Vihet nën kontroll zjarri në Priskë të Madhe

Në aksion 250 forca ushtarake, një helikopter, 11 mjete transporti dhe 1 autoambulancë

Parandalohet rrezikimi i Parkut Kombëtar të Dajtit

Dje është vënë totalisht nën kontroll zjarri në fshatin Priskë e Madhe të komunës Dajt. U mobilizuan rreth 250 forca ushtarake, një helikopter, 11 mjete transporti dhe 1 autoambulancë. Task-Forca e Ministrisë së Brendshme arriti të koordinonte punën për të mbrojtur Parkun Kombëtar të Dajtit. Morën pjesë në aksion Drejtoria e Përgjithshme të Emergjencave Civile, Shërbimit Zjarrëfikës (PMZSH), ushtarë dhe banorë të kësaj zone. Efektivë nga strukturat e Forcave të Armatosura po punojnë intensivisht, me të gjitha mjetet e domosdoshme për shuarjen e vatrës së zjarrit, e cila sipas informacioneve të marra nga vendi i ngjarjes, ndodhet në një terren tepër të thyer malor. Në krye të efektivëve të Forcave të Armatosura, gjatë kryerjes së këtij operacioni, janë zv/komandanti i Batalionit të II-të, nënkolonel Ardian Bali dhe zv/komandanti i Batalionit të I-rë, major Besim Bali. Sipas tyre, aktualisht situata paraqitet tejet e vështirë për shkak të terrenit të thyer, i cili e vështirëson operacionin, si dhe nuk mundëson përdorimin e mjeteve zjarrfikëse. Po kështu ndikimi i erës, i shoqëruar edhe me temperaturat e larta, e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, punonjësve të pyjores, por edhe të ushtrisë. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, menjëherë pas marrjes së sinjalit për ndihmë, dërgoi mbrëmjen e ditës së mërkurë, 185 forca ushtarake dhe 10 mjete transporti për të lokalizuar, normalizuar dhe më pas shuar flakët në fshatin Priskë e Madhe, numër ky i cili u rrit mëngjesin e ditës së djeshme, duke kapur shifrën e 250 efektivëve, 11 mjeteve të transportit, një helikopteri dhe një autoambulance. Gjithashtu u agnazhuan 50 forca ushtarake, nga Brigada e Mbështetjes Rajonale (BMR), si dhe 3 mjete transporti tip “Iveco”, nga BMR, 1 helikopter AB 205, nga Baza Ajrore Farkë ashtu si dhe efektivë të Batalionit të dytë të Këmbësorisë, efektivë të Batalionit Komando, efektivë të Forcës Tokësore, si dhe nga Batalioni i Kërkim-Shpëtimit i Brigadës. Ndërhyrja e ushtrisë erdhi pas një kërkese të bërë nga autoritetet vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>