Kryeministri Berisha paralajmëron: Të babëziturit do të paguajnë kostot
Kryeministri Sali Berisha deklaron në mbledhjen e qeverisë së në shtator do të nxirret dekret i posaçëm për shembjen e çdo ndërtimi pa leje përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë. Kreu i qeverisë u ka bërë thirrje autoriteteve lokale që të ngrihen në lartësinë e duhur, sepse kanë shumë punë për të bërë në forcimin e disiplinës fiskale dhe mbrojtjen e brigjeve. “Jam këtu për t’u çuar mesazh atyre që marrin përsipër për të rrënuar brigjet e vendit. Ju jap fjalën e nderit se në shtator, do të ketë masa të rrepta kundër ndërtimeve pa leje, ndaj atyre të babëziturve që ndërtojnë në rërë. I prishni vetë se ato do të kenë vetëm një fat ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Mos shpenzoni para të nderuar zotërinj të babëzitur gjer në palcë, sepse me rënien e fluksit turistik, e gjithë forca e ligjit do të jetë mbi ndërtimet tuaja, dëshmi e një babëzie të shfrenuar. Do të paguani dhe për prishjen e tyre. Një dekret i veçantë do të përgatitet nga Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Drejtësisë për këtë”,- premtoi Kryeministri Berisha.
Mbledhja
Kryefjala e mbledhjes së djeshme të qeverisë, siç e cilësoi edhe vetë Kryeministri është sezoni turistik. Ai e cilësoi turizmin e këtij viti si një nga arritjet më të ndjeshme, pasi u vërejt një rritje e numrit të turistëve të huaj, 277 mijë më shumë turistë të huaj gjatë 7 muajve të parë të vitit, të cilët fuqizuan më tej turizmin si degë kryesore e ekonomisë shqiptare dhe u krijuan në vend 190 mijë vende pune. “Turistët bënë që të fuqizohet më tej turizmin si degë kryesore e ekonomisë shqiptare. Bënë që vetëm nga kjo degë u krijuan në vend 190 mijë vende pune, një shifër rekord. Të gjithë ata të cilët që udhëtojnë nga Velipoja në Ksamil konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor. Nga Velipoja në Ksamil nuk ka pasur një dyndje të tillë turistike”,- vijoi Berisha. Sipas tij, dyndje të jashtëzakonshme ka njohur jugu, ndërsa qeveria ka bërë më shumë se asnjëherë për kushte më të mira në një kohë që këtë vit ka investuar 220 milionë euro për turizmin.
Infrastruktura
“Mesazhe vijnë nga jugu me dy rrugët e bukura të inauguruara në një hark njëjavor, rrugë të cilat kanë transformuar një herë e përgjithmonë zonat e bukura turistike të vendit: autostrada Levan-Vlorë, dhurata më e bukur për 100-vjetorin për Vlorën dhe autostrada Levan-Damës që ka shkurtuar në mënyrë të jashtëzakonshme distancën Gjirokastër-Tiranë. U përurua terminali i ri i portit të Durrësit, u ndërtuan rrugët kryesore të trashëgimisë kulturore nga Finiqi në Drisht”,- theksoi shefi i qeverisë, ndërsa shtoi se investime janë bërë dhe po bëhen në të gjitha zonat malore nga maja e Çajupit deri në Bjeshkët e Namuna dhe në Valbonë, Shishtavec, Prespë, Voskopojë. “Ka një hapje të potencialeve malore të vendit. Kontributi në ekonominë shqiptare është shumë i madh, qindra miliardë lekë, por mbi të gjitha kontributi në luftën kundër varfërisë është rezultati më i shkëlqyer i turizmit”. Berisha e vlerësoi turizmin edhe si një nga shtyllat që e mbrojti Shqipërinë nga kriza. “Në qoftë se lexoni statistikat kriza ka prekur në një farë mënyre intensitetin e trafikut ajror, por është shtuar në mënyrë thelbësore trafiku jugor. Ata që udhëtojnë në fundjavë në rrugët e Shqipërisë harrojnë se janë në këto rrugë. Autokolonat e pafundme, që hyjnë në vend nga pikat kufitare”,- theksoi ai, ndërsa i bëri thirrje Ramës që të mos hedhë baltë mbi turizmin, pasi nuk i shërben askujt. “Shfytëzoj rastin t’i them zotit Rama se kasnecët e tij që hedhin baltë duke cituar qytete nuk i bëjnë nder PS-së dhe askujt. Sepse ato qytete administrohen nga qeveritarët vendorë, të cilët janë larg të qenit të përsosur, por nuk mund t’u mohohet shkalla e mobilizimit që tregojnë. Ata që sulmojnë Dakon për turizmin e Durrësit e kanë me ligësi. Unë nuk dua ta mbroj zotin Dako se më rreptë se unë nuk qëndron kush ndaj tij, por t’u biesh sirenave që ra numri i pushuesve në plazhe, ndërkohë që po t’u shtosh ata që pushojnë në Hamallaj e Gjirin e Lalzit, në Durrës, jo vetëm që nuk janë zvogëluar, por janë shtuar me 50-60%. Sigurisht që ky breg është për t’u zbuluar”,- nënvizoi Kryeministri.
