Bardheblutë janë kualifikuar për në turin e dytë të Europa League pasi ka barazuar 0-0 në ndeshjen e dytë ndaj Grevenmacher, skuadrës modeste nga Luksemburgu
Tirana e Huan Rubios në turin e dytë. Bardheblutë janë kualifikuar për në turin e dytë të Europa League pasi ka barazuar 0-0 në ndeshjen e dytë ndaj Grevenmacher, skuadrës modeste nga Luksemburgu. Tirana ka kaluar lehtësisht në turin e dytë të Europa League pas fitores 2-0 në Tiranë dhe barazimit pa gola në Luksemburg me Gravemakerin. E vetmja humbje për ekipin bardheblu në ndeshjen e kthimit me luksemburgasit mund të quhet dalja me kartonë të kuq e mbrojtësit Arjan Pisha në minutën e fundit të ndeshjes. Tirana pati vetëm një rast të pastër për shënim, por Bala nuk e shfrytëzoi dot. Vendasit e nisën më vrullshëm takimin, por bardheblutë nuk patën probleme në ndaljen e sulmeve duke zhvilluar një takim të qetë. Tani Tirana duhet të bëjë llogaritë për turin tjetër eliminator të Europa League ku e pret ekipi norvegjez i Alesundit, i cili nuk është në nivelin e Gravemakerit. Ndeshja e parë do të luhet në Tiranë më 19 korrik, ndërsa ndeshja e kthimit në Norvegji më 26 korrik. Për bardheblutë ky është kualifikimi i 10-të në Evropë. Tirana është ekipi i parë shqiptar që ka kaluar një tur në Ligën e Kampioneve (deri në vitin 1992 quhej Kupa e Kampioneve). Kjo ndodhi në edicioni 1982-1983. Tirana eliminoi Lindfild të Irlandës së Veriut. Fitoi 1-0 në “Qemal Stafa” me golin e Augustin Kolës, humbi 2-1 në Belfast (vendosi goli i Arben Mingës, që hapi dhe takimin). Në turin e dytë, shorti e vendosi përballë Dinamos së Kievit, por skuadra ukrainase bënte pjesë në atë kohë në ish-Bashkimin Sovjetik. Politika e Tiranës nuk i lejonte përballjet me skuadrat sovjetike dhe ndeshja u fitua afrofe nga Dinamo e Kievit. Ishte sërish Tirana ajo që kaloi një tur në Ligën e Kampioneve, pikërisht në edicionin 1988-1989. Eliminoi në turin e parë Hamrun Spartanin e Maltës: humbi 2-1 në Maltë, fitoi 2-0 në Tiranë. Në turin e dytë u eliminua nga Goteborgu i Suedisë: 0-3 dhe 0-1. Në edicionin 1989-1990, Tirana eliminoi Sliema Uonderesin: humbi 1-0 në Maltë, fitoi 5-0 në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe fitorja më e thellë e një skuadre shqiptare në Europë. Në turin e dytë, bardheblutë u eliminuan me dy humbje nga Bajerni i Munihut: 3-1 (gol i Mingës) dhe 3-0. Vijon një seri prej tre kualifikimesh rresht të Tiranës. Në edicionin 2003-2004 eliminoi në turin e parë Dinamon e Tbilisit: humbi 3-0 në Gjeorgji, fitoi 3-0 në Tiranë, duke u kualifikuar 4-2 me penallti. Në turin e dytë u eliminua nga Shturm i Grazit: 1-5, 1-2. Në sezonin 2004-2005, eliminoi Homel të Bjellorusisë: fitoi 2-0 jashtë, humbi 1-0 brenda. Në turin e dytë, u eliminua nga hungarezët e Ferencvaroshit: humbi 2-3 në “Qemal Stafa”, fitoi 1-0 në Budapest, por me Mukën që humbi një penallti, që do t’i jepte kualifikimin. Në edicionin 2005-2006, Tirana eliminoi Goricën e Sllovenisë: humbi 2-0 jashtë, fitoi 3-0 brenda (Rraklli, Dabulla, Salihi). Në turin e dytë u eliminua nga CSKS e Sofjes me dy humbje 2-0. Tirana në edicionin 1986-1987 kaloi turin e parë duke eliminuar Dinamon e Bukureshtit, duke i fituar të dy takimet: 1-0 në “Qemal Stafa” (Kola), dhe 2-1 në Bukuresht (Minga, Josa). Në turin e dytë u eliminua nga Malmoe e Suedisë, me nga dy humbje me rezultatin 3-0. Në edicioni 1994-1995, Tirana eliminoi Fandok të Bjellorusisë: humbi 4-1 në Bjellorusi, fitoi 3-0 në Tiranë në një ndeshje dramatike të vendosur në minutën e 94-t, me një tregolësh të jashtëzakonshëm të Indrit Fortuzit (46’, 76’ dhe 94’). Në turin e dytë, Tirana u eliminua nga Brondby e Danimarkës, me dy humbje 3-0 dhe 1-0. Në edicionin 2006-2007, Tirana eliminoi Varteks Varazhdinin e Kroacisë, barazoi 1-1 jashtë (gol i Mukës) dhe fitoi 2-0 brenda (Salihi, Merkoçi). Në turin e dytë u eliminua nga turqit e Kayserisporit: 0-2 dhe 1-3, ku në Turqi shënoi Hamdi Salihi. Tani të shohim se çfarë do të bëjnë bardheblutë e Rubios në turin e dytë të Evropa League.