Vlorë, 20-vjeçar bën rezistencë ndaj policisë. Ngjarja, këmbanë alarmi për drejtësinë
VLORË- Arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar, teksa tentonte të përdhunonte një vajzë të mitur. Burime nga policia e qytetit bregdetar të Vlorës bëjnë me dije se pasditen e djeshme kanë vënë në pranga shtetasin Sajmir Demaj 20 vjeç, banues në Vlorë, pas njoftimit se kishte marrë në një ambient të fshehtë me dhunë një vajzë të mitur me qëllim për ta përdhunuar.
Ngjarja
Një i ri 20-vjeçar me precedentë të shumtë penalë, i arrestuar dhe i liruar disa herë më pas nga gjykatat shqiptare është kapur në flagrancë teksa po tentonte të përdhunonte në një ambient të braktisur një të mitur vetëm 8 vjeçe. Menjëherë në vend kanë shkuar Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Oficerë të Policisë Kriminale, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë neutralizuar menjëherë shtetasin. Mësohet se gjatë arrestimit Demaj ka qenë mjaft i dhunshëm dhe ka kundërshtuar punonjësit e policisë. Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor me prokurorë të rrethit gjyqësor Vlorë, specialistë të Hetimit të Krimit, mjekë ligjorë dhe psikolog. Është bërë dokumentimi i plotë ligjor i kësaj ngjarjeje dhe është arrestuar në flagrancë shtetasi i mësipërm për veprën penale “kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Shtetasi Sajmir Demaj, mësohet se është person me precedent të shumtë penalë dhe me rrezikshmëri të theksuar kriminale. Pas bërjes publike të këtij lajmi tronditës edhe njëherë rikthehet në vëmendje (mos)eficenca e gjykatave shqiptrare, të cilat pas ndalimit të shumë personave të rrezikshëm, i rikthejnë ata në liri duke u dhënë mundësi të kërcënojnë jetën dhe shëndetin e komunitetit ku veprojnë. Alarmi bie pas disa rasteve të përsëritura ku veçojmë ngjarjen e pak kohëve më parë kur një emigrante dyshohet se u vra nga një i ri po me precedentë penalë. Në të shumtën e rasteve efektivët blu ankohen se pasi i ndalojnë apo arrestojnë personat me rrezikshmëri të lartë janë gjykatat ato që u japin lirinë dhe mundësinë për të kryer krime të tjera në dëm të shtetasve. 20-vjeçari i ndaluar dje për tentative përdhunimi të një fëmije të mitur deklarohet se ndodhej në lirim me kusht për një tjetër vepër penale që kishte kryer pak kohë më parë.