Bamir Topi zyrtarisht pjesë e Frymës së Re Demokratike. Një lëvizje e tillë e ndërmarrë nga ish-presidenti u zyrtarizua dje përmes një takimi me përfaqësues të kësaj partie. I krijuar si një subjekt politik, përfaqësuesit e të cilit u shkëputën nga partia më e madhe mazhoritare, i cili do të përpiqet fort për të siguruar një pozicion të vlerësueshëm në arenën politike, ai tashmë pak nga pak po konturohet si me programin politik, ashtu dhe me drejtuesit që do ta udhëheqin në garën e afërt elektorale. Pavarësisht se takimi i djeshëm vetëm sa bëri publike atë që ishte folur prej kohësh për përfshirjen e Topit në politikë, e konkretisht në një parti të re, tashmë pritet që të jetë vetë ai që do të kryesojë Frymën e Re Demokratike.
Deklarata
Gjatë ditës së djeshme për rreth 45 minuta themeluesit e FRD-së kanë diskutuar me ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike Bamir Topi, parti e cila e zgjodhi dhe e votoi në krye të shtetit për pesë vjet me radhë. Gjatë këtij takimi Topi dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj partie parashtruan programin dhe synimet e kësaj force politike. Ndërkohë në fund të bisedës me ta Topi rezervoi dhe një prononcim për mediet, ku informoi mbi lëvizjen e tij. “Do të jetë fundi i këtij muaji që do të realizojë hapin përfundimtar dhe unë jam i bindur se takimi tjetër do të realizohet në selinë e re të FRD-së, një forcë e re politike, e cila në projektin politik e ka bërë të qartë se do të jetë në funksion të plotë të aspiratës qytetare dhe më ka pëlqyer një shprehje e saktë e zotit Oketa kur është pyetur për aleancat e mundura, ka thënë se aleanca jonë është aleancë me qytetarin”, – vuri në dukje Topi gjatë fjalës së tij.
Qëndrimi
Ndalur në forcimin e mëtejshëm të kësaj partie, ku natyrisht përfshihet dhe zgjedhja e kreut të saj, Topi bëri me dije se pritet një takim tjetër mes përfaqësuesve të FRD-së dhe deri në fund të këtij muaji mund të dilet në një emër konkret. Megjithatë, edhe pse ende jo në mënyrë zyrtare, Topi do të jetë drejtuesi i saj. “Ju kam lajmëruar kohë më parë që me probabilitet të lartë e mendoj veten të kthyer në politikë. Mbajta një premtim që nuk e shkela deri në sekondën e fundit sa isha president, nuk mora pjesë në debate politike. Është fiksuar një takim me Oketën javën që vjen. Do të diskutojmë gjerë e gjatë për të bërë të mundur një vendimmarrje finale, që mund të mbërrijë në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit”, – vlerësoi Topi lidhur me një çështje të tillë.
Kundërvënia
Me rëndësi në gjykimin e Topi është krijimi i një fryme dhe një fronti të ri në politikë, në mënyrë që të bëhet i mundur kalimi i pushtetit nga duart e PD-së në duar të tjera. “Kam kritika të forta për mënyrën e administrimit të pushtetit, një tentativë për të pasur kontroll edhe te gjërat më të parëndësishme. Një pushtet që jep këto sintoma, që keqpërdor dhe falsifikon edhe votën e presidentit, atëherë për çfarë duhet të kem besim unë? Pse duhet të kërkoj shenjë tjetër? Nuk ka nevojë të marrim shumë simptoma. Është e domosdoshme të ketë rotacion, por nuk parashikoj se qysh-tek”, u shpreh Topi, duke u kundërvënë në mënyrë të hapur ndaj ish-partisë së tij.
Vlerësimi i Oketës
“Topi një aset i shtuar dhe i mirëpritur”
Një nga themeluesit e Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, pas përfundimit të takimit, duke i uruar mirëseardhjen në këtë parti, vlerësoi kontributet e Topit në politikë. “E njohëm me projektin tonë politik, që synon të sjellë një politikë ndryshe, në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për integrimin evropian të bëhet realitet. Eksperienca e presidentit Topi, si një nga politikanët më të spikatur të Shqipërisë, do të jetë një aset i shtuar dhe i mirëpritur nga FRD-a”, – vuri në dukje Oketa. Kjo parti ka zhvilluar disa takime në rrethe të ndryshme të vendit, duke synuar shtrirjen e saj në elektorat. Kjo nisur pikërisht në garën e ashpër që pritet të sjellin zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku FRD-ja synon të marrë rezultate pozitive.
Oferta e Ramës
Topi e Oketa refuzojnë ftesën e Ramës
Dy përfaqësuesit e Frymës së Re Demokratike kanë refuzuar ftesën e kryetarit të PS-së Edi Rama për t’u bashkuan në një koalicion në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 për të bërë të mundur rrëzimin e Berishës dhe koalicionit qeverisës nga pushtetit. Por pas Oketës ka qenë vetë Topi që ka refuzuar një ftesë të tillë. “Aleanca jonë është aleancë me qytetarin”, – u shpreh Topi, duke rithënë të njëjtën shprehje të Oketës, i cili menjëherë pas bërjes publike të thirrjes për bashkëpunim të lidershipit socialist nuk vonoi të japë përgjigje, duke refuzuar një koalicion të mundshëm me PS-në dhe PD-në. Sipas tyre, FRD-ja do të punojë për konsolidimin e saj dhe shndërrimin në një faktor të rëndësishëm në skenën politik.
Gazetari Daresise
August 5, 2012 at 12:54 am
Nuk e kuptoj ku e ka fjalen z Topi per rotacion …. Ne partine e tije qe quhet Fryma Qelbur e “Re”, apo ku?