Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e sotme në hapjen e sesionit të vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zhvilluar për herë të parë në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Riçardo Migliori, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Sekretari i Përgjithshëm i AP të OSBE-së, Lamberto Zannieri, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së. Mbajtja e mbledhjeve të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë vjen në një kohë kur Shqipëria mban Presidencën e Këshillit të Evropës, si dhe përgatitet të festojë 100-Vjetorin e Pavarësisë së saj. Asambleja Parlamentare e OSBE dhe OSBE në tërësi,- theksoi Kryeministri, ka qenë për Shqipërinë një partner i shkëlqyer dhe ka dhënë një kontribut thelbësor në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në vendin tonë.
Zgjedhjet parlamentare
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria i detyrohet shumë Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për ndihmën dhe kontributin e tyre gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht në proceset zgjedhore. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi: “Në zgjedhjet e vitit 2009, të cilat u vlerësuan si zgjedhjet që plotësuan kriteret dhe standardet kryesore të OSBE-së dhe që nuk pati asnjë të dhënë për manipulim rezultatesh OSBE dhe Këshilli i Evropës u bënë avoketër të shkëlqyer të kësaj të vërtete të madhe dhe dhanë kontributin e tyre në stabilitetin e vendit. Ndërkohë po ecim drejt zgjedhjeve të tjera. Unë jam këtu, të dashur miq, për t’u angazhuar para jush se do të bëj gjithçka si qeveri për standardet më të mira të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj ju ftoj, juve këtu, ftoj përfaqësues nga vendet tuaja, të vijnë t’i vëzhgojnë këto zgjedhje, të na nderojnë me praninë e tyre dhe, jam i bindur se do të gjenden në një vend që do të nderojë të gjitha normat, standardet e OSBE-së për zgjedhje të lira”.