Rreth 360 mijë qytetarët preken nga ndryshimet e reja të ligjit
Ja procedura si do bëhet deklarimi. Kush përfiton rimbursim
Hyn në fuqi ligji për deklarimin e të ardhurave prsonale. Ditën e djeshme janë botuar në Fletoren Zyrtare ndryshimet e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të cilat parashikojnë nënshkrimin e deklaratave personale në vit nga rreth 360 mijë individë, të cilët nga muaji shtator do të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet e vitit 2012. Me deklarimin e shumës së të ardhurave të qytetarëve synohet taksimi me 10 për qind i diferencës ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, por individët që kanë të ardhura më të ulëta se kufijtë ligjorë mund të përfitojnë rimbursim. Ligji për deklarimin e të ardhurave parashikon që kufiri për këtë proces të rritet nga 200 mijë lekë në 2 milionë. Deklarimi bëhet i detyrueshëm vetëm për individët që realizojnë të ardhura vjetore bruto të barabarta ose më të larta se 2 milionë lekë. Rritet nga 800 mijë në 1 milion e 50 mijë lekë kufiri i të ardhurave vjetore të deklaruesve që përfitojnë nga shpenzimet e zbritshme. Ndryshimet konsistojnë edhe në shtimin e kategorisë së deklaruesve tatimpagues, individë rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme jashtë territorit, si dhe për ata jorezidentë që realizojnë të ardhura të tatueshme brenda territorit. Pjesë e këtij ligji do të jenë edhe të ardhurat e tjera që vijnë nga burime të tjera, nga shitja e një shtëpie, objekti, trualli, fitimi i një shume në kazino apo dhe parave që më parë s’i ke deklaruar. Sipas ndryshimeve të ardhura të tatueshme për qëllim të tatimit mbi të ardhurat personale, përfshihen të ardhurat në formë monetare që shkojnë për shtimin e kapitalit të shoqërisë, nga individë me burim të ndryshëm të të ardhurave (nga jashtë shoqërisë), nëse këta individë nuk janë tatuar më parë, për këto të ardhura, ndërkohë që kanë qenë e janë objekt i tatimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale. Lidhur me origjinën se nga janë krijuar të ardhurat në formë monetare, që shkojnë për rritjen e kapitalit të shoqërisë nga individi investues, duhet të paraqitet në organin tatimor një deklarim lidhur me origjinën e të ardhurave personale. Ky deklarim duhet të paraqitet jo më vonë se data e derdhjes së të ardhurave për shtimin e kapitalit të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Në këtë deklarim duhet përshkruar me hollësi origjina dhe burimi i këtyre të ardhurave. Bashkëngjitur me këtë deklarim, duhet të vendoset dokumentacioni plotësues zyrtar që vërteton vlerën e këtyre të ardhurave dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale, përpara se këto të ardhura të investohen për shtimin e kapitalit të shoqërisë. Nëse ky dokumentacion mungon ose nuk vërteton, që për vlerën e plotë të të ardhurave të kontribuara është paguar tatimi mbi të ardhurat personale, mbi këtë vlerë të të ardhurave duhet të paguhet tatimi mbi të ardhurat në masën 10%. Ky tatim do të paguhet në të njëjtën datë që individi do të paguajë të ardhurën monetare për shtimin e kapitalit të shoqërisë pranë QKR-së. Pagesa e tatimit mbi të ardhurën për kontributin në kapitalin e shoqërisë duhet të derdhet nga individi kontribuues, në llogarinë bankare të Drejtorisë rajonale Tatimore, ku shoqëria është e regjistruar, me përshkrimin në dokumentin bankar të pagesës. Ndërkohë, do të mbahet tatim edhe për fitimin në kazino. Sipas këtij udhëzimi, mbajtja e tatimit në burim për të ardhurat që realizojnë individët nga lojërat e fatit dhe kazinotë në zbatim të shkronjës “f” të nenit 33/1 të ligjit, organizatorët e lojërave të fatit u mbajnë tatim në burim për të ardhurat që realizojnë individët nga lojërat e fatit dhe kazinotë. Në rastet e të ardhurave të realizuara nga pjesëmarrjet në lojërat e fatit, të tilla si: bastet, bastet online, bingo tradicionale dhe televizive, lotari kombëtare, tatimi në burim llogaritet dhe mbahet nga organizatori i licencuar në organizimin e të tilla lojërave, mbi shumën bruto të fituar. Shuma bruto, mbi të cilin llogaritet tatimi në burim, është diferenca midis fitimit të lojtarit me shumën e paguar për biletën ose diferenca midis fitimit të lojtarit me shumën e vënë bast.
PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 5, DATË 30.6.2006
“PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në zbatim të nenit 40 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, Ministri i Financave
UDHËZON:
Në udhëzimin nr. 5, datë 30.6.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 1.3 zëvendësohet me përmbajtje si më poshtë vijon:
“1.3 REZIDENCA
1.3.1 Në paragrafin e parë të pikës 1 të nenit 3 të ligjit, jepet kriteri i vendbanimit të përhershëm, sipas përcaktimit në nenin 12 të Kodit Civil. Individi konsiderohet rezident shqiptar për qëllime tatimore, kur ka një banesë të përhershme, ka familjen, pra ka interesa jetësorë dhe ekonomikë në Shqipëri (vendi i interesave jetikë), pavarësisht se mund të punojë në periudha të ndryshme jashtë vendit apo mund të ketë nënshtetësi të huaj.
1.3.2 Paragrafi i dytë i pikës 1 të nenit 3 të ligjit përcakton rezidencën e funksionarit konsullor, diplomatik ose të ngjashëm, të caktuar me punë nga shteti në ambasada, konsullata apo në organizma ndërkombëtarë jashtë vendit, të cilët konsiderohen rezidentë tatimorë shqiptarë edhe pse jetojnë me vite jashtë Shqipërisë.
1.3.3 Në pikën 2 të nenit 3 të ligjit jepet kriteri i kohës së qëndrimit në Shqipëri. Pra konsiderohet rezident shqiptar për qëllime tatimore, individi i cili qëndron në Shqipëri gjatë një viti tatimor, në vazhdim ose me ndërprerje, në total, më tepër se 183 ditë, pavarësisht nga shtetësia apo vendi ku ka interesat jetikë. Në llogaritjen e kohës së qëndrimit në Shqipëri përfshihen ditët e prezencës fizike, pra jo vetëm ditët e punës por edhe ditët e mbërritjes, largimit, pushimet. Konsiderohet rezident tatimor shqiptar çdo individ që plotëson njërin ose të dyja kriteret e sipërpërmendura (kriterin e vendbanimit dhe kriterin e kohës së qëndrimit).
1.3.4 Në pikën 3 të nenit 3 të ligjit, jepen kriteret e përcaktimit të rezidencës tatimore për personat juridikë. Një person juridik konsiderohet rezident tatimor shqiptar nëse:
i) ka selinë qendrore (zyrën qendrore) në Republikën e Shqipërisë; dhe/ose
ii) ka vendin e menaxhimit (drejtimit) efektiv të biznesit në Republikën e Shqipërisë.
1.3.5 Në pikën 4 të nenit 3 të ligjit jepet kriteri i përcaktimit të rezidencës tatimore për personat fizikë tregtarë. Një person fizik konsiderohet rezident tatimor shqiptar kur ushtron biznesin dhe regjistrohet si person fizik tregtar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
1.3.6 Përcaktimi i rezidencës tatimore ka rëndësi, pasi në bazë të paragrafit 1 të nenit 7 dhe paragrafit 1 të nenit 17 të ligjit, personat rezidentë tatimorë shqiptarë tatohen në Shqipëri për të gjitha të ardhurat e realizuara në shkallë botërore (të ardhurat me burim në Shqipëri dhe jashtë saj), ndërsa personat jorezidentë, në bazë të paragrafit 2 të nenit 7 dhe paragrafit 2 të nenit 17, tatohen në Shqipëri vetëm për të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë.
1.3.7 Duhet pasur parasysh që për personat që janë rezidentë në vendet me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal dhe këto marrëveshje kanë hyrë në fuqi, do të zbatohen dispozitat e këtyre marrëveshjeve.
1.3.8 Organi tatimor pas paraqitjes së kërkesës me shkrim, pajis rezidentin (individ, person fizik apo juridik) në Republikën e Shqipërisë me certifikatën e rezidencës, sipas modeleve bashkëlidhur këtij udhëzimi. Rezidenti individ pajiset me certifikatën e rezidencës sipas modelit R/I nr. 1 dhe rezidenti person fizik apo juridik pajiset me certifikatën e rezidencës sipas modelit R/I nr. 2 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.”.
2. Pika 2.3.10 zëvendësohet me përmbajtje si më poshtë vijon:
“2.3.10 Në germën “h”, të nenit 8 “Të ardhura të tatueshme” të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, në të ardhura të tatueshme për qëllim të tatimit mbi të ardhurat personale, përfshihen të ardhurat e individëve, në formë monetare që shkojnë për shtimin e kapitalit të shoqërisë, të përfituara nga jashtë shoqërisë. Nëse këto të ardhura të individëve nuk janë tatuar më parë, ndërkohë që kanë qenë e janë objekt i tatimit dhe pagesës së tatimit mbi të ardhurat personale, për këto të ardhura paguhet tatimi në masën 10%. Lidhur me origjinën e krijimit të të ardhurave në formë monetare, që shkojnë për rritjen e kapitalit të shoqërisë nga individi investues, duhet të paraqitet në organin tatimor një deklarim lidhur me origjinën e të ardhurave personale. Ky deklarim duhet të paraqitet sipas formularit 1 “Deklarimi i individit kontribues në shtimin e kapitalit në formë monetare nga jashtë shoqërisë”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi si pjesë përbërëse e tij, jo më vonë se data e derdhjes së të ardhurave për shtimin e kapitalit të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Për individët e huaj ky deklarim duhet të paraqitet sipas formularit 2 “Deklarimi i individit kontribues të huaj në shtimin e kapitalit në formë monetare nga jashtë shoqërisë”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi si pjesë përbërëse e tij. Bazuar në ligjin për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtë të emërojnë me prokurë, një person, i cili e përfaqëson atë në raport me administratën tatimore, në rastet e pamundësisë për t’u paraqitur për kryerjen e veprimeve të mësipërme.
Në këtë deklarim duhet përshkruar burimi i këtyre të ardhurave. Bashkëngjitur me këtë deklarim, duhet të vendoset dokumentacioni plotësues zyrtar që vërteton shumën e këtyre të ardhurave dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat personale, përpara se këto të ardhura të investohen për shtimin e kapitalit të shoqërisë. Nëse ky dokumentacion mungon ose nuk vërteton, që për vlerën e plotë të të ardhurave të kontribuara është paguar tatimi mbi të ardhurat personale, mbi këtë vlerë të të ardhurave duhet të paguhet tatimi mbi të ardhurat në masën 10%. Ky tatim do të paguhet në të njëjtën datë që individi do të deklarojë të ardhurën monetare për shtimin e kapitalit të shoqërisë pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Pagesa e tatimit mbi të ardhurën për kontributin në kapitalin e shoqërisë duhet të derdhet nga individi kontribues, në llogarinë bankare të Drejtorisë Rajonale Tatimore, ku shoqëria është e regjistruar, me përshkrimin në dokumentin bankar të pagesës:
Derdhur tatim mbi të ardhurat për shtimin e kapitalit të shoqërisë ____________________.
Shembull
Të ardhurat në formën monetare që do të shkojnë për shtimin e kapitalit të shoqërisë, në shumën 10,000,000 lekë janë përfituar nga shitja e një pasurie të patundshme, si dhe nga kursime personale të një individi. Individi duhet të deklarojë origjinën e të ardhurave personale të kësaj shume e cila do të shkojë për shtimin e kapitalit të shoqërisë “X”, si më poshtë:
a) nga shitja e pasurisë së patundshme (shitja e një apartamenti) në shumën 5,000,000 lekë;
b) të ardhura nga punësimi në shumën 2,000,000 lekë për “Z” vite, sipas legjislacionit në fuqi;
c) të ardhura të tjera të padokumentuara për shumën 3,000,000 lekë.
Në lidhje me këto të ardhura të cilat shkojnë për rritjen e kapitalit individi tatimpagues duhet të shoqërojë deklaratën me dokumentacionin si më poshtë:
a) vërtetim nga hipoteka për shitjen e apartamentit dhe vlerën e përfituar të shitjes (pa tatimin e mbajtur);
b) fotokopje të noterizuar të librezës së punës për vitet që individi ka punuar dhe ka përfituar këto të ardhura;
c) dokumente të tjera vërtetuese për justifikimin e origjinës së të ardhurave:
Nëse për vlerën 3,000,000 lekë nuk disponohet dokumentacion lidhur me origjinën dhe nuk ka dokumentacion që vërteton pagesën e tatimit mbi këto të ardhura, duhet të bëhet pagesa e tatimit mbi të ardhurat në masën 10%, mbi shumën 3,000,000 lekë, e barabartë me 300,000 lekë.
Dokumentacioni i mësipërm dorëzohet në drejtorinë rajonale tatimore nga individi së bashku me dokumentin e pagesës së tatimit.
