Sot hapen ofertat, “Albpetrol” së shpejti në duart e privatëve

Në dilemë qeveria. Do zgjidhen paratë apo gjeopolitika

Pas shumë diskutimesh dhe shtyerjesh të afatit, sot do të dorëzohen zyrtarisht në Ministrinë e Ekonomisë ofertat për privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës “Albetrol”. Një ndër privatizimet më të debatuara duket se ka nxjerrë në udhëkryq qeverinë shqiptare për përzgjedhjen e kompanisë që do të ketë ekskluzivitetin e burimeve të arit të zi për 25 vitet e ardhshme. Si asnjëherë më parë, privatizimi i kësaj kompanie ka tërhequr vëmendjen e tre superfuqive energjetike të botës, Amërikës, Rusisë dhe Kinës, çka do të detyrojë Ministrinë e Ekonomisë të jetë shumë e kujdesshme në përgjedhjen e kompanisë fituese. Ndonëse nevoja për para në këto momente është shumë e madhe, duke pasur parasysh shkurtimit të shpenzimeve, duket se qeveria do të mendohet dy herë, pasi në lojë është edhe pozita gjeopolitike e vendit tonë. Tashmë rusët dhe kinezët kanë shprehur hapur interesin për blerjen e “Albpetrolit” dhe sinjalet nga ana e tyre janë të qarta, por interesi amerikan duket se po mban pezull qeverinë. Ndonëse jo zyrtarisht, SHBA-të kanë zgjedhur mënyra të tërthorta për t’i dërguar sinjale qeverisë shqiptare që të ketë kujdes në përgjedhjen e kompanisë që do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të nëntokës shqiptare. Një fakt që e mbështet këtë interes është edhe vizita e Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, e cila pavarësisht axhendës politike ka lidhje edhe me këtë privatizim. Aktualisht, janë 19 kompani ndërkombëtare dhe vendase do të nisin konkurrimin të premten për tenderin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë për privatizimin e “Albpetrolit”. Burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se, qeveria pret të përfitojë të ardhura të konsiderueshme nga privatizimi i 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjes “Albpetrol” sh.a, deri në 350 milionë euro dhe gara pritet të jetë e fortë. Interesi në rritje nga kompanitë private detyruan ministrinë të shtyjë afatin e mbledhjes së ofertave nga data 26 korrik më datë 7 shtator. Pas dorëzimit të ofertave për blerjen e aksioneve, komisioni i ngritur nga Ministria e Ekonomisë do të vlerësojë ofertuesin më të mirë dhe brenda këtij viti pritet të shpallet fituesi. Me interes do të jenë ofertat e rusëve të Gazprom, kinezëve të GPRO GROUP, kanadëzëve të Bankers Petroleum, si dhe amerikanëve të SILK ROAD EQUITY dhe THOMPSON GLOBAL LP. Pjesë e komisionit vlerësues, por pa të drejtë vote, do të jenë edhe përfaqësues nga firma amerikane konsulente për privatizimin “Pattern Boggs”. Paketa e aksioneve të “Albpetrolit” përfshin të gjitha asetet e ndërmarrjes, lejet dhe licencat për shfrytëzim dhe kërkim deri në një periudhë 25-vjeçare, si edhe të drejtën e blerjes së emrit për të konkurruar në treg.

Interesi

Interesi në rritje nga kompanitë vjen për shkak se, pjesë e paketës është bërë edhe një licencë prodhimi energjie, si dhe transport dhe shfrytëzim të gazit natyror. Nga ana tjetër disa kompani nafte kanë rritur vlerat në bursa për shkak të interesimit të tyre për blerjen e “Albpetrolit”. Një nga tregtarët më të mëdhenj të aksioneve NASDAQ njoftoi për përmirësim të tregtimit të aksioneve të APIC Petroleum Corporation, për shkak të interesit që ajo ka shfaqur për të blerë të gjitha aksionet e linjës së nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Gjithashtu, gazeta ruse “Moscow Time”, në një artikull të madh shkruan “Gazprom go to Albania”. Kompania ruse ka bërë të ditur zyrtarisht interesin e saj për blerjen e “Albpetrolit”. Këmbëngulja ruse për të hyrë në tregun shqiptar ka gjetur hapësirë në shumë media të rajonit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>