Në qershor të vitit 1990, në Italinë fqinje filloi Kampionati Botëror i Futbollit. Në Shqipëri magjia e çuditshme e topit është ngjitëse. Nisur nga fillimi i viteve ’70, kohë kur stacionet e huaja do të mbuloheshin me zhurmues, ndeshjet e sportit janë i vetmi lëshim, që bën rregjimi i kohës. Në shkallët e Pallatit të Madh të Kulturës, në zemër të kryeqytetit, vihen baste të shumtë.
Papritur një ngjarje trand gjithë vendin duke prishur bukurinë e ndeshjeve. Në kronika, ajo do të pagëzohej si Ngjarja e ambasadave.
Para se të fillojë dyndja e refugjatëve, nga ambasada italiane më 16 maj 1990 është larguar për në Itali familja Popaj. Ata kanë hyrë në ambasadë në dhjetor të vitit 1985, tetë muaj pas vdekjes së Enver Hoxhës.
Ngujimi i Popajve shpesh mori përmasa fantazmagorike nga hamendjet e ndryshme që thureshin e krijoheshin për ta. Ambasada italiane u rrethua nga forca të shumta të Sigurimit të Shtetit dhe të policisë. Shteti shqiptar me anën e një note drejtuar Ministrisë së Jashtme Italiane, kërkon nxjerrjen forcërisht të tyre, por pala italiane nuk pranon. – Aty brenda do të kalben ! – kishte ardhur përgjigja nga “lart”.
Ngjarja bëri bujë, por me kohë jehona e saj filloi të binte dhe si kujtim mbeti rrethimi i trefishtë që iu bë ambasadës nga forcat e Sigurimit dhe atyre të rendit publik.
Ngurosja e shtetit komunist vazhdonte të ishte aq shkatëruese, sa ishte e pamundur të mendoje ndryshe, e aq më pak që ai, shteti i diktaturës, do të ndërronte mendje.
Vitet kishin kaluar dhe fundi i ’90 kishte sjellë mrekullinë: Popajt me ndërhyrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Perez de Kueilar, ishin larguar në Itali, dhe për më shumë ishin pajisur edhe me dokumente të rregullta.
Në Tiranë, por edhe nëpër rrethe qarkulloi fjala se do të hapen ambasadat. Askush nuk ishte në gjendje të tregonte se kush e solli i pari lajmin. Dyshimet dhe hamendësimet ishin të shumta. Kishte nga ata që lajmin e merrnin si një shenjë që rregjimi kërkonte t’i bënte presion perëndimit, me anë të një shfryrjeje, të atyre që ishin të pakënaqur, por këta kundërshtoheshin nga të tjerët, të cilët niseshin nga e kundërta, se ishte vetë perëndimi, që kërkonte t’i bënte presion rregjimit.
Skena është masive dhe luhet në qiell të hapur. Personazhet janë njerëz të ndryshëm: qytetarë të shumtë, forca policie, sampistë, kalimtarë të hutuar, funksionarë e veprimtarë partie, shefa rajonesh dhe zyrtarë të rangjeve të larta e të ulta, të rinj e banorë të pallateve përreth. Ngjarjet zhvillohen në tre rrugët kryesore, portat hyrëse të kryeqytetit: “Rruga e Durrësit”, “Rruga Konferenca e Pezës” dhe “Rruga e Elbasanit”. Çuditërisht Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, mbi kurriz të së cilit ishin bërë aq e aq manifestime me tribuna, parakalime ushtarake, tope e tanke, ishte i qetë dhe shtrihej përtueshëm nën zhegun e vapës së korrikut.
Blloku i ambasadave është në rrugën “Skënderbej”, ku lidhet rruga e “Durrësit” me “Konferencën e Pezës”. Është një nga rrugët më të qeta të kryeqytetit, ku qytetarët rrallë, për të mos thënë fare, shkelin mbi të. Aty gjenden ambasada bullgare, gjermane, arabe e Egjiptit, franceze, greke, hungareze, algjeriane, koreane dhe kineze. Veç tyre janë edhe disa pallate e vila të vogla. Në disa dyqane shërbehet vetëm për diplomatët e huaj dhe kurdoherë ka një furnizim të rregullt e mund të gjesh gjithçka. Ndërkohë që kryeqyteti si i gjithë vendi lëngon nën tollonat e ushqimit.
Tre janë ambasadat që do të luajnë rolin e korifeut në vallen çmendurake dhe të frikshme: ambasada gjermane, franceze dhe ajo italiane. Të tjerat polake, çeke, greke, hungareze, turke etj do të jenë sfondi mbështetës i tyre. Skenari i goditur mjeshtërisht në afishe nuk ka autor: Ende ai apo ata që e gatuan fshihen në prapaskenë. Bukur ahere ! Aktorë refugjatë në skenë gjithsejt 5200 vetë.
Ngjarja mori përmasa të frikshme dhe për herë të parë bota drejtoi sytë mbi Shqipërinë, në këtë humbore kashelashë, e cila për vite kishte shpëtuar nga vëmendja e saj, duke ngjallur në fillim kërshëri e më pas shqetësim. Kjo ishte hasja e parë e Perëndimit pas një veçimi të tejlodhshëm e në prag të çarjes së mugëtirës e rrënimit të komunizmit në Evropë.
Nga njoftimet e agjencive të huaja, me burime nga ambasadat e huaja në Tiranë, u fol se mbi turmat u qëllua me armë zjarri dhe u raportua për dhjetëra të vrarë e të plagosur, por për asnjë nga këto lajme nuk u bënë hetime për vërtetësinë, çka e shton akoma më shumë enigmën e ngjarjes.
Në Teatrin Kombëtar ato ditë ishte vënë në skenë një komedi. Aktorja Eva Alikaj do të shprehej me duf:
- Hiqeni afishen e komedisë. Tani gjithë shqiptarët do të vajtojnë fatin e tyre të zi dhe nuk mund t’i detyrosh të qeshin para kësaj gjëme !
Kështu nga shumëkush ngjarja u pa si një tragjedi e rëndë për mbarë kombin.
18 qershor ’90 ora 15.30. Dy të rinj afrohen pranë ambasadës franceze. Duken sikur çapiten të shkujdesur në shëtitje, por befas mbajnë këmbët, kthehen vetëtimthi dhe me shpejtësi kalojnë forcat e policisë duke hyrë në oborrin e ambasadës. Vrapojnë në panik dhe të trembur. Sapo i afrohen portës së godinës godasin me forcë ne xhamat e derës. Nga goditjet e njërit prej të rinjve do të marrë plagë të mëdha duke u mbuluar nga gjaku..
- Ndihmë ! – janë fjalët e vetme që ata shqiptojë në frëngjisht, duke goditur me forcë në portën e madhe të ambasadës.
Dera hapet dhe dikush nga personeli i fton brenda. Policët rrotull ambasadës, të shushatur, kanë ngrirë në vend pa mundur t’i ndalojnë. Ndonjeri prej tyre u bë gati të nxirrte edhe pistoletën, por e kotë. Tashmë dy të rinjtë ishin bujtës në një vend të huaj…
20 qershor 1990, ora 07.40. Një autobus – fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar Alikaj dhe Edmond Vokshi ndalon pranë murit të ambasadës greke. Pas pak prej tij shikohen të dalin dy të rinj, të cilët ngjiten mbi kurriz të autobusit dhe duke u kalavarur hidhen në oborrin e ambasadës. Një ditë më parë ata janë takuar me shefin e sigurimit të ambasadës, i cili mban emrin e heroit grek Leonidha. Në takim u ka thënë – Ejani mos kini frikë. Nuk ju dorzojmë kurrë !
Sipas Drejtorit të Policisë Tiranë, Dilaver Bengasi, ky rast u përhap e shkoi gojë më gojë nëpër Tiranë. Hyrja nëpër ambasada në ato muaj konsiderohej heroizëm.
Po atë mbrëmje nga ambasada gjermane kalojnë tek ajo greke dy të rinj. Ambasadori i Republikës Federale Gjermane Ëerner Daum është i turbulluar. “Dhe unë u dëshpërova, do të shprehej më vonë, që deri në ato momente asnjë nuk kishte ardhur në ambasadën gjermane. Më vinte turp dhe mendova se nuk është e mundur që njerëzit të kërkojnë strehim tek egjiptianët, grekët apo italianët, e jo tek ne. Dhe me ndërgjegje të plotë i thashë punonjësit të sigurimit të kufirit federal se, që sot e tutje ambasada do të jetë e ndriçuar në mbrëmje dhe se porta e madhe që sheh nga rruga të lihet e hapur që të bjerë në sy. Kanati i derës nuk do të jetë i hapur fare, por i pakyçur dhe kjo duhej të ishte e dukshme. Unë nuk mund ta duroja që njerëzit të mos kërkonin strehim në ambasadën gjermane. Kjo mori dhenë dhe njerëzit e parë erdhën. Pastaj të tjerë, pastaj një kamion që prishi murin rrethues të godinës. Unë këto veprime i përshëndeta, por tani dua të them që kjo nuk u përshëndet nga qeveria ime dhe kjo m’u tha në telefon. Unë komunikoja me qeverinë në Bon vetëm nëpërmjet linjës telefonike satelitore, pasi nuk mund të dërgonim fakse apo të shkruanim letra.
- Kush dëshiron të qëndrojë në ambasadën tonë është i mirëpritur ! – do t’u thotë ai
buzagaz. Të rinjtë shohin njëri-tjetrin të habitur. Kaq e lehtë paska qenë porta e Perëndimit ? Çudi !
Kronika vjen e shpeshtë dhe lista e shënimeve të policisë zgjatet pa fund.
23 qershor 1990. ambasada italiane sulmohet nga një Skodë Liaz drejtuar nga Fatos Kaceli. Makina është pa xhamat e përparmë dhe i është hequr kapaku i motorit. Makina e rëndë me dritat e ndezura dhe me burinë që bie pa pushim, rrokulliset me shpejtësi llahtare, përplaset me forcë në derën e ambasadës, këput zinxhirët dhe e shpërthen derën me zhurmë, duke i përplasur kanatet pranë kangjellave të hekurta. Pas tij rreth orës 22.00, “Skoda” e drejtuar nga Kastriot Mano çan murin e ambasadës gjermane, duke e shembur atë. Në makinë, përveç shoferit ndodheshin edhe Burhan Kalaja, Gëzim Tota, Ilia Miri e disa të tjerë.
Edhe ata ditë më parë kanë biseduar me personelin e ambasadës, prej të cilëve kanë marrë sigurinë, se do t’i mbrojnë e nuk do t’i dorzojnë tek autoritetet shqiptare.
