Skuadra korçare me një gol të Sabino Plakut fiton sfidën e parë me Debrecenin. Një ndeshje me një skuadër në fushë Skënderbeun që mund të kishte fituar më shumë se me një gol. Do të jetë mëkat nëse skuadra e Levit nuk kualifikohet në turin e tretë të Champions League
Sabino Plaku afron Skënderbeun në turin e tretë të Ligës së Kampioneve. Me një gol në minutën e 65-të ai i ka dhënë një fitore e mund t’i japë pas 90 minutave të dyta një kualifikim historik skuadrës juglindore tri herë kampione e Shqipërisë. Faktikisht ndeshja e djeshme ka qenë super për sa i përket performancës së korçarëve. Skuadra e Levit ka bërë një ndeshje model që mund të ishte mbyllur me një goleadë nëse sulmuesit e Skënderbeut që humbën shumë dhe portieri mik që priti pafund do të kishin bërë ndryshe. Gjithsesi një ndeshje e fituar nga skuadra e Skënderbeut ndaj një kundërshtari si Debreceni që realisht jo vetëm që është i kalueshëm, por me atë që pamë është gjynah të kalojë në turin tjetër.
Për të nisur me ndeshjen mund të themi se Stanislav Levi e kishte përgatitur shumë mirë këtë ndeshje si nga ana taktike dhe psikologjike. Ashtu siç kishte deklaruar çeku kishte hedhur në fushën e lojës një skuadër sulmuese. Katër sulmues Plaku, Xhafaj, Allmuça dhe Muzaka bëheshin 5-së së bashku me Vucajn.
Pesë minutat e para janë të rrufeshme për korçarët, që e godasin disa herë portën kundërshtare. Që në fillim një presing që ka mbytur Debrecenin një skuadër shumë e dobët që vetëm fati ka bërë që të mos pësojë gol në 45 minutat e para. Pjesa e parë ka qenë një dialog i gjatë mes ekipit korçar dhe portierit Novakoviç. Pa frikë mund të themi se nëse ky Skënderbe nuk kualifikohet faj pa fund kanë Plaku dhe Xhafaj. Të dy kanë humbur gola të sigurt dhe në ndonjë rast nuk kanë pasur faj. Që në fillim skuadra jonë ka një rast të artë për gol por Plaku nuk e ka mendjen dhe nuk shënon dot. Është minuta e 3-të një çmenduri më vete dhe e pafalshme për Sabino Plakun që vetëm me portierin humbet një gol të sigurt. Ishte Vucaj që goditi fluturimthi nga larg, portieri Novakoviç grushton me vështirësi, Plaku në zonën në mënyrë skandaloze humbet një gol duke përplasur sferën në trupin e portierit. Nuk kalojnë as 60 sekonda e sërish Allmuça ka një rast për të shënuar por godet jashtë. Kundërpërgjigjet Debreceni me anë të një goditje dënimi por pa shumë rrezikshmëri për portën e Shehit. Pas disa minutash ekuilibri skuadra e Levit e sheh që kundërshtarti është shumë i dobët dhe hidhet në sulm. Në minutën e 20-të Vucaj godet nga 35 metra një predhë e sërish pret Novakoviç. Tre minuta më vonë hungarezët pranë autogolit. Kombinim i bukur mes Plakut dhe Vucajt, një mbrojtës në tentativë për të larguar topin përpak sa nuk e çon në portën e tij. Tjetër gol i mohuar për Skënderbeun. Minuta e 33-të. Është traversa i mohon golin Sabino Plakut. Sulmuesi merr një top nga fundorja kalon një kundërshtar dhe në kufijtë e 16-shes godet diagonal shumë bukur por këtë herë është shtylla që i mohon golin sulmuesit. Një minutë më vonë Xhafaj ka një rast të artë për gol, por në vend të shënojë ose të pasojë tek Allmuça me portën bosh si zakonisht shpërdoron një rast të madh për gol duke goditur mbi traun e portës. Në fund të lojës është Skënderbeu që për pak sa nuk shënon por portieri mik bëhet mace e zezë. Goditje dënimi në qendër të sulmit 25 metra nga porta. Ekzekuton Radas portieri Novakoviç shpëton portën e tij. Pa gola mbyllet pjesa e parë edhe pse Skënderbeu ka merituar shumë. Një gol është pak, por kjo është loja paçka se ka dominuar nuk ka mundur të shënoj gol në pjesën e parë.
Pjesa e dytë nis pa ndonjë ndryshim tek skuadrat në fushën e lojës. Hungarezët janë brenda misionit të tyre, për të mos pësuar në këtë transfertë, për ta pasur më të lehtë në kthim për t’u kualifikuar në turin tjetër, ndaj trajneri Elemer vijon t’i besojë 11-shes bazë, të cilën e hodhi në fushë nga fillimi. Nuk lëviz në këtë drejtim as trajneri Levi, që ka pasur mjaft raste për të parë me sytë e vet se konkludimi është pika më e dobët e të tijve. Megjithatë, në nxehje tashmë është kavajasi Bekim Kuli, që duket se do të bëhet gati për t’i dhënë një “dorë” Skënderbeut në drejtim të daljes te goli. Ka nisur e vijon me të njëjtën “muzikë” edhe ky fraksion i ndeshjes, me Skënderbeun këmbëngulës në gjysmëfushën mike, por që vuan shumë në fazën finalizuese. E tillë ishte minuta e 53-të, kur Allmuca bën më të vështirën, teksa gjendet i vetëm me portën mike. Mesfushori kuqebardhë godet me forcë, tokazi, por topi tund rrjetën e jashtme të portës së Debrecenit. Xhafaj dhe Plaku vazhdojnë të mos sinkronizohen si duhet me njëri-tjetrin edhe në këtë pjesë loje, ashtu sikurse nuk arrijnë të përkthejnë të paktën në një gol tërë atë furi sulmuese, nga të dyja krahët, të vendësve. Janë minuta kur Debreceni mbrohet me më tepër forca, i tërhequr në thellësi të gjysmëfushës së tij, por kjo lloj rezistence nuk do ta shpërblente më tej minutës së 65-të, sepse Sebino Plaku më në fund ka konkluduar me finesë e zgjuarsi një top të goditur nga Xhafaj. Dorëzohet portieri Novakoviç, që detyrohet ta nxjerrë topin nga rrjeta e tij, ndërsa shpërthen në delir e ovacione të fuqishme stadium “Skënderbeu” i mbushur plot e përplot nga tifozët korçarë. Pavarësisht kësaj, rastet për ta thelluar epërsinë i kanë pasur juglindorët, që me anë të Xhafajt, në vecanti, mund dhe duhej t’i kishin dyfishuar shifrat, më së paku. Edhe një penallti e mohuar nga gjyqtari mund të kishte qenë një gol më shumë. Gjithsesi në përfundim të 90 minutave lojë, Skënderbeu ka arritur të dalë me një fitore minimale, që nuk premton shumë për kualifikimin, kur dihet se ndeshja e kthimit do të luhet në Hungari, Në prani të rreth 10 mijë tifozëve, të besuarit e Stanislav Levit kanë qenë tërë lojës në kërkim të suksesit në shtëpi. Goli i Plakut u mundëson atyre të besojnë ende te realizimi i ëndrrës, që është kalimi i një turi në këtë kompeticion kaq madhor për klubet europiane. Të shohim janë edhe 90 minuta për t’u luajtur në Hungari.