Skadon afati për plotësimin e formularit A-2. Nis llogaritja e pikëve të maturës
Shpallja e fituesve në universitetet edhe për këtë vit do të realizohet me dy raunde
Dy do të jenë raundet për selektimin e fituesve që do të pranohen në universitetet publike gjatë vitit të ri akademik. Autoritet e Arsimit bëjnë me dije se fituesit e parë, sipas kuotave të miratuara nga qeveria, do të shpallen nëpërmjet pikëve të grumbulluara nga matura dhe përzgjedhjes së degëve të listuara në formularin A-2, plotësimi i të cilit tashmë ka shkuar drejt mbylljes. Praktikat e viteve të shkuara kanë treguar se për shkak të largimit të shumë kandidatëve për studime jashtë vendit pas mbylljes së regjistrimeve të fituesve në raundin parë, mbetet një numër i lartë kuotash të parealizuara. Këto vende bosh do të vihen sërish në dispozicion të maturantëve që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi, duke riçelur garën e pranimeve me anë të formularit A-3. Sikundër ka ndodhur edhe gjatë vitit të shkuar, plotësimi i formularit A-3 do të lejohet edhe për maturantët mbetës në një nga provimet e maturës, por me kushtin që këta maturantë në datat e përcaktuara nga Ministria e Arsimit për sezonin e vjeshtës do të duhet të vlerësohen me nota kaluese. Vetëm më pas do të përfshihen në garën e përzgjedhjes së degëve që do të përmbajë ky formular A-3. Në këtë fazë do të regjistrohen në shkollën e lartë të gjithë ata të rinj që nuk kanë fituar në fazën e mëparshme , por me një dallim vetëm në programet ku kanë mbetur kuota bosh. Autoritetet e arsimit ende nuk bëjnë të ditur datën se kur ky formular do të fillojë të plotësohet apo dhe ndryshimet që ai mund të ketë këtë vit, por e sigurt është që ai do të bëhet publik menjëherë pas shpalljes së fituesve të parë.”Kryesisht me kuotat e mbetura bosh në universitete, MASH ka nxjerr çdo vit urdhrin për plotësimin e formularit A-3. Besoj në të njëjtën mënyrë do të procedohet dhe këtë vit, si në vitet e kaluara”, – ka bërë të ditur kreu i Agjencisë Kombëtare të Pranimeve Alfons Harizaj. Duke iu referuar vendimit të qeverisë për kuotat e mbetura bosh, konfirmohet se formularin A-3 kanë të drejtë ta plotësojnë të gjithë ata të rinj që kanë aplikuar në fazën e parë dhe nuk figurojnë fitues në asnjë program studimi edhe pas mbylljes përfundimtare të regjistrimeve. Megjithatë, vihet në dukje se përmbajtja e formularit A-3 do të ketë në renditje vetëm degë ku ka kuota të paplotësuara gjatë fazave të mëparshme, çka minimizon prezencën e degëve që rezultojnë të kenë kërkesa të larta për studime, veçanërisht ato të universitetit të Tiranës. Gjatë viteve të shkuara ka rezultuar se në A-3 pjesa dërrmuese e përmbajtjes përbëhej nga programet e fakulteteve në rrethe. Gara për pranimet në universitete pitet të jetë e ashpër. Kjo pasi vendimi i qeverisë përcakton se këtë vit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë të regjistrohen si fitues rreth 27 mijë e 647 të rinj.
Nis llogaritja e pikëve për garuesit në universitete
Pas mbledhjes së të dhënave të depozituara në formularin A-2, gjatë ditëve të ardhshme ekspertët në Agjencinë Kombëtare të Provimeve do të përllogaritin sipas formulës tradicionale pikët me të cilat maturantët do të hyjnë në garë për pranimet në universitete. Kandidatët që nuk kanë dorëzuar të plotësuar këtë formular brenda afatit të caktuar humbasin të drejtën për të ndjekur shkollën e lartë gjatë vitit të ri akademik 2012-2013, i cili inicion në muajin tetor. Sipas përcaktimeve të bëra, pritet që shpallja e këtyre pikëve të bëhet në mesin e muajit gusht. Në këto kushte, maturantët apo kandidatët e tjerë do të kenë mundësi që të shohin rezultate e llogaritura para se të bëhet renditja përfundimtare e fituesve që do të pranohen në çdo program studimi publik sipas kuotave të miratuara nga qeveria. Duke iu referuar afateve të përcaktuara në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, shpallja e rezultateve për fituesit e raundit të parë do të bëhet më 13 shtator. Njëkohësisht në këtë udhëzim janë përcaktuar edhe datat që maturantët do të duhet të respektojnë për regjistrimet paraprake dhe ato përfundimtare në programet ku shpallen fitues.