Sinjali ishte dhënë i prerë dhe i qartë. Perëndimi i priste shqiptarët, duke u dhënë strehim politik. Ëndrra e shqiptarëve për të udhëtuar e dalë jashtë bëhet realitet. Një mur i lehtë për t’u kapërcyer dhe kalon në botën e lirë. Hamgjitja dhe frika mpeksen e ngatërohen në mendimet e shumë të rinjve kryeqytetas…
Arratisjet e para e gjejnë shtetin me masa sigurie të jashtëzakonshme. Ai dukej i vendosur të tregonte dhëmbët ndaj kujtdo që kërkonte të afroheshin pranë ambasadave. Natën, rrugëve të kryeqytetit, duken kamionë plot me ushtarë, që lëvizin me shpejtësi. Janë shtuar forcat e policisë dhe ato të Sigurimit. Gjumi i kryeqytetit është prishur. Bisedat në familje shuhen vonë pas mesit të natës. Sheshi “Skënderbej”, rruga e Durrësit dhe rruga “Konferenca e Pezës” është e mbushur plot me forca speciale.
Zevëndësministri i Punëve të Brendshme, me megafon në dorë, kërcënon se do të qëllohet mbi të gjithë ata, që do të kërkojnë të kapërcejnë rrugën e asmbasadave.
Nata bie e frikshme mbi kryeqytet. Në rrugë kanë mbetur mbeturinat e një përleshje të egër…
Të nesërmen mësohet se dikush kishte kapërcyer kangjellat e Ministrisë së Arsimit, duke e kujtuar për ambasadë të huaj. Kur këmbët i ranë në tokë iu drejtua policit, duke e përshëndetur me dorë !
- Dil jashtë, miku im se nuk është ambasadë. Je futur në Ministrinë e Arsimit ! – ia ktheu polici i qetë.
Urdhëri ishte i qartë. Në Tiranë nuk duhej të hynte njeri. Në të gjitha pikat hyrëse u vendosën postblloqe dhe patrulla policie. U përforcua shërbimi edhe me forca të repartit special 326. Kujdes i posaçëm iu kushtua Stacionit të trenit. Aty mund të bëhej zbrazja e rretheve për në Tiranë, ndaj dhe aty kordonët e policisë ishin më të shumtë. Ishin marrë përforcime edhe nga qytetet fqinjë.
Kush hynte në Tiranë i nënshtrohej një kontrolli të rreptë. U bënë arrestime në masë. Rajonet e policisë dhe Burgu i i Tiranës u mbushën plot me të arrestuar e të ndaluar.
Sapo zbardhet mëngjesi i 2 korrikut rrugëve e në qendrat e punës dëgjohet dialogu:
- E morët vesh ?
- … !
- Një kamioni u përplas me murin e ambasadës gjermane…
- Dhe… ?
- Ndonja shtatë veta kapërcyen portën dhe fiu… Janë hapur ambasadat… !
- Si ?!
- Askush nuk i ndalon…
- E pat kjo punë !
- Si do bëjmë ?!
- Ikim ?
- Ikim !
Kur lajmi bëhet i ditur, rrugët që të çojnë në bllokun e ambasadave, mbushen plot me njerëz. Edhe në drekë po e njëjta gjendje, por këtë rradhë ishte ambasada italiane, që “sulmohej”, ndërsa mbrëmja ishte e ambasadës gjermane. Numri i atyre që hyjnë në ambasada rritet në mënyrë të frikshme.
Sapo bie mbrëmja e në qiell kërcëllejnë yjet e shumtë, turma të mëdha drejtohen sa në bllokun e ambasadave në rrugën “Konferenca e Pezës”, aq edhe në rrugën e Elbasanit, ku është ambasada italiane. Përplasja midis forcave të rendit dhe turmave të mëdha është e egër dhe e menjëhershme.
Sulmohet muri i ambasadës gjermane. Shembet nga një Skodë me rreth 20 vetë burra, gra e fëmijë. Nga goditja e fuqishme ka shumë të gjakosur. Në ditët në vazhdim, hyrja bëhet e lirë. Herë ato hapen në mbrëmje e herë të tjera, që në orët e para të mëngjesit.
Me gjithë kundërshtimin e madh, një turmë e madhe njerëzish, ka hyrë në të gjitha ambasadat e huaja. Të nesërmen, vërshimi i turmave është më i madh, por gjithsesi forcat e rendin kundërpërgjigjen ashpër. Flitet për të lënduar, por edhe për të vrarë.
Çudia ndodh më 4 korrik. Me shpejtësi rrufeje, është përhapur lajmi se forcat e rendit nuk do të kundërshtojnë, dhe kush dëshiron të hyjë në ambasada, mund ta bëj këtë gjë lirisht.
Fillon kështu një “lojë” e hapa e mbylla, kur ambasadat herë hapen e herë të tjera mbyllen. Njerëzit hyjnë e dalin, kalojnë nga njëra ambasadë tek tjetra, kthehen në shtëpi, marrin ndonjë ushqim, plaçkë, batanije (natën koha ka filluar të ftohet), lënë ndonjë porosi në familje, marrin paketa cigare… Miq e shokë u çojnë të ngujuarve bukë, djathë, domate…
Në Tiranë, ditët në vazhdim, vihet re një dyndje njerëzish edhe nga rrethet. Vijnë me gjithfarë mjetesh. Lajmi është përhapur me shpejtësi në të gjithë Shqipërinë. Edhe trenat janë plot. Nga shteti bëhet përpjekje, që të ndalohet ardhja e trenave në kryeqytet. Njërin prej tyre e ndalojnë në të hyrë të Tiranës, diku pranë Vorës dhe forcat e policisë kontrollojnë imtësisht të gjithë udhëtarët, duke ushtruar edhe dhunë.
Më e fortë se sa dhuna që ushtrohej ishte jehona, që përhapej në popull në formë thashethemesh nga vetë shteti. Flitej sikur ata që kapeshin nga policia, ishin ca huliganë kriminelë, lapërdharë, halabakë të palarë, hajdutë, nga familje të deklasuarish e gjithfarë tjetër, që kërkonin të prishnin imazhin e mirë, që Shqipëria po krijonte në arenën ndërkombëtare etj, etj. Kërkohet kështu të ushtrohet terror psikologjik mbi popullsinë.
Me gjithë masat shtrënguese, që u morën dhe propagandën e madhe, rrugët e Tiranës përballen me të ardhurit e shumtë. Hotelet janë plot me bujtës. Nuk gjen vend për të fjetur. Makinat e policisë patrullojnë nëpër rrugë, duke kaluar me shpejtësi e me sinjale të ndezur. Shpesh prej tyre dalin policë, që ndalojnë ndonjë të dyshuar. Bëhet kontrolli i letër njoftimeve dhe kush nuk ka dokumente me vete, apo u duket i dyshimtë, e nisin drejt e në rajonin e policisë.
Shumica e të ardhurve gdhihen nëpër parqe, por më shumë i drejtohen kodrave të Liqenit Artificial të Tiranës, i cili kthehet në një fjetore gjigande verore.
Kudo shikohen turma njerëzish, që enden rrugëve e rrotull ambasadave. Disa qëndrojnë ulur nëpër trotuare. Të gjithë presin e presin me orë të gjata hapjen e ambasadave…
Thashethemet e shumta, që qarkullojnë e bëjnë të sigurtë orën e lirikalimit në ambasada. Diskutimet herë ndizen e herë fashiten, duke i bërë njerëzit pesimistë, por befas ndonjë lajm rindez diskutimet. Njerëzit mblidhen turma-turma e dëgjojnë:
- E more vesh? Ambasadat do të hapen në ora gjashtë !
- Jo more ?
- Lajm i sigurtë ! E kam nga një burim i fshehtë, por… vetëm gjysëm ore do qëndrojnë hapur…
- Pse kaq pak ?
- Kështu e do puna. Mos kërko më shumë…
- A thua do na lenë të kalojmë ?
- As mos e diskuto !
- Po policët ?
- Çfarë policësh më thua, pash Zotin ?!
- Afrohemi pranë ambasadës gjermane të jemi të parët…
- Unë do të hyj në ambasadën franceze… Kupton dua të shikoj Parisin…
- Unë do hyj tek gjermania…
- Te gjermania ?! Gjermanët janë të ftohtë akull, apo nuk janë edhe të ashpër…
- E ke gabim, i thonë Dojçe atij… ! Shikoi çfarë futbolli kanë !
- E ç’rëndësi ka se ku do të shkojmë ?! Vetëm të ikim nga kjo llahtarë, pa nuk më çojnë edhe në xhunglat e Afrikës, e të më lënë të jetoj me majmunët… !
Grumbuj – grumbuj njërëz të shumtë afrohen pranë bllokut të ambasadave. Pritja është e gjatë. Sa më shumë kalojnë orët aq më të besueshme bëhen lajmet mbi hapjen e ambasadave.
Në të gjithë pikat hyrëse të Tiranës, janë vënë postblloqe dhe ushtrohen kontrolle të rreptë nga patrullat e policisë. Ndalohet e kontrollohet çdo i ardhur. Kush dyshohet nuk lejohet të futet në qytet.
Në mbrëmje televizioni jep reportazhe të gjatë mbi çfarë ndodh në Tiranë. Shumica e tyre janë pa koment. Papritur folësit janë kthyer në memecë. Pesha e lajmit endet rrotull pa praninë e fjalës. Pamjet janë shokuese dhe gjithçka rrjedh si në një film pa zë, ku sekuncat ndjekin njëra-tjetrën, me njerëz që kacavitet mureve, kangjellave dhe duan të ikin. Ngjajnë si grishje dhe kumte kobndjellëse. Lotë e thirrje shoqërojnë skenat, që shpesh marrin nota tragjike e herë të tjera butaforike. Muret e kangjellat e ambasadave tranden nga kapërcimet e shumta të njerëzve. Në ambasada duhet të hysh, duke kapërcyer dhe jo nga porta. Pra, ambasada nuk e ka hapur derën, por janë vetë shqiptarët që kërkojnë të futen me zor nëpër ambasada – ishte kjo alibia e përdorur në atë kohë. Kjo është kuptuar nga të gjithë. Ç’po ndodh kështu ?! – pyesin të gjithë. Ngjarja ngjan me ditën biblike të Përmbytjes së Madhe.
Në ekran shfaqen edhe njerëz që bëjnë thirrje në mbrojtje të Partisë së Punës, dënojnë largimin nga Shqipëria si një turp etj. Mjeranë dhe si të dalë nga mugëtira, ata shprehnin gramat e fundit të pushtetit, të dhunës e të peshës së kaluar.
Ka edhe njërëz të turbulluar e të troditur.
“Djali im nuk është huligan ! Ai e do Partinë…!
….Nuk është armik i Partisë… i Atdheut… e kanë mashtruar të tjerët”.
Kameramanët me kujdes kanë intervistuar disa nëna bardhane e syprera, që në dyert e ambasadave kërkojnë të afërmit. Thirrjeve të tyre dëshpëruese, ata që janë brenda nuk u përgjigjen. “I kanë droguar dhe ata nuk ndjejnë asgjë !”, – hapet me shpejtësi një thashethem në qytet.
