Shkaku mendohet një konflikt pronësie
LUSHNJE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Grabjan të Lushnjës ku një i ri ka mbetur i vdekur i masakruar me thikë. Nga burimet zyrtare të policisë raportohet se 35- vjeçari Servet Nella është masakruar me thikë, duke u goditur deri në vdekje nga një bashkëfshatar i tij. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, policia ka ndaluar të dyshuarin si autor të vrasjes konkretisht 34-vjeçarin Nezir Mehmeti. Sipas të dhënave paraprake thuhet se shkak për vrasjen e Nellës, ka qenë një konflikt pronësie mes tij dhe 34-vjeçarit Mehmeti. Sipas deklaratave të marra nga vendi i ngjarjes thuhet se 2 shtetasit janë konfrontuar disa herë me fjalë dhe e njëjta gjë ka ndodhur dhe ditën e djeshme. Ata fillimisht janë përplasur verbalisht, ndërsa më pas gjendja është acaruar dhe më tej. Autori i vrasjes N. Mehmeti ka goditur disa herë më një armë të ftohtë bashkëfshatarin e tij, Servet Nella duke e lënë të vdekur. Vrasësi i dyshuar është shoqëruar në komisariat, ku dhe është marrë në pyetje për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes.