Vazhdojnë kujtimet e Hajredin Cakranit

Ahmet bej Zogolli, këtu do të mbrosh kongresin apo dajën tënd, Esat pashën?”

Mit’hat Benë (Frashëri), që ish në délégation de la Conférence de la paix (delegacionin e Konferencës se Paqes-frëngj) e poqa (takoi) dhe i thashë, se si do që jemi pakë nè, që nukë e pështetëm Italinë, mbaso bënet gjë e të mos lëvdohet e thuhet kaqë hapur, që nè jemi me t’a (këtu;Italinë), se e di që do më thuaç, kur s’ke pulnë do haç sorrnë. -I ke rënë më të Hajredin Bej, qeshi ai, po nukë do shumë mënt që është bërë me të gjithë një açord tacite (këtu; marrëveshje e heshtur) dhe halli që ti e di, është të mos hynë në pjesë, si jemi bërë copë – copë mbretëritë e Ballkanit, ndaj n’a duhet se s’bën, pa unë e di ç’do ti. Amerika ësht’ lark për të n’a marrë hakë dhe duhet këjo punë helbete, jo sa hidhen në zjarr keta që sheh. -Sa për sërbtë, j’a këtheva, -që ti m’a hedh anës e anës, ata do nxjerrën uj të zi që të marrën paratë e tyrej, se ti e di ç’kanë kanë marrë, ndaj duhet mëndje e hollë, se po u funë në muhabet ata, të shitet tri herë Shqipëria, nukë bënen dot paratë e borxhit. Qeshi përsi (këtu; më pas), po unë i thashë, -kot sa t’a pjek zotin Luigj aherë. -Mos u loth kot, se kemi kaq pakë armë për të lëftuar këtë herë, sa s’ta mollois (këtu; spjegoj) dot. -Një Zot i math n’a martë hakën, i thashë, -se s’u mbaruakan halletë e këtij vatani. S’më mban vëndi dhe i thashë dhe zotit Luigj (Gurakuqi), që ishte dhe ai për Paris, po nga që më pa tërë turinj, m’a këndoi mëndjen dhe më tha se, -nukë është aq keq sa e mejton Bej, do ujdisen të tëra, se jemi më të lirë nashti. -Po mirë qënka e shkrojtur, që nè të vdesëm a të bënemi copë- copë, i thashë, se u ç’mëndë të Mëdhenjtë atëhere, e bënë një copë kartë (bëhet fjalë për Traktatin e fshehtë të Londrës), se ata n’a qënkan fitonjës sot. -Këtë rrezik do bëjmë mënjanë se mos duajn t’i japën ndonjë gjë Serbisë, tha ai, po unë i preva llafnë, -unë them të kërkoni dhe ato që u tallnë me nè, më 913 me sinuartë, ju. Zoti Luigj kruajti kokënë tërë siklet, se ç’duaj të më ç’koqit e s’di nga t’a zërë, po unë e ndiha, -ndjesë pastë Nemsja, i thashë -pa le të n’a quajin dobiçë të saj të Mëdhenjtë, atëhere. -Bej sikletose kotë, se ti s’më njeh sot, dhe vërtet me të, kishëm vitra që e njohëm, e që n’a dukej jetë e tërë. Si ishën bërë të gjithë me Italinë dhe harrojnë, nga një herë e flit fare më gjuhë të Italisë, s’mu duk se kish sy për qabe (këtu; rrugëzgjidhje), këjo punë. Në funt të jenarit muarmë haberë dhe një kartë që i dërgon tim vëlla Bektashit Qazim Agai (Kokoshi) nga Vlora për këtë zi e humbje të madhë kombëtare, se kish vdekurë plaku (këtu; I.Qemali) në Itali, kur po bënej hazër (gati) të vejë më Conférence de Paix (Konferencë të Paqes), më ëmër të atyre në Amerikë, që kishnë bërë një si parti dhe e kishën vënë përfaqësonjës. Kishë vdekurë thashë, po njëqint vjet (shprehje këtu; e pabesueshme) e kishën helmuarë, se kështu tregoi Qazim Beu (Vlora) më vonë, po dhe s’do mënt e kishën ferrë nëpër këmbë, nashti që italianëve u qè mbushurë mëndja, se do mbanin me hir a me pahir, e kishën vënë në mënt, po bërë dhe kartë të tërë kazatë e Vlorësë, Gjirokastrësë (duhet të jetë proklamata e G.Ferreros) e me radhë. U poqa me tim vëlla Bektashin dhe nukë n’a flitej, pa ai turfullonte kondra të birit, Qazimit që rrij me të, sahat e minut dhe j’a helmuanë sy më sy, pa ç’ka që nëpër gazeta, shkruanin që si plak, i paskesh rënë gjak më tru e nukë shpëtonëj dot. Nukë ishnë budallenj të hapën avadize (këtu; telashe, skandale) vetes ata, kështu qè e shkrojtur nga perëndia, e shkoi përtej. Kur e ke, nukë e bint veten për as një gjë, po kurë të mëngon, të bën hesap mëndja vetë, pa i thënë fare, se sa peshonte më kandar puna e bërë, a ajo që quhet vepërë.

