Si e shfrytëzuan komunistët marrëveshjen mes Shyqyri Pezës dhe Qazim Mulletit
Filozofi francez Zhan-Zhak Ruso më 1762 shkruante: “Njeriu ka lindur i lirë dhe është i lidhur kudo me zinxhirë”. Historia na mëson se mjaft njerëz nuk e kanë përjetuar lirinë, por mjaft prej tyre e kanë kaluar jetën të “lidhur me zinxhirë”, të burgosur në një sistem që i ka privuar nga çdo lumturi e merituar në jetë. Fashizmi apo komunizmi? Një diskutim që ka pushtuar sot jo vetëm botën mediatike, por dhe atë historike shkencore. Natyrisht, triumfojnë faktet, ideologjitë, bëmat e dhunës, të vlerësuara me statistika e prova të dokumentuara, apo të jetuara, jashtë propagandës së indoktrinuar. Kjo është çështje më vete, por vendi ynë, që i ka përjetuar të dyja diktaturat, ka nevojë të “trajnohet” edhe në këto debate aktuale të mbetura tabu. Midis dy të këqijave, cila do të vuloset në histori si më e rrezikshmja? Kuptohet që mbi diktaturat dhe tiranitë kanë shkruar edhe fantazmat e mendimeve të vdekura, që provuan bashkekzistencën në burgjet e tyre, por historia politike e kohës i ka censuruar për një kohë të gjatë. Fashizmi u quajt në histori prej komunistëve si një nocion përballë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ndërsa nga nacionalistët u quajt si okupator. Në Bashkimin Sovjetik u quajt “luftë patriotike”, sipas konceptit nacionalist, të cilin e vuri në dispozicionin mbarëkombëtar. Për ç’arsye Lufta e Dytë Botërore nuk u quajt “luftë kundër fashizmit”? Kur Gjermania pushtoi Poloninë, vetëm atëherë Anglia i shpalli luftë. Me Italinë Anglia ndoqi strategjinë e izolimit nga Boshti, e provuar kjo me ekzistencën legale të Partisë Fashiste Angleze në Londër. Vetëm kur Italia i shpalli luftë Francës, i shpalli luftë edhe Anglia, duke zhdukur njëkohësisht Partinë Fashiste Angleze. Anglia, Bashkimi Sovjetik, Franca nuk kishin problem fashizmin as si ekonomi, as në ideologji, sepse ajo filloi si një luftë imperialiste për hapjen e kufijve, po kur Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik, komunistët e quajtën “antifashiste”. Bashkimi Sovjetik e quajti “luftë e madhe patriotike”, sepse synonte të bashkonte Europën kundër Gjermanisë. Ato vende që i kishte pushtuar fashizmi, i orientoi për ta quajtur “luftë antifashiste”, si variant bashkimi në bllokun lindor. Ky term fashist lindi në luftën e Spanjës, kur Frankon e ndihmoi fashizmi. Mirëpo Frankoja asnjëherë nuk e quajti veten fashist. Si i tillë, fashizmi u bë personifikimi i së keqes më të madhe, si një sistem ideologjik që u paraqit si vetë djalli. Lufta e Dytë Botërore përfshiu tri diktatura:
1. E kuqja, që konceptonte komunizmin dhe që me vrasje masive zhdukte kundërshtarët për të vendosur pushtetin e vet.
2. E zeza, u konceptua diktatura fashiste, edhe pse ka vrarë më pak kundërshtarë.
3. Gri, u konceptua diktatura e nazizmit (“griggo verde” – gri jeshile).
Të tria diktaturat janë bazuar te evolucioni seleksionues i darvinizmit. Te diktatura e kuqe, në thelb është hibridizimi i Marksit me darviznimin. Diktatura e kuqe u vu në praktikë me Revolucionin e tetorit 1917 në Rusi, diktatura e zezë e fashizmit u zbatua në Itali më 1922, ndërsa diktatura gri e nazizmit u zbatua në Gjermani më 1933. Për sa i përket fashizmit, që u quajt e zezë më 1922, kjo shpjegohet me kompromisin e bërë me perandorin, që pranoi bashkëjetesën me diktaturën. Kjo ka qenë edhe diktatura më e butë. Diktatura e kuqe dhe ajo gri nuk bënë asnjë kompromis. Në Rusi u vranë Romanovët, po ashtu edhe në Gjermani. Synimi i diktaturës së kuqe ishte të shfrytëzonte komunizmin si një sundim botëror. KOMINTERN-i, me bazë në Moskë, para Luftës së Dytë Botërore kishte shpërndarë agjentët e vet kudo. Fashizmi me kompromisin që bëri me perandorin iu rikthye idesë romake spacio vitale (“hapësirë për jetesë”), d.m.th. jo synim botëror, por në kufijtë e Perandorisë Romake, nga Abisinia deri në Mare-Nostrum, ku ka qenë Roma. Për sa më sipër, ekzistojnë faktet historike: Traktati i mossulmimit midis Molotovit dhe Ribentropit më 26.8.1939 deri më 21.6.1941, që u shkel nga gjermanët. Traktati Anti-KOMINTERN i vitit 1937 midis Gjermanisë dhe Japonisë. Dihet se më 1935 u bë KOMINTERN-i, ndërsa më 1936 u bë lidhja antikomuniste Gjermani-Japoni dhe më 1937 hyn edhe Italia.
Po të faktohen krimet e luftës, se sa italianë vrau Duçja, sa rusë vrau Stalini dhe sa anëtarë të partisë së vet vrau Hitleri, të çojnë në shpjegimin se cili ishte diktatori më i keq. Vetëm te libri “Doktor Zhivago” argumentohen vrasjet e mbi 20 milionë rusëve nga Stalini, pa folur këtu për Romanovët apo Tukaçevskin. Mirëpo emri i keq në histori në lidhje me këto dy diktatura i mbeti fashizmit, sikur ishte më kriminali, kurse në fakt ishin diktatura e kuqe dhe ajo gri, prandaj historiografia këto koncepte ose nocione duhet t’i përdorë në mënyrë reale dhe jo propagandistike. Kështu, p.sh., koncepti “ballist” për fashistët përdorej vetëm për ata që merrnin urdhër nga Mithat Frashëri dhe jo për ata që merrnin urdhër nga Regjenca, si p.sh. Musa Picari në Kashar etj. Për Pezën ka pasur marrëveshje midis italianëve, të përfaqësuar nga Qazim Mulleti me Shyqyri Pezën, që asnjë xhandar të mos shkelte në Pezë, se e mbanin vetë rendin publik. Si rezultat, Peza, sa ekzistonte e pashkelur kjo marrëveshje, u quajt “zonë e lirë”. Këtë fakt e shfrytëzuan komunistët kryesorë, si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Koço Tashko, të cilët vinin me muaj të tërë në Pezë, derisa fashistët e kuptuan se ç’po ndodhte në Pezë, ku edhe u zhvillua konferenca. Atëherë italianët, me shkeljen e marrëveshjes të bërë me Shyqyri Pezën dhe Qazim Mulletin, të cilën ne e quajtëm të prishur, nga aktiviteti komunist i Myslym Pezës dhe Enver Hoxhës, filluan operacionet luftarake. Miq të Myslym Pezës në Tiranë ishin Ymer Keci, Dem Xhepa, Ramazan (Xan) Xhepa dhe ky grup u bë shkaku kryesor i lidhjes me Enver Hoxhën në Tiranë. Fati i Shyqyri Pezës është shkruar në botimet pos vitit 1991, edhe pse historiografia enveriste nuk e përmend këtë të vërtetë. Po mbi këtë bazë gjykimi vijmë te burgjet fashiste, të përshkruara në mënyrën më të nxirë për të zbardhur burgjet e komunizmit. Mjaft nacionalistë kanë shkruar dhe treguar të vërtetën që kanë përjetuar në burgjet e fashizmit. Sipas fakteve të sjella prej tyre, argumentohet se ligji dhe rregullat respektoheshin në burg, ndërsa komunistët i përdornin këto burgje për të përgatitur njerëzit më të besuar të tyre. Në burgun e Tiranës, sipas tyre, çdo njeri ishte i lirë të fliste. Kur të arrestonin italianët, ata të mbanin dy-tri javë pa dënuar dhe të lironin më përpara. Çdo njeri, po të mos kapej në flagrancë me bindje dhe fakte, nuk mbahej në burg. Ata që hynin për çështje ordinere bëheshin komunistë, sepse në burg punohej shumë për luftën. Të tillë u bënë në burg dëshmori Myslym Shyri dhe Ismail Caushi. Këta të dy u futën në burg për një motiv banal.
