“Skandali Mio”, gjenden 1000 piktura në banesën e Xegës

Ish-përgjegjësi i Galerisë: U vodhën nga të tjerë. Këshilltarët: Bashkia parazite

KORÇË- Skandali i vjedhjes së veprave të artit në Galerinë e Arteve në Korçë vijon të thellohet. Pas paditjes nga drejtori aktual të kësaj galerie ndaj ish-përgjegjësit të arkivave Sotiraq Xega, në banesën e këtij të fundit janë gjetur 1 mijë piktura.

Kontrolli

Burimet policore të Korçës ka ushtruar një kontroll në banesën e Xegës pas skandalit të vjedhjes së 61 veprave të artit, 27 prej të cilave të piktorit Vangjush Mio. Fondi i gjetur ndërkohë është marrë në ruajtje nga policia, i cili do të dërgohet sot në komision për verifikim. Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme ende nuk dihet nëse pikturat e gjetura në banesën e Sotiraq Xegës, janë piktura që i përkasin Galerisë së Arteve, apo janë të vetë Xegës. Kontrolli në banesën e ish-përgjegjësit të galerisë u krye pas skandalit të vjedhjes së 61 veprave te artit, 27 prej të cilave i përkasin piktorit të popullit Vangjush Mio. Policia ka ushtruar kontroll për gjetjen e pikturave të vjedhura edhe në banesën e përgjegjësit aktual të Galerisë së Arteve “Guri Madhi”, por nuk është gjetur asnjë pikturë. Pas përfundimit të inventarit në fondin e Galerisë së Arteve, “Guri Madhi” në Korçë, në lidhje me skandalin e vjedhjes së 61 veprave të artit, 27 prej të cilave të piktorit Vangjush Mio, ka ardhur dhe reagimi i parë i Drejtorit të Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”. Sipas kreut të këtij institucioni, Vladimir Topi, konfirmohet mungesa e veprave në këtë galeri, ndërsa ngarkohet me përgjegjësi për skandalin, ish-përgjegjësi i arkivave, Sotiraq Xega, pasi ky i fundit ka refuzuar të bëjë dorëzimet e inventarit të Galerisë së Arteve dhe nuk ka vënë në dispozicion të komisionit kartelat e regjistrimit të veprave.

Aludimet

Ndërkohë ish-përgjegjësi Xenga ka një version tjetër të tijin për mënyrën se si mund të jenë zhdukur nga Galeria veprat artistike. Ai aludon se ato mund të jenë zëvendësuar të tjerat me vepra false. Ai pranoi se në 10 vitet e punës së tij në Galeri nuk është bërë asnjëherë inventarizim fizik i pikturave dhe se ai ka firmosur fiktivisht dokumente të tjera.

Ish- përgjegjësi i galerisë thotë se pikturat e famshme të Mios mund të kenë përfunduar dhurata për zyrtarët e shtetit dhe njerëz të biznesit, nga strukturat përgjegjëse për ruajtjen e galerisë. Ndërkohë drejtori i Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”, Vladimir Topi, është shprehur se: Ekziston një urdhër i vitit 2002, nga titullari i Bashkisë së asaj periudhe, sipas të cilit administrimi dhe përgjegjësia e galerisë i ngarkohet personit, i cili ka firmosur marrjen në ngarkim të fondit fizik të galerisë në atë kohë. Për inventarin e fundit gjatë të cilit u konstatua mungesa në fondin e galerisë personi materialisht përgjegjës është njoftuar në prezencë të komisionit dhe ka kundërshtuar të bëjë dorëzimin e inventarit të galerisë së arteve “Guri i Madhi” dhe nuk ka vënë në dispozicion të komisionit kartelat e regjistrimit të veprave. Kërkojmë që organet e drejtësisë të bëjnë sa më shpejt dhe objektivisht punën e tyre, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe rikthimin e veprave që mungojnë në fondin e Galerisë së Arteve ‘Guri i Madhi’ në Korcë”.

Akuza bashkisë

Nga ana tjetër debate ka pasur dhe në Këshillin Bashkiak të Korçës ku këshilltarët e djathtë kanë akuzuar bashkinë për mospërgjegjësi dhe mosveprim karshi këtij akti kriminal. “Çudia më e madhe është se nuk shohim asnjë akt dorëheqjeje, nuk shohim asnjë urdhër të kryebashkiakut për pezullim dhe për të bërë përgjegjës drejtuesit e institucionit ku ndodhi një nga vjedhjet më të mëdha të shekullit për Shqipërinë. Kjo të çon në mendimin se pikturat janë zhdukur sistematikisht dhe në vazhdimësi. Ndoshta prej kohësh më të hershme dhe tani që e vërteta del në sipërfaqe, përgjegjësit dalin fajtor ma faj. Zoti kryetar i Bashkisë kërkojmë të prononcoheni sa më parë në lidhje me rastin në fjalë. Të kërkoni falje publike dhe të nxirrni në dritë fajtorët. Është krim mbi kulturën kombëtare heshtja juaj”,- kërkoi këshilltarja e djathtë në Bashki, Jonela Spaho. Ndërkaq, burime në Drejtorinë e Policisë së Korçës bëjnë të ditur se në hetim për skandalin e veprave të artit në galerinë “Guri i Madhi” në Korçë janë disa persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimit. Kjo dhe për faktin se ish-përgjegjësi i galerisë, Sotiraq Xega, nuk ishte i vetmi person që kishte çelësin e arkivës.

 

Vlera e 27 krijimeve të zhdukura, 300 mijë dollarë

Seriali i vjedhjes së pikturave të Vangjush Mios

Në listën e 27 pikturave që janë vjedhur në Galerinë e Korçës, më së shumti janë krijimet e piktorit Vangjush Mio. Ato janë ndër krijimet e tij të para të fillimit të shekullit të 20.

Pas deklarimit për humbjen e fondit, u bë me urgjencë inventarizimi fizik dhe në veprat që mungojnë janë ato që shfaqeshin vit pas viti në ekspozitat e Mios. Sipas specialistëve të pikturës dhe nxënësve të tij, Vangjush Mio është piktori i parë modern shqiptar. Përveç pikturave të Mios në fondin e Galerisë së Korçës mungojnë edhe piktura të të tjerë piktorëve shqiptarë. Kjo është vjedhja e tretë që u bëhet krijimeve të Mios që nga viti 1990, kur u zhdukën tre piktura. Në vitin 1994 u zhdukën dhe 21 të tjera dhe së fundmi janë 27 krijime që nuk gjenden. Vlera e tyre ne inventarizim është vetëm 700 lekë, por ajo është bërë në vitet ‘70. Në tregun mes koleksionistëve krijimet e Mios kanë një vlerë nga 10 mijë deri në 30 mijë dollarë. Ne total vlera e pikturave të vjedhura mendohet të jetë 300 mijë dollarë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>