Bisedë me aktoren e njohur shqiptaro-amerikane, e cila po përgatit një film për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë
Nga Skifter Këlliçi
Boston,SHBA
Jo rrallë, unë, gruaja ime, Natasha, ish-gazetare në Radio Tirana dhe djali im, Maldi,muzikant, diplomuar në kolegjin e famshëm “Berlki” në Boston, fundjavën e kalojmë së bashku me shqiptarë të tjerë në kafe-restorantin “Alba”, të biznesmenit shkodran Leonard Keka, i njohur si dashamirës i artit, kulturës dhe sportit,që ndodhet në Kuinci,qytet pranë Bostonit.
Kështu vepruam edhe këto ditë. Por këtë radhë ata të dy më kishin përgatitur një të papritur shumë të këndshme. Sapo u ngjitëm në katin e dytë, në tarracë, ku kishte plot njerëz, ndër të cilët më shumë shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë,u ndodha përballë një vajze të këndshme, shtatlartë, rreth të tridhjetave, të rrethuar nga disa fotoreporterë. Në çast m’u duk fytyrë e njohur dhe pastaj nga mënyra se si fliste, si buzëqeshte, u kujtova se ndodhesha para aktores së njohur amerikane me origjinë shqiptare, Eliza Dushku.
Gjatë atyre muajve isha rrekur të gjeja në ‘google’ të pakten një adresë të saj, një numër telefoni dhe ja ajo, si e rënë nga qielli, ndodhej jo shumë larg meje. Nuhatja prej gazetari më bëri të përgatitesha që të gjeja rastin sa më të parë për të sulmuar “këtë gjah të rrallë”, por nuk qe nevoja, sepse si djali ashtu edhe gruaja, pasi iu afruan asaj, i bënë shenjë nga unë.
Ja pra, e papritura e kësaj fundjave: takimi me Eliza Dushkun pas njoftimit të saj nëpër rrjete interneti se ajo përgatitej të realizonte një film dokumentar kushtuar Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Atëherë i befasuar iu drejtova, i shtrëngova dorën dhe ashtu siç kisha përfytyruar, iu luta që, meqënëse isha jo vetëm gazetar, por edhe shkrimtar, të më kushtonte disa minuta. Ajo pranoi me kënaqësi.
Dhe këtu filloi pjesa e dytë e kësaj të papriture: Nga një çantë e bukur kartoni gruaja nxori tri kopje te romaneve të mia të botuara vitet e fundit: “Dashuri e gdhendur në shkëmb” me temë ilire, mbi motivet e një tregimi të mahnitëshëm të shkrimtarit me origjinë çame, Bilal Xhaferi, vdekur më 1987 në Amerikë, “Shtatori i gjëmës së madhe”, kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit të vitit 2001, ku ndër 3000 viktima qenë edhe tre shqiptarë, personazhe të këtij romani, dhe “Atentat në Paris”, ribotim me ripunime, kushtuar aktit heroik të Avni Rustemit që me dy të shtëna vrau më 1920 në Paris tradhtarin Esat Toptani.
Natyrisht m’u desh që aty për aty të vija në shenjë kujtimi autografin tim në të tri kopjet e romaneve të mësipërme dhe t’ia dhuroja asaj. Eliza u gëzua kaq shumë për këtë dhuratë,sa më përqafoi me mirënjohje.
Pastaj kur tregova shkurtimisht përmbajten e këtyre romaneve, ajo mbeti e habitur.”Më vjen shumë keq,-më shpjegoi,-që di shumë- shumë pak shqip,sepse do të kisha dëshirë t’i lexoja. Por,sidoqoftë, kam filluar të mësoj.”
Nuk dua të zgjatem me jetëshkrimin e Eliza Dushkut, që pak a shumë njihet në Shqipëri,por, megjithatë, e ndjej të nevojshme të nënvizoj se ajo ka lindur në Uotertaun të Bostonit, se ka filluar të interpretojë në filma që e mitur, se që ateherë ka tërhequr vëmendjen e kineastëve, duke luajtur krahas aktorëvë me famë botërore Robert Ne Niro,Elen Barkin,Arnold Shvarceneger, Leonardo Di Karpio, Xhejms Belushi,edhe ky siç dihet me origjinë shqiptare, etj.
Më shumë se 20 filma, nga të cilët 12 televizivë, me shumë seri, përveç roleve edhe në videolojëra, ky është bilanci i deritanishëm i Eliza Dushkut në kinematografi. Këtyre duhet t’u shtojmë dhe disa çmime prestigjoze që i janë dhënë nga juri të ndryshme për interpetimin në filma amerikanë, ku përfshihet edhe vlerësimi i revistës së madhe amerikane “Maxim”, e cila në një anketë në vitin 2009 e rendiste atë në vendin e gjashtë ndër 100 femrat më të shquara të Amerikës.
Eliza Dushku bashkëjeton në qytetin Laurel Kanion pranë Los Anxhelosit, së bashku me Rik Foksin, ish-basketbollist i njohur i NBA-së dhe sot aktor si Eliza dhe vëllanë e saj, Nete. Kurse babai, Filipi që ndodhej edhe ai në këtë takim së bashku me dy djemtë e tjerë, Aaron dhe Ben, jeton në Boston, ashtu si dhe nëna, me origjinë daneze.