Drejtoria rajonale tatimore, me marrjen e dokumentacionit të mësipërm dhe një kopje të mandatpagesës së tatimit, pajis individin me vërtetim sipas formularit 3 “Vërtetim i drejtorisë rajonale tatimore mbi të dhënat e deklaruara nga individi kontribues në shtimin e kapitalit në formë monetare nga jashtë shoqërisë”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi si pjesë përbërëse e tij, ku konfirmohen të dhënat e deklarimit.
Këtë vërtetim së bashku me kopjet e dokumentacionit të paraqitur në drejtorinë rajonale tatimore, individi ia dorëzon shoqërisë e cila ia bashkëlidh kërkesës për aplikim në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për zmadhim e kapitalit. Mungesa e tij e bën aplikimin të pavlefshëm dhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit nuk procedon për regjistrimin e zmadhimit të kapitalit të shoqërisë.
Procedura e mësipërme për rritjen e kapitalit zbatohet për të ardhurat me burim brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.”.
3. Pika 2.8 zëvendësohet me përmbajtje si më poshtë vijon:
“2.8. DEKLARATA INDIVIDUALE VJETORE E TË ARDHURAVE
2.8.1 Detyrimi për dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave e kanë të gjithë individët rezidentë në Republikën e Shqipërisë për të ardhurat vjetore totale bruto të realizuara brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Detyrimin për deklarim e kanë edhe individët jorezidentë vetëm për të ardhurat e tatueshme të realizuara prej tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë kur këto të ardhura bruto janë në shumën 2,000,000 lekë dhe mbi këtë shumë. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave dorëzohet në drejtorinë rajonale tatimore më të afërt me vendbanimin e individit.
2.8.1.1 Dorëzimi i deklaratës individuale vjetore bëhet jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi. Përjashtimisht, nga ky afat vetëm për vitin tatimor 2011, deklarata dorëzohet deri në datën 30 shtator 2012.
2.8.1.2 Deklarata individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal të letërnjoftimit të individit, i cili shërben si kod fiskal. Numri i identifikimit personal i letërnjoftimit shërben si kod fiskal edhe për individët jorezidentë.
2.8.1.3 Nëse individët rezidentë realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumën më pak se 2 milionë lekë, nuk kanë detyrim për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave. Nëse individët jorezidentë realizojnë të ardhura bruto vjetore me burim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në shumën më pak se 2 milionë lekë, nuk kanë detyrim për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave.
2.8.1.4 Deklarata e të ardhurave individuale vjetore mund të plotësohet edhe nga individët të cilët nuk kanë detyrimin ligjor për të plotësuar dhe dorëzuar deklaratën, nëse këta individë duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme e parashikuar në ligj, kur plotësojnë kushtet e përfitimit të zbritjes së shpenzimeve.
2.8.2 TË DHËNAT QË DUHET TË PËRMBAJË DEKLARATA VJETORE E TË ARDHURAVE
2.8.2.1 Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga individi që mbart detyrimin për të deklaruar. Bashkëngjitur këtij udhëzimi, si pjesë përbërëse e tij janë “Deklarata individuale vjetore e të ardhurave të individëve shqiptarë”(formulari/D1), rezidentë dhe jorezidentë“Deklarata individuale vjetore e të ardhurave, të individëve të huaj” (formulari/D1), rezidentë dhe jorezidentë dhe formulari i pagesës së tatimit mbi të ardhurat individuale vjetore, sipas përcaktimit të bërë në pikën 2 të nenit 13/7 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Deklaratat shoqërohen me udhëzuesit për plotësimin e çdo rubrike të saj nga individi deklarues.
2.8.2.2 Në rast të plotësimit të gabuar të deklaratës, individi mund të korrigjojë deklaratën, duke plotësuar një deklaratë të re, duke vendosur shenjën “X” në kutinë përkatëse (deklaratë korrigjuese), brenda tre muajve nga data e dorëzimit të deklaratës së parë. Individi tatimpagues deklarues ka të drejtën e korrigjimit për saktësim të deklaratës së dorëzuar prej tij deri në dy herë pa u penalizuar, brenda tre muajve nga dorëzimi i deklaratës. Në rast të një korrigjimi tjetër të tij, pas atij të dytë, brenda afatit tremujor nga dorëzimi i deklaratës fillestare ndaj individit tatimpagues deklarues zbatohen sanksionet e përcaktuara në nenin 115 “Plotësimi i pasaktë i deklaratës tatimore dhe kërkesa e pasaktë për rimbursim” të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2.8.2.3 Mund të bëjnë deklarim edhe individët tatimpagues, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit, sipas pikës 4 të nenit 13 të ligjit, por duan të plotësojnë deklaratën në bazë të pikës 5 të nenit 13 dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1,050,000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit), por jo më të lartë se kjo shumë.
Në rastin e bashkëshortëve, me të ardhura totale vjetore bruto të secilit prej tyre deri në shumën 1,050,000 lekësh, për përfitimin e shpenzimeve të zbritshme, deklarata mund të plotësohet vetëm nga kryefamiljari.
Në rastin e bashkëshortëve me të ardhura vjetore bruto të kryefamiljarit që e tejkalojnë limitin prej 1,050,000 lekë, dhe të ardhura vjetore bruto të bashkëshortes deri në shumën 1,050,000 lekë, deklarata për përfitim nga shpenzimet e zbritshme mund të plotësohet vetëm nga bashkëshortja.
Në rast se të ardhurat vjetore bruto të kryefamiljarit tejkalojnë shumën prej 2,000,000 lekësh dhe në bazë të ligjit kryefamiljari ka detyrim për plotësimin e deklaratës vjetore të të ardhurave personale, por jo të përfitojë nga shpenzimet e zbritshme dhe bashkëshortja e tij ka totalin e të ardhurave vjetore bruto më të vogla se 1,050,000 lekë, atëherë kjo e fundit nuk mund të përfitojë nga e drejta e plotësimit të deklaratës për efekt të shpenzimeve të zbritshme.
2.8.3 TË DHËNAT PËR TË ARDHURAT BRUTO
Të dhënat në lidhje me të ardhurat bruto janë të përcaktuara në nenin 13/2 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Këto të dhëna, si për individët shqiptarë edhe për individët e huaj, janë pasqyruar të detajuara në deklaratat individuale vjetore të të ardhurave bashkëlidhur këtij udhëzimi.
2.8.4 SHPENZIME TË ZBRITSHME
2.8.4.1 Tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit, sipas pikës 4 të nenit 13 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, por duan të plotësojnë deklaratën në bazë të pikës 5 të nenit 13 të këtij ligji dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1,050,000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave), por jo më të lartë se kjo shumë, mund të jenë subjekte deklaruese. Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme të këtyre individëve që plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, sipas pikës 5 të nenit 13 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, janë shpenzime të zbritshme, shpenzimet e mëposhtme:
a) kontributet vullnetare në fondin e pensionit vullnetar dhe kontributet vullnetare të individit për jetën dhe shëndetin, të derdhura nga vetë individi. Kufiri maksimal i shpenzimeve, i njohur për kontributet vjetore, është kufiri i përcaktuar në ligjin nr. 10 197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”;
b) shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari;
c) shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Shuma e shpenzimeve të zbritshme nuk duhet të jetë më e madhe sesa shuma e të ardhurave bruto të tatueshme vjetore.
Në rast të plotësimit të deklaratës nga individi (jokryefamiljar), shpenzimet vjetore për mjekim, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë, vetëm për individin deklarues.
Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, bazuar në pikën 3 të nenit 13/1 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32,000 lekë, shuma këto të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Rasti kur deklarata vjetore individuale e të ardhurave plotësohet prej kryefamiljarit, duke përfshirë në të edhe personat nën kujdestari të cilët nuk krijojnë të ardhura, ilustrohet nëpërmjet shembullit të mëposhtëm:
Shembull. Në një familje të përbërë nga kryefamiljari, bashkëshortja dhe 3 fëmijët, kryefamiljari ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej në shumën 700,000 lekë, bashkëshortja ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej në shumën 600,000 lekë, ndërsa fëmijët nuk kanë të ardhura individuale. Gjatë vitit 2011 kryefamiljari ka marrë kredi në bankë për shkollim për fëmijët. Interesat e kredisë për shkollim gjatë vitit 2011 janë në shumën 100,000 lekë.
Në zbatim të nenit 13 të ligjit, asnjë nga familja, as kryefamiljari e as bashkëshortja nuk kanë detyrim për plotësimin e deklaratës vjetore të të ardhurave individuale, sepse asnjëri prej tyre nuk përmbush kriterin e të ardhurave vjetore bruto mbi shumën prej 2,000,000 lekësh.