Në kohën e Italisë njëfarë Hasani u punësua nga pronari Isuf Beqiri i kinemave “Nacional” (ish-kinema “17 Nëntori”), “Rex”, pastaj në kinema “Kosova” dhe paratë e biletave ky i merrte me vete në shtëpi. Lym Shyri dhe Ismail Caushi natën i dalin në rrugë dhe e qëllojnë me hekur duke i marrë paratë. Hasani i kundërshtoi, ishte i fortë fizikisht dhe arriti t’i denonconte në polici. Këta të dy u futën në burg si ordinerë dhe u bënë komunistë. Të tilla ngjarje shoqërojnë mjaft fakte heronjsh dhe dëshmorësh, që tiranasit i njihnin për arrakatë dhe të papunë. Edhe ata që ishin indiferentë përpunoheshin për luftë pastaj bëheshin komunistë. Po të krahasohen me burgjet e Italisë, ka mjaft ngjarje të treguara prej dëshmitarëve që jetojnë sot. Myftar Spahia në vitin 2001 ka shpjeguar kohën e internimit në ishullin “Tremiti” të Italisë më 10.8.1939. Ai shpjegon: “Atje ishin bashkë të internuar italianë dhe shqiptarë. Në internim shteti jepte një pagesë për ushqim. Ishim së bashku 8 veta, midis të cilëve Halim Begeja, Sulejman Lleshi, Hamit Shehi, Xhezmi Delli. Të gjithë këta në vitin e fundit të universitetit. Unë me gjithë Halim Begenë kishim për të dhënë provimet e fundit për jurisprudencë, por ishim të dënuar për dy vjet. Përgatitëm një kërkesë me shkrim për kuesturën fashiste, që të na lejonte dhënien e provimeve përfundimtare. Na shoqëruan me dy karabinierë dhe dhamë provimet, njëri në Torino, ndërsa tjetri në Siena të Francës. Morëm diplomën, u kthyem në internim dhe u bëmë avokatë. Po ta bënte dega e punëve të brendshme një internim në Tepelenë dhe të bënte këtë lëshim, çfarë do të bënte Enver Hoxha?”
Është shkruar shumë në histori për arratisjen e famshme të Koçi Xoxes me shokë nga burgu i Tiranës. Kjo legjendë komuniste aktualisht është vështirë të çmitizohet, se shumë prej tyre janë vrarë ose kanë vdekur. Mirëpo në këtë burg nuk ishin vetëm komunistë, sepse midis 26 vetave ishte edhe Zef Ndoja, miku i ngushtë i Qemal Stafës. Këtë fakt e harrojnë për këtë ngjarje, sepse plekset me vrasjen e Qemal Stafës. Zef Ndoja ka qenë sekretar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku ishte ministër Kolë Bibë Mirakaj, dhe si i tillë i besueshëm, kishte teknikën e Partisë Komuniste në Shtëpinë e tij. Enver Hoxha ka akuzuar Zef Ndojën për vrasjen e Qemal Stafës dhe siç dihet Zefi, kur doli partizan me çetën e Ishmit, e vranë komunistët. E vërteta është se Enver Hoxhës i duhej burgosja dhe vrasja e Zef Ndojës për t’i shpëtuar akuzës, pasi Ramazan Xhepa ia kërkonte Enver Hoxhës fatin e Qemal Stafës, sepse e kishte djalin e mikut të vet dhe e kishte mbajtur në shtëpinë e tij, d.m.th. në besë. Vetëm dy ditë përpara se të vritej Qemal Stafa dhe do të largohej për në Vlorë Enver Hoxha e largon nga Ramazan Xhepa për në një bazë tjetër, që sipas tij u spiunua nga Zef Ndoja, meqenëse ishte sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme fashiste. Ramazan Xhepa derisa vdiq këtë gjë ia kërkoi Enver Hoxhës, duke i thënë: “Pse e more nga shtëpia ime?” Edhe këtë fakt në histori për faktin e të larguarve nga burgu i Tiranës e kanë keqinterpretuar.
