Kryeministri Berisha pret zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën
Berisha: Të vendosur të punojmë për pavarësinë e institucioneve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë një vëzhgues i vëmendshëm i ecurisë së procesit zgjedhor që vendi ynë do të mbajë në pranverën e vitit të ardhshëm. Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Filip T. Riker, gjatë një prononcimi për mediet pas takimit me Kryeministrin Berisha e vuri theksin te rëndësia që Uashingtoni i jep demokratizimit dhe pavarësisë së institucioneve. Po ashtu ai u tregu i kujdesshëm të përcjellë një mesazh për politikën shqiptare për çështjen e imunitetit, duke i cilësuar kritike javët e ardhshme. “Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj demokratizimit të vazhduar të rajonit si dhe integrimit të tij euroatlantik. Siç i thashë Kryeministrit, Uashingtoni do ta ndjekë vitin që vjen nga shumë afër. Presim të shohim përparim të vazhduar me reformat si dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike; veçanërisht javët që vijnë do të jenë kritike. Janë kritike për të demonstruar përparimin lidhur me reformat dhe një seriozitet qëllimi që kapërcen politikën dhe pasqyron interesat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar”, – tha Riker në prononcimin e tij. Përballë këtij mesazhi Kryeministri Berisha garantoi se qeveria e tij dhe qytetarët shqiptarë do të adoptojnë vlerat më të mira demokratike të qeverisë dhe popullit amerikan. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, kjo është mënyra më e mirë për të shprehu falënderimet ndaj mbështetjes që SHBA-të kanë dhënë dhe po japin ndaj popullit shqiptar. “Një çështje e veçantë e diskutimeve me zotin Riker ishte konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të vendit. Unë e garantova atë se mbetemi plotësisht të vendosur të punojmë për pavarësinë dhe funksionimin e tyre dhe e falënderova për shkallën e shkëlqyer dhe ndihmën shumë të madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës u japin këtyre institucioneve për funksionimin e tyre më të mirë”, – tha Kryeministri shqiptar. Në kuadër të garantimit të partnerëve ndërkombëtarë për realizimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, ai i ftoi për një prani sa më të gjerë në zgjedhjet e ardhshme. “Unë e njoha zotin Riker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që ne përballemi dhe që ekziston, me vendosmërinë e qeverisë për të merituar statusin e vendit kandidat dhe me vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe ftesën time ndaj qeverisë dhe institucioneve të Shteteve te Bashkuara për një prani sa më të gjerë të tyre në zgjedhjet e ardhshme”, – tha Berisha. Shefi i ekzekutivit shqiptar përsëriti ftesën për sekretaren e Shtetit Hilari Klinton për të vizituar Shqipërinë.
SHBA-të vlerësojnë kontributet e qeverisë për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë kontributet për misionin ISAF-it dhe vendosjen e stabilitetit në Afganistan
“Patëm mundësinë të diskutonim për perspektivën europiane të Shqipërisë, zhvillimet në rajon dhe unë çmoj pikëpamjet e Kryeministrit për rajonin e më gjerë në botë.”
“Faleminderit SHBA-ve për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian!”
Zv.ndihmëssekretari amerikan takon Ina Ramën
Riker: Në demokraci ka rëndësi pavarësia e institucioneve
TIRANE – Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, zhvilloi një takim me zv.ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Filip Riker. Prokurorja e përgjithshme bëri një pasqyrë të punës së organit që ajo drejton në angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke synuar gjithnjë rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe mirëfunksionimin si institucion i pavarur. Në vijim të fjalës së saj kryeprokurorja bëri një panoramë të institucioneve të drejtësisë, mënyrën si funksionojnë dhe ndërlidhen ato me njëra-tjetrën si dhe sfidat me të cilat ndeshet sot drejtësia shqiptare. Riker, duke vlerësuar punën e Prokurorisë shqiptare, theksoi se në një demokraci funksionale është e rëndësishme pavarësia e institucioneve. Riker në këtë aspekt, duke njohur rezultatet pozitive të arritura, e cilësoi Prokurorinë shqiptare si një partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë takimit u cekën dhe probleme të reformës në sistemin e drejtësisë, mirëfunksionimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve.
Ministri i Jashtëm, Panariti, pret Riker
SHBA-të vlerësojnë rolin e Shqipërisë në rajon
Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker u prit në një takim edhe nga ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti. Kreu i diplomacisë vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve si dhe rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara në mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve si në planin dypalësh, ashtu dhe në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare. Ndërsa zv.ndihmëssekretari Riker nga ana e tij vuri gjithashtu theksin te marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Gjithashtu ai vlerësoi politikën dhe rolin e Shqipërisë në rajon ee më gjerë, në mënyrë të veçantë rolin dhe mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Ai vlerësoi angazhimin e Forcave të Armatosura shqiptare në Afganistan dhe Irak. Lidhur me politikën e brendshme të vendit tonë zv.ndihmëssekretari Riker nxiti gjithashtu reformat e ndërmarra në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE dhe theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për aspiratën evropiane të popullit shqiptar.
Riker ndodhet në Tiranë për një vizitë disaditore në kuadër të konferencës “Roli i ardhshëm i NATO-s dhe i BE-së në Europën Juglindore, zgjerimi i BE-së dhe sfidat transatlantike”. Në qendër të bisedimeve të zv.ndihmëssekretarit Riker me zyrtarët shqiptarë pritet të jenë zhvillimet e fundit në vend, mes të cilave edhe privatizimi i kompanisë “Albpetrol”.
Bashkim Nuri
September 7, 2012 at 5:06 pm
Zoti Reeker ambasada juaj eshte e mbushur plot me KOMUNISTE dhe Sigurimsa te Enver Hoxhes oficera kufi .Ambasada juaj ne vitin 2008 kundershtoj hapjen e dosjeve te sigurimit,mbas jush ambasada angleze.http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iww
Besi
September 9, 2012 at 1:20 pm
Sa here ka zgjedhje ne shqiperi Amerika keshtu thot do ju vezhgojme vetem llafe asgje nuk bene ne te mire te popullit shqiptare.