Reagon Beqja
Në lidhje me deklaratat e Berishës ka reaguar Sekretari për Programet në PS, Ilir Beqja. “Kryeministri akuoz (ujor) siç na tregoi sot se ka qejf te vetëquhet, foli për turizmin malor, por nuk tha asnjë fjalë për hektarët e pyjeve që po digjen në këtë verë të nxehtë. Shërbimi zjarrfikës ankohet se nuk ka mjete. Kështu ndodh nëse paratë shpenzohen për vila qeveritare në bregdet apo për mobilie të zyrave të ministrave. Kryeministri foli për rrugët e reja, por nuk pati kurajën t’u kërkojë falje shqiptarëve për vonesën vetëm për faj të tij të akseve Levan- Tepelenë, Levan- Damës. Foli për terminalin e ri të trageteve në Durrës, por nuk pati kurajë të kërkojë falje pse e vonoi dy vjet ndërtimin e terminalit. Kryeministri foli për ndërtimet pa leje në perlat turistike, por në fakt demonstroi dështimin e qeverisë së tij në kontrollin e territorit, në zbatimin e ligjit të planifikimit të territorit”.
PARLAJMËRIMI
“Jam këtu për t’u çuar mesazh atyre që marrin përsipër për të rrënuar brigjet e vendit. Ju jap fjalën e nderit se në shtator, do të ketë masa të rrepta kundër ndërtimeve pa leje, ndaj atyre të babëziturve që ndërtojnë në rërë. I prishni vetë se ato do të kenë vetëm një fat ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Mos shpenzoni para të nderuar zotërinj të babëzitur”.
POTENCIALET
“Ka një hapje të potencialeve malore të vendit. Kontributi në ekonominë shqiptare është shumë i madh, qindra miliardë lekë, por mbi të gjitha kontributi në luftën kundër varfërisë është rezultati më i shkëlqyer i turizmit”. Kryeministri Berisha e vlerësoi turizmin edhe si një nga shtyllat që e mbrojti Shqipërinë nga kriza ekonomike botërore.
SULMI
“Shfrytëzoj rastin t’i them zotit Rama se kasnecët e tij që hedhin baltë duke cituar qytete nuk i bëjnë nder PS-së dhe askujt. Sepse ato qytete administrohen nga qeveritarët vendorë, të cilët janë larg të qenit të përsosur, por nuk mund t’u mohohet shkalla e mobilizimit që tregojnë. Ata që sulmojnë Dakon për turizmin e Durrësit e kanë me ligësi.
ora09
August 17, 2012 at 5:30 pm
Fillojeni nga une, zoti Kryeminister.
Nga qendra e Vlores kam tre vjet qe po ju shkruaj pothuajse çdo dite.
Ju ftoj qe te me ndihmoni ne luften time tre vjeçare kunder mafies se ndertimit dhe jo fjale ne ere.
Neqofte se je burre te pres ne Vlore.