Kontroll për armë, vritet Adem Tahiraj. Shkaqet mister, dyshime për trafiqe
Me breshëri automatiku është vrarë dje pasdite shefi i komisariatit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, teksa kontrollonte një makinë Katund-Sukth të Durrësit. Duket se gjithçka shoqërohet nga misteri i trafiqeve të drogës, pasi autorët e dyshuar, vëllezërit Xhakja janë përmendur në raporte të rëndësishme ndërkombëtare si të implikuar në dërgesat e heroinës për në Itali. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 gjatë një operacioni për kapjen e personave të kërkuar në zonë, ndërsa Tahiraj shoqërohej nga patrulla e post-bllokut të policisë, gjatë kontrolleve për armë pa leje. Pasi ka qëndruar makina e dyshuar shefi i komisariatit të Shijakut është afruar i vetëm për t’i kërkuar dokumentet të dyshuarit Ilir Xhakja, person me precedentë të shumtë penalë, i përmendur edhe në raportet e CIA-s, por edhe i dënuar me 25 vjet për vrasje në vitin 2007. Por rreth 5 metra pa mbërritur te mjeti që kishte ndaluar, kryekomisari u qëllua me breshëri automatiku, ku gjeti vdekjen e menjëhershme. Tahiraj ra i vdekur në afërsi të gomave të makinës së të dyshuarit. Bashkë me 38-vjeçarin Ilir Xhakja, të dyshuarin kryesor për këtë vrasje, në makinë ka qenë nipi i tij 18 vjeç, Ledi Krasniqi, të cilët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Mes tyre dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri, ku për pasojë mbeti i vdekur kryekomisar Adem Tahiraj, ndërsa është plagosur kalimtarja 64 vjeçe Elena Ndokaj, e cila është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. I plagosur ka mbetur edhe një person tjetër. Ngjarja ka pasur shumë pak dëshmitarë, pasi errësira në zonë dhe rruga e ngushtë në Katund-Sukth duket se ka favorizuar veprimet e autorëve.
RENEA e policia në vendngjarje
Në vendin ku u vra kolegu i tyre, menjëherë mbërritën punonjës të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, forca nga policia e Shijakut, si dhe efektivët e RENEA-s. Rreth 50 metra nga vendngjarja, policia gjeti një makinë të braktisur, të tipit “Wolsvagen Polo”, me targa BK 140 HG, të cilën e dërguan menjëherë për ekspertizë. Ndërkaq, atje mbërritën drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si zv-drejtorët Tonin Vocaj e Agron Kuliçaj, të cilët mbikëqyrnin veprimet policore. Deri në orët e vona të pasdites policia ka shoqëruar disa dëshmitarë të rastit, për të dhënë detaje rreth ngjarjes, ndërkohë që po kontrollohen banesat ku mendohet se janë strehuar autorët.
Shkaqet e vrasjes
Deri më tani zyrtarisht policia nuk ka dhënë ndonjë pistë konkrete të shkaqeve të ngjarjes së rëndë. Në njoftimet e saj policia thotë se vrasja ndodhi gjatë një kontrolli për armëmbajtje pa leje, ndërsa nuk jepen detaje se përse Xhakja qëlloi mbi kryeinspektorin. Ndërkaq, burime tepër të rezervuara nga Prokuroria thanë se paraprakisht dyshohet se një përplasje për trafiqet ka qenë shkaku i vrasjes, por gjithçka mbetet për t’u konfirmuar në ditët në vijim.
Dëshmitarët: Dëgjuam krisma, por s’ pamë gjë
Gojëkyçja në Katund-Sukth, fshatin “Far West” plot mistere
Vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë nuk është shumë larg autostradës Tiranë-Durrës dhe rruga e fshatit Katund i Ri ashtu siç dukej të ishte vendi perfekt për të kontrolluar personat me rrezikshmëri, ashtu mund të shndërrohej menjëherë në skenën e saktë të hakmarrjes kundër policisë. Errësira e plotë që mbizotëronte atje dhe kthinat e shumta të rrugëve dytësore e bënin Katundin e Ri një nga fshatrat më të frikshëm të këtyre ditëve dhe jo vetëm për vrasjen e djeshme, por edhe për personat e shumtë me precedentë penalë apo të “pastër” që qarkullojnë aty. Trafiku i heroinës dhe i femrave janë dy prej “furnizuesve” kryesorë të fshatrave të asaj zone me vila 3 apo 4 katëshe. Periodikisht aty janë shënuar disa konflikte të ashpra, ku nuk kanë munguar vrasjet apo plagosjet e shumta, kryesisht me motivin e “larjes së hesapeve”. Shumë pranë vendngjarjes, banorë të shumtë të zonës as që ta zgjasin më shumë kur u përmend mbiemrin Xhakja. Ata të tregojnë gjithçka tjetër të kërkosh, përveç tyre. Një për një janë të gatshëm të t’i thonë se kush e ka këtë apo atë vilë, por për vilën e Xhakajve nuk dinë gjë. Rreth 50 metra larg vendngjarjes është një pikë karburanti, por punonjësit e saj kur ishte vrarë shefi i komisariatit, nuk kishin parë asgjë. Ata thanë vetëm se “dëgjuam të shtëna, por nuk pamë asgjë”. Pak më afër vendit të krimit ishte edhe një parukiere, e cila vetëm sa ishte tmerruar nga breshëritë e automatikut dhe kishte dëgjuar zëra, por vetëm kaq. As ajo nuk kishte parë asgjë. Pjesa më e madhe e fshatarëve të zonës ruanin kodin e “gojëkyçjes” ndaj bashkëfshatarëve të tyre, nami i të cilëve mesa duket nuk është i vogël.
“Vrasësit në kërkim, policia në operacion”
Njoftimi zyrtar i policisë së shtetit
Në njoftimin e saj, policia tha dje se “Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, shefi i komisariatit të policisë Shijak, kryekomisar Adem Tahiraj, i cili për pasojë ka humbur jetën. Pas aktit kriminal autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Menjëherë, në vendngjarje, shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të policisë së qarkut Durrës vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve. Strukturat e policisë së qarkut Durrës, forcat RENEA, si dhe forcat e FNSH-së vazhdojnë punën intensive për të bërë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, të cilët janë: Ilir Azem Xhakja, i datëlindjes 1974 dhe Ledio Ruzhdi Krasniqi, nipi i tij, që të dy banues në Katund Sukth. Shtetasi Ilir Xhakja ka pasur një sërë precedentësh të mëparshëm kriminalë: në vitin 1995 është dënuar me 1 vit burgim për plagosjen e shtetasit Dashamir L., në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentian Petrit Gjoka dhe Petrit Lyti, në vitin 1996 është dënuar me 6 muaj burgim për kanosje serioze për jetën ndaj shtetasit Ylli M, më datë 15.05.2002, ka filluar procedimi për vrasje në territorin e komunës Katund i Ri Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku. Shtetasi Ilir Xhakja është arrestuar nga strukturat e Policisë së Shtetit më datë 06.07.2007, por më pas u dënua vetëm për “armëmbajtje pa leje”.
Cili ishte oficeri i vrarë
Të dhëna personale mbi kryekomisar Adem Tahiraj
Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, i datëlindjes 1 shtator 1963, lindur në Kërrnajë, Tropojë, e banues në Tiranë, i martuar, me arsim të lartë. Ka një karrierë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit, në radhët e të cilës ka punuar prej mbi 20 vite. Si rezultat i përkushtimit profesional ka përmbushur me sukses detyra të vështira në strukturat e Policisë së Shtetit dhe për këtë në vitin 2008 ka fituar dhe Gradën Kryekomisar me urdhër nr. 380/1 dt. 18-06- 2008. Në CV-në e tij policore përmenden disa vite shërbim në disa komisariate dhe drejtori policie të vendit. Pak kohë më parë ai ka qenë anëtar i GOS (Grupeve të Operacioneve Speciale), ndërsa rreth një vit më parë ai ishte transferuar si agjent krimesh në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Para 9 muajsh ai mori detyrën e Shefit të Komisariatit të Shijakut. Ka qenë në Sektorin e Policisë Kriminale, Shef grupi (njësie) në njësinë operative, Drejtoria kundër Krimit të Organizuar, në Departamentin e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Shef Njësie në njësinë operative në forcën e posaçme në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, shef njësie dhe specialist: njësia operative në forcën e posaçme dhe shef komisariati i policisë Shijak nga 02.09.2011.