 

Të gjithë flamuj italian në varrimin e flamurtarit të Shqipërisë. Varrimi i Ismail Qemalit. Ju rroftë emri djalëri se armiqtë i keni një hap larg.

Nga fillimi i shkurtit vamë në Vlorë, për të pritur trupin e plakut me gjithë parinë e Mallakastrës me Kamber Benë (Belishova), Rushit Aganë (Gorishova), Etem e Gani Aga Patosi, me Nuredin Alinë, Abedin Dautë, e plotë të tjerë dhe Bektashi kish bërë dhe një kurorë nga këjo pari, po më emër të tij dhe të Kamber Beut (Belishova). Më trazonte mejtimi që im vëlla Bektashi, se ç’kish për t’i thënë plakut me ëmërin në kurorë, dhe llafet “Shpëtimtarit të Kombit në rreziqe”, si do që të shumën e kish shlyer kur i vajti e u pajtua me të në Vjenë, mbaso ajo l’énergie humaine (energji njerëzore -frëngj), që plakut nukë i shteri nonjë herë, pa le të thonë ca e ca, se ai përpiqej për të justifier l’argent qu’il avait pris d’eux (për të justifikuar paratë që pori prej tyre -frëngj).Në Vlorë italiantë ishën zot dhe këta miqtë tanë edhe fjalimet thosh im vëlla Bektashi, ua japën një herë atyrej t’i këndojnë e po t’u dojë qejfi përsizaj (këtu; çensurohen me çdo kusht), t’i lënë pa mileti i varfër (këtu; masa e popullit) e ndjente, se ajo që kish bërë ai, e kish ëmërin vatanë dhe tani u mëngon. Italiantë e suall në sqelë me një vapor ushtarak të tyrejn (bëhet fjalë për luf”Alpino e cila solli trupin e I.Qemalit) pa kish dhe dy ditë që e mbajën arqen e plakut më kumanden e marinës më sqelë e kishnë ballcamosurë si në Egjypt mijëra vite para se ata i dojën të rrojën perandortë e tyrej që i kishën si perëndi, pa këta të humbën gjurmë (ballcamosja –heqja e organeve të brëndëshme të njeriut, këtu; e bërë për të fshehur vrasjen), e kushë do e gjejë të vërtetën pa, nè, që na i helmuan ashiqare këtu; fare hapur). Pa kishnë dhënë dhe urdhër të mos dalë në shesh asnjë flamur i ynë, se pëse ishën mbëledhur gjithë ai farë mileti mizë lisi dhe përse e nderonin, se të ishte burri më i lartë në dynja, nukë bën dot të mirë e të ligj, të pasur e të varfër, të kënduar a që nukë dij asnjë llaf, tok dhe t’i qëllojë e t’u pik të tërëvë në shpyrt. Ishnë marrë vesh me kryetar të bashkisë e të tërë, që mos të dil asnjë flamur yni sheshit dhe Bektashi tha, se do t’i them Qazim Agait (Kokoshit), që nè për flamurë i bëjmë temena (këtu; e nderojmë) e n’a piku, po unë nukë e lashë, se këtë punë do t’a zgjidhën vetë, si kanë zgjidhurë e rrinë tok me italianë. Më në funt j’u mbush mëndja, (natyrisht italianëve), që të lijin një flamur vetëm, e të mbulojën arqen e plakut e sikur po vejën gjërat më vënt, po tim vëllai nukë i mbush mëndjen dot. Edhe Détachement de la chevalerie (regjimenti kalorsiak), na mungon për t’i bërë nderet i huaji ,tha im vëlla Bektashi duke parë ushtarëtë me kuaj që vinin nga fundi. Të parëtë ishën djemtë, që u thoshën djelmoshatë që mbain kuroratë, e djalosharetë më prapa, e të gjithë këta djelmosha më njëqind shoqëri a klube, u rrofshin ëmërat, se i huaji ishte a s’ishte pesëdhjëtë santinë tutje dhe u këndon me bandë avaze vakie (marrshe funebër), italiane domosdo. Karroca që e heqën nja gjashtë kuaj të grivër, ikte javash dhe hoxhëtë vijën prapa, përsi (më pas) djemtë e tij dhe Qazim Beu (Vlora) e që tim vëllai i dhëmbën sytë po t’a shih, prapa vijën një gjeneral, që e bëmë të flit me vete si nonjë vjet më vonë (gjeneral Piacentini, aludohet për luftën 1920), po dhe një ushtarak me të tjerë rrobe duket i fllotës (duket se flitet për kundëradmiralin e flotës Lubetti). Dyqanetë ishën mbyllurë të tërë dhe vlonjatë e varfër si do që s’u linin flamurë, kishnë vënë ca kartëra nëpër mure me rrip të zi, që thoshën zi kombëtare për patrionë e math. Folnë me Jani Minga e Qazim Agai (Kokoshi) dhe si do që i drejtoheshin miletit me llafet, -pse je kaqë i brengosur o popull, ç’të ka ngjarë, e gjer më funt -Ismail Bej, të përunjemi, se vatani s’e harron kujtimin tënd, e që të rrënqeth mishtë vërtet. Sebepi ishte që po ujdisnë vëndë (komanda e trupave italiane po rregullonte sheshin që sot quhet i flamurit) e më mirë ish t’a varrosën në Kaninë, ku kanë varret më teqenë të gjithë pashallartë të sojit të tyre,j pa unë s’e besoj as sot, se ai e kish lënë me gojë për më Kaninë, kur ai vdiq atças, pa mileti i mbushi kodratë mizëri. Mangut ishte në funt edhe hymni mbretëror i tyrej dhe i vinte vulnë kësaj pune. Në Kaninë fojnë Brahim e Seit Effendiu, e në funt fare më baçë të teqesë u vunë dhe kuroratë. Kur erdhë djemtë i muar për dreke të vakisë Brahim Effendiu, pa nè ikmë të vrarë më shpyrt, kur vdesë një njeri që e ke njohur dhe ke shkuarë të mira e të liga tok.

