Stres-testi, ja sa të rrezikuara janë bankat në Shqipëri

Banka e Shqipërisë monitoron gjendjen
Testet e rezistencës të kryera nga Banka Shqipërisë në kuadrin e raportit të fundit të Stabilitetit Financiar treguan se, në tërësi, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm ndaj goditjeve të forta makroekonomike. Ndjeshmëria është më e lartë në skenarët që parashikojnë ngadalësim të rritjes ekonomike dhe nënçmim të kursit të këmbimit. Sektori dhe banka të veçanta, shfaqin nevojën për kapital shtesë, kryesisht në skenarin e rënduar. Stres-testet ndërtohen mbi dy skenarë, njëri bazë dhe tjetri i rënduar. Skenari bazë mbështetet në parashikimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë mbështetur kryesisht në ecurinë e tyre historike. Skenari i rënduar supozon një situatë më të vështirë, me një probabilitet të ulët ndodhjeje, duke u mbështetur në tre goditje të mundshme në ekonominë shqiptare, në drejtim të ngadalësimit të kreditimit, rritje të normave të interesit dhe nënçmim të monedhës vendase. Skenari bazë për këtë vit parashikon një rritje ekonomike 1.7 për qind, një rritje të portofolit të kredisë me 8.5 për qind, çmim të lehtë të lekut ndaj euros dhe dollarit me 0.9 për qind dhe mosrritje të normave të interesit të tregut. Sipas këtij skenari bazë, përqindja e kredive me probleme në fund të vitit do të jetë rreth 21 për qind, afërsisht në vlerat aktuale. Për vitin e ardhshëm, skenari bazë supozon rritje më të lartë të ekonomisë dhe të portofolit të kredisë, por të shoqëruara edhe një rritje të normave të interesit në tregje dhe një çmim shumë të lehtë të lekut ndaj valutave të huaja. Në këtë rast, përqindja e kredive me probleme do të pësonte një rënie të lehtë nga vlerat e tanishme. Kreditë me probleme do të njihnin rritje domethënëse vetëm në rast të skenarëve të rënduar, të shprehura me rritje të dobët të kredisë apo nënçmim serioz të lekut në kursin e këmbimit, por këto skenarë kanë pak gjasa të ndodhin, të paktën gjatë këtij viti. Nga ana tjetër rezulton se një nga rreziqet që i kanoset sistemit bankar vëren se të tilla janë edhe normat e larta të interesave. Ekspozimi ndaj rrezikut të normave të interesit të kredive me afat maturimi deri në tre muaj arrin në një nivel prej 51 miliardë lekësh ose 5.1% të aktiveve që sjellin të ardhura.

Kreditë e këqija

Pavarësisht masave të marra, niveli i kredive me probleme vazhdon rritjen. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për tremujorin e dytë bëjnë të ditur se raporti i kredive problematike në vend ndaj totalit të huave arriti në 21.7 për qind në fund të muajit qershor, nga 20.1 për qind që ishte në fund të tremujorit të parë 2012, dhe 18.9 për qind, që rezultoi në fund të vitit 2011. Problematike është rritja e huave të dyshimta dhe të humbura. Rritja e kredive me probleme reflekton vështirësitë me të cilat po përballet biznesi shqiptar, që po vuan një krizë likuiditetesh

Fitimi

Pavarësisht nivelit të lartë të kredive me probleme, fitimi i sistemit bankar është rritur 110 për qind në gjashtë muajt e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas statistikave të publikuara nga BSH, rezulton se në vlerë absolute, fitimi i sistemit arriti në 2.36 miliardë lekë në fund të qershorit 2012, nga 1.12 miliardë lekë që ishte në përiudhën përkatëse të një viti më parë. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e uljes së shpenzimeve për provigjionime, pasi të ardhurat neto nga interesat janë rritur vetëm me 2 për qind.

Transfertat

Pavarësisht rritjes së depozitave bankat kanë preferuar që këto para t’i investojnë në bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare, kryesisht jashtë vendit, sesa duke dhënë kredi apo duke financuar borxhin e qeverisë. Rreth 80% e shtesës së aktiveve ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së zërit “marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare”, i cili u shtua me 29.3 mld lekë në fund të qershorit në raport me dhjetorin 2011, nga 38 miliardë lekë që ishte shtesa e aktiveve në total për të njëjtën periudhë.

Rreziku

Kursi i këmbimit valutor është një ndër rreziqet kryesore që ndikon në përkeqësimin e kredive në sistemin bankar. Portofoli i kredive në valutë paraqet një tregues më të lartë të kredive me probleme në nivelin 19.6 për qind krahasuar me portofolin në lekë me 16.9 për qind. Brenda portofolit të kredisë në valutë, të klasifikuar si e pambrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, kredia me probleme zë 18.89 për qind të totalit.