Për të kuptuar më mirë se kush burgosej realisht dhe cilët janë propaganduar nga komunistët, është i domosdoshëm trajtimi në histori i së vërtetës për ilegalët. Në pushtimin fashist nuk kanë qenë ilegalë vetëm komunistët, por edhe PSD-ja (Skënder Muço, Musine Kokalari), Partia Komuniste e Vërtetë (Sadik Premte), Partia Nacionaldemokrate (Halim Begeja, Sulejman Lleshi, Hamit Shehi), Partia e Legalitetit (Abaz Kupi) e rreth 11 organizata të tilla. Prej tyre janë burgosur mjaft nga fashizmi, por asnjëherë nuk janë trajtuar si të tillë. Bile janë fshehur në biografi mjaft komunistë titullarë, deri në udhëheqje të diktaturës komuniste dhe që kanë qenë balila, apo anëtarë të Partisë Fashiste. Për këtë mund t’u referoheni dokumentacioneve të Partisë Fashiste, mëkëmbësit të mbretit, Lugotenecës etj., ku lista të tëra fashisto-komuniste i janë fshehur historisë.
Përpara se të paraqes variantin e burgjeve fashiste të shkruara në histori nga komunistët, që e kanë përjetuar atë, më duhet të jap për diskutim konceptin e ilegalëve, ndryshe nga sa është mbetur deri më sot në historiografinë tonë.
Ilegalët
Këtë grup e studionin mirë komunistët. Si? Miladin Popoviçi ishte specialist ndërkombëtar për këtë çështje. Komunistët bënin çdo mbledhje me celula, ku si rregull asnjëra nuk merrte vesh për tjetrën. Partia Komuniste Shqiptare u zgjerua nga këto celula brenda lagjeve më të mëdha dhe duke dërguar delegatët e vet nga qarkori, pa të cilat nuk zhvilloheshin dhe njëkohësisht për çdo diskutim mbahej procesverbal i rregullt. Mbledhja u zgjerua në lagje me ilegalë edhe nga ballistë apo legalistë, mjafton që të luftohej fashizmi. Mbas çdo mbledhjeje raportohej lartë, ku zgjidheshin tiparet e atij që fliste sipas idesë komuniste, në veçanti për atentate. Atentatorët kanë pasur nevojë për ndihmës, sepse çdo atentat bëhej i studiuar për të vrarë një kuadër fashist që 1-2 muaj më parë. Nëpër celula diskutohej se si do të vritej armiku dhe aty më të guximshmit zgjidheshin për këtë akt. Mbledhjet organizoheshin në formë pikniku p.sh. tek ura e Brarit, Selitë, ku u organizua dhe takimi për vrasjen e Jani Kristos. Kur të vritej ky, populli duhej të thoshte: “Ju lumtë!”. Mirëpo këto atentate kërkonin ndihmës të besuar, por dhe një stazh për t’i aktivizuar në të ardhmen si të besuar. Askujt nuk ia merrte mendja se mund të bëhej atentator Viktor Gjokoreci, i cili njihej në gjimnaz si më i urti. Atentati i parë u bë kur u vra Beqir Kazazi. Popullit nuk ishte i përgatitur për këtë vrasje dhe u habit, sepse ishte tiranas, nga familje e nderuar, pa post zyrtar dhe vetëm me idenë e bashkëpunëtorit me italianët, që e dinte vetëm Partia Komuniste Shqiptare. Këtë e vrau Kajo Karafili, kur Beqir Kazazi po shëtiste me Ramazan Jaranin (aty ku është 9-katëshi sot). Ngaqë nuk u mirëprit nga populli i Tiranës kjo vrasje, atëherë komunistët nxorën mësim duke e quajtur atentat të dështuar. Atentati i dytë ishte kundër Ali Reçit, ish-komisar policie qyteti, jo i kuesturës. Edhe ky ishte i padiskredituar në popull dhe që habiti përsëri Tiranën për këtë terror. Mbas këtyre vrasjeve ndryshoi metoda e atentateve, duke përgatitur më parë propagandën e diskreditimit në popull, duke aktivizuar sa më shumë ndihmës për atentatorët, deri sa arriti që populli të thotë, mbas 4 shkurtit: “Ju lumtë dora për çdo vrasje!” Metoda sllave, që u mboll nga Miladin Popoviçi, u bë shembull heroizmi në historinë enveriane.
