Tokat bujqësore, ja procedurat për qiranë

Këshilli i Ministrave miraton udhëzimin e ri. Si ndryshojnë kriteret e aplikimit

Komisioni i Vlerësimit me 5 anëtarë. Çfarë duhet të përmbajë kërkesa

Në kuadër të zhvillimit të sektorit bujqësor dhe blegtoral, Këshilli i Ministrave miratoi dje një udhëzim, i cili lehtësohen procedurën e dhënies me qira të tokave bujqësore ende të pandara. Pjesë e këtij udhëzimi janë të gjitha tokat bujqësore të pandara në vitin 1991, si dhe sipërfaqet e tokave të dhëna në pronësi të komunave ose bashkive, të regjistruara në regjistrat kadastralë në kategorinë e resurseve pyll, tokë me bimësi pyjore, kullotë dhe livadh, si dhe sipërfaqet e tokave të pafrytshme, të cilat më pas kanë kaluar në kategorinё e resursit tokë bujqësore, ndërkohë që çmimi dysheme i qirasë nuk do të jetë më i ulët se 6 mijë lekë/ha. Sipas udhëzimit të ri, kryetari i komunës ose bashkisë ku ndodhet toka bujqësore, objekt i pikës 1, të këtij kreu, nё cilësinë e autoritetit qiradhёnёs, krijon Komisionin e Qiradhënies së Tokёs Bujqёsore të Pandarё. Kryetari i komunës ose bashkisë, në cilësinë e autoritetit qiradhënёs, ka për detyrë të shqyrtojë kërkesat e paraqitura për marrjen e tokës me qira, organizimin e procedurës së garës, shpalljen dhe njoftimin e vendimit të marrë për qiradhënien, si dhe lidhjen e kontratës tip me subjektin e përzgjedhur. Kërkesa për marrjen me qira të tokës bujqësore, mund të bëhet nga çdo person vendas ose i huaj. Ndërkohë që udhëzimi i ri përcakton se toka bujqësore jepet me qira vetëm në rastet e shfrytëzimit të saj për veprimtari bujqësore. Në procedurat e përcaktuara për dhënien me qira të tokave bujqësore të pandara është përcaktuar se çdo subjekt paraqet pranë komunës ose bashkisë, e cila ka në përdorim tokën bujqësore, një kërkesë me shkrim drejtuar kryetarit të komunës ose bashkisë. Në këtë kërkesë përfshihen edhe tё dhёnat e kërkuesit, sipërfaqja dhe vendndodhja e tokës bujqësore, e cila kërkohet të merret me qira, e identifikuar me numrat kadastralë përkatës, afati i qirasë, veprimtaria bujqësore që do të zhvillohet, aspektet kryesore të teknologjisë, si dhe investimet kryesore. Gjithashtu subjekti kërkues duhet të deklarojë edhe burimet e financimit që garantojnë investimin, ndikimin e investimit në rritjen e numrit të të punësuarve, si dhe propozimin për çmimin e ofruar.

Procedura

Me marrjen e kërkesës së parë për qiramarrje, kryetari i komunës ose i bashkisë menjëherë fton me shpallje publike, të interesuarit të depozitojnë kërkesat për marrjen me qira të së njëjtës tokë bujqësore, brenda një afati prej 10 ditësh nga data e shpalljes. Në të njëjtën shpallje, njoftohet edhe data, vendi dhe ora e zhvillimit të procedurës së garës, e cila duhet të kryhet brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të afatit 10 – ditor për paraqitjen e kërkesave.

Reforma

Lehtësimi i procesit

Kryeministri Berisha: Toka atij që e punon

Lehtësimi i procedurave për dhënien me qira të tokës bujqësore ka qenë në qendër të fjalës së Kryeministrit, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Duke e cilësuar këtë si një proces shumë të rëndësishëm, Kryeministri iu bëri thirrje qeveritarëve vendorë, kryetarëve të komunave dhe të bashkive që kanë në territorin e tyre fshatra që ta shohin këtë vendim si një mundësi të re, të madhe për krijimin e mijëra vendeve të punës për banorët e këtyre zonave. Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga qeveritarët vendorë që të bëjnë gjithçka që tokat e papunura të territorit të tyre t’u jepen atyre që kanë vullnetin për të punuar, natyrisht duke mos e humbur pronësinë, por duke zbatuar dhënien e taksës prej 1/10-tën pronarëve të tokës. Duke vlerësuar ecurinë e deritanishëm të procesit, Kryeministri theksoi se potencialet janë për të bërë shumë më tepër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>