Ndërkohë që Natasha, si gazetare po i shprehte Elizës disa mendime rreth përgatitjes së dokumentarit të ardhshëm, këtë radhë, në rolin e gazetarit sportive, shfrytëzova rastin të bisedoja edhe me Rik Foksin, aq me tepër që kisha lexuar për të në shtypin sportiv që e cilësonte si një nga basketbollistët më të mirë amerikanë. Për me tepër e kisha parë edhe vetë në ndeshjet e NBA-së, pra të Ligës së Basketbollit Profesionist, të transmetura nga rrjetet televizive amerikane.
Së pari, pjesëtar i ekipit të Bostonit dhe pastaj të Los Anxhelosit, tri herë kampion i i Amerikës në vitet 2001 deri 2005, kur në moshën 35-vjeçare e kishte ndërprerë karrierën sportive, Rik Foksi ishte futur jo pa sukses në botën kinematografike, sidomos televizive, që e vazhdon me sukses edhe tani në filma serialë.
Duke vënë re që po shihte me kureshtje mbulesën e romanit “Shtatori i gjëmës së madhe”,i shpjegova shkurtimisht përmbajtjen e tij, aq më tepër që si punonjës në Aeroportin Ndërkombëtar “Logan” të Bostonit, në atë kohë isha njohur edhe më hollësisht me shkaqet që sollën këtë tragjedi, e cila mund të ishte mënjanuar, aq më tepër kur pesë terroristët islamikë kishin kaluar në pikën e kontrollit, ku kisha punuar së bashku me gruan time, Natashën. Më dëgjoi me vëmendje.
Pastaj biseda me Elizën u përqendrua te Shqipëria, te vizita e parë e saj më 2006 në Tiranë, vise të tjera shqiptare, më pas në Kosovë e pastaj tek tatuazhi me simbolin e shqipes në kurriz, si kujtim i këtyre vizitave të pashlyeshme në viset e tokës amë.
Ishte kjo arsyeja që më 2011, siç dihet, ajo bëri një vizitë të dytë në Shqipëri, ku u prit nga kryeministri Berisha dhe iu dha titulli “Qytetare Nderi” nga Lulzim Basha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, titull që iu dha pastaj edhe nga Bashkia e Korçës, qyteti i gjyshërve të saj. Ajo më foli edhe për endjet e këndshme të saj në qytete e krahina të tjera, ku nisi të perceptonte projektin për të realizuar një film dokumentar për Shqipërinë.
Prandaj nëpërmjet linkut të saj, ajo gjatë këtyre javëve të fundit ka përcjellë në facebook një intervistë prekëse, ku flet me admirim për Shqipërinë dhe krenohet me origjinën e saj shqiptare. Në të ajo kërkon edhe sponsorizimin për të realizuar një film sa më të denjë për atdheun tonë. Brenda tri javësh në adresë të saj shqiptarët kanë dërguar me mjëra dollarë si ndihmë për realizimin sa më të mirë të këtij filmi.
Ishte, veç të tjerash, edhe kjo arsyeja që me nismën e djalit tim, Maldi, por siç thashë më sipër, pa dijeninë time, ajo u ftuan në kafe-restorantin e bizmensmenit Leonard Keka, ku u prit ngrohësisht nga plot shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë, familjarë të saj, ndër të cilët dhe babai Filip Dushku.
Erdhi një çast që ajo u ngrit, falenderoi pjesëmarrësit dhe pastaj dikush, ndërsa ajo po kërcentë nën tingujt e një valleje popullore shqiptare, i hodhi në supe flamurin tonë kombëtar që gjatë rrotullimeve të saj plot shkathësi u valëvit nën dritat larushitëse mbi tarracën e këtij kafe-restoranti ku bëhej kjo mbrëmje.
Erdhi çasti kur në një ekran të madh u shfaqën sekuenca të xhirimeve që Eliza Dushku kishte xhiruar gjatë vizitës që kishte bërë në Shqipëri gjatë vitit të kaluar.
E pamë atë në Tiranë, në Korçë, në Berat, në qytetin e një mbi një dritareve, në Sarandë, në Gjirokastër, në Prishtinë, në Tetovë. E pamë kudo duke kaluar në viset amtare, duke u takuar me mall dhe dashuri me shqiptarë e shqiptare të të gjitha moshave.
U njohëm kështu me një mozaik pamjesh nga Shqipëria, një parathënie e dokumentarit që ajo do të përgatisë, një grishje për të nxitur kurreshtjen tonë, për të parë në ekran një vepër artistike që do të realizohet me sytë dhe mendjen e një artisteje që krenohet se është shqiptare, si babai i saj, Filipi, me të cilin pata rast të bisedoja më pas.
Ndërsa shihte pamje të prologut të dokumentarit të ardhshëm, Filipi më tha se krenohej me të bijën, e cila edhe pse e lindur dhe e rritur në Amerikë, shprehet me mburrje se ka shpirt dhe zemër shqiptareje.