Në bazë të nenit 13.3 të ligjit, sipas shpjegimit të dhënë në këtë udhëzim, kryefamiljari mund të plotësojë deklaratën për përfitim nga shpenzimet e zbritshme. Meqenëse kryefamiljari për periudhën tatimore ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej 700,000 lekë (pra më pak se kufiri 1,050,000 lekë), ka të drejtën të përfitojë nga njohja e shpenzimeve të zbritshme të përcaktuara në nenin 13/3 të ligjit dhe në rastin konkret përfiton nga njohja e shpenzimeve të zbritshme për interesat e kredisë në shumën 100,000 lekë. Në çdo rast shuma e shpenzimeve të zbritshme nuk duhet të jetë më e madhe se shuma e të ardhurave të tatueshme.
Për fëmijët, meqenëse nuk kanë realizuar të ardhura (sipas shembullit), ata duhet të deklarohen në deklaratën e kryefamiljarit, duke plotësuar rubrikën përkatëse “Persona në kujdestari të deklaruesit”, të seksionit A të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave me të njëjtin numër 3 (tre), sipas modelit të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave bashkëlidhur këtij udhëzimi.
2.8.4.2 Personat jorezidentë nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, të parashikuara në pikën 1 të nenit 13/3 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat.
2.8.5 SHKALLA TATIMORE
Shkalla tatimore e aplikueshme mbi të ardhurat e tatueshme të individit tatimpagues është 10 për qind.
2.8.6 MBAJTJA E DOKUMENTACIONIT
2.8.6.1 Për çdo të ardhur të deklaruar në deklaratën individuale vjetore të të ardhurave, individi tatimpagues në rast të një kërkese nga organit tatimor, duhet t’i paraqesë të këtij të fundit, dokumentacionin, si më poshtë:
a) për të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, vërtetim nga punëdhënësi mbi të ardhurat vjetore dhe tatimet e mbajtura mbi pagën;
b) për fitimin nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit të vogël, që rezulton nga deklarata e të ardhurave personale të biznesit të vogël për të vetëpunësuarit, kopje të deklaratës vjetore tatimore, sipas nenit 12/6 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe mandatpagesën e tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi i vogël c) për të ardhurat bruto nga dividendi për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit, kopje të vendimit të asamblesë së ortakëve apo aksionarëve për miratimin e rezultatit financiar dhe destinimin e fitimit, ku specifikohet dividendi i shpërndarë dhe kopje të mandatpagesës së bërë të tatimit mbi dividendin nga personi juridik;
d) për të ardhurat bruto nga qiraja kopje të kontratës së qirasë dhe të dokumentit që vërteton pagesën e tatimit mbi të ardhurat nga qiraja;
dh) për të ardhurat bruto dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit, një kopje të kontratës dhe të dokumentit që vërteton pagesën e tatimit mbi fitimin kapital nga shitja e pasurisë së paluajtshme;
e) për të ardhurat bruto nga interesat bankarë, dokumentin bankar që vërteton këto të ardhura;
f) për fitimin kapital neto, të krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme, kopje të kontratës së investimit dhe mandatpagesës së tatimit;
g) për shumat bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit, kopje të vërtetimit të organizatorit të lojërave të fatit apo lotarisë, për fitimin e shumës së fituar të parave dhe kopje të mandatpagesës nga organizatori të tatimit në burim, si diferencë midis shumës së fituar dhe shumës së luajtur nga lojtari;
h) për të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, kopje të licencave/lejeve dhe mandatpagesës së tatimit në burim;
i) për fitimin kapital nga dhurimi, kopje të dokumenteve vërtetuese për justifikimin e origjinës së të ardhurave dhe mandatpagesës së tatimit të paguar;
j) të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, çdo dokument vërtetues për justifikimin e origjinës së të ardhurave dhe tatimit të paguar;
k) për të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart, çdo dokument që justifikon realizimin e të ardhurave.
2.8.6.2 Dokumentet që duhet të ruhen nga individi tatimpagues për të provuar shpenzimet e deklaruara prej tij dhe që duhet të paraqiten në çdo kohë kur kërkohet nga organi tatimor janë si më poshtë:
a) për pjesën e shpenzimeve për kontributet vullnetare të pensioneve dhe kontributet vullnetare të individit për jetën dhe shëndetin, të derdhura nga vetë individi, sipas përcaktimeve në ligjin për fondet e pensionit vullnetar, kopje të kontratës së fondit të pensionit me shoqërinë administruese dhe kopje të pagesave të bëra;
b) për shumat e interesit bankar të kredisë të marra për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, kopje të kontratës me bankën, ku të jetë e specifikuar se kredia e marrë është për shkollim, si dhe kopje të mandatpagesave të interesave bankarë të paguar gjatë vitit;
c) për justifikimin e shpenzimeve të zbritshme për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, kopje të faturave dhe të mandatpagesave të bëra për mjekim në institucionet shëndetësore deri në shumën e përcaktuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 94, datë 9.2.2011.