Fakte të pabotuara në historiografinë shqiptare
Në kapitullin “Qëndresa heroike në qytete” botuar në “Historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare” në vitin 1990 nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, jepet e plotë kronologjia e ngjarjeve prej dhjetorit 1943 deri në 28 nëntor 1944 për gjithë aktivitetin ilegal nëpër qytete, veprimtarinë e gueriljeve dhe burgjet e nazizmit. Në fakt deri në këtë periudhë, lufta e dytë botërore për Shqipërinë enveriane, u quajt antifashiste. Kjo nuk përputhet me të gjitha statistikat, ngjarjet e ndodhura deri në kapitullimin e Italisë fashiste më 9 shtator 1943, sepse deri në këtë periudhë nuk ishin të përfshira në luftë vetëm forcat komuniste, por edhe ato nacionaliste, të cilat me pushtimin gjerman u quajtën bashkëpunëtorë. Në këtë kontekst ka mbetur në tërë kronologjinë e luftës një edukim masiv komunist i shpjeguar dhe i argumentuar, si një bllok armik me përfshirjen e të gjithë antikomunistëve shqiptarë. Ky fakt, nuk është interpretuar në histori, si një çështje më vete, por e përgjithësuar me nocionin antifashist. Për ta argumentuar më duhet të shkëpus, disa të dhëna nga ky material që akoma qëndron në këtë histori, e cila lexohet edhe sot.
Në këtë material mbi 47 faqe shkruhen të tilla gjëra: “Në dimrin e viteve 1943-44, pothuaj të gjitha qytetet gjendeshin në duart e pushtuesve gjermanë. Në këtë kohë botonin gazeta, revista dhe libra, Komanda Gjermane, Qeveria Kuislinge, “Balli Kombëtar”, “Legaliteti”, Kleri Katolik, Myslyman e Ortodoks, si dhe rrymat e tjera reaksionare, gjithsej 28 organe në mijëra kopje… Në Tiranë 60 anëtarët e partisë, që vepronin brenda në qytet gjatë dimrit 1943-1944, u ndanë në 11 celula në vend të 8, që ishin më parë. U krijua aty edhe një komitet i vogël partie, i posaçëm për qytetin. Të tilla u krijuan në Korçë, në Shkodër (23 AP në celula) e kështu me radhë, ku 40% e komunistëve në qytet ishin gra. Secila celulë kishte grupin e vet edukativ dhe grupin e simpatizantëve. Ndër të rinjtë komunistë në qytete 70% ishin vajza. Në Tiranë kishte 14 aktive të Rinisë Komuniste me vajza punëtore e shtëpiake (gjithsej 120). Në Korçë të rejat komuniste arrinin numrin 169 (në 13 aktive), kurse të rinjtë 100. Vetëm të reja komuniste shtëpiake në Elbasan kishte 60. Një punë të dobishme zhvillonin këshillat e Bashkimit të Rinisë Antifashiste dhe grupet e pionierëve, të cilët kanë qenë shumë aktivë në dimrin e viteve 1943-1944. Kanë vepruar me gjallëri të madhe në këtë kohë edhe këshillat e Bashkimit të Grave Antifashiste. Në Tiranë kishte 18 të tilla, në Korçë kishte 22, në Elbasan 10. Në rrethana shumë të vështira, u provua, se nuk ka njeri më të përshtatshëm për punë në ilegalitet, se gruaja patriote e revolucionare. Buletini i “Zërit të popullit” botohej çdo ditë në Tiranë në 2000 kopje, ndërsa në qytetet e tjera 1000-1500. U botuan në dimrin e viteve 1943-44, në qytete edhe “Bashkimi”, “Kushtrimi i Lirisë”, “Lufta e Rinisë”, dhe “Gruaja Shqiptare”. Këto materiale i shtypnin në shtypshkronjën e Gurit të Muzhaqit (në Çermenikë të Elbasanit), pastaj i fusnin ilegalisht në qytet. Nëpër bazat e teknikës, u ngritën vende tepër të fshehta, nëpër