Ministri Sokol Olldashi kërkon që aplikuesit të nxitojnë për të përfituar nga akti
Pronarët e banesave mbikëqyrin lirimin. Në rast pengese njoftojnë EKB
Pas dërgimit në bankë të emrave të personave që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve që do t’i lirojnë ato brenda datës 1 nëntor, ministri i Transportit, Sokol Olldashi, u bëri thirrje që të aplikojnë sa më shpejt për të marrë kredi. Ministri gjatë inspektimit të ndërtimit të apartamenteve për të pastrehët në qytetin e Shkodrës, u bëri apel të gjitha familjeve që banojnë në pronat e ish-pronarëve që të ndjekin në mënyrë të përshpejtuar të gjitha procedurat për të përfituar kredi me interes 0% për një fat deri në 30 vjet në mënyrë që të zgjidhin problemin e strehimit dhe të lirojnë banesat e ish-pronarëve. Nga ana tjetër, ai ftoi të gjithë ish-pronarët që të ndjekin procesin dhe që në çdo moment të jenë në kontakt me Entin Kombëtar të Banesave. “Pronarët që ende nuk disponojnë pronën e tyre duhet që të mbikëqyrin këtë proces. Nëse brenda datës 1 nëntor 2012, shtëpitë e tyre nuk janë liruar, të bëjnë njoftimin përkatës pranë Entit Kombëtar të Banesave”, deklaroi Olldashi. Duke iu referuar aktit normative për banesat e ish-pronarëve Olldashi tha se çdo ish-pronar ka të drejtë të kontaktojë EKB dhe të kërkojë prej saj mbylljen e procedurës për nxjerrjen e titullit ekzekutiv, i cili është i paapelueshëm në gjykatë. Sipas të dhënave të EKB janë rreth 3289 qytetarë që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, të cilët mund të marrin kredi me interes zero në mënyrë që të bëjnë të mundur lirimin e shtëpive të pronarëve deri në datën 1 nëntor të këtij viti. Në përputhje me Aktin Normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve Enti Kombëtar i Banesave ka dërguar pak ditë më parë pranë Bankës Kombëtare Tregtare listën me personat që përfitojnë kredi. Lista me 3289 persona që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, ku peshën kryesore e zënë Bashkia Tiranë me 908 raste, Durrës me 869 dhe Shkodër me 605 u dorëzua në bankë dje në mesditë. Nga ky moment, të gjithë personat që gëzojnë statusin e të pastrehut dhe që banojnë në shtëpi të ish-pronarëve, duhet të aplikojnë pranë kësaj banke, për të përfituar kredinë për strehim. Në përputhje me Aktin Normativ, ata duhet që brenda datës 1 nëntor 2012, të përfundojnë procedurat e kredisë, të zgjidhin përfundimisht problemin e strehimit dhe të lirojnë banesat e ish- pronareve. Për ata që nuk lirojnë banesën do të jetë Përmbarimi Gjyqësor ai që do të ekzekutojë urdhrat dhe që do të kthejë pronën te pronari legjitim. Pas ekzekutimit të titullit ekzekutiv, kategoria e të pastrehëve “trajtohen me strehim në banesa sociale nga këshillat bashkiakë, duke pasur përparësi në programet e banesave sociale për qira. Këshillat bashkiakë të bashkive përkatëse, brenda datës 15 nëntor 2012, ftohen të planifikojnë numrin e banesave, kur objektet janë me fonde të tyre. Për financime me fondet e pushtetit qendror, këshillat bashkiakë duhet të shpërndajnë të paktën 1/2, e kuotës për këtë kontingjent”.
Verifikimi
Lista fillestare e atyre që jetonin në shtepitë e pronarëve ishte 4400 persona, por pas verifikimit të gjendjes financiare dhe civile të këtyre familjeve kjo listë zbriti në 3289 persona. EKB-ja për të gjithë emrat i kërkoi Hipotekës konfirmim që nuk kanë pasuri, Drejtorisë së Tatimeve që nuk janë subjekt TVSH-je dhe gjendjes civile që të konfirmojë vendbanimin dhe nëse janë gjallë, pasi listë e përgatitur ishte e 3 viteve më parë.
Projektet, ndërtohen 35 apartamente për të pastrehët në Shkodër
Plot 35 apartamente te reja i shtohen qytetit të Shkodrës në ndihmë të qytetarëve të pastrehë. Ndërtimi i këtyre apartamenteve nga Enti Kombëtar i Banesave është pjesë e programit të strehimit me kosto të ulët, një nga katër programet e qeverisë shqiptare për strehimin. Ministri Olldashi gjatë inspektimi të këtyre aparatmenteve tha se ndërtimi i tyre është pjesë e programit që ka qeveria për t”i ardhur në ndihmë familjeve të pastreha, program i cili përfshin ato që vetë EKB investon dhe ndërton, programin me kredi të zbutur, programin e banesave sociale me qira, si dhe programin për strehimin e familjeve që kanë zënë banesat e ish-pronarëve dhe që në qytetin e Shkodrës janë 605.
Dokumentet që duhet të dorëzohen në EKB:
Certifikatë të gjendjes familjare, të vitit 1992 dhe aktuale.
Vërtetim negativ nga Z.R.P.P-ja që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes ( të certifikatës së 1992 ) nuk figuron pronë e regjistruar apo në proces regjistrimi.
Vërtetim që asnjë anëtar i familjes të mos jetë subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar. Vërtetim i statusit të të pastrehut në ish-pronë private.
Adresën e banesës dhe emrin e pronarit.
Ndërkohë që qytetarët e tjerë, të cilët nuk janë në listat e miratuara me VKB përveç dokumentacionit të mësipërm duhet të paraqesin pranë EKB-së edhe:
Kontratën e qirasë me ish-Komunalen e Banesave, /ose/ Autorizimin apo Vendim të lëshuar nga Ish-Komiteti Ekzekutiv (origjinale ose të noterizuara)
Dokument të lëshuar nga ish-N.K. Banesave për kalim prone në favor të pronarëve, /ose/
Vendim i kthimit të pronës nga Komisioni i Kthimit të Pronave, pronarit të ligjshëm, /ose/
Vendim gjykate për kthim prone pronarit të ligjshëm (origjinale ose të noterizuara).
Qytetarët duhet të paraqesin këto dokumente pranë zyrave rajonale të EKB-së, duke nënshkruar dhe një formular dorëzimi dokumentacioni.