- Janë të mpirë e nuk ndjejnë asgjë… asgjë. Tmerr… !
- Bobo ç’na gjeti ne të mjerëve… !
Shpesh nëpër rrugicat e ambasadave ushtrohet dhunë nga forcat të rendit dhe ato speciale, të cilat për herë të parë filluan të shfaqen rrugëve të kryeqytetit me skafandra në kokë e shkopinj gome në dorë. Shumë qytetarë mbajnë këmbët për të parë pamjet e pazakonta. Pamje të tilla janë parë vetëm në kronikat e lajmeve nga vendet perëndimore.
Në qendra pune dhe nëpër lagje bëhen mbledhje partie. Nën zë flitet për marrjen e masave shtrënguese ndaj familjeve të refugjatëve, si përjashtime nga partia, por edhe internime e dëbime nga kryeqyteti. Shumë familjeve, më pas iu kërkua të lëshonin shtëpinë, me shkakun se kishin sipërfaqe banimi më të madhe nga sa duhej, nga që u kishte ikur ndonjë pjestar i familjes refugjat.
Gazeta “Zëri i Popullit”, nën titullin “Veprime të disa huliganëve në Tiranë”, kumtonte se në mbrëmjen e dates 2 korrik “një grup vagabondësh, ish-të burgosur për faje ordinere si vjedhje, llotarira klandestine, kumarxhi, si dhe disa adoleshentë të mashtruar, kërkuan të hyjnë forcërisht në një ambasadë të huaj, duke goditur me gurë, tulla e mjete të tjera, mbrojtësit e rendit. Në mbështetje të kësaj mase 300-400 vetëshe u grumbulluan edhe disa pjesëtarë të familjeve të tyre, që krijuan një gjendje alarmuese… Pati të plagosur lehtë nga të dy palët”.
Dita tjetër. Mëngjes herët. Blloku i ambasadave. Në të dy krahët e rrugës “Konferenca e Pezës”, pranë hyrjes së rrugës “Skënderbej”, mes vilava të ambasadave, një turmë e madhe vjen rrotull. Janë të rinj, gra, burra, fëmijë të vegjël së bashku me prindër, që i mbajnë pranë. Aty pari ka edhe karroca fëmijësh. Disa nëna të reja rënkojnë me foshnjat në krahë, të mbledhura me mbulesa të trasha e me biberonë në gojë. Secili mban në sup, apo në dorë, një çantë me plaçka, ushqime e veshmbathje. Presin të hapen ambasadat.
Autobusi i linjës Kombinat-Kinostudio shpesh ndalon, e prej saj zbresin turma të mëdha. Shumë prej tyre janë ulur në trotuarin përballë e deri në shkallët e Kishës Katolike, e tutje tek Parku i Xha Tomit, për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit.
Dy-tre policë rrinë larg, duke hedhur vështrime në drejtim të tyre. Kanë një pamje paqësore. Rruga është e qetë dhe disa makina me targa të huaja janë parkuar bri trotuareve të ngushtë.
Dikush bën përpara dhe turma vihet në lëvizje. Sytë e të gjithëve janë drejtuar tek policët. Ata nuk japin asnjë shenjë kundërshtimi. Turma merr zemër dhe bën përpara. Në fillim ngadalë, pastaj gjithnjë e më shpejt. Është një ecje e çuditshme, ku përzihet ankthi, frika e shpresa.
Kalojnë një radhë pallatesh me dyqane e tenda, ku duken disa diplomatë të huaj, që shpejtojnë të mbyllen brenda. Më pas me rradhë ambasada çeke, hungareze, egjiptiane … Turma nuk ndalet tek asnjëra. Në mendje kanë vetëm ambasadën gjermane. Tek ajo janë drejtuar.
Një djalosh arushan, flokëgështenjë që ka veshur një këmishë me mëngë të shkurtra ngjyra alle, prin i pari. Pas tij vijnë të tjerët. Ja dhe muret e lartë të ambasadës gjermane. Tutje duken policë të shumtë, në mes porta e hekurt dhe aty pranë kafazi i policit të shërbimit.
Një polic madhosh e ngrehaluc, ka dalë nga kabina dhe ndjek me shikim turmën. Duket i shqetësuar. Sakaq turma është afruar ambasadës gjermane. Arkitektura e saj karakteristike alpine, shfaqet paqësore, pas kangjellave e murit të lartë.
Aty turma mban këmbët dhe hapet në të dy krahët. Disa çaste qëndron e palëvizur. Me dhjetëra sy ngulen mbi policin e shërbimit. Dikush përpiqet t’i buzëqeshë. Polici është rrudhur e mbledhur e nuk jep asnjë shenjë. Lipsej vetëm një shenjë dhe turma do të hidhej përpara. Djaloshi që ka dalë në ballë mbushet me frymë e thotë:
- Të dalë ku të dalë. Unë po hidhem i pari ! – dhe pasi kapet nga kangjellat kapërcen matanë e bie në oborrin e ambasadës.
Polici e ndjek me sy, një çast i jep trupit përpara, ngre krahët sikur diç do të bëjë, rrotullohet, bën disa hapa kuturu dhe mbledh përsëri buzët.
Kaq duhej. Mosveprimi i policit shërben si sinjal që ambasadat janë hapur e presin refugjatë të rinj.
Menjëherë fillon një dyndje e madhe. Sulmohen kangjellat e muri. Turma sulet kush e kush të kalojë më parë. Ngado vijnë thirrje. Kërkojnë njëri – tjetrin e kur sigurohen që janë brenda, marrin rrugën për në brendësi të oborrit. Disa gra frymëkëputura përpiqen të ngjiten, duke u shkalafitur nëpër mure.
Befas dera hapet dhe një zezak me uniformë i fton brenda, duke buzeqeshur. Bien në sy dhëmbët e bardhë, brenda buzëve të trasha dhe trupi i bëshëm muskuloz.
Gratë kalojnë kokëulura, duke falenderuar zezakun shtatmadh, i cili i shoqëron në heshtje me sy. Njerëz të tjerë hopthi ngjiten në mure.
Faqeza nga rruga e Durrësit vijnë turma të tjera. Fillimisht u krijua një rrëmujë e madhe e një llafazaneri e zhurmshme. Befas, çuditërisht ra një qetësi e madhe. Kalimi ndërmjet dy botëve, kryhet në një qetësi të frikshme. Ndonjë thirrje e lëshuar, i ngjan më shumë një pëshpëritje. Në fytyrë, të gjithë mbajnë shenjën e fajit apo të një krimi. Ku vemi kështu? Ç’po ndodh me ne?
Turma kureshtare afrohen, duke e shtuar më shumë grumbullin para ambasadave. Orët ecin dhe askush nuk mund të thotë, se sa kohë ka kaluar nga kapërcimi i parë nga kangjellat e ambasadave.
Një biçim njeriu, zuri të vështronte ngultas turmën, duke mbledhur buzët. Është një zyrtar i lartë vetullan, flokëprerë dhe me një çantë të vjetër, që e shtrëngon fort në sqetull. Në një diellishte ndanë rrugës, një grup njerësish, vrapojnë thellë bllokut të ambasadave. Zyrtari mbledh buzët dhe u drejtohet disa policëve, që rrinë disa çape më tutje. U bërtet me të madhe:
- Kush jep urdhra këtu? Kë keni të parë, shef a djall çfarë është ?! Ju rrini e bëni sehir se si futen njerëzit në ambasada. Turp ! Turp e përsëri turp ! Shteti ju paguan, ju rrini duarkryq. Më sillni menjëherë shefin !
Policët lëvizin ngadalë e si të trembur. Turma e madhe e njerëzve i merr përpara. Njëri prej tyre largohet për në thellësi të rrugës.
- Pse nuk po vjen shefi ?!
Shefi, një burrë katana i madh, me kapelen e ngjeshur në kokën e shtypur, me një grup policësh është në anën tjetër të rrugës, aty ku ajo kryqëzohet me Rrugën e Durrësit. Një grup i madh të porsaardhurish kërkojnë të kapërcejnë kordonin e policisë. Në të djathtë të hyrjes është ngrehina hijerëndë e ambasadës kineze. Disa punonjës të saj, të hollë e kokëvegjël, të veshur me këmisha të bardha, kanë dalë në ballkonet e katit të dytë. Janë të heshtur dhe hedhin vështrime kureshtare mbi turmën e madhe, që po mblidhet poshtë. Ndërmjet tyre një dhogaç bën me dorë nga turma poshtë e diç thotë nëpër dhëmbë.
Në ambasadën kineze deri në atë çast, nuk ka hyrë asnjë shqiptar. Personeli nuk pret të hyjë njeri, ndaj nuk kanë marrë asnjë masë për të pritur refugjatë.
Polici i shërbimit një mesoburrë trupmadh, me mustaqe të zeza, i handakosur shtriqi këmbët. Ishte mpirë nga qëndrimi i gjatë në kabinë, sillet rrotull murit që rrethon ambasadën kineze, e cila është fare pranë hyrjes nga ana e rrugës së Durrësit. Një çift më tutje ndjek ecejaken e tij.
Rruga, dalngadalë merr gjallëri nga kalimtarët e shumtë, që vijnë e grumbullohen. Disa kureshtarë, kanë mbajtur këmbët e shikojnë se ç’do të ngjasë. Kur polici ktheu kurrizin, në një nga ecejaket e tij dhe po i afrohej derës së hekurt, çifti i ri bëri përpara me vrap. Iu afruan murit rrethues të ambasadës dhe kërcejnë mbi të. Asnjë nga policët rrotull nuk e pa.
Polici i shërbimit i ndjeu dhe u kthye vërtik. Djaloshi u ngjit me shpejtësi në mur dhe hidhet brenda, ndërsa vajza po mundohet të kalojë murin e lartë. Në një nga përpjekjet, fustani i gjatë iu kap në një tullat e murrit dhe ajo mbeti e nuk bën dot përpara. Iu shqye fustani, u vra dhe u dërmua në brinjë, ndërsa brylet iu gjakosën.
Polici arriti ta kap vajzën nga këmba dhe fillon ta tërheqi poshtë, për ta detyruar që të zbresë nga muri ku kishte ngelur. Vajza është mbërthyer pas murit e nuk lëshohet, megjithëse ndjen dhimbje të mëdha. Pas pak fillon të qajë e të ulërasë.
- Lëshomëni…! Lëshomëni se më vratë…! Oh… Oh…!
Por polici nuk e lëshon. Në ndihmë i vjen edhe një polic tjetër, i cili e kap vajzën nga këmba tjetër dhe të dy zunë ta tërheqin me forcë.
Turma e madhe e kureshtarëve, e cila deri pak çaste më parë rrinte mospërfillëse ndaj fatit të vajzës, fillon të ulërasë, ndërsa vajza i shton thirrjet dëshpëruese.