Zgjidhjet

Rritja e depozitave në bankat e nivelit të dytë gjatë dy viteve të fundit u shoqërua me një rritje paksa më të lartë të tepricës së kredisë. Disa nga bankat e sistemit shqiptar kanë të miratuara linja kredie nga bankat mëma, të cilat nuk janë të përdorura dhe evidentohen si zëra jashtë bilancit. Mundësia e përdorimit të këtyre linjave në rast nevoje vlerësohet si një element pozitiv në vlerësimin e situatës së likuiditetit të bankave në fjalë.

Pasiguria

Kriza greke, 400 mln euro në Shqipëri

Kriza greke mendohet të ketë sjellë në vendin tonë rreth 400 milionë euro në gjysmën e parë të këtij viti. Vlerësimin e kanë dhënë ekspertët në sistemin bankar, vendas, nisur nga sasia e parave që kanë dalë nga bankat greke gjatë këtij viti. Gjithashtu, tregues se kjo shumë mund të ketë hyrë në ekonominë shqiptare është edhe hapja e llogarive të reja nga emigrantët ose shtimi i shumave në depozitat që ata kishin të hapura tashmë. Një tregues tjetër është rritja me ritme më shumë se normalja e depozitave në euro këtë vit. Banka Qendrore në Greqi ka bërë të ditur se shuma e tërhequr nga bankat greke dy muajt e fundit ka qenë më shumë se 15 miliardë euro. Nga kjo shumë pjesa më e madhe kanë shkuar në bankat e Zvicrës, Turqi dhe Qipro. Sipas Bankës së Greqisë, vetëm gjatë dy muajve të fundit prej bankave greke janë tërhequr rreth 500 milionë euro në ditë, ose më tepër se 15 miliardë në total, duke ulur depozitat në 155 miliardë euro, çka është niveli më i ulët historik në sistemin bankar grek. Shumica e parave janë dërguar në bankat zvicerane, por dhe në vendet fqinjë, siç janë Turqia, ku vetëm për një javë u dërguan plot 400 milionë euro.

Kërkesa

Shitja në ankand

Interesat e bonove zbresin akoma më shumë

Ankandet e fundit për emetimin e titujve të borxhit publikë konfirmuan parashikimet për një rënie të mëtejshme të interesave. Banka e Shqipërisë dhe ekspertët e tregjeve prisnin një gjysmë të dytë viti me interesa më të ulëta për bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare. Deri tani, parashikimet po përmbushen. Bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan në ankandin e fundit me një normë interesi 6.88%, nga 6.97% që ishte në ankandin e mëparshëm. Që nga mesi i korrikut, interesi i bonove njëvjeçare ka rënë me gjysmë pikë përqindjeje. Të njëjtën prirje po shfaqin edhe interesat e borxhit afatgjatë.

Obligacionet dyvjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan me një interes mesatar 8.2%, duke shënuar rënie për të tretin muaj radhazi. Që nga korriku, interesat e obligacioneve kanë rënë me 0.4 pikë përqindjeje. Kjo fazë e re rëniesh të interesave për letrat e borxhit të qeverisë shqiptare është përcaktuar nga një kombinim i kërkesës më të ulët për financim nga qeveria me një ofertë të shtuar për financim nga bankat. Në gjysmën e dytë të vitit, qeveria ka shtrënguar ndjeshëm rripin për të zvogëluar gropën e deficitit të paparashikuar në buxhet. Paralelisht, edhe oferta e bankave ka gjetur një ekuilibër të ri, disa muaj pas tërheqjes nga tregu i blerësit më të madh, bankës “Raiffeisen”.

Kërkesa për kredi është e dobët dhe tregu i brendshëm ofron pak alternativa investimi, veçanërisht në monedhë vendase, çka ka bërë që bankat të rrisin pjesëmarrjen në tregun e borxhit publik. Në këtë moment, ulja e interesave të titujve të borxhit duhet interpretuar pozitivisht. Ulja shkon në kah të njëjtë me politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë dhe është një hallkë e domosdoshme për transmetimin e plotë të saj. Kjo do të lejojë një ulje të mëtejshme të interesave të kredive për sektorin privat. Përfitues është edhe buxheti i shtetit, që paguan më pak për shërbimin e borxhit. Deficiti i ka kaluar thellësisht parashikimet dhe borxhi publik ka arritur vlerat më të larta prej vitesh. Në këtë situatë, çdo shumë e kursyer për interesat e borxhit, sado e vogël, është mjaft e çmuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>