Zhduken nga Galeria e Arteve piktura të Vangjush Mios

Asnjë inventar në 10 vjet, përgjegjësia “ping-pong” mes punonjësve

KORÇE – Grabiten nga Galeria e Arteve të Korçës 60 vepra arti, ndër to gjysma piktura të artistit Vangjush Mio. Kallëzimi është bërë një ditë më parë nga drejtori i kësaj galerie sipas të cilit kjo e fundit nuk ishte inventarizuar prej një dekade çka lë të kuptohet se nuk dihet sa vepra saktësisht janë vjedhur, kur dhe kush mban përgjegjësi për këtë masakër.

Në të tilla kushte situata ka alarmuar drejtuesit e Galerisë së Arteve, të cilët kanë ngritur një grup pune për inventarizimin e veprave.

Zhdukjet

Drejtori i kësaj Galerie, Vladimir Topi, tha se ish-përgjegjësi i ka pohuar se në godinë nuk është vënë re asnjëherë ndonjë thyerje apo dëmtim që të dëshmojë se kanë hyrë grabitës. Ndërkohë që nuk dihet koha e saktë e zhdukjes së tyre, sepse siç pohon Topi për 10 vite nuk është kryer inventar pasi Galeria ka pasur një përgjegjës tjetër që nuk bëri dorëzimet. “Problemi është se është ndryshuar punonjësi i Galerisë, tani është një punonjës i ri, kurse punonjësi që e ka pasur për 10 vjet inventarin refuzoi të bënte dorëzimet. Ne ngritëm grupin e punës për të kryer inventar pasi kanë dalë shqetësime, zëra të kësaj natyre. Sipas punonjësit që ka qenë nuk ka pasur deklaratë për thyerje, vjedhje të veprave, kjo është çudia më e madhe”, shprehet Topi duke theksuar se ndër veprat e humbura janë dhe disa të piktorit, Mio. Ish-përgjegjës i arkivës në galerinë e arteve, Sotiraq Gega, i cili ka qenë në këtë detyre deri para pak muajsh ka administruar veprat për 10 vite me radhë në periudhën, 2001-2011. Ai pohon se nuk ka mbajtur inventar dhe se nuk është në dijeni të situatës. “Unë nuk kam dijeni për këtë gjë. Unë nuk kam mbajtur inventar!”, shprehet ai i revoltuar. Nga ana tjetër, policia ka nisur hetimet për rastin, pasi bëhet fjalë për vepra me një vlerë të madhe, ku vetëm një pikturë e Mios, sipas specialistëve kushton nga 10 deri në 30 mijë dollarë.

Vajza e piktorit

Rozeta Mio e cilëson kriminal aktin e vjedhjes së veprave, ndërsa deklaron se është shokuar nga lajmi dhe se për familjen Mio është një dëm i madh moral. Sipas vajzës së artistit të madh, pikturat janë pasuri e shtetit dhe ato i janë shitur galerisë me një vlerë modeste prej 500 lekësh të reja secila. Mio deklaron se kjo është vjedhja e dytë që i bëhet pikturave të babait të saj, pas asaj të kryer në vitin 1994, kur u zhdukën 21 piktura në shtëpinë muze, por sipas saj policia arkivoi dosjen, duke e lënë të pazbardhur. Rozeta Mio shpreh zhgënjimin e saj dhe shpreson në zbulimin e autorëve të vjedhjes së dytë, pasi sipas saj personi që ka marrë pikturat e Vangjush Mios është një njohës i mirë i veprave të artit.

Vangjush Mio

Piktori Vangjush Mio lindi në Korçë në vitin 1891. Gjate 40 viteve të jetës së tij ai punoi e la 400 vepra dhe 130 vizatime të realizuara. V. Mio është artisti i parë shqiptar që çel ekspozitën e parë në Shqipëri më 1920 në Tiranë. Ekspozitën e tretë e çeli në Korçë më 1926, të katërtën me 1928, të pestën kolektive më 1931 në Tiranë, ku fitoi edhe çmimin e parë në pikturë. Tashmë ai ka krijuar fizionominë e vet dhe personalitet dinjitoz. Më 1933 çeli ekspozitë personale në Korçë. Më 1938 merr pjesë në ekspozitën kolektive në Tirane dhe më 1942 në atë që u çel në Bari të Italisë. Deri sa vdiq, mori pjesë në të gjitha ekspozitat e organizuara në Shqipëri. Më 1957 merr pjesë në ekspozitën “Retrospektive” e organizuar në nëntor në Tiranë për nder të tij, e cila është dhe ekspozita e fundit ku ai merr pjesë. Vdiq në Korçë më 30 dhjetor të vitit 1957.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>