Në rastin e plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari ose bashkëshortja, deklaratës i bashkëlidhet kopja e certifikatës familjare, lëshuar nga zyrat e gjendjes civile në vitin e plotësimit të deklaratës.
2.8.6.3 Dokumentacioni i mësipërm duhet të ruhet nga individi tatimpagues deklarues, sipas afateve të përcaktuara në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2.8.7 TATIMI PËR T’U PAGUAR
2.8.7.1 Diferenca ndërmjet totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme të individit, e cila tatohet, me shkallën tatimore në fuqi 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore, të dokumentuara nga mbajtësi në burim i këtyre tatimeve. Për individët rezidentë fiskalë shqiptarë, që kanë realizuar të ardhura dhe janë taksuar për to jashtë Republikës së Shqipërisë, në vende me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, tatimet e paguara, të vërtetuara nga autoritetet e këtyre vendeve, janë të kreditueshme në masën e përcaktuar në marrëveshjet specifike.
Diferenca ndërmjet totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme të pasqyruara në deklaratën individuale të të ardhurave vjetore përbën të ardhurën e tatueshme të individit, e cila tatohet, me shkallën tatimore në fuqi 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore, të dokumentuara nga mbajtësi në burim i këtyre tatimeve. Për individët rezidentë tatimpagues shqiptarë, që kanë realizuar të ardhura dhe janë taksuar për to jashtë Republikës së Shqipërisë, në vende me të cilat Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, tatimet e paguara, të vërtetuara nga autoritetet e këtyre vendeve, janë të kreditueshme në masën e përcaktuar në marrëveshjet specifike.
2.8.7.2 Nëse nga plotësimi i deklaratës rezulton se individi tatimpagues duhet të paguajë tatim, bazuar në rubrikën “Totali për t’u paguar”, të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave, individi dorëzon në bankë formularin “Dokument i pagesës së tatimit mbi të ardhurat individuale”, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Individi bën pagesën e tatimit jo më vonë se data 30 prill e vitit pasardhës të vitit për të cilin deklarohet, me përjashtim të vitit 2011, për të cilin pagesa bëhet jo më vonë se data 30 shtator e vitit 2012.
2.8.7.3 Nëse nga plotësimi i deklaratës individuale vjetore të të ardhurave rezulton diferencë negative, pra nga sa rezulton nga llogaritja sipas deklaratës, individi tatimpagues ka një tepricë të tatimeve si rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, drejtoria rajonale tatimore duhet t’i kthejë me kërkesën e tij shumën e tatimeve të paguara me tepër. Kërkesa e tatimpaguesit për kthim të shumës së paguar tepër duhet të dorëzohet pranë organit tatimor brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave dhe duhet të shoqërohet me kopje të të gjithë dokumentacionit justifikues të të ardhurave dhe shpenzimeve të listuara në pikat 2.8.6.1 dhe 2.8.6.2 të këtij udhëzimi. Individi tatimpagues, kërkesën për kthim të shumës së bashku me dokumentacionin justifikues, e paraqit dorazi pranë organit tatimor, duke u pajisur me një numër protokolli të dorëzimit të tyre. Pasi, drejtoria rajonale tatimore vërteton saktësinë e të dhënave dhe nga verifikimi i tyre apo kontrolli del se informacioni i dhënë në deklaratë është i saktë, drejtoria rajonale tatimore procedon me urdhër rimbursimi të shumës së tatimeve të paguara tepër, në llogarinë bankare të tatimpaguesit.
Me kërkesën me shkrim të deklaruesit, kjo, shuma e paguar tepër mund të përllogaritet edhe si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues.
Në rast së gjatë kontrollit rezulton se tatimpaguesi, ka të ardhura të padeklaruara në deklaratë ose dokumente të rreme ose të pasakta, ndaj tatimpaguesit aplikohen penalitetet e përcaktuara në ligjin për procedurat tatimore.
