Si zgjidhje kërkohet edhe përshpejtimi i ekzekutimit të kolateralit
Propozimet kanë si qëllim uljen e nivelit të kredive të këqija
Bankat kërkojnë përshpejtimin e procedurave për ekzekutimin e kolataraleve të vendosura si garanci për të marrë kredi, si dhe korrigjimin e çmimeve të pasurive të paluajtshme. Duke pasur parasysh nivelin e kredive të këqija si dhe nevojën që ka ekonomia për kreditim, shoqata e Bankave kërkon marrjen e masave, në mënyrë që të evitohen problemet në të ardhmen. Para dy ditësh Asambleja e Anëtarëve të Shoqatës Shqiptare të Bankave mbajti një mbledhje, në të cilën u vlerësuan aktivitetet e Shoqatës gjatë muajve të fundit, si dhe u diskutuan dhe miratuan objektivat dhe aktivitetet kryesore për të ardhmen. Një çështje kryesore për të cilën do të vazhdohet të punohet në të ardhmen është ajo e ekzekutimit të kolateralit, si në kuadrin administrativ, ashtu dhe në atë ligjor. Drejtori i BKT-së dhe kryetari i Shoqatës së Bankave, z. Seyhan Pencabligil, theksoi se bankat në Shqipëri janë të qëndrueshme, likuide dhe me kapital të bollshëm dhe se faktor kryesor në këtë stabilitet kanë qenë menaxhimi i mirë i tyre, si dhe sistemi i fortë rregullues dhe funksioni efiçent mbikëqyrës që Banka e Shqipërisë siguron në mënyrë të vazhdueshme. Pencabligil nënvizoi se bankat në Shqipëri vazhdojnë të kreditojnë ekonominë, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të kredive me probleme, të cilat ndikojnë fitimin. Ai theksoi se një ekzekutim sa më efiçent i kolateralit është çelësi për korrigjimin e çmimeve të pronave të paluajtshme si dhe për furnizimin me likuiditet të ekonomisë. Ai përfundoi se bashkëpunimi më i fortë i bankave me Bankën e Shqipërisë është faktor kyç për fuqizimin e sistemit bankar dhe të ekonomisë në Shqipëri dhe ky bashkëpunim është vlerësuar me prioritet gjatë aktivitetit të Shoqatës. Vetëm pak kohë më parë kjo shoqatë propozoi ndryshime ligjore për ta bërë ekzekutimin më efikas. Sipas tyre, është e rëndësishme që të liberalizohen tarifat që përmbaruesit privatë aplikojnë në rastin e sekuestrimit të një prone, duke e nxitur atë që të çojë deri në fund procesin. Bankat e nivelit të dytë kërkojnë që për pasuritë e ekzekutuara të ketë edhe një ankand të tretë me vlerën e tregut, ndërkohë që tarifat e përmbaruesve privatë duhet të liberalizohen. Asambleja diskutoi gjithashtu mbi rëndësinë e një strategjie të unifikuar për edukimin financiar dhe për një bashkëpunim të mëtejshëm e më të fortë me Bankën e Shqipërisë në këtë drejtim.