Ndërkohë, nga turma shkëputet një grup të rinjsh, prej pesë vetësh dhe si me komandë, në një kohë, hidhen përpara, jo shumë larg vendit, ku policët po merren me vajzën. U shkëputën me vrull nga trotuari dhe pasi kalojnë me shpejtësi rrugën hidhen mbi mur, e që aty me një të kërcyer, u gjendën brënda mureve të ambasadës kineze.
Policët mundin së fundi të zbrisnin vajzën përdhé. E zunë për flokësh dhe e tërheqin zvarë duke e sharë:
- Doje të ikje ë…?
Erdhën edhe policë të tjerë. Turma po afrohet dhe po merr policët përpara. Njëri prej prej tyre zuri të thotë:
- Largohuni ! Ku doni të shkoni ? Kinezët nuk kanë të hanë për vete e jo më t’ju japin juve. Ata po hanë njëri tjetrin për nder… Ç’bëni kështu ?! Çaj kinez do të pini dhe vetëm oriz do të hani tërë jetën… Dëgjoni vetëm çaj kinez kanë këta…
Deri ketu
——————————————————
Kinezët në ballkon zënë e qeshin e përshëndesin me dorë. Por asnjë prej të ikurve nuk qëndron në ambasadën e tyre. Sapo shkelin në oborr, drejtohen tek ambasada gjermane, që është ngjitur me të. Edhe ata gjashtë që janë futur ditë më parë janë larguar për në ambasadat e tjera.
Erdhi një makinë e policisë prej nga zbritën një grup i vogël i forcave të gatshme, me
veshje laramane. Shefi iu drejtua njërit prej të porsaardhurve:
- Shko merr në telefon të na dërgojnë përforcime. Është e pamundur ta mbajmë turmën… Hë lëviz, ç’më rri kështu !
Një kursant i ri iu afrua kabinës së shërbimit, u fut brenda e dikë merr në telefon. Në anën tjetër dikush i përgjigjet dhe ai filloi të flasë gjithë emocion dhe si nën hundë, por me zë të lartë sa dëgjohet nga turma që ka filluar dyndjen për kapërcimin e mureve.
- Sillni shpejt përforcime… këtu po bëhet nami… dëgjon, po bëhet nami… kanë ardhur të gjithë e duan të futen në ambasada… e kemi të pamundur që t’i mbajmë… shpejtoni se… !
- Nga po flet ? – pyet zëri matanë telefonit.
- Shpejt … shpejt përforcimet… Jemi tek blloku i ambasadave… ikën… ikën të gjithë… nuk i mbajmë dot – përsëriti kursanti, duke hedhur vështrime si të friksuara jashtë xhamave të kabinës së shërbimit.
Dikush nga turma e goditi kabinën me gur. Kusanti i ri u tremb, mbylli telefonin e doli jashtë, eci disa hapa, bëri sikur donte të ndalonte një grua, e cila po mundohej të kapërcente murin e lartë, ndërroi mendim dhe u hoq menjanë. Nuk kuptonte se ç’po bëhej dhe se çfarë kërkonte ai vetë të bënte.
- Punë dreqi…! – kaq tha dhe u ul disa hapa më tej duke tretur vështrimin në turmën e madhe…
Polici i Rrugës së Kavajës shkon me vrap drejt shefit.
- Shoku shef ju kërkojnë ! – dihati polici.
Shefi i policisë nuk i ktheu përgjigje. Vëmendjen ia kishte tërhequr një grup i ri, që po afrohej me shpejtësi. Polici përdyti pyetjen.
- E dëgjova. Kush është ?
- Nuk e di shoku shef…
- Si nuk e di ?! Çfarë bën ti ?!
- Bëj detyrën shoku shef. Kaq di unë, sa njerëz kanë ardhur këto ditë…
- Atë të them edhe unë, të bësh detyrën. Ik shko në vendin e detyrës !
Këta janë tërbuar të gjithë – ia bëri polici nëpër dhëmbë e duke marrë rrugën e kthimit, pa guxuar të shtonte ndonjë fjalë në drejtim të shefit të policisë.
- Mos lini asnjë të kalojë ! u jep porosi shefi i policisë, vartësive. – Do të kthehem shpejt !
Në të larguar shikon turmat, që kanë vërshuar nga Rruga e Durrësit. Ecën në të kundërt të tyre dhe me vështirësi çan rradhët e tyre që e shtyjnë nga të gjitha anët. Ndihet i pafuqishëm e shan nëpër dhëmbë. Kalon me të shpejtë hapësirën deri tek hyrja e rrugës “Konferenca e Pezës”. Takohet me funksionarin e lartë, një kockënjar dhe ligaç, i cili sapo kishte mbritur. Ishte mbushur tërë djersë dhe shfrynte me të madhe, duke kërkuar llogari. Shefi i policisë e dëgjoi disa çaste në heshtje pastaj iu kthye:
- Kush je ti xhanëm ? – ia plasi. – Ik ore se nuk të pyes ty se si do të veproj. Kam urdhër, që për një gjysëm ore, t’i lë të gjithë të kalojnë. Akoma nuk ka ikur gjithë Tirana, aq më bën ! Unë jam ushtarak dhe zbatoj vetëm urdhërat, që më japin eprorët e mi.
- Ç’mut urdhëra zbaton. Duhet të veproni e të largoni turmën që është grumbulluar. Do të mbani përgjegjësi…
- Të lutem mbaj gojën ! Mos na ofendoni. Jemi organ i diktaturës. Të keni më shumë respekt për ne. Kemi gjithë këto ditë që po e gdhijmë në detyrë. Nuk kemi vënë gjumë në sy. Oj na vjen ti, që dreqi e di se ç’je, dhe na tërheq veshët. Kush je ti xhanëm ?
- Vij nga Komiteti i Partisë… Jam Sekretari i Partisë !
- Pa hë… ejani ju të Komitetit të Partisë dhe mbani turmën. A… për llafe jeni të zotët ju, por unë dua urdhër, dhe urdhër nuk ka. Pa urdhër nuk bëj asgjë. Kuptove ? Asgjë dhe pikë !
- Do të ankohem !
- Ik e mos me çaj kokën. Shko ankohu ku të duash. Më lër rehat tani të bëj detyrën…
Sekretari i Komitetit të Partisë diçka mërmëriti me vete dhe u largua i skuqur deri në rrëzë të veshëve.
- Oj ke parë kështu ti – foli me vete e me sytë nga polici i shërbimit. – Vijnë ca rrogtarë e të çajnë menderen…
- Ke të drejtë shoku shef… mirë ia bëre…
- Kush të foli ty, more. Shiko shërbimin, atë bëj !
- Më fal shoku shef. Nuk e kisha me të keq, unë…
Por shefi i policisë ishte larguar.
Do të dorëzoj detyrën – mërmëriti me vete dhe hodhi vështrimin tej kangjellave, ku grupe të rinjsh, ishin ulur në shesh e diçka po hanin. Makina e ambasadës, para dhjetë minutave, kishte sjellë bukë. – I ziu Noke është trembur shumë. Këta duan kokën e turkut. Jo mor vëlla më dhimbset koka mua. Një kokë kam, nuk bëhen dy. Më duhet për vete ajo.
Edhe në rrugën e Elbasanit, ku janë ambasada italiane dhe franceze, është e njëjta gjendje. Aty është afruar grupi i parë. Në krye një grup të rinjsh gjithë zhurmë e potere. Pas tyre vinte turma e madhe. Pranë derës së ambasadës ndaluan. Polici i shërbimit, po bëhej gati të futej në kabinë, kur i zuri syri djemtë e rinj, që u afruan më pranë se të tjerët.
- Hej ju ! Largohuni që aty !
Djemtë nuk lëvizën vendit.
- Juve po ju them. Largohuni ! Ose… kërceni brenda, ose ikni ! Aty mos më rrini… !
Djemtë sa dëgjuan këto fjalë, kërcyen njëri pas tjetrit brënda murit të ambasadës. Aty u gjendën një çast si të hutuar dhe duke u kthyer nga polici i shërbimit thanë me një gojë:
- Faleminderit polico… A po vjen edhe ti me ne…?
Polici nuk u ktheu përgjigje, duke u treguar uniformën…
Dikush po fliste pas veshit të tij. U kthye. Ishin dy veprimtarë të Frontit Demokratik. Kishin ardhur për përforcim. Turma e madhe kur pa djemtë që kërcyen u turrën edhe ata…
Në ora tetë të mëngjesit, – do të dëshmonte një banor pranë ambasadës, – drejt Ambasadës Italiane pashë të afrohej një makinë e madhe tip TATRA. Ecën me shpejtësi dhe godet fuqishëm në murit të pasëm. Muri rrëzohet dhe makina plaset brenda. Në makinë veç shoferit ishin edhe gjashtë persona të tjerë.
Në ora tetë e një çerek të mbrëmjes, së po asaj dite, kur po kthehesha në shtëpi, tek 21 Dhjetori, kalon një makinë tip SAUREL, e mbushur plot me pasagjerë, që kanë hypur lart në karoceri. Ajo kapërceu kryqëzimin e Unazës dhe u fut drejt rrugës së Kavajës, ku është hyrja kryesore për në bllokun e ambasadave, mori kthesën e drejtohet me shpejtësi drejt Ambasadës Gjermane. Saureli goditi me forcë murin e pasëm prej tullash silikate dhe aty ndaloi.
Në murin e rrëzuar u krijua një hapësirë e madhe. Të gjithë pasagjerët kërcyen nga makina me shpejtësi dhe u futen brenda ambasadës. Policët përreth, vetëm sa i ndoqën me sy. Aksioni u krye me shpejtësi rrufeje.
Deri ketuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuuu
Kam qëndruar tre ditë në oborrin e ambasadës gjermane, dëshmon një tjetër. Ishin kushte shumë të vështira. Njëri prej refugjatëve, Ilir Demalia që e thërrisnin Syçi, ishte me i zjarrti dhe ai që jepte shpresë e shtonte guximin e të ngujuarve… Sa e urrente rregjimin dhe përplasej ashpër me ata që vinin e kërkonin që ne të dilnim…
Lajmi që Ambasadës Italiane dhe Franceze u janë prishur muret, përhapet me shpejtësi në kryeqytet. Nga të gjitha anët vërshojnë turma të mëdha. Shumë prej tyre kërkojnë të futen brenda e të tjerë kureshtarë vëzhgojnë se ç’po ndodh. Alarm i madh në Forcat e Ruajtjes së Rendit. Rrëmujë. Turma të tjera vërshojnë pa rreshtur. Mizëri njerëzish në rrugicat e ngushta që të çojnë në ambasadat e huaja.
Policët e forcat speciale ardhura në ndihmë, mundohen të mbajnë e të qetësojnë turmat, por është e kotë. Askush nuk kthehet pas. Është një marshim force, hap pas hapi, drejt ambasadave.
