Miratohen kuotat për studimet pasuniversitare
Presonat me aftësi të kufizuar dhe ish të përndjekurit paguajnë 50% të taksës
Këshilli i Ministrave miratoi dje ndryshimet e kuotave të pranimit të studentëve në ciklin e studimit të master profesional. Sipas ndryshimeve të bëra, numri i studentëve të cilët do të mund të vazhdojnë studimet pasuniversitare në mastera profesionale, u rrit me rreth 10 për qind në krahasim me kuotat e vitit të shkuar. Numri total i vendeve në universitetet publike është caktuar të jetë 9658. Krahas kësaj qeveria miratoi edhe vendimin për pagesën e tarifës së shkollës. Kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të dytë, “Master Profesional”, me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2012-2013, dhe që u përkasin shtresave sociale të personave që nuk shikojnë dhe që nuk dëgjojnë, invalidë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të jetimit, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë apo fëmijët e policëve dhe ushtarakëve të rënë për shkak të detyrës, si dhe fëmijët e të ish-të përndjekurve politikë, paguajnë një kuotë në masën 50% të tarifës së shkollimit. E thënë ndryshe kjo shtresë e shoqërisë paguan vetëm gjysmën e tarifës vjetore. Ky vendim ka ndryshuar pasi një vit më parë këto shtresa përfitonin 100 për qind nga taksa vjetore. Nuk kryenin as një pagesë. Krahas këtyre kategorive, studentët, të cilët kanë mbyllur universitetin me mesatare maksimale nuk do të kryejnë as një pagesë të tarifës vjetore. Ky vendim është dhënë si masë shpërblyese për këtë kategori studentësh. Veç kësaj qeveria miratoi edhe kuotat e studimeve të masterit profesional jashtë vendit, numrin e transferimeve ndërmjet universiteteve publike, vendet për komunitetin rom/ballkano egjiptianët. Numri i studentëve që mund të vazhdojnë studimet pasuniversitare jashtë vendit është 100. E njëjta shifër është edhe për numrin e transferimit të studentëve ndërmjet universiteteve publike. Për komunitetin rom/ballkano-egjiptian janë përllogaritur 20 vende. Të njëjtën shifër ka miratuar qeveria edhe për të verbrit. Ndërsa për studentët e huaj që duan të vazhdojnë studimet pasuniversitare në Shqipëri, qeveria ka përllogartiur një kuotë prej 50 vendesh.
Për studimet të nivelit të dytë pasuniversitar, master i nivelit të dytë, janë përcaktuar 7986 vende. Në këto kuota përfshihen edhe studimet në artet e bukura dhe master shkencash. Tek kjo shifër përfshihen edhe kategoritë e veçanta, personat me aftësi të kufizuara fizike, komuniteti rom, si dhe studentët që janë në trojet shqiptare. Në vendim është përcaktur që numri i studentëve që janë në trojet shqiptare Kosovë, Maqedoni, Mali Zi, Serbi, Greqi, të jetë 400. Për komunitetin rom dhe personave me aftësi të kufizuar, numri i vendeve është 20 për kategori. Ndërsa për shtetasit e huaj që duan të vazhdojnë masterin e nivelit të dytë në Shqipëri është caktuar i njëjti numër si në masterin profesional, 50 vende. Taksa vjetore e studimit përgjysmohet ashtu si edhe në nivelin tjetër të masterit në masën 50 për qind për kategoritë e veçanta të shoqërisë. Sudentët, të cilët vijnë nga një familje e përndjekur politikisht në sistemin e mëparshëm, personat që nuk dëgjojnë apo nuk shikojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre paguajnë vetëm gjysmën e shumës së taksës vjetore.