bodrume shtëpish etj, të cilat nuk lejonin të zhvillonin asnjë mbledhje ilegale. Jehonë të madhe pati, sidomos vrasja e Aziz Camit (në dhjetor 1943, në Tiranë). Si pasojë u bënë mjaft arrestime nga Gestapo hitleriane. U prit gjithashtu shumë mirë nga populli edhe vrasja e Ethem bej Frashërit në Korçë (dhjetor 1943). Për t’u hakmarrë nazistët pushkatuan në pazarin e Korçës 5 djem nga Orman Ciliku. Nuk ka pasur qytet që gjatë dimrit 1943-44, që të mos ketë pësuar bastisje e masakra të tmerrshme. Prej fillimit të dhjetorit 1943, deri në fillim të marsit 1944, në Tiranë ndodhën 11 akte të tilla mizore, në Elbasan 10, në Shkodër 7, në Korçë 5, në Vlorë 3, në Berat, Fier e Berat nga 2. Kulminante ka qenë 4 shkurti 1944, ku Tirana u gdhi e mbytur në gjak e në zi: 84 vetë të vrarë, mbi pesëqind të burgosur. Po kështu u vranë në Shkodër, më 8 dhjetor 1943, 2 patriotë antifashistë, midis të cilëve doktor Jorgji Karamitri, nënkryetar i këshillit nacionalçlirimtar të qarkut dhe i pushkatuar. Po në Shkodër më 10 janar 1944, ata diktuan me anë të spiunëve edhe rrethana në një bazë ilegale afër kalasë shokët Sherif Hoxha, anëtar i Komitetit Qarkor të Partisë dhe Hajrulla Kastrati, përgjegjës i njësiteve guerile. Në këtë përleshje të ashpër morën pjesë 400 ushtarë gjermanë dhe reaksionarë, që luftonin me dy komunistë dhe prapë nuk i mposhtën dot, përdorën topa antitanke për të shkatërruar muret e shtëpisë, por nuk i gjunjëzuan trimat. Pas tri orë e ca luftimi, këta u orvatën të shpërthenin rrethimin me bombat e fundit të dorës, që u kishin ngelur, po nuk shpëtuan dot. Armiqtë i zunë më në fund të plagosur rëndë dhe të nesërmen i pushkatuan pa gjyq. Një fat të tillë pasoi edhe anëtari Komitetit Qarkor të Partisë së Shkodrës Daniel Matlia, që i bëri ballë vetë, duke kthyer bazën, ku qe strehuar në kështjellë me orë të tëra, kundër njëqind e më shumë ushtarëve e xhandarëve të armikut, deri sa dha jetën duke luftuar me trimëri të rrallë. Një ngjarje tjetër, që tronditi Shkodrën ishte vrasja e Vasil Shantos. Në Vlorë më 20 dhjetor 1943 u gjet i rrethuar baza ku strehohej Ali Demi… Edhe këtu u vra heroikisht Ali Demi… Në qytetin e Korçës më 23 dhjetor 1943 u bënë terrorizime të mëdha në popull, në veçanti për të zbuluar bazat ilegale. Në të gjitha qytetet burgjet ishin mbushur plot. Në burgje u shndërruan mjaft shkolla e konvikte. Asnjëherë nuk ka pasur në Shqipëri, aq të burgosur, ku 30% e tyre ishin gra e vajza dhe mjaft fëmijë 12-15 vjeç. Të burgosurit nuk kishin të drejtë të vizitoheshin apo të shikoheshin nga prindërit e të afërmit e tyre. Për ta ishte vendosur një regjim i tillë, që të çonte dalëngadalë në shkatërrimin e plotë dhe më në fund në vdekjen fizike. Në çdo burg kishte celula të partisë dhe aktive të rinisë komuniste që vepronin rregullisht. Kështu burgjet të ngritura nga armiqtë, për të thyer vullnetin dhe luftën patriotike revolucionare të Partisë Komuniste, kanë shërbyer për përhapjen e doktrinës komuniste dhe jo për kufizimin e saj. Në këtë luftë armiqtë humbën si pasojë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, 3000 të vrarë (shumica ushtarë gjermanë) dhe 2000 robër (shumica pjesëtarë të bandave tradhtare)”.