Makinat lëvizin me shpejtësi, akseve kryesore të kryeqytetit, duke u rënë me forcë sirenave. Çoroditje e plotë. Në këtë zallamahi, u duk shefi i policisë me disa policë e më tutje dëgjohej zhurma e makinave IFA. Po vinin forcat sampiste.
- Ik ore rrezikzi se do të përlajnë sampistët e do të shkalavisin copa copa ! – i drejtohet një grua, një djaloshi fare të ri, që hallakatej nëpër këmbët e turmës.
Një polic me radio bërtet:
- Njoftoni si të veprojmë ! Po ikën e gjithë Tirana… Kuptoni ta hajë dreqi… Na thoni çfarë të bëjmë… çfarë ligji… ku bëhet fjalë këtu për ligj…!
- Këtu nuk po e njeh qeni të zotin ! – ia bën një plak e qesh nën mustaqe.
- Edhe ti Xhiko po ikën e ? – e pyet një mesogrua plakun.
- Edhe unë po du me ik, por nuk ndigjon plaka…
Nga Rruga e Elbasanit afrohen disa makina ushtarake. Prej tyre zbresin policë, sampistë, forca të Sigurimit, kursantë të shkollës ushtarake. Një skuadër e tërë policësh është e veshur me helmeta dhe mburoja kauçuku. Në duar mbajnë shkopinj gome, apo lopata xhenjere. Këpucët e rënda lëshojnë një zhurmë gërryese nga takimi me asfaltin e rrugës.
Sapo zbresin, rregullojnë pajimet e në komandë sulen mbi turmat e mëdha, duke goditur e rrahur kë gjejnë apo kush u del përpara.
Turma largohet në panik. Ik të ikim se na vranë. Dëgjohen të shtëna me armë. Ka të plagosur e të shtypur nga turma. Kudo fluturojnë shishe të thyera, gurë e tulla. Forcat e rendit janë tërbuar. Ato godasin me shkopinj, grushte, lopata xhenjere mbi turmën e pambrojtur, e cila vrapon e largohet në panik.
Rrugët fillojnë të boshatisen. Dëgjohen të shara, të bërtitura dhe rënkime që të këpusin shpirtin
Pasi është larguar nga sampistët e nga policët, turma e ndal vrapin. Shikon rradhët e veta. Akoma janë shumë. Të gjithë dihasin nga të vrapuarit. Tutje, forcat e rendit, tundin shkopinjtë e gomës. Në turmë dallohet një bërthamë të rinjsh, që i japin asaj jetë e shpirt.
- Mos u friksoni ! Nuk kanë ç’të na bëjnë. O burra edhe një herë !
- Liri – Demokraci !
Disa policë me shkopinj gome në duar thërrasin:
- Ndaloni, ndaloni !
Dhe turma u përgjigjet:
- Fitore, fitore !
Nga brendësia e rrugës vjen një e shtënë e thatë. Dikush prej policëve ka qëlluar në ajër, por turma nuk sprapset.
- Ecni përpara ! Mos keni frikë… Ne jemi më shumë… Drejt ambasadave !
- Urraaa…! – brohoret turma dhe lëviz.
Në fillim turma ecën ngadalë, pastaj hapat bëhen më të shpejtë. Disa fillojnë të qëllojnë në drejtim të forcave të rendit. Tashmë është një ndeshje e vërtetë. Turma jo vetëm që ka marrë guxim për të ecur përpara, por është edhe e egërsuar. Tërbimi i saj ka arritur kulmin.
Policët e sampistët të djersitur, me xhaketat laramane të zbërthyera në gjoks, mundohen të mbrohen me mburojat prej kauçuku. Disa prej tyre, ua kthejnë demostruesve me gurë, duke bërë disa hapa përpara të tjerëve, por shpejt kthehen e bashkohen me kordonin e ngjeshur.
Përleshja dhe rrëmuja vazhdon disa orë. Vetëm kur nata filloi e mëgëlloi turma u largua e qyteti u qetësua. Kalimtarët e pakët që kishin mbetur apo që kaluan andej panë që Rruga “Konferenca e Pezës” është e mbushur plot me hedhurina tullash, pllakash të hequra nga trotuaret, xhama vitrinash të thyera dhe makina të shumta që lëvizin me shpejtësi.
Në natën, që erdhi gllabëronjëse, filluan arrestimet. Kryeqyteti rri zgjuar e pret me ankth se ç’do të bëhet. Trokitje në mesnatë, britma të egra. Shumë familje që kishin fëmijët në ambasada, janë mbledhur tek njera – tjetra. Me frikë prisin të zbardhë dita, duke gjerbur lëngun e zi të kafesë. Në ekranet e hirtë televizivë, vijojnë komentet mbi ndeshjet e futbollit të Kampionatit Botëror. Kishin ardhur çerekfinalet, por askush nuk e kishte mendjen më tek to. Herë pas here, bisedat prishen nga uturima e makinave dhe sirenat e policisë…
- O Zot shpëtona fëmijët ! – luten në heshtje.
Të nesërmen vijon e njëjta histori. Njerëzit e shumtë ndjekin me çudi e gati me frikë zhvillimin e ngjarjeve. Ambasadat herë hapen e papritur mbyllen. Policia nuk lejon njeri të kalojë. Ajo kundërgodet me ashpërsi. Pastaj papritur gojë më gojë vjen lajmi se ambasadat do të hapen përsëri.
Një turmë kishte qëndruar te Vetshërbimi, aty ku bashkohet e lidhet rruga “Konferenca e Pezës” me Rrugën e Durrësit. Nga veshjet duken që janë nga rrethet. Ata pasi kanë ngrënë drekë dalin jashtë. Janë gjithë entuziazëm dhe u drejtuan nga Stabilimentit “Mihal Durri”. Tashmë aty është porta hyrëse për në ambasada.
Është piku i ditës dhe dielli djeg mbi kokë. Rruga është e rrethuar nga një kordon ushtarësh me lopata xhenjere në brez. Policët me pamje të egër, në mënyrë kërcënonjëse tundin shkopinjtë e gomës. Rrotull kishte edhe shumë forca të tjera, të veshur civilë, por që ishin punonjës të fshehtë të rekrutuar nga Komitetet e Partisë dhe militantë të ndryshëm.
Turma e përbërë nga rreth 50 – 60 vetë, i afrohej rrugës që të çon drejt ambasadave, aty në hyrje të së cilit është vënë një postobllok më forca të shumta të rendit. Sapo u afrua turma filloi të hidhte parrulla:
- Liri – demokraci !
- Poshtë diktatura !
- Policia është me ne !
Ndërkohë që grupi iu afrua Stabilimentit “Mihal Duri”, u pa të vinte një makinë e madhe ushtarake, tip IFA e mbushur plot me ushtarë. Makina frenoi me forcë pranë turmës, spondet u hapën rrëmbyeshëm, e që andej filluan të kërcenin sampistët, të cilët mbanin në duar shkopinjtë e gomës.
Në rrugë plasi rrëmuja nga ardhja e papritur e përforcimeve. Sampistët sapo zbritën morën pozicion luftimi dhe iu turrën me forcë turmës. Atë e zuri paniku e frika dhe ia dha vrapit e ndjekur këmbë këmbës nga sampistët e pas tyre policët që tashmë ishin trimëruar më shumë.
Një plak doli nga njëra prej shtëpive, në anën tjetër të rrugës, dhe duke iu drejtuar turmës që vraponte u bërtiti:
- Kaloni këtej se ju vranë !
Shumë prej të ndjekurve u futën me shpejtësi në oborrin e shtëpisë, kapërcyen murin dhe u zhdukën sikur t’i kishte përpirë dheu.
- Mu kujtua koha e luftës – zuri të thotë më vonë plaku. – Kështu i ndiqnin edhe atëhere, ndaj e hapa portën e shtëpisë. T’i kishin kapur do t’i kishin mbytur të shkretët. Të shikosh murin e shtëpisë, habitesh se si kanë mundur të kalojnë matanë, aq i lartë është ! Më prishën gjithçka kisha mbjellë, por… falur u qoftë !
Nga dritaret e qelqta të barit dukej ambasada turke. Pranë saj është kinema Republika. Çudi edhe sot paska shfaqje filmi. O zot këtu është vendi i thagmave të mëdha. Këtej shqyhen për të futur në ambasada, andej shkojnë të shikojnë filma…!
Një burrë e një grua së bashku më foshnjën në krah u dukën në rrugë. Burri shtyn një karrocë fëmijësh. Ata afrohen duke hedhur vështrime nga Ambasada Turke, në rrugën e “Kavajës”. Çifti hyn në oborrin e kinema “Republika” dhe afrohet pranë murit anësor. Polici i shërbimit sillet tutje – tëhu, në një rreth të vogël para derës së hekurt.
Befas, burri shkëputet me vrap dhe hidhet sipër murit të lartë. Kapet me duar e pasi ngjitet lart, kërcen brenda në oborrin e ambasadës. Dy turq me mustaqe të zeza, që kanë qëndruar në shkallët e godinës, e panë burrin kur kërceu, vunë buzën në gaz e diçka pëshpërisin me njëri tjetrin. Edhe polici i shërbimit e pa burrin tek kërceu. Është ngrysur në fytyrë, por nuk lëviz vendit, në ecejaken përpara portës.
Burri ngjitet përsëri mbi mur dhe i bën shenjë së shoqes që të afrohet. Gruaja afrohet me frikë, duke hedhur herë pas here vështrime vjedhurazi mbi policin. Ai përsëri nuk bën asnjë veprim. Gruaja fillon e vrapon me fëmijën në krah. Kur afrohet pranë murit e ngre fëmijën lart, burri zgjatet dhe e nge fëmijën lart.
Më pas, që lart në mur, u bën shenjë dy refugjatëve, që janë brenda në oborr të ambasadës dhe u lë atyre foshnjen, e cila fillon e qan me të madhe. Gruaja po përpëlitet të ngjitet në murin e lartë. Nuk arrin dot të shkëputet nga toka.
Kalimtarët në rrugë, kanë ndalur e shikojnë përpjekjet e mundimshme të gruas. Ndërkohë, dy të rinj të fuqishëm, afrohen pranë gruas, e zenë nga krahët dhe e hypin mbi kurrize. Pastaj e ngrenë lart mbi mur ku e pret i shoqi.
Kalon edhe gruaja, duke kërcyer në oborr të ambasadës, merr foshnjen në krahë e fillon ta puthë duke e mbështjellë fort me krahë.
Pas tyre kërcejnë murin edhe dy të rinjtë që ndihmuan gruan. Burri u jep dorën duke i falenderuar me një buzëqeshje dashamirëse në fytyrë.
I fundit kapërcen murin një rome.
- Ika edhe unë në Stamboll – ia bën ajo që lart mbi mur e hidhet në oborrin e ambasadës duke u bashkuar me refugjatët e tjerë.
