Aldo Hoxha nuk pranon krimin në gjykatë, mohon vrasjen
Prokuroria: Djali ka hematoma nga fëmijët e viktimës
Për djalin që akuzohet se ka vrarë Fatbardha Tafën për një varëse, gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg”. Kështu, 20-vjeçari Aldo Hoxha mbetet i dyshuari kryesor për vrasjen e Tafës e plagosjen e së motrës, Lumturie Gjana, gjatë një tentative për t’i vjedhur varësen që mbante në qafë. Seanca ndaj 20-vjeçarit nisi rreth orës 10.00, por u ndërpre me kërkesë të avokatit të të riut, Arben Qeleshi, i cili kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen. Seanca rifilloi pas 30 minutash. Gjykatësi Neritan Cena pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj Hoxhës. Organi i akuzës pretendon se ka prova të forta për të provuar përfshirjen në krimin e ndodhur në zonën pranë ish-Fushës së Aviacionit ku Fatbardha Tafa mbeti viktimë e grabitësve, ndërsa e motra, Lumturie Gjana, për fat i mbijetoi vdekjes. Prokuroria nënvizoi se ka në duar provën më të fortë shkencore: Përputhje në një masë të lartë të njollave të gjakut të gjendura në një kapelë, që sipas organit të akuzës i përket Aldo Hoxhës, me gjakun e viktimës Fatbardha Tafa. Sipas Prokurorisë, Aldo Hoxha ka në trup edhe disa hematoma, të shkaktuara nga fëmijët e viktimave, në përpjekje për të ndihmuar nënat e tyre. Në seancën e djeshme organi i akuzës nuk dha asnjë reference në lidhje me bashkëpunëtorin tjetër të krimit të ndodhur një javë më parë. Momentalisht nuk ka asnjë emër konkret për personin që ka bashkëpunuar me Hoxhën për kryerjen e krimit të rëndë. Ndërkohë 20-vjeçari nuk e ka pranuar akuzën dhe ka mohuar krimin në gjykatë. Fatbardha Hoxha bashkë me të motrën, Lumturi Gjana dhe dy fëmijët e tyre, ishin duke bërë një shëtitje me këmbë në një rrugë dytësore pranë ish-Fushës së Aviacionit, kur u sulmuan nga dy të rinj me motor, të cilët tentuan t’i grabisnin varësen e floririt. Për fat të keq Tafa ndërroi jetë nga goditja me thikë, ndërsa e motra, Lumturie Gjana mbeti e plagosur.