Për sa më sipër, burgjet trajtohen në detaje, si shkolla edukimi. Këto në të gjitha referencat e veprat e Enver Hoxhës, të cituara edhe në dokumentacion arkivor të institucioneve historike të atij shteti. Që të mbeten në histori këto lloj argumentesh, të dhënash, e interpretime, jo vetëm që janë të pabesueshme, por mbi të gjitha, të çedukojnë, sepse në dimrin e vitit 1943-1944, u shpartallua e tërë ushtria partizane dhe jo më gratë, vajzat, fëmijët e pionierët të vepronin ilegalisht në gojën e ujkut gjerman. Në vend që të botohen në këtë histori dëshmi të tilla, si p.sh. ajo e ish-komandantit të brigadës Kadri Hoxha për vrasjen e 129 karabinierëve italianë, me në krye kolonel Gamuçin, të cilët u dorëzuan më 12 shtator 1943, vullnetarisht mbas kapitullimit me urdhër të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut prej Xhelal Staraveckës, heshtet e mbahet sekret. Kur në këtë kohë historiografia italiane e zbulon, si një fakt, që na rëndon, si popull e si komb. Të tilla fakte janë me qindra, por edhe vrasja e Dhimitër Fallos nga njësitet guerile të Korçës, deri më sot i cilësuar me akuzën e spiunit, nuk është zbuluar dhe faktuar. Në materialin e dërguar Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, prej veteranit, Muhamet Qoli (Kavaja) me titull “Kujtime rreth trajtimit dhe torturave, që u bëheshin të burgosurve politikë në Kuesturën e Tiranës”, e cila u përdor për të treguar burgjet fashiste në Shqipëri, ka vetëm propagandë e asnjë fakt për t’i krahasuar, si më të këqija nga burgjet komuniste. Janë 8 faqe material i daktilografuar, ku përfshihet i gjithë aktiviteti i ndodhur, mbas datës 16 shtator 1942, në Pezë, e deri në kapitullimin e Italisë më 11 shtator 1943, që shpjegon të “vërtetat” që ndodhin në këto burgje. Në këtë material ka emra, spiunë, e çdo gjë pro faktit që dolën të gjallë e pa u prekur, bile edhe me kostum e të ushqyer mirë, që mund të provohen, vetëm me fotografitë e asaj kohe. Që të bësh oponencë për të vërtetën e burgjeve të fashizmit, edhe me të tilla kujtime, dëshmitarësh, që kanë qenë në këto burgje, sipas variantit komunist është një humbje kohe.
Xhemal Alimehmeti, i burgosur si ballist në vitin 1945 tregon: “Kur isha në burg, dëgjoja debatin midis Qemal bej Vironit dhe Xhevat Korçës (historian ish-ministër i Kulturës së Zogut). Dëgjoja, si më i riu, dy njerëz me kulturë, por edhe tolerantë, që debatonin me argumente dhe një forcë logjike, që sot e kësaj dite nuk më harrohet. Çështja u shtrua: a është tradhtar Esat Toptani? Pra, a është ky që ne njohim në histori? “Mua më intereson,- thotë Qemal bej Vrioni, – që Shqipëria ta ketë historinë me sa më pak tradhtarë dhe me sa më shumë heronj, por pa paragjykim.” Kjo përgjigje ishte sepse Xhevat Korça po e denigronte Esat Toptanin në këtë debat, megjithëse Xhevati ishte ministër i Zogut dhe e dinte mirë që nëna e Zogut ishte Toptanase, e nxirrte tradhtar. Qemal Vrioni, megjithëse ishte familje në antagonizëm me Toptanët (me kufijtë e tyre në Shqipërinë e Mesme dhe në Myzeqe) e mbronte Esat Toptanin, duke argumentuar se “Esati me aq fuqi sa kishte gjatë Luftës së Parë Botërore mori anën e aleatëve”.
Diskutimi zgjat me argumente shkencore dhe aspak politikë, ndërsa sot për gjyqet e komunizmit, burgjet dhe heronjtë e saj, diskutohet vetëm politikisht në historiografinë tonë. Dihet që gjyqet shqiptare, i kanë trajtuar të dënuarit, si kriminelë lufte, ndër të cilët mjaftë studiues e burra të shtetit shqiptar, pa asnjë provë krimi. Historiografia enveriste quan bashkëpunëtorë të fashizmit, të gjithë antikomunistët, pa e konceptuar fashizmin.