Një plak i mbështetur në bastun, i cili e ka ndjekur të gjithë skenën thotë:
- Në kohën tonë thonim për një gjë që nuk bëhet “Hyp këtu e shiko Stambollin !” Jo, or jo, iku ajo kohë. Tani është për të thënë, hip këtu dhe e shikon Stambollin…!
Duke filluar nga ora gjashtë e mëngjesit, ambasadat hapen e mbyllen periodikisht, por nuk hapen njëkohësisht – rrëfen një dëshmitar. – Kur hapet njëra, mbyllet tjetra. Kur u prish dera e Ambasadës Italiane, kërkuan të vinin saldatorët për ta riparuar. Një grua e shëndoshë me të shoqin afrohen pranë saldatorëve, që po saldonin hekurat e derës. Çifti, burrë e grua, mbajnë nëpër duar çanta të mëdha mbushur me ushqime e me veshmbathje.
Papritur gruaja hypën në supin e të shoqit dhe përpiqet të kaloj kangjellat e larta, mirëpo është shumë e shëndoshë dhe nuk ngrihet dot lart. I shoqi fillon e shtyn nga poshtë, por gruaja nuk mundet.
Polici i shërbimit, disa hapa më te,j rri e vështron pa ndërhyrë. Kalimtarë të tjerë i afrohen kangjellave dhe pas një ngurimi, marin hov e kalojnë matanë, në oborrin e ambasadës. Burrë e grua përpiqen përsëri. E kotë. Gruaja është e pafuqishme.
- Nuk e shikon që nuk kalon dot ! – nuk i durohet policit pa folur.
Të dy mbesin. Burri lëshon gruan ngadalë dhe ajo bie përsëri në troturar. Në fytyrë janë bërë dhé.
- Kaloni këtej ! – ia bën polici dhe u hap një nga shufrat metalike të kangjellave të portës. Burrë e grua kalojnë me nxitim me një shprehje faji në fytyrë e duke falenderuar me gjithë shpirt policin…
Kur polici kthehet në hyrjen e rrugës së ambasadave, grumbulli i njerëzve është bërë më i madh. Janë të rinj, gra, burra, fëmijë të vegjël, së bashku me prindër, që i mbajnë pranë. Ka aty – këtu edhe foshnje, të mbledhura me mbulesa të trasha e me biberonë në gojë. Secili prej turmës ka nga një çantë me plaçka me ushqime e me veshmbathje.
Dikush bën përpara dhe turma vihet në lëvizje. Sytë e të gjithëve bien mbi policët. Ata nuk japin asnjë shenjë kundërshtimi. Turma merr zemër dhe bën përpara. Në fillim ngadalë, pastaj gjithnjë e më shpejt. Është një ecje e çuditëshme ku përzhihet ankthi e frika.
Rifillon dyndja. Papritur dëgjohen disa urdhëra me zë të lartë.
- Mos lejoni më !
- Mjaft u futën…!
- Ndalojini të tjerët !
- Ikni ! Largohuni !
- Morët vesh, ambasada u mbyll !
Një grua e hajthme, veshur me një fustan të gjatë, duke kaluar me vrap jep lajmin e gëzueshëm:
- Vraponi nga rruga e Elbasanit. Eshtë hapur Ambasada Italiane !
Turma ndalet për një çast, e pastaj merr rrugën drejt ambasadës Italiane. Vrapojnë nëpër rrugë. Para ambasadës i pret një lumnajë njerësish, që kapërcen kangjellat, duke u shkalafitur me mundim.
- Shpejtoni se do të mbesim jashtë ! – thotë një grua trupbrishtë, duke tërhequr pothuajse zvarë një vajzë tre – katër vjeçe.
- Shpejt…! Shpejt…!
Dikush fotografon me nje aparat të vjetër. E shkrep aparatin, duke u përpjekur të kapë çdo kalim të kangjellave nga kjo turmë e pambarimtë. Fotografova historinë – do të thoshte më vonë. Befas ia bën:
- Ta marrë djalli, mbaroi filmi !
Fotografi niset me vrap për në shtëpi.
Dyndja e madhe nuk vazhdon gjatë. Askush nuk i ka vënë re grupin e policëve, që i janë drejtuar ambasadës. Policët u dalin përpara turmave, duke i ndaluar të kalojnë më tutje. Dikush u lutet ta lejojnë të kalojë. Personeli i ambasadës rri e shikon, duke buzëqeshur me cipat e buzëve.
- Jo… jo nga dera… ! Nuk ju lejojmë ! Kaloni murin po deshët të hyni brenda…!
- Kështu u bë kjo punë çil e mbyll si në lojën e damës. – tha një kalimtar me biçikletë.
- Unë e di se ç’më kanë parë sytë ato ditë korriku ! Lemeri… lemeri, të thashë …! Shtëpinë e kam pranë bllokut të ambasadave dhe i kam parë të gjitha sa ndodhën ja me këta sy. Shtëpia dhe oborri jonë mbushej për ditë plot me ata që donin të futeshin në ambasada. Rrinin e prisnin aty kur do të hapeshin ato.
… Kur u bë rrëmuja me datën 2 korrik dhe ndërhyri policia, ne të turmës u shpërndamë në panik të madh. Të gjithë vraponin nga frika e policisë, e cila qëllonte me shkopinj gome kush t’i dilte përpara: burra, gra, pleq, fëmijë. I merrnin me zor dhe i plasnin nëpër kamionët e ushtrisë duke i hedhur njëri mbi tjetrin.
U lemerisëm të gjithë. Nuk ishim rrahur ndonjëherë nga policia…
Një ngjarje nga ato ditë nuk e harroj sa të kem jetë. Ambasadat ishin mbyllur dhe policia nuk lejonte më njeri të futej brenda. Na, ishin bërë policët, gardh ! Nuk kalonte as miza. Kudo policë, forca të Sigurimit, sampistë, ushtarë me lopata xheniere. Afrou po deshe !? Të këpusnin ndonjë shkop gome, apo ndonjë bisht lopate e të linin sakat për jetë… !
Kur po kthehesha në shtëpi, shikoj që drejt rrugës po vinte një djalë i ri, i cili me siguri do të kishte ndonjë të afërt brenda në ambasadë. Në krah shtrëngonte ndonja dhjetë simite, të cilat i kishte blerë tek dyqani pranë.
Djaloshi donte të afrohej te kangjellat e ambasadës. Hidhte sytë me frikë sa majtas e sa djathtas. Kur nga grupi i sampistëve, të cilët ishin pak më tej, shkëputet njëri prej tyre, një djalosh shpatull gjërë. I afrohet djalit dhe e mbërthen prej mesi dhe kërkon ta shtrijë në tokë, mirëpo kur e ngriti lart djali i rrëshqiti nga duart dhe ra i plasur përdhé. Djaloshi bërtiti nga dhimbja. Simitet iu rrokullisën në rrugë.
Ndërkohë pranë tyre u afrua edhe një sampist tjetër dhe t’i këtë këputur djalit një shkelm barkut, por çfarë shkelmi, aman o Zot…! Djali bëri ndonja dhjetë rrotullime pa frikë, tamam si në filmat me xhirim të ngadaltë. Pas këtyre rrotullimeve, mbeti pa frymë me gojë hapur dhe u nxi në fytyrë.
Thashë se e lanë të vdekur në vend. Por jo. Pas pak ai u ngrit këmba dorës dhe filloi të ecte. Gati sa nuk rrëzohej. Shkonte sa në njërin trotuar në tjetrin. Hodhi disa hapa dhe ra në gjunjë. Më pas me vështirësi u çua në këmbë dhe duke u lëkundur e me trupin e lëshuar bëri përpara.
Zë nga goja nuk nxori. Dhe kështu duke u rrëzuar e duke u ngritur përsëri u fut në turmë e humbi në të…
Të gjithë sa ishin e panë skenën, por a foli njëri do thuash ti ? Asnjë ! Na ka hyrë lepuri në bark të gjithëve….!
Në ora dhjetë të mbrëmjes po kthehesha në shtëpi. Sapo kisha lënë turnin e dytë.Pranë Ambasadës Greke pashë të afrohej një Ziz. Më kaloi fare pranë dhe iu afrua murit të ambasadës dhe i tmerruar pashë se si i bie atij me forcë. Në mur u hap një çarë e madhe. Disa burra zbresin me shpejtësi e kërcejnë në oborrin e ambasadës, por nuk ndalen aty. Pasi vrapojnë nëpër koridorin e saj hidhen në ambasadën Gjermane, e cila është ngjitur me atë Greke.Gjithçka ndodhi sa të hapje e të mbyllje sytë. Policët mbetën e nuk dinin se ç’të bënin…
Zizi është makina e fundit që u fut atë ditë në ambasadat e huaja.
Të nesërmen kryeqyteti u gdhi i mbushur me postblloqe të shumtë. Të dukej se jetoje në shtetrrethim. Në kryqëzimet kryesore ishin vënë blloqe të mëdhenj betoni për të ndaluar qarkullimin e madh të makinave dhe t’i pengonin që të kalonin pranë bllokut të ambasadave. Edhe në muret e ambasadave ishin venë blloqe të gjatë që zinin pothuajse gjithë kalimin. Ushtarakë e civilë të shumtë me pamje të ngrysur ndiqnin kalimtarët e shumtë.
- U bë si në filmin “Beteja e Algjerit” ! – tha dikush nga kalimtarët e mëngjesit, kur pa gardhet e shumtë të policisë.
Mësohet se në Ambasadën Kubane janë futur tre të rinj. Dikush habitet. Ç’ne në ambasadën kubane ?! Fidel Kastro është komunist. Patjetër që do t’i nxjerrin. Vërtet të nesërmen, tre të rinjtë iu dorëzuan autoriteteve zyrtare shqiptare nga personeli i ambasadës.
- Maskarenjtë ! I dorëzuan djemtë !
Tashmë ata që hynin në ambasada ishin bërë më të afërt me qytetin e qytetarët e tij.
Në mbrëmje nga Ambasada Kubane erdhi një zhurmë e madhe. U duk si bombë. Më vonë u mësua se në shenjë hakmarrjeje, dikush kishte hedhur në oborrin e ambasadës një shashkë…
- Mirë t’u bëhet ! – ç’frynin njerëzit në biseda.
Sipas dëshmive të një të rrahuri dhe të një polici.