2.8.8 DORËZIMI I DEKLARATËS
2.8.8.1 Dorëzimi i deklaratës vjetore individuale të të ardhurave bëhet në adresë të drejtorisë rajonale tatimore më të afërt me vendbanimin e tatimpaguesit, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike. Deklaruesit, të cilët zgjedhin dorëzimin e deklarimit dorazi ose në rrugë postare, mund të tërheqin kopje të formularit të deklarimit të të ardhurave individuale vjetore pranë drejtorive rajonale tatimore (zyrat e shërbimit ndaj tatimpaguesve) dhe pasi e plotësojnë e dorëzojnë në drejtorinë rajonale tatimore.
2.8.8.2 Individi i cili ka detyrimin për të plotësuar e dorëzuar deklaratën individuale vjetore të të ardhurave personale, ka të drejtë të emërojë me prokurë, përfaqësuesin e tij ligjor për të plotësuar apo dorëzuar deklaratën e tij. Përfaqësuesi i individit deklarues është një person i përzgjedhur prej tij për ta përfaqësuar në lidhje me çështjet tatimore. Përfaqësuesi i individit merr përsipër të drejta dhe detyrime të individit dhe administrata tatimore është e detyruar të bashkëpunojë dhe operojë me të. Emërimi i një përfaqësuesi nuk e shkarkon individin deklarues nga përgjegjësia tatimore. Ai mbetet ligjërisht përgjegjës për përmbushjen e detyrimeve tatimore të tij. Fakti që përfaqësuesi i individit mund të bëjë një gabim në deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, nuk e shkarkon këtë të fundit nga përgjegjësia për gabimin.
2.8.8.3 Në rastin kur individi nuk ka aftësi për të plotësuar deklaratën, kjo e fundit plotësohet nga kryefamiljari ose personi që e ka nën kujdestari dhe nënshkruhet nga të dy.
2.8.9 AFATET E EKZEKUTIMIT TË KREDITIMIT
Kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme të parashikuara në nenin 13/3 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat bëhet pas kryerjes së të gjitha procedurave të nevojshme të parashikuara në këtë udhëzim brenda datës 30 shtator të vitit që pason periudhën tatimore për të cilën është hartuar deklarata tatimore individuale vjetore. Përjashtimisht, për deklaratën individuale të vitit 2011, afati i kreditimit është deri në 31 dhjetor 2012.
2.8.10 MOSPLOTËSIMI NË KOHË APO PLOTËSIMI I PASAKTË I DEKLARATËS TATIMORE VJETORE TË TË ARDHURAVE
2.8.10.1 Kur administrata tatimore konstaton raste të mosplotësimit në kohë të deklaratës vjetore të të ardhurave, zbatohen sanksionet administrative të përcaktuara në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2.8.10.2 Në rastin kur individi tatimpagues, në deklaratën vjetore të të ardhurave, jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ky ligj për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal.
2.8.10.3 Për evidentimin e individëve tatimpagues, të cilët paguajnë tatim mbi të ardhurat personale që vetëdeklarohen, administrata tatimore hap një regjistër të veçantë, ku regjistron të gjitha të dhënat identifikuese të individëve. Ky regjistër do të përpilohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në formën e një database elektronik, të miratuar nga drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”.
4. Pika 4 “Tatimi i thjeshtuar mbi fitimin”, shfuqizohet.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Jolanda Trebicka
August 23, 2012 at 10:20 pm
Shpresoj mos ta kem kuptuar gabim udhezimin e nxjerre, por me habit fakti qe Qeveria vendos kufizime ne shumat qe individet duhet te harxhojne per sherbimin mjeksor. Ne kushtet kur flitet gjithnje e me shume per sherbimin alternativ (pra privat) ne shendetesi dhe aresim, individeve ju vihet kusht qe te mos “harxhojne” per shendetin e tyre me shume fonde se ato qe percakton VKM-ja.
Ky kufizim mua me duket absurd, per me teper kur dihet mire se sa kushton trajtimi mjeksor ne vend. Nga ana tjeter cdo kush ka te drejte te zgjedhe vendin dhe institucionin se ku do te kurohet, nese mundesite ekonomike ja lejojne dicka te tille.
Nese vendoset ky kufizim, i bie qe te paguash padrejtesisht per nje shume e cila nuk perfaqeson “te ardhuren neto” por nje shpenzim. Automatikisht i bie qe ti paguash shtetit 10% te shumes mbi shoenzimet per mjekimin.
E njejta gje dhe per edukimin e femijeve tane. Ky sistem kufizimesh, mua me duket me se absurd!