Ali Ohri (gjeneral në pension nga shteti italian), tregon, se: “Akademitë Ushtarake në Itali, ishin qendrat ku lindi dhe u formua antifashizmi, sepse fashizmi, si ideologji në ushtri nuk lejohej. Me rreptësi quhej vendi i depolitizimit, sepse ishin me mbretin. Asnjë orë programi nuk bëhej në shkolla ushtarake për fashizmin”. Në dokumentacionin e historiografisë sonë, nocioni “vdekje fashizmit” ekziston deri në vitin 1954, dhe deri në vitin 1990, ka një keqinterpretim, jo vetëm të fakteve, nocioneve, koncepteve, por një përfundim total për luftën e dytë botërore të titulluar antifashiste. Kjo lloj historie, quhet e shkruar, nga fantazmat e mendimeve tashmë të vdekura. Interpretimi i fakteve ka rëndësi në historiografi, në veçanti për Luftën e Dytë Botërore që nis me fashizmin. Kur flasim për burgjet e fashizmit në Shqipëri, bëhet fjalë që më 26.8.1939, u bë traktati i mossulmimit Gjermani-BRSS, që përcaktoi aleancën e komunizmit me nazizmin, për pasojë dhe fashizmin. Kështu, që deri më 22 qershor 1941, ditën, kur u sulmua BS-ja, në burgjet e fashizmit u futën shqiptarët, si nacionalistë dhe jo si komunistë. Fashizmi nuk propagandoi rend të ri, si nazizmi e komunizmi, prandaj krimet më të mëdha u përkasin këtyre diktaturave më të egra. Burgjet e Gestapos dhe ato të Sigurimit shqiptar janë të pakrahasueshme me ato të fashizmit. Në një dokument nr. 33/7 prot rez, fondi Komanda Eprore e Karabinierisë Mbretërore, kryesia e Këshillit të Ministrave përmban, se: “Gjatë një muaji u arrestuan 228 persona, 312 të paditur, 246 ndalime për masa të sigurimit publik, 260 kundërvajtje, 1745 rekuizime banesash, 1956 rekuizime vetjake etj”. Mirëpo, në asnjë dokument nuk jepet, që të kenë vdekur apo jenë vrarë në burgje, siç ka ndodhur në ato të nazizmit dhe ato të komunizmit. Kjo shpjegohet, jo se mbrohet fashizmi në histori, por se faktet provojnë të kundërtën dhe historia pikënisjen e ka, si çdo shkencë, tek provat e jo tek propaganda politike në veprat e “mëdha” të Stalinit, kur vetëm gjatë dhjetë viteve të para të sundimit të tij, vdiqën nga uria 10 milionë fshatarë sovjetikë, 6 milionë u vranë, ndërsa 20% e popullit të Kazakistanit u zhduk dhe 1 milionë nga Kaukazi. Në kampet e internimit dhe burgjet e Stalinit, u bënë varre masive për 10 milionë njerëz të ekzekutuar nga policia e tij sekrete. Vetëm nga Krimeja u shpërngulën mbi 20% e popullsisë në zonat e thella të Bashkimit Sovjetik. Mbi 30 milionë njerëz u vranë, prej tij dhe sipas historianëve rusë, Stalini ndjente kënaqësi me vrasjen e njerëzve dhe nuk ngopej duke parë listat e të vrarëve në zyrën e tij të Kremlinit. E kjo përvojë e komunizmit e kishte bazën te famëkeqja “Ceka” ruse në vitin 1925, që ekzekutoi në këtë vit 1776618 veta. Në Kinë mbi 30 milionë kinezë, humbën jetën nga uria dhe mijëra të tjerë u burgosën gjatë revolucionit kulturor. Në Kamboxhia “Khmerët e Kuq” zhdukën mbi 1/3 e popullsisë. Në Shqipëri nga nëntori i vitit 1944, deri në mars 1991 u ekzekutuan për motive politike 5037 burra dhe 450 gra. Brenda këtij “burgu të madh” ndodheshin rreth 40 burgje të mbyllura dhe mbi 50 kampe me punë të detyruar. U internuan 48217 burra dhe 10792 gra. U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga fshatrat kufitare 11536 familje. Kanë gjetur vdekjen 980 të dënuar politikë dhe 380 persona kanë pësuar trauma psikike. Këto statistika i kanë mjaftë të detajuara shoqatat e të persekutuarve politikë, por mbi të gjitha njerëzit e gjallë, që janë sot. Enver Hoxha , edhe drejtorin e parë të burgùt 313 në janar të vitit 1945, Aristidh Qëndron, e pushkatoi. E në këto statistika të përjetuara në tri diktatura fashizmin, nazizëm dhe komunizëm, burgu u bë një vend edukimi për shkatërrimi i vlerave njerëzore më tepër se në çdo kohë historike në komunizëm.