë vrasje ndërgjegje, faktet, gjurmët e të cilëve gjenden pa anë e fund në Arkivin e Shtetit si dhe në bibliotekat e ndryshme të vendit si dhe atyre privateve.

E lëmë historianin Arben Puto dhe u kthehemi pohimeve të historianit tjetër, Kristo Frashëri, po nga teksti i historisë me titullin “HISTORIA E SHQIPËRISË” (botim i vitit 1984), ku në secilën faqe ta hapësh tekstin ndeshesh me “xhevahire” shkencash historike. Në faqen 171 pozicionimi i K. Frashërit ndaj çështjes kosovare: “Pas kapitullimit të Jugosllavisë u krijua Shqipëria e madhe, ku përfshihej edhe një pjesë e tokave të Kosovës e të Rrafshit Dukagjinit. Por komunistët shqiptarë nuk e pranuan zgjidhjen fashiste të çështjes së kufijve të Shqipërisë dhe luftuan krahas popujve fqinjë kundër armikut të përbashkët, duke u mbështetur në parimin e vetëvendosjes së popujve pasi të çliroheshin nga pushtuesit e huaj.” Ky pohim i historianit Kristo Frashëri shpreh një të vërtetë lidhur me pozicionimin e PKSH-së të asaj kohe e doemos edhe miratimin e studiuesit lidhur me atë qëndrim parimor dhe internacionalist. Kurse nga pikëpamja atdhetare është krejt e dukshme se ky pozicionim ishte krejtësisht antikombëtar.

E lëmë për një çast historianin dhe u kthehemi pohimeve të zonjës Nexhmije Hoxha në intervistën e saj të kohëve të fundit dhënë z. Janosh Bugajski (viti 2012), ku kjo e fundit në një mënyrë tejet kundërthënëse si me veten e saj e gjithashtu me dokumentet historike, me të gjitha sa pohonte edhe mundohej të mbronte pikësynim kishte të vinte në dukje se si Enver Hoxha kishte punuar e luftuar me ngulm lidhur me interesat e Kosovës në kuadër të interesave kombëtare shqiptare. E lëmë tashti për një çast edhe sa thotë e pohon zonja Nexhmije Hoxha dhe u kthehemi pohimeve të vetë Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të KQPKSH-së të datës 15 dhjetor të vitit 1947, që e përmendëm pak më lart. Udhëheqësi i partisë edhe i shtetit shqiptar atë pohim e pati bërë në muajin dhjetor të vitit 1947. Historiani Kristo Frashëri (duke qenë akoma gjallë Enver Hoxha) bën pohime rreth pozicionimit të PKSH-së ndaj problemit KOSOVË. Krejt natyrshëm lind pyetja: gjatë kësaj shtjelle pohimesh kundërthënëse ndaj së vërtetës së trishtë lidhur me problemin KOSOVË vallë do të jenë në gjendje studiuesit e ardhshëm ta ruajnë drejtpeshimin orientues dhe të dinë të dalin nga vorbulla e mashtrimeve? E kam të plotë besimin se po. Në fund të fundit, shkencëtarët e rinj do t’i marrin në shqyrtim faktet duke i radhitur. Ata do të shquajnë se si në këtë rast:

Së pari, e zezë mbi të bardhë është e shkruar deklarata e Enver Hoxhës, që sa më parë donte që Shqipëria të bëhej pjesë e Konfederatës Jugosllave.

Së dyti, pavarësisht se historiani ka mëtuar ta fusë xhaminë në thes, por duke i dalë në mbrojtje qëndrimit kundërkombëtar të PKSH-së ndaj problemit KOSOVË, studiuesi e kupton që në pamje të parë se ai mundohej si konformist veç të fitonte hiret e udhëheqësit diktator si edhe të partisë së tij.

Sa i takon qëndrimit të zonjës Nexhmije Hoxha si edhe të gjithë atyre që ka vite që mëtojnë ta nxjerrin Enver Hoxhën si mbrojtës të çështjes kosovare, vetë dokumenti autentik i mbledhjes Byrosë Politike të dhjetorit 1947 i nxjerr jashtë loje ato pretendime dhe e kristalizon pa as më të voglin dyshim Enver Hoxhën si tradhtar të vendit dhe të kombit të tij.

Në vazhdim të dëmit që i shkaktojnë historianët e ideologjizuar ndriçimit të të vërtetave historike të kombit dhe të popullit shqiptar nuk kam si të mos ndalem edhe në një dokument tjetër të historianit Kristo Frashëri. Në faqen 174 të po atij teksti mësimor (botimi shqip) ky i fundit pohon: “Me formimin e PKSH-së populli ynë kishte për herë të parë në historinë e tij një udhëheqje besnike e të sigurt të luftonte deri në fund për mbrojtjen e interesave të tij.” Nuk kam se si të mos e nënvizoj faktin që këtë pohim historiani nuk është se e ka bërë dhjetëra e dhjetëra vjet më parë, por në vitin 1984, kur veç gjyqeve të ashtuquajtura të popullit kundër të gjithë kategorisë së atdhetarëve si dhe klerikëve intelektualë nga më të shquarit të kombit tonë, që sllavi i donte të zhdukur, por në vazhdim ishin pushkatuar si tradhtarë një pjesë e madhe e udhëheqësve të ushtrisë, të ekonomisë e të ashtuquajtur grupazhe të ndryshme deri tek ish-kryeministri Mehmet Shehu si dhe Kadri Hazbiu, e historiani K. Frashëri vazhdonte akoma në mbështetje të vijës së PPSH-së (!?).

 

Vijon në numrin e ardhshëm


One Response to Roli i historianëve të komunizmit në deformimin e historisë

  1. Gazetari Daresise Reply

    July 19, 2012 at 7:56 pm

    Milo ne foto ……. te jep pershtypjen e nje “Kollozi politikan” por kur fillon dhe shpjegohet menjehere i dalin jashte fekalet e PPSH nga goja e tije aq e ndyre dhe aq shpifese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>