 

Rreziku më i madh për Shqipërinë të pushojë së qëni si shtet. Qeveria e Durrësit gati të firmosë për protektoriat dhe copëtim te gjithë territorit shqiptar

 

Si ç’tha plaku ngjau dhe nga shkurti e marsi, të Mëdhenjtë fitonjës me ingliz, francestë, Amerika dhe domosdo italiantë që ngul këmbë, bënë në jetë, që gjer sa kishte një copë kartë që parashikonte ç’do gjë, (Traktatii fshehtë i Londrës), po dhe si po vinte puna për nè, të mos ishte fare në faqe të dheut shteti shqiptar, se i bezdiste, e të mos kishte më Shqipëri më hartë, këjo copë toke të mos ishtë fare shtet i pamvarur, po të ndahej më ata që kishëm kohë që i lëftoim qëkur, dhe tani i quajim nos ennemis traditionnels (armiqtë tanë tradicionalë- frëngj). Mbretëria sërbe me që i kish mbëledhur nashti ato shtete që u ç’këpunë nga Nemsja, (bëhet fjalë për Mbretërinë Serbo- Kroato- Sllovene), duaj të mirr domosdo dhe nga nè Gegërinë, se s’mjaftoneshin hataja që n’a ngjau me sinuartë (kufijtë) më 913, grekërit ato që kishën bërë në mënt (shtrirjen deri në Vjosë), e domosdo Italia do mirr më të shumën dhe le t’a quaj principatë muhamedane të saj. Këjo ishte, të të lidhën këmbë e duar e të të ç’kulën zëmrën nga vëndi për së gjalli, pa le të kesh një jetë të tërë që lëfton, e të preç nashti vdekjen, po pse iu tek kasapit, po më kuja të mos bëç dotë, as një gjë. Qeveria t’onë, po t’a quajmë me këtë ëmër, ish hazër të fimosë kartërat e tyrej, vetëm se ata n’a ishën të Mëdhenjtë dhe kështu me duartë lart, të n’a dil ai derhem shpyrt i fundit, pa po do thoshën gjithë –gjithë, s’kemi ç’të bëjë, se s’këmi në dorë asgjë. N’a kish ardhurë rrezik gjithë një nga armiktë që ishnë, o zaptije (këtu; invadorë), o të liqtë e vatanit t’onë, që këmi bollëk, po të ishën marrë vesh aqë mirë e të bëneshin tok të dy, këjo nukë ish e dëgjuar dhe të vij të plasje, e s’plasje dot nga marazi. Këtë herë thamë me vëllezëri kur u mbëluadhmë, e me të tjerë nga paria, me netë të tërë e që s’e shihim dotë njëri jatrin, nga tymi i duhanit, se me që Italia eshtë ulur këmbëkryq në më të shumën vënt tek nè, dhe vendos e bën ç’i do qejfi, me gjithë atë biçim qeverie, të pështesëm ç’do mëndje që është kondra këtij litari që e kishëm në qafë hazër, pa fronë do n’a i heqën këta tantë, (aludohet për Qeverinë e Durrësit), se të mirreshe me sërbë e grekër, ish lodër karshi kësaj hataje. Skur n’a u ngroh një çikë zëmra, që nga fuqitë që ishën fitonjëse, vetëm Amerika që hyri vonë më luftë, nukë e kish firmosur atë copë kartë më 915, që n’a torturon e në gjumë dhe j’a tha si burrë, që nukë munt të firmos kartëra, që kini bërë hazër pa qënë e pa e ditur unë, le të jemi tok fitonjës. Rustë, si ç’e thashë, i muar perrupia (këtu; bëbë revolucion dhe dolën nga L.I.Botërore), kështu që inglistë, francestë e italianët kishën mbetur, po rrezik kish që francestë, të ndihnin sërbtë, qysh ua ka ënda dhe Esat Pasha bënej prapë si qè (këtu; të vihej në krye) e rreziku bënej më i math, kur Italia kish ushtëri më të gjithë vëndë, se ish fitonjëse dhe kish kartërat që të bëj ç’të dojë dhe t’i tundnim nga vëndë, as që bënej llaf, se që e para nukë bëneshim në një mëndje.

 

Morton Iden: Anglia është kundër veprimeve të Italisë, por duhet ju vetë ta rrëzoni Qeverinë e Durrësit.

 

Po më Durrës pjek (takoi) Abdi Benë (Toptani) dhe më thotë javash (këtu; fshehtas), se nga fillimi i vjeshtërave, nga ana e sërbëve, kish ardhur një inglis dhe këta bajraktartë që e ruajn, ranë në pusi e u vranë, po dhe ky shpëtoi në qime e u plagos, që rrëfen se ky është ndonjë që rëndon (me rëndësi) e që j’u shkeli më kallo, si do që janë tok fitonjës e munt të gjezdisën nëpër njëri –jatrin (këtu; nëpër territoret e pushtuara të secilit fitues). Po kur më erdhi në çiflig e më llafosi, se Qeveria e Durrësit ka kërkuar në conférence de paix (K.Paqes) mandanë e Italisë (këtu; të firmosej nga Q. Durrësit se Italia mund të vendosë në emrin tonë) dhe këjo është hataja më e madhe, se do ta ndajnë copa –copa, qysh e kanë bërë në mënt dhe meqë inglistë j’a kanë dhënë vetë llafnë për të marrë Vlornë si kaza të tyrej, që e thoshën hiderland, pa syrin e kishnë më të gjithë Shqipërinë, e nashti nukë munt të hajë llafnë, (është fjala po për T.Londrës që e iniciojë vetë Anglia e që për shkaqe rivalitetesh, shfaqet e penduar), por po e latë Qeverinë më këmbë e t’a firmosë mandatë, j’u mori lumi për fare. Duhetë doemos, të rrëzonet qeveria jote, (ironi, pasi autori ka qënë në pleqësinë e Durrësit në këtë kohë) e një përfaqësi, a nuk e di se jamë akoma tym, të mos e pranojë mandanë e Italisë, që të shkroj e vulos në emër t’onë, se as ëmëri, jo më vatanë, nukë do t’u mbetet. Ndaj kam dërguarë dhëndërrin, që është prefekt këtu Abdyl Benë (Ypi) të vejë në Tiranë të piqet me Reuf Benë (Fico) të hapet ky llaf nëpër pari, e të besuarë, po në vesh, se nga këjo qeveri ç’nukë pret, ti e di vetë se je atje. Si do që më qesëndisi për qeverinë, u bëra mal që më besoi një haber të këtillë, se këjo tregonte që i dijë të gjitha ato, që unë ziresha sahat e minut me këta të qeverisë, e sidomos atyre të délégation de la Conférence de la paix (deleg. Konf. Paqes). Do mbëlidhemi nè të kazave t’ona, (Shqipëri e mesme), do çojmë haber dhe më krujanë e matjanë, të hapemi më paritë e tyrej, se dhe nashti që të llafos, është vonë më duket. Si do që inglistë si shih dot, që nga puna e sinuarëve (Konf. Abasad. Londër 1913), po i mbushja mëndjenë vetes, se qoftë dhe një njeri vetëm që desh e vranë në pusi, si zor të munt të bëjë një punë kaqë të madhe, dhe pyeç Abdi Benë (Toptani), se ku ësht’ inglizi. Iku nga ju, a andej nga Berati, me këtë punë më tha dhe kaqë duhej, që të vij e të pjek tim vëlla Bektashin. Ai më keq nga unë, u sos në Berat, po inglizi që Abdi Beu j’a thosh Eden (agjenti anglez që solli mendimin britanik Morton Frederick Iden), ish sosur më Gjirokastrë dhe këjo punë shkurt, po të mos bënim gjë nashti këtë dimër, që të rrëzoim qeverinë e Durrësit e të bënim një të saktë që të dil kondra atyre që vendos ajo (Qev. Durrësit), ishëm si ata që ikëm me sytë mbyllurë, (krahasim me sonambulët), gjezdisën buzë grreminës, po dukej se të gjallë e të pa fat, nukë ka. Po halli ishte se ku munt të bënej këjo mbëledhje, se për të liga qeveri e Durrësit ishte hazër, se nga nè ca kokërra mbemë, që kishëm varur turitë qëkur për ato që bënte, por ajo as që kishte qeder, e më të gjithë vëndë, ishën italianët dhe munt’ të vriteshe me ata atças t’a mirrën vesh, me ç’pamë dhe në Vlorë.

 

Të mblidhet urgjent Kongresi në Lushnje. Të mbrojmë Kongresin dhe të rrëzojmë Qeverinë e Durrësit.

 

Si do që të ngjasë, duhej bërë kongres me përfaqësonjës nga tërë kazatë, pa të bëje pastaj qeveri. Bektash Beu ishte i prerë për këto punë, po mua më tha se italianët i ke më ç’do vënt, prandaj duhet një fuqi e madhe të rrethos vëndë. Jo një, po shumë j’u këtheva, se më hyri në sinuar (këtu; jam ushtarak), se për ku bënet llaf, por po llafos për në Myzeqe, që ësht’ fushë, ti e di se ç’hoqmë me ata të palartë e Haxhitë. Sulo Beut j’u droth mjekra kur i kujtova ata, se kishëm lëftuar më çiflig të tij. -Duhetë meso vënt (qëndër) të vijnë e të mbëlidhënë të tërë atças (këtu; menjëherë), se vetëm kohë nukë ka dhe mëndjetë e të gjithëve janë për në Lushnje, qysh thoni. Atë që thashë Bektash Bej (Cakrani), kërceva unë nga vëndi se si duajn të vijnë njerst atças, vijnë dhe të liqtë e ushtërija dhe do mejtuar mirë. Hajredin Bej (Cakrani), njerëzisë po u çojnë haber që nashti, ti thua dale të pij kafenë unë. Po edhe që të derdhetë ushtërija, e të lëftojmë pa filluarë fare e pa bërë asnjë punë, nukë ësht’ më vënt Bektash Bej. -Xhandërmarinë e Lushnjës e ka më dorë kapiten Meleq Be Frashëri, kështu që brënda u ujdis këjo punë më duket. -Ç’po thua Bektash Bej, po sikur janë nja katër anë që duhej të ziren, se ësht’ fushë e i ligu të vjen nga s’e pret, ti më fjalos për nja njëzet bujq, e atë baltovinë që mezi shkon njeriu. Mirë u vajti në mënt aty si vënt, i vogël e i qetë, po o do ruajtur ky vënt i hapët, o s’kemi gjë në vijë e fjalosemi kot, avadan pa kemi dhe kohë të tepërme. Sulo Beu (Cakrani) u ngre dhe tha se, -nukë ngjet ajo e rrebelëve më Hajredin Bej, se i bie që të kemi vdekur të tërë, e më këtë krah të Ardenicës që nashti t’i mbëleth dyqint a më shumë shpyrt. Bektashi e vështroi dhe i tha se, -nukë do rrinë karakoll (roje), po fuqia më e madhe e italianëve si e dini, është e grumbulluar më Vlorë dhe për tri sahat i ke këtu, vetë do rrish me t’a. Po dhe vetë rri, se s’ësht’ turp, po ja ku kemi Kamber Benë (Belishova), me të tjerë pa flasim dhe Safet Butkën dhe si ahere po qè, e ndezim përsi (prapë). Kamber Beu ish i zoti dhe tha qoft’ e bërë, këtu më keni ditë natë, po sa llafosemi, duhët të ikëm fërtunë, për të bërë fuqinë hazër. Po nga veriu, që kemi dhe qeverinë tënde dhe italiantë me topa e mitroloza, më mirë të vete e të mirrem vesh për ndonjë fuqi, të vijë që andej, pa dhe nga ana tjatër më dhanë llafnë, e sikur ka ardhur një fuqi me njers nga anët e Dumresë. Unë u nxiva dhe iu këtheva tim vëllai Bektashit, se ajo ësht’ qeveria e ime, jote e Sulo Beut, e të gjithë nè shqipëtarëve që i bëjmë punëtë më këmbë, dhe po nè jemi, që kurë këto punë mish mash n’a çojnë në buzë, e kemi zgjidhjen dyfeknë, se paska qënë nëmë e madhe (mallkim), ajo që nukë n’a u nda këmba –këmbës, se nukë zgjidhmë një gjë me njerzillëk, si gjithë dynjaja, po një më dy, e dyfeknë. Im vëlla qeshi dhe tha se, -ajo dynja n’a i ka me hilè, ndaj nè i duhemi këtë ditë vatanit, e mos të të metet hatëri se shaka bëra. -Nukë më tregon dot mua arat, i thashë, se të kam mbajturë për dorë kurë hidhje këmbët, po s’bëmë një gjë si njerst, se dynjaja ka mbeturë për këtë copë vënd baltovinë, po n’a i shohën mëndjen, e n’a vënë festen ,ndaj kam inat, po hajde të vemë në Lushnje e të mirremi vesh, se kë kanë cakëtuar ata ndonjë fuqi me njers, për nga krahu i veriut a u themi atyre. -N’a more mëntë me fjalime, atë e kisha ndërmënt që qëparzaj, po ti s’të lë mëndje.

 

Debatet me Ahmet Zogun. “Nuk na mbushet mendja që do luftosh krah nesh dhe jo për dajën Esat pashën”

 

Kur vamë atje, kishën ardhurë nja njëqint e ca matjanë, me në krye një djalë të ri farë nja njëzetë, njëzetë e ca vjeç, nga dera e Zogollajve, e që e thoshën Amet Bej. Këtë e kisha dëgjuar nga im vëlla, që se ç’kishën pasur ca krushqi qëkur dyert e matjanëve me Toptanaj dhe nashti ishën ungj e nip, duket me Esat Pashnë, e që më trubulloi më shumë se vetë Esat Pasha, që kish vitra që n’a dil më ëndërr. Po im vëlla Bektashi m’a këndoi mëndjen (këtu; më lëxoi mendimin), duket dhe e pyet, -Amet Bej (Zogu), sa ty unë kam djalnë dhe më vjen mirë e bënem mal kur shoh, se si e ke marrë përpjekur (këtu; me vrull, me këmbëngulje) këtë punë, po nukë më thua, se qysh nukë e ndihe dajonë kur erth’ dhe lëftoj rebelët, se andej nga anët tuaja u derth me ushtëri e ju i vajtët pas (bëhet fjalë duket për Xhellal Zogollin), mbase me hak. Ahmet Beu që ish më i hollë në mëndje se ç’pamdehëm, tha se,- vërtet kur u sos në anët t’onë, unë isha çilimi, nga kapedanëtë e tjerë që vendosnë ti bien pas, (duhet të ketë qënë rreth 18 vjeç A.Zogu në 1914), sido që kisha dhe aherë djem të ri me vete, e atij i duhej fuqi e madhe për të shtypurë rrebeltë, po aty ai e ndjeu dhe t’i ktheje llafnë, as t’a shkoje nëpër mënt, ndaj i thashë se duke qënë fuqi e madhe, e unë si të vij, si të mos vij, nukë bënej gjë, dëgjo ore dajo, kur je nisur për këtë punë të madhe, unë i ngrë duart përpjetë dhe të them ishhalla, por po t’a mbaroç këtë punë të madhe, do të të them marshalla. Ai u nxi nga inati, si do që e nuhati që munt’ të jetë a jo, mëndje çilimiu po atij i math e jo më unë, s’ja këtheje dot llafnë, ndaj unë nxitova në këmbë të tim eti e si zot i vëndë, -këtu je në konak t’onë dhe qoftë vetëm, për kafe do n’a begenisësh, dhe ai duke e bluar mejtimin në kokë, erdhi në Burgajet dhe bujti atë natë, po e hoqi dot atë mejtim për mua a jo, nukë e dij dhe sot. -Më habit Ahmet Bej, (Zogu) si të gjithë i vanë pas më Xhelal Bej (Zogolli) e të tërë dhe ti që kërthi, ke pasur mëndje t’i këtheç llafnë, dhe bëri t’a ujdisë Bektash Beu muhabenë, -ja unë jam më i vogël se im vëlla, dhjetë vjetë e kusur, po kur vjen puna për të lëftuar, nuk j’a këthejmë llafnë, se është më zanat të tij, pa dhe nukë munt’ të n’a dojë të keqen. –Bej, po më lëfton me llafe, që të të them atë që do ti, ahere të të pyes, me sahanë pa kapak llafose, a jo. Bektashi tundi kokën poshtë dhe Amet Beu tha se, -një mëndje më tha tek venë këta të tjerë, po unë çilimi do këthej llafnë, po t’a dish Bej, se prapa dajos që e shkon nëpër mënt zotrote, munt të veja, pa dhë të bëj ndonjë pasuri, po më e shuma po të bëheshë, mës atyre çakenjëve që mban pas, ndonjë roje i tij i parë, që do të thosh, se për ç’do armik që ka ai me bollëk, që te lind e te perëndon, t’a haja plumbin unë i parë, pa le të hith’ mbi mua ca mexhite ai. Kështu, si do që t’u shkojë mëndja se e kam a jo Esat Pashnë gjë, këtu jam për vatanë, si ç’kam qënë çilimi dhe në Vlorë, e që zotrote Bej s’më mban mënt, m’u këthye mua, -se s’ma do mëndja që zotrote Bej, që ke një jetë që lëfton e të kemi dëgjuar gjithënjë, thua se u prish nga mëntë ky, e të vijë të vritet për Esat Pashnë. Tundi kokënë dhe u tha me atë gjuhnë e tyrej (këtu; dialekti verior), ca matjanëve që vetëm unjin kokën dhe ku nè dëgjuam vetëm, peqe (si urdhëron- turq). Unë nukë e mbaj mënt vertët, se gegë erth’ që nga Isa Begu, e plot dhe kur duall vjeshtë e tretë e u bë qeveria në Vlorë, erth’ të gjithë e jepën mëndje, pa Amet Beu (Zogu) atëhere, po të ketë qënë sa çilimijtë që binin kafetë, e nukë do e kemi vënë rè, nëqind vjet. Nashti ja ku ish aty me gjithë ata njers hazër, e aqë i vendosurë të lëftoj e mbroj vatanë, që ish gjithë –gjithë, ca njers që do të vijin nga gjithë kazatë e tij. -Amet Bej po është si thè, po ai j’a preu, -dëgjo Bej, unë nukë erdha këtu se më mbushnë mëndjen, po m’u duk se vatani nashti që munt të çduket fare nga dynjaja, më flit me atë gjuhnë e tij, dhe të mos dukesha unë nashti, do më zir turpi si mal e më mbet penk për jetë, se për këtë vatan munt të vritemi, që sot a nesër, po borxhin atij j’a kemi ç’lyer nè të rinjtë them, pa ju që keni një jetë që luftoni, e keni bërë me kohë.

 

Formimi i regjimit të ri, të senatit dhe qeverisë së re. “Pse e vendos ministër të nipin e Esat Pashës?! Ai bën për atë post, po ja pati atdheut me djallëzi le të vrasën njëri tjetrin!”

 

Ai iku më kra të tij, nè më tonën, po im vëlla Bektashi e dij që në lloi (këtu; pavendosmëri) gjithë kongresi, do ish që të zgjith një njeri që të ish i zot për vëndë, pa dhe për ushtëri, se këto të dyja gjer nashti, ç’do përfaqësi që bënte mbëledhje të mëdha, thosh këto dyja leri mos i nga, se janë të Esat Pashës, dhe kur e bëri dhe Princi këtë, lere mos e nga të tjerët. -Ky djalë, tha im vëlla, do n’a duhet më shumë se të gjithë, më duket këtu në kongres, që s’e kishën fare në të këtë radhë mejtimin, se kë do vijën në qeverinë që do shpallën, më këtë katrahurë që mund të ngjasë, se s’dije nga të ruheshe, nga qeveria e Durrësit, a nga ushtërija italiane që ish më ç’do vënt, nga sërbtë që s’po linin gurë pa luajtur e të mirr të gjithë verinë, pa të vënë dhe Esat Pashnë, ndonjë princ të kazasë së tij, se jo vetëm ai, po gjithë të tjerët firmosën, për të marrë kusurnë e kësaj cope vënt, grekërit me avaznë e tyrej dhe që të merrje për detyrë, ndonjë ministri bie llafi, të dukej më këtë kohë, se vrit veten. I kam thënë asokohe Bektash Beut, se pse nukë merr nonjë detyrë ministri, bie llafi, se ty s’ta prishën. Hajredin Bej, nè jemi të një soji tjatër, me namuz, se më këtë vënt, po s’e ke njohur t’a them unë, gjëja më kollaj është të shaç a t’i hakërrohesh tjatrit, pse s’e bëri këtë a atë dhe nè, nukë i dorojmë dotë këto gjëra, po është se n’a kërkojnë mëndje, ashtu po, ndaj ty s’të vë më këto punë, se të nxjerrën mëntë nga koka dhe me ç’pësove nga kongresi yti, ishalla të vejë mbarë ky nashti, që t’u nxjerrë dhëmbët nga vëndi atyrë çingive të Durrësit (sarkazëm ndaj Q.Durrësit), që ti qofsh që i dëgjoje. Këtu s’ma mbush dotë mëndjen Bektash Bej, shqipëtarë kè, nga do të të këthenesh dhe njëri ka nje të keqe, tjatri ka një të keqe tjatër, që s’ngjajnë, fjaloseshim ndanë zjarrit në atë ftomë jenari, pasi vinte tek Sulo Beu (Cakrani) nga Lushnja, e n’a llafoste për të rejat, sa të deleguar erdhë e sa janë nisur. Im vëlla Sulo Beu (Cakrani), gjithë një ka qënë zëmër gjërë, po këtë radhë i mbajti me pará, bukë e të gjitha, fuqinë t’onë në çifligjet e tij, më Ardenicë, që po prit armiknë të vij nga Vlora dhe n’a e kaloi të tërëve, këtë herë. Kur muarmë vesh se kishën vrarë të dhëndërrin e Abdi Beut (Toptanit), që ish prefekt në Durrës, Abdul Benë (Ypi), që ish nga të parëtë që filloi këtë punë, pas llafeve të inglizit dhe njëqint vjet (shprehje e autorit për të treguar sigurinë absolute të mendimit) e vranë çingitë e Durrësit (Q.Durrësit), që n’a u bënë hije, sa thosha me vete, qysh kam ndënjur atje dhe unë, po më vin me ca njers, e domosdo me Turhan Pashnë që rivière a pris (e mori lumi, këtu; e morën me vehtë të ligjtë). Në lloi (këtu; të pavendosur) ishën të gjithë kë do virën kryeministër, kur të gjithë për t’u tundur e kapërdisur një çikë, janë të vetmit e j’u qan syri, e kur dhe Turhan Pasha u bë allasoj (këtu; i dyshimtë) si ata, mos prit më, po jo, këjo ishte kohë tjatër dhe më këtë rrezik, nukë kemi qënur as më 912. Në krye të fuqisë t’onë kshëm lënë Kamber Benë (Belishova) e të tjerë, Hysni Toskën e të tërë, e për ç’do të pa pritur, të më bijën njeri dhe ika në Lushnje. Atje nukë kishnë një konak të shtëtit për të qënë, që të mbëlith të gjithë, nëpër ato baltëra vamë e poqëm Bektash Benë me Aqif Pashnë (Elbasani), që kish ardhurë dhe që ishte më i vjetëri nga të gjithë asokohe, e patriot më i math s’bënej, po nukë kishën ardhurë shumë të deleguar dhe kongresi, nukë fillonej dot. Mbi dhè, njeri që e ndihi Ismail Benë (Qemali), pa asnjë mëdyshje e interes, deri në funt nukë nunt të ketë, veç atij. Nga mesi jenarit kishën filluar të vijën të deleguarit dhe nè ishëm në hall, për këta miqtë t’onë më Vlorë, se me ç’pamë, aha s’ma do mëndja t’i linin të vijnë, kur ja u duk Imer Agai (Radhima), bërë paparunë (këtu; skuqur) nga ftoma me ata sytë në bojë të qiellit, që ndrisnin e i çonin lotë, me një pelë të bardhë. Të parnë pyetje, qysh u ike italianëve, se ata të vrasën farë, se ty të njohnë i thamë. U ika ca me marifet, ja do vete te filan fshat se kemi një dasmë, e ca me vrap kur shihja fushë, sa j’a dola mbanë, po të tjerëtë do vononen, se iknë fshatrave e fshatrave, për të kapëtuar më anët tuaja (është fjala për në Mallakastër) e jalla të vinë këtu, për një javë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>