Në “Kodrën e Priftit”
Shtëpia hap mortin për babain e tri fëmijëve
Dje në shtëpinë e oficerit të vrarë, Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, ishin hapur dyert e mortit. Prej disa vitesh ai dhe familja e tij banonte pranë “Kodrës së Prifit” në kryeqytet, në një vilë. Ai ishte martuar dhe kishte 3 fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Djali më i madh studion në klasën e pestë. Oficerë të lartë të policisë ishin dje në banesën e tij, ku ngushëlluan bashkëshorten, ndërsa shtëpia ishte mbushur nga të afërm dhe miq. Fqinjët thanë se e njihnin Tahirajn si person të rregullt, familjar dhe të komunikueshëm dhe shfaqën keqardhjen e tyre për vrasjen.
Vrasjet e kryekomisarëve
Kryekomisari i Durrësit Gani Malushi, precedenti i vetëm
Ky nuk është rasti i vetëm kur Policia e Shtetit humb një prej të sajve. Në fakt lista ka qindra e qindra policë të vrarë në krye të detyrës, por deri në ditët e sotme janë vrarë vetëm dy shefa komisariati, Adem Tahiraj që u ekzekutua dje dhe kryekomisari Gani Malushi, i cili u ekzekutua në vitin 2003, në Durrës. Si vrasës i tij u kap dhe gjykua Agim Pepa, ndërsa si motiv doli ai i ngatërrimit të viktimës, pasi autori do vriste shoferin e Malushit, me të cilin ishte në gjak. Një tjetër vrasje e katërfishtë ishte ajo e policëve në Durrës, ku Dritan Dajti akuzohet se i qëlloi në vitin 2009.
Reagojnë edhe disa deputetë të PS-së
Edi Rama: E kam njohur, i shpreh ngushëllimet familjes
Ekzekutimi me breshëri automatiku i shefit të komisariatit të Shijakut, Adem Tahiri, ka sjellë edhe reagimin e kryesocialistit Rama dhe të disa eksponentëve të tjerë socialistë. Nga Twitteri Rama shkruan se vrasja e tij ishte një alarm buçitës për epërsinë e krimit mbi shtetin. “Vrasja e Adem Tahirit alarm buçitës për epërsinë që ka marrë krimi mbi shtetin dhe pasigurinë e kudondodhur në gjithë territorin e vendit”, tha ai. Lideri i opozitës shprehu më tej ngushëllimet për familjarët e komisarit nga Tropoja. “Adem Tahirin e kam njohur dhe ishte një djalë nga ata që i quajmë “zotni”! Ngushëllimet më të ndjera për familjen e miqtë në Tropojë e kudo”, nënvizon Rama. Rama shton më tej se, “Dua të ngushëlloj e inkurajoj sot çdo komisar e polic të ndershëm në përballjen me krimin, megjithë kushtet e patolerueshme të punës së vet dhe dua të garantoj çdo qytetar se do t’i japim këtij vendi sigurinë e munguar dhe uniformës blu autoritetin e plotë të ligjit në territori”, thotë ai. Ndërkaq, ka reaguar edhe ish-drejtori i policisë së Tiranës Pjerin Ndreu, i cili tha se “ai ishte një ndër yjet e policisë, shoku e vëllai ynë që kemi ndarë shumë situata të rrezikshme. Ndërkaq, ish-kryepolici Ahmet Prençi thotë se “Dora kriminale qëlloi dhe i mori jetën. E tmerrshme! Që sot nuk do të kemi mes nesh kolegun dhe shokun tonë të dashur”. Erjon Braçe thotë se “Krimi po kalon çdo cak”. Një tjetër reagim më të ashpër pati nga deputeti socialist Ilir Gjoni që thotë se “Nuk ka siguri që jo vetëm nuk siguron qytetarët, por i vret ata siç ndodhi më 21 janar”.