Komandanti i Grupit të Gatshëm ishte ulur në karrige përpara tavolinës së madhe. Në dorë mbante shtrënguar dorezën e telefonit. Ishte bërë qull në djersë nga vapa dhe nga shqetësimi që ndjente. Përpara kishte një relacion që sapo kishte ardhur nga Ministria dhe atij i tërhoqën vëmendjen shifrat që jepeshin mbi të ngujuarit nëpër ambasada. Numri i tyre po rritej frikshëm. Syri i kapte emra ambasadash si atë gjermane, italiane çeke, franceze, turke… bullgare… “vlen të theksohet, – lexoi midis rreshtave, – rasti ku nga një shtëpi pranë ambasadës, ku bëhej një dasëm u futën në ambasadë 12 të rinj. Ndërsa rreth orës 07.15 të mëngjesit, ditën tjetër një makinë e plehrave të komunales me 6 persona brenda… një makinë “Tatra” me 6 shtetas, theu kangjellat e dyfishta të rrethinit lindor të kësaj ambasade. Në ambasadën gjermane rreth orës 19.30 minuta… një makinë me 34 persona brenda, fëmijë, gra e të rinj, sulmuan me shpejtësi nga ana e murit perëndimor në drejtim të policit….”. Vijonin më pas të dhënë të tjera të hollësishme, emra njërëzish, tipe makinash, policë të lënduar, të ndaluar dhe asgjë se ç’duhej bërë.
- Uf… ç’më gjeti ! – pëshpëriste herë pas here nëpër dhëmbë dhe pastaj zinte e shfrynte ndaj policëve të shërbimit:
- Pse nuk keni vënë rregull në armatim ! Do të përgjigjeni për të gjitha këto parregullsi në dokumentacion ! Dëgjuat ?!
Policët rrinin gjithë ankth, të ngrysur në fytyrë.
- Qeveria kërkon informacion të saktë, dëgjon të saktë – fliste tjetri nga përtej telefonit.
Komandanti përpara kishte disa letra e shkresa të cilat i rrotullonte kot nëpër duar.
- Më dëgjon apo jo ? – pyeste zëri.
Kërkonte më kot një përgjigje. Kollaj e kanë këta të japin urdhëra që nga zyra, mendoi komandanti. – Duan informacione, por i duan edhe të shkruara bukur. Posi ! Informacionet të jenë sa më të sakta, me emra e mbiemra. Të ndaluarit të identifikohen plotësisht, nga vijnë e ku banojnë. Të mos ketë asnjë mangësi në dokumentacion dhe gjithçka të shkruhet pa gabime ortografike… ! Do bëjmë edhe bukurshkrim tani, pale ! Burokratët e dreqit. Hëm… e di unë se çfarë u bëj…
- Të më bësh një raport të gjatë për gjithçka që ndodh – vazhdonte të fliste zëri përtej telefonit. I keni marë udhëzimet ?Verini gishtin kokës. Më kuptove ?…
Heshtje e gjatë.
- Kush është përgjegjës ? Nuk ju kuptoj mirë… Bëhet zhurmë… Largojini njerëzit. Vërini veshin fjalëve të mia… E ka fajin aparatura. Ka shumë zhurmë… Ç’bëhet aty
tek ju ? Duhet të lëvizni me shpejtësi, të merrni masa urgjente… kupton urgjente dhe sa më shpejt…!
Ai filloi t’i raportonte, por zhurmat, në aparatin transmetues, u shtuan më shumë. Hapeshin dyer, vinin policë me nxitim, raportonin, sillnin urdhëra. Herë të lejohen të kalojnë njerëzit nëpër ambasada pa i penguar, e herë tjetër të mos kalonte këmbë njeriu.
- Ç’bëhet kështu ?! Kemi shumë punë. Nuk ia dalim dot. Përpiquni, dëgjon të bëni të pamundurën.
- Policët kanë tre ditë që nuk kanë shkuar në shtëpi. U kalbën në shërbim…
- Tre muaj të kenë, jo tre ditë. Aty t’i mbani. Nuk kemi ku gjejmë të tjerë. Pritet që situata të rëndohet më shumë…
- Nuk dëgjohet mirë… dreq aparati… si të veprojmë ?…. jo, jo këtu i kemi të gjithë të arrestuarit. Gjithmonë vijnë të rinj… Kush je ?
Dikush tjetër hyri me vrull në zyrë. Ishtë një polic i ri.
- Shoku komandant në Rrugën “Konferenca e Pezës” kërkojnë përforcime… Këtu nuk ka mbetur më askush nga grupi i gatshëm. Janë vetëm ata të shërbimit… Si të bëjmë ?
- Ç’dreqin të bëj unë ?! Pa hë… më thuaj ti se ç’duhet të bëj ?!
Polici ngriti supet si i zënë në faj.
- Alo… alo gjendja është alarmante… më dëgjon… alarmante….
- Shoku komandant ju kërkojnë nga telefoni i zyrës operative !
- Thuaj që nuk jam këtu. Ka dalë në terren thuaj…
- Është zëvendësministri…
- E ç’ti them unë zëvendësministrit ?! Të thashë që nuk jam këtu ! Dëgjove, apo jo ?
- Është urgjente thotë…
- Lere atë dreq telefoni… ! Alo më dëgjove mirë ? Janë shumë e po vijnë në grupe të mëdha. Janë nxehur gjakrat…
- Kush more ?
- Gjakrat shoku komandant, gjakrat…
- Mbajini me çdo kusht. Asnjë të mos kalojë. Dëgjove asnjë ! Do të mbani përgjegjësi… Më prisni se do të vi vetë aty…
- Sillni edhe përforcime !
- Përforcime nuk ka. Ju t’i mbani. Hajt bëni detyrën…
Komandanti mbeti me gypin e telefonit në dorë. Nuk po kuptonte më se me cilin po fliste, me zevendës ministrin apo me vartësin e tij. Çuditërisht tjetri ishte larguar. Ai përplasi telefonin e mori frymë i lëhtësuar.
- Më jep një aspirinë… Mbylleni atë dreq radio…
- Është 09 shoku komandant…!
- Ç’dreqin do ai ! – prishi gojën për herë të parë komandanti.
- Pyet se ç’të bëjmë me të arrestuarit ?
- Hëm… ç’të bëjnë ?! Nuk dinë se ç’të bëjnë. Detyrën të bëjnë. Këtë t’u thuash, dhe ta bëjnë mirë…!
Në oborrin e Rajonit të Policisë hyri me zhurmë një kamion IFA i mbuluar me mushama. Kishin sjellë një grup të ri me të arrestuar. Policët e shërbimit u turrën drejt makinës. I zinin nga krahët njerëzit që zbrisnin dhe i flaknin me forcë drejt e në sheshin e madh para godinës së Policisë.
- Hë… erdhët more bukuroshë. Ejani, ejani. Pa t’ju shikojmë pak…
- Oh… më goditën ! – bërtiti dikush nga të sapoardhurit.
Ulërimë. Dikush tjetër fluturoi dhe u përplas përdhé. Një shkelm e goditi në bark.
- Doni Italinë ju… ë ? Jua tregojmë ne Italinë tani !
Përsëri u dëgjua një ulërimë.
- Ç’kam bërë unë ? – foli një djalosh i ri. – O shoku polic, por unë…
Një goditje e fortë me shkop në qafë. Djaloshi u rrëzua përdhé. Ulërimë e thekshme.
- Ashtu e doni ju mor plehra të shoqërisë, ju mbeturina, uliganë… Jua tregoj unë … Na… na… !
- Olele…!
- Na mor maskara. Do Perëndimin ti… ë ! Nuk të pëlqen vendi yt. Na… !
- Lëshomëni se më mbytët… ! Amani më lëshoni ! Nuk kam bërë gjë…
- Shpejt në birucë… ! Nxitoni nuk kemi kohë ! Erdhën të tjerë…
Një makinë tjetër mori kthesën për në oborrin e Rajonit të Policisë. Prej saj filluan të zbresin një turmë të rinjsh.
- Shpejt ju thashë… ! Dëgjoni ju ? Çohu ti aty, lëviz mor… more plehrë ! Kujt do t’ia hedhësh ti?! Na… na…!
- …olele… më goditën…. nuk eci dot… !
Disa prej të ndaluarve filluan të zvariteshin këmba dorës. Policët e shërbimit i shtynin me shkelma dhe i godisnin me shkopinj ku të mundnin.
- Kaushët u mbushën plot shoku shef. Nuk ka më vend…
- Aty t’i fusni ! Ngjeshini me njëri tjetrin…!
- Kundërshton ti derr… ë ?
- Na…na…!
- Oh… uh… ku jemi këtu ?
Dikush pështyu gjak nga goja.
- Na more se na bëre pis. Derr i fëlliqur… !
- Shoku polic… shoku polic… të lutem… unë nesër bëhem dhëndër… Ububu… ububu…! Kam dasëm… dola nga shtëpia për të…
- Dëgjon ti ? Do të bëhet dhëndër ky – ia bëri njëri prej policëve. Ta tregojmë ne dhëndrin ty…!
- …ububu… ububu… ! Ç’keni me mua…. ?
- …ku jemi… dua të di ku jemi…? Oh… pse na rrahin… pse na godasin… nuk është… nuk … e drejtë…?
Ulërima.
- Bjeri mër… ! Vetëm dajaku i vë në mend… I thonë diktaturë e proletariatit… Ç’kujtoni ju se u bë deti kos …ë ? Jo mor, po ne ç’jemi ? Ju shtypim si krimba ! Morët vesh ! Bëheni provë edhe një herë tjetër…
- … olele… vdiqa… vdiqa…! – Një djalosh ra pa ndjenja. Nga goja e hapur i rridhte gjak. Në dyshemenë e ftohtë u formua një njollë e madhe e kuqe që hapej ngadalë…
…isha duke çuar makinën tip Saurel ngjyrë gri në Park. Një shoku im, më thotë që Sekretaria i Ambasadës Gjermane, një bionde, na ka thënë që ejani futuni me makinë, se nga dera do ju nxjerrin. Ky ishte një mendim idiot në atë kohë… punonjësja e ambasadës na e bënte me pasqyrë tek muri. Ne ishim shumë larg, tek rrugica. Ajo na e bënte me pasqyrë e me dorë “Ejani, ejani… !”.
Që aty shkoj e i hypi Saurelit, kthehem në shtëpi e marr gruan e kalamajtë. I vogli ishte dy muajsh. Me vete marr edhe dy tre bukë disa tesha e ndresa. Ku dija unë. Na thonin që në Gjermani ngodh për bukë.
Para se të largohesha nga shtëpia inçizova në magnetofon, u lashë lamtumirën prindërve, njerëzve të shtëpisë. Unë po iki. Do t’ju ndihmoj… do të kthehem shpejt…! Shpresoja shumë që edhe Shqipëria do të hapej.
Tek “21 Dhjetori” polici më tha që hap krahun. I thashë që po rimorkiojmë, me një fjalë e gënjeva. Të gjithë njerëzit 26 vetë sipër ishin shtrirë dhe makina ishte mbush me gurë. Nuk di se si kanë ndejtur lart, por karoceria ishte e lartë mbi 80 centimetra. Vetëm shpejtësia më shpëtonte. Asgjë tjetër. Kur jam futur në kthesë makina ka qenë gati duke u rrëzuar. Gomat u ngritën në ajër. Mbaj mend vetëm policin që gjuajti me pistoletë. Bëra një kthesë me timon, pastaj… u përplasëm me murin e ambasadës. Nuk kisha tjetër mundësi. Ishim para një atentati vetvrasës…
U çava tek krahu, gruaja u ça tek koka, një djalë theu dorën, çuni i madh theu këmbën kur u hodh. Kur u përplaëm më murin thashë me vete, Zot na shpëto ! Nuk kishte kthim mbrapa…
Biseda në mugëtirën e mbrëmjes:
… lau duart si Pilati… kush je, Sokrati… ? Larg qoftë… më fal nuk të kuptova mirë. Kemi kujtuar që nuk duhej t’i pengonin… sot në mëngjes e deri në drekë… asnjë ! Jua përsëris për të njëqindën herë…. ti asnjëherë nuk ke besuar… na çmendi kjo vapa… sa doli ndeshja ? …Nata e Shën Bartolemeut. Nata e sat’ëmë, thuaj… Italia ishte në formë. Hata fare… Flitet për të vrarë në Malin me Gropa… Në Malin me Gropa ka vetëm gropa… ha… ha… ha ç’na bëre të qeshim…
Kur do të mbarojë ky shërbim i mallkuar. I kanë nxjerrë me kompiuter. Nuk beson ? Ou – të thashë, ti veç plakën tënde beson… Mirë or vëlla do të shikosh e do të dëgjosh. Posi ngenë tonë ka bota. Posi ! Ha… ha… ha… si tha ! Si tha ? Do të hamë… oj ç’më bëre të qesh… nuk e ke idenë… i thonin në Fletë rrufe që ti je një kurvar gënjeshtar… ke parë kështu ti nuk të pyet më njeri… ik ore pirdhu të gjitha janë gënjeshtra. Vetëm gënjeshtra….!
Një i dehur kalonte rrugëve të Tiranës dhe duke hedhur këmbët zinte e thoshte:
- Ç’është kështu ? Nuk e kuptoj fare… Ky shtet ka marrë fund… ka marrë fund… e dini pse… sepse nuk pinte raki… e kuptoni… nuk pinte raki… nuk lejonte të pihej raki… dhe nuk dehej kurrë… Ka qenë shteti më esëll në botë… si mund të bëhet një shtet pa u pirë…? …pa u dehur…? Vetëm eskimezët mund të bëjnë një shtet… pa të dehur… një shtet të heshtur si peshk…! Uf… sa tuhafë…!
Gjendja e refugjatëve bëhet dramatike. Atyre u japin vetëm bukë e domate, të cilat i mer një furgon e personelit. Për të kryer nevojat vetiake në oborrin e ambasadës hapen disa gropa të mëdha. Ka edhe gra që lindën në ambasadë.
Presioni i shteteve perëndimore dhe e Sekretarit të Përgjithshëm Perez de Kueilarit dha fryte: Ramiz Alia u detyrua të nxirrte Dekretin që siguronte se nuk do të ndiqeshin ata që kishin hyrë në ambasadat e huaja. Në ditët në vazhdim të gjithë të ngujuarit do të dilnin në fotografi dhe do të paiseshin me pasaporta.
Nata e fundit ishte dhe nata e ndeshjes finale të Kampionatit Botëror, Gjermani – Argjentinë. Brohoritjet e refugjatëve të ngujuar “Gjermani ! Gjermani !” u dëgjuan deri në qendër të kryeqytetit. Çuditërisht ndeshjet e sportit ishin ndjekur me gjallëri të madhe nga të gjithë dhe ishin të vetmet çaste kur të ngujuarit harronin fatin të tyre të trishtë.
Me shpejtësi përgatiten pasaportat duke u fotografuar të gjithë të ngujuarit dhe rreth orës 21.00 të datës 12 Korrik, poara çdo ambasade u rreshtuan autobuzët. Të ngujuarit filluan të dilnin në rresht një për një e u futën nëpër autobuzë. Dalngadalë oborret e ambasadave mbetën bosh dhe sapo kapcërceu ora 24.00 dhe nisi dita e re të gjithë ishin ulur e prisnin nisjen. Kështu në mesnatë rregjimi kërkonte të fshihte atë çfarë po ndodhte.
Të gjithë autobuzët janë të tipit fizarmonikë. Drejtimi është Porti i Durrësit. Autobuzët shoqërohen nga forca të shumta policie, nga një repart special i Zall – Herrit nga Reparti i Sampistëve, ushtarë e rezervistë të shumtë.
Lajmi u muar vesh nga të gjithë e qarkulloi gojë më gojë. Mbremja është tmerrësisht e qetë, solemne, gati si në një ceremoni ireale. Tek tuk dëgjohen psherëtima, lutje e lotë. Të parët që largohen janë të ngujuarit në Ambasadën Çeke. Lajmin do ta japin edhe RAI i Italisë, ndërsa “Zëri i Amerikës” i kushton një reportazh plot kolorit emocional.
Sapo marin kthesën tek “21 Dhjetori” njerëzit që rendin anëve të trotuarëve shpërthejnë në duartrokitje dhe fërshllima. Nga dritaret e autobuzëve zgjaten duar dhe në ajër fluturojnë pusulla të shkruara me shpejtësi. Si krahë fluturash ato enden një çast në ajër e bien butësish në tokë. Janë kumte përshëndetëse për të dashurit të afërmit, përshëndetje, lutje, kërkesë për falje…. pas tyre apo përbri shkimeve janë shënuar emrat se kujt u drejtohen. “Nënë të puth sytë, mos më qorto… shpejt do të takohemi… ju dua të gjithëve… ju kaqm në shpirt e zemër… lajmëroni familjen…
Aty karvani i gjatë i autobuzëve ndahet në dy pjesë: njëri kalon nga rruga e Durrësit dhe tjetri vazhdon drejt rrugës së Kavajës. Në Kombinat doli i gjithë populli, duke i përshëndetur. Shumë qytetarë kanë orë të gjata që presin kalimin e të njohurve të tyre.
Rruga nga Tirana në Durrës për të gjithë refugjatët kthehet në një ankth e makth të vërtetë. Jashtë ka rënë nata. Nga dritaret e autobuzave, të cilët u nisën me intervale të caktuara nga njëri tjetri, nëpër rrugët e kryeqytetit u shpërndanë fletë të shumta me mbishkrime nga më të ndryshmet e më të çuditshmet: Ato ishin përshëndetje, kumte përqafimi, lot e dhimbje që të larguarit u dërgonin njerëzve të tyre të afërt. Të nesërmen punonjësit e komunales, duke fshirë rrugët e kryeqytetit, do të gjenin me dhjetra copa letra të tilla me mbishkrime të shkurtëra…
Largimi i emigrantëve shqiptarë jepet nga të gjithë radiostacionet e botës dhe për herë të parë në historinë e tij moderne, emri Albania, e këtij vendi enigmë, apo Sfinksi modern lakohet në të gjitha gjuhët e botës. Kudo që ta rrotulloje ato ditë butonin e radios bëhej fjalë vetëm për këtë ngjarje. Pak ditë më pas në të gjitha ambasadat e huaja në Shqipëri u vu nga një shpallje: Nuk prisnin më refugjatë. U mbyllën dyert për t’i hapur përsëri shumë më vonë….
Pasqyrimi i ngjarjeve në televizion shpesh herë bëhet shokues, flitet si për një tragjedi të madhe, si çaste historike. Të gjithë fillojnë e zgjohen. Vetëdia e vetëqenia fillon e kërkon atë, çka kishte të munguar e të humbur në vetvete: të drejtën për të arsyetuar ndryshe, për të parë ndryshe, për të folur ndryshe, për të vështruar ndryshe, e “ndryshe” të tjera të munguara në një gjumë të gjatë diktatorial, ku shplarja e trurit kishte lenë pasojat e veta të thella e gati të pariparueshme…
Në udhë…
Kishin më shumë se gjysëm ore që ishin nisur nga Tirana. Dritat e pakta të rrugëve e bënin më të heshtur mërgatën. Ishte si një ikje mortore. Mungonin vetëm kafet e zisë. Autobuzët shkonin në rresht njëri pas tjetrit. Nga xhamat e mbuluar me perde dukej nata e errët. Një zë fëmije dëgjohej nga fundi i autobuzit. Një foshnje që kërkonte të pinte. Nëna e re filloi ta tundte. Befas autobuzi ndaloi. Të gjithë heshtën e mbajtën frymën.
“ Do na vrasin !” – dëgjoi një zë që i pëshpëriti në vesh, apo ashtu foli me vete.
Nuk ktheu kokën. Pranë kishte dy të rinj, që gjithë rrugës nuk i mbante vendi e që befas ishin bërë seriozë.
- Pse ndaluam ?
- Ç’ka ndodhur ?
- Morëm fund…!
- Ku jemi këtu ?
U zgjat nga dritarja duke tretur vështrimin jashtë. Konturet e mugëtuara përziheshin me dritat e fuqishme të makinave ushtarake. Në një tabelë lexoi Maminas.
Të dy u ngjeshën pas dritareve të ftohta. Ato minuta të gjithëve u ishin dukur shekuj të gjatë pritjeje, ishte pritja më e gjatë e jetës së tyre, makthi i tmerrit, i vdekjes që u ishte çfaqur aq pranë, i kishte prekur…
Më vonë dikush do të thoshte se aty, në stacionin e vdekjes e jetës kishin qëndruar plot treçerek ore, por ata do të tundnin vetëm kokat pa mundur dot ta besonin një gjë të tillë.
Sapo kishte lëshuar nga ditarja e hapur një mesazh për nënën. “Mirëupafshim së shpejti. Do bëj çmos… Zoti na e bëftë mbarë…! Uroj të shihemi shpejt. Do të punoj shumë… Të puth… të puth… të puth…!” i shkruante në fund të letrës, e cila fluturoi si flutur dhe u zhduk në erësirën e natës…
Mesazhe të ngjashëm kishin lëshuar të gjithë pasagjerët e autobuzëve të çuditshëm.
Autobuzët ishin vënë përsëri për udhë…
Larg dukeshin dritat e Portit të Durrësit. Në det kishin hedhur spirancat tragetet. Kuvertat e tyre ishin gjithë dritë…
Nokturno. Në bregun e detit:
Një çift me vështrimin e tretur thellë, shumë thellë tej e përtej horizontit. Konturet e përhime të një anije po shkriheshin në ajrin e lagësht. Çifti nuk mbante mend se sa kohë kishte që rrinin shtrënguar pas njëri tjetrit. Gruaja kishte hedhur krahëve një shall të gjatë fijet e gjatë të së cilit përziheshin me flokët e zeza, ndërsa burri thithte fort një bisht cigare…
- Bërr… sa ftohtë bën këtu ! – tha gruaja.
- Ngrihemi të ikim ! – iu përgjegj burri.
- U qoftë udha e lehtë e paçin mirësinë atje ku shkojnë….!
Era e lehtë fshiu gjurmën e tyre në rërë…
Agim JANINA Studiues