Përfaqësuesi i PPE-së në KiE shuplakë kreut të PS-së
Lideri i opozitës, Edi Rama, ka marrë dje një shuplakë të fortë nga përfaqësues të Këshillit të Europës. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luca Volonte, i ndodhur në Tiranë për një vizitë zyrtare, kritikoi ashpër qëndrimin e opozitës dhe kreut të saj lidhur me çështjen e imunitetit. Ai shprehu habi që lideri i opozitës dikur bërtiste për transparencë, tani nuk e dëshiron më atë. “Kam mbetur shumë i befasuar kur kam marrë vesh këto ditë se pikërisht një nga dy liderët, pra Rama, i cili për vite të tëra ka reklamuar në të gjithë Europën me polemika kundër Berishës, idenë e një transparence më të madhe dhe të një reforme për imunitetin, pasi është parë dhe pranuar pjesa më e madhe e amendamenteve, ka vendosur nga ana tjetër të mos votojë një reformë shumë thelbësore. Pra, ai që dikur thoshte dhe kërkonte më shumë transparencë, sot nuk lejon që kjo transparencë të jetë pjesë e sistemit shqiptar”, – tha Volonte gjatë një prononcimi për mediet. Duke komentuar më tej qëndrimin në vijimësi të liderit të PS-së, parlamentari i Këshillit të Europës tha se Rama dashje pa dashje me votën e tij kundër ligjit për kufizimin e imunitetit, po renditet mes atyre që nuk e duan Shqipërinë në Europë. “Ajo për të cilën më vjen më shumë keq është se për herë të dytë Partia Socialiste dhe lideri i saj Edi Rama shtiren se nuk e dinë që ky ligj i ri për imunitetin është një nga kushtet thelbësore dhe të rëndësishme në mënyrë që Bashkimi Europian të japë një mendim në favor të vazhdimit të procedurës për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pra, vota kundër e Ramës po bën një dëm të dyfishtë, duke u rreshtuar në anën e atyre që nuk duan transparencë në parlament dhe, për fat të keq, për herë të dytë renditet në anën e atyre që nuk e duan Shqipërinë në Europë”, – vijoi ai. Kreu i grupit parlamentar të PPE-së në mënyrë indirekte i sugjeroi liderit të selisë rozë që ta mendojë edhe një herë qëndrimin e tij, pasi ky qëndrim është kundër Shqipërisë dhe kundër transparencës në Shqipëri. Ndërkohë, referuar procesit të votimit më datën 6 gusht, Volonte e vlerësoi të rëndësishme seancën e së hënës për vendosjen e barazisë para ligjit të qytetarëve dhe zyrtarëve. “Votimi i së hënës është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse me këtë reformë deputetët nuk janë më të paprekshëm dhe fut në sistemin parlamentar një transparencë më të madhe, por dhe një përgjegjshmëri më të madhe të atyre që eventualisht mund të kryejnë krime. Reduktimi i imunitetit sjell një barazi më të madhe të qytetarëve dhe deputetëve para ligjit”, – përfundoi ai.
Seanca e votimit
Pas dy ditëve më 6 gusht Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që përmes një seance të jashtëzakonshme, jashtë sesionit parlamentar, të votojë ndryshimet kushtetuese për lënien dhe kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Drafti i relatuar nga dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ai i PD-së Edi Paloka dhe ai i PS-së Pandeli Majko, pret votën e ligjvënësve shqiptarë për të plotësuar në këtë mënyrë një tjetër kërkesë shumë të rëndësishme të Bashkimit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërsa mazhoranca këmbëngul në votimin e amendamenteve pikërisht në datën e caktuar, opozita kërkon shtyrjen e tij për në shtator, duke e cilësuar të imponuar këtë datë.