Shtohet misteri i mospërfshirjes së specialëve në aksion
Xhakja u kap me armë nga RENEA në 2007-ën, por askush s’u lëndua
Misteri i vrasjes së djeshme dhe mënyra e operacionit fillestar policor për kontroll për armë pa leje sa vjen e shtohet dhe ngjarja duket se po ngjason me operacionin për kapjen e Dritan Dajtit, ku u vranë 4 policë. Një sërë pyetjesh lindin tani për mospërfshirjen e RENEA-s në operacione kaq vështira. Mjafton të përmendet fakti që ky person është arrestuar nga RENEA në vitin 2007. Edhe atëherë ai ishte i armatosur, por nuk bëri rezistencë dhe askush nuk u plagos. Në vitin 2007, dy grupe të RENEA-s arritën të arrestonin në plazhin e Durrësit, të shumëkërkuarin nga policia, Ilir Xhakja, i cili atë vit ishte dënuar 25 vite burg për vrasjen e Rudin Shahinit nga Katundi Sukth në Sallmone. Këtë të fundit ai dyshohet se e vrau për t’u hakmarrë mbas daljes së këtij nga burgu, pasi ai i kishte vrarë xhaxhanë, Hamdiun. Bashkë me të, policia arrestoi dhe pesë persona të tjerë. Në makinën e të dënuarit, u gjetën dy automatikë kallashnikovë dhe dy pistoleta, ndërsa në shoqërinë e tyre ka qenë edhe një femër. Një telefonatë anonime ka shërbyer që specialet të hidhen në sulm. I akuzuar si i dyshuar për shumë vepra penale dhe një sërë vrasjesh në bashkëpunim, rrëmbim personi, por mbi të gjitha i cilësuar një mjeshtër i vërtetë për vënie eksplozivi në vende dhe kohë të ndryshme, Ilir Xhakja, nga Katundi i Ri në Sukth, është arrestuar në grykëderdhjen e Erzenit, plazhi i Durrësit. Specialistët nga kryeqyteti janë hedhur menjëherë në sulm për neutralizimin e makinës ku ndodhej ai dhe 5 miq të tij. I ashtuquajturi kapobanda i Shijakut, ka qenë i armatosur, por nuk ka bërë rezistencë ndaj rrethimit të RENEA-s.
Cila gjykatë e liroi?
I lirë edhe pse i dënuar me 25 vjet burg për vrasje
Shtetasi Ilir Xhakja, pak muaj më parë ka dalë nga burgu, ku vuante dënimin për një vrasje, ndërsa mbi të rëndojnë një sërë akuzash të tjera. Ilir Xhakja nuk ka qenë person i shpallur në kërkim, edhe pse në vitin 2007 ai është dënuar 25 vite burg për vrasjen e Rudin Shahinit nga Katundi Sukth në Sallmone. Këtë të fundit ai dyshohet se e vrau për t’u hakmarrë mbas daljes së këtij nga burgu pasi ai kishte vrarë xhaxhanë e tij, Hamdiun. Ilir Xhakja akuzohet si person i dyshuar për një sërë vrasjesh në rrethin e Durrësit që nga viti 1994. Procesi i tij vazhdon ende sot e kësaj dite në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë për akuza të tjera. Por edhe këtu duket se lind një tjetër mister gjigand, ai sesi u lirua nga burgu Ilir Xhakja edhe pse ishte dënuar me 25 vjet për vrasje. Në një njoftim të policisë thuhet se ai është dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje. Cila gjykatë dhe cili gjyqtar e liroi? Edhe kjo mbetet pikëpyetje që kërkon përgjigje urgjente.
Akuzat nga vrasjet deri në trafik droge dhe femrash për prostitucion
Dosja penale e klanit “Xhakja”, sipas raporteve të huaja policore
Klani “Xhakja” është përmendur në disa raporte të rëndësishme policore dhe të strukturave të fuqishme ligjzbatuese. Autoritetet italiane e kanë të skeduar këtë klan për trafik droge dhe femrash, ndërsa emrat e tyre janë përmendur edhe nga raportet e CIA-s.
Seria e vrasjeve
Në 1994, qytetari Ilir Xhakja ka qëlluar me armë në lokalin e Qerim Malokut, në fshatin Sukth, është arrestuar, por më tej është liruar. Gëzhojat e gjetura në skenën e krimit, korrespondojnë me ato të gjetura në skenën e krimit të vrasjes së qytetarëve Gentian Gjoka dhe Petrit Lyti në 1998, në fshatin Hamallaj; çuditërisht, e pazbuluar. Në 1998, banda Xhakja (Ilir, Agim etj.) kanë vrarë në fshatin Hamallaj qytetarin Gentjan Gjoka (nip i Dash Gjoka) dhe Petrit Lyti, mik i Gentit, të dy nga Hamallaj; ngjarje e pazbuluar. Në 1998, Ilir Xhakja, bashkë me persona të tjerë kanë vrarë qytetarin Qerim Maloku në Katund Sukth, një ngjarje që është zgjidhur në vitin 2003, kur u gjend arsenali i armëve të bandës “Xhakja”. Kjo ngjarje është në gjykim pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, ku ndër dëshmitarët okularë, përfshihen edhe ish-oficerët e policisë Urim Koka (SPZ në atë kohë, i arrestuar tashmë në Itali dhe i dënuar me 15-vjet burg për trafik prostitucioni) dhe Maksut Zhiti (SPK në atë kohë); të dy miq të Xhakajve. Në 1998, Ilir Xhakja ka vrarë në prani të shumë dëshmitarëve, qytetarin E. Shega nga Peqini, gjatë varrimit të kushëririt të tij (i biri i dajës) Agim Xhaka, vëllanë e Arbenit, sepse E. Shega kishte vrarë Agimin në Kërrabë, Tiranë, katër vite më parë, për shkak trafikimit të femrave në Itali. Kjo çështje është po ashtu e pazbuluar, pavarësisht se është kryer në publik. Të dy ish-policët, U. Koka dhe M. Zhiti, kanë qenë të pranishëm në vrasje. Në korrik 1999, i gjithë klani Xhakja (Azem, Ilir, Bardhi – zv/kryetar i komunës së Katundit të Ri, Genti dhe bashkëpunëtorë të tjerë) kanë qëlluar të gjithë anëtarët e klanit Maloku, me anë të një arsenali që përfshinte edhe tanke, duke u shkatërruar edhe shtëpitë. Ata u arrestuan nga forcat speciale dhe armët e tyre u konfiskuan, përfshirë këtu mjete të blinduara dhe gjithashtu dy femra moldave. Mbas gjashtë muajsh burgim, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Durrës i liroi. Kjo ngjarje u bë e njohur dhe si rrjedhojë, avokati i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Durrës, Shkëlqim Xhemollari, u përjashtua nga puna. Në mars 2003, Ilir Xhakja dhe të tjerë kanë vrarë qytetarin Rudin Shahini nga katundi Sukth në Sallmone, për t’u hakmarrë mbas daljes së këtij nga burgu pasi ai kishte vrarë xhaxhanë e tij, Hamdi (babanë e Arbenit). Gjatë kësaj ngjarjeje u konfiskua një arsenal armësh të llojeve të ndryshme dhe ekspertët arritën në përfundimin, se një nga armët ishte përdorur në vrasjen e Qerim Malokut në 1998. Edhe kjo ngjarje është e pazbuluar.
Akuzat drogë e femra
Të gjithë anëtarët janë të përfshirë në trafik femrash, droge dhe armësh, si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Shumica e klanit “Xhakja” kanë tendenca të theksuara kriminale për vrasje, trafik droge dhe prostitucioni.
Klubi i drogës
Në mars 2006, pati një përpjekje për të sulmuar Fatbardh dhe Arben Xhakajn në fshatin Sallmone, në komunën Xhafzotaj, ku Arbeni u plagos. Sipas informacioneve të policisë, ata u qëlluan për shkak të tregut të drogës në Durrës. Ata kanë marrë me qira një klub me emrin “Fosfor Club”, i cili ndodhet pranë Drejtorisë së Policisë të rrethit të Durrësit, që është edhe vendi ku dyshohet se bëhen shkëmbime dhe shërndarje të drogës në Durrës.
Mjetet që përdor klani
Ky klan për të lëvizur përdor llojet më të fundit, si një “Mercedes” kabriole, gri, me targa italiane, një “Mercedes” blu, me targa DR 5255 D, një “Mitsubishi Pajero” me targë Durrësi etj. Të gjitha këto mjete dyshohet se nuk kanë dokumentacion dhe